DEMONSTRATAT E VITIT 1981, NGA NJË KËNDVËSHTRIM TJETËR (2)

Në 43 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981

(Kujtime burgu nga burgu)

DEMONSTRATAT E VITIT 1981, NGA NJË KËNDVËSHTRIM TJETËR (2)

Shkruan: Xhafer Shatri

Burgu i Ferizajit, ishte dykatësh. Ndoshta ka pasur edhe bodrum, por nuk e di. Nëse nuk gaboj, në çdo kat kishte 4 qelia dhe 4 dhoma. Dritaret e dhomave, natyrisht me grila, shihnin në korridor.

Ndëkaq ajri dhe drita vinin përmes dritareve të korridorit, por këto të fundit gjatë vjeshtës dhe dimrit i mbanin të mbyllura. Burgu kishte përballë ndërtesën e UDB-së, kështu që rrezet e diellit nuk arrinin asnjëherë në brendësi të dhomave.

Poshtë ishte një oborr i vogël, kuzhina e burgut, zyra e drejtorit dhe e administratës.

Dhomat, siç e thash, ishin të errëta dhe kjo ma pati dëmtuar bukur shumë të pamit. Gjatë gjithë kohës më rrinin sytë e enjtur dhe të skuqur. Në këtë, sigurisht se ndikonte edhe leximi i përditshëm, sepse fundja kjo ishte e vetmja gjë që më kënaqte e më plotësonte. Zakonisht rrija shtrirë, ani se ditën ishte e ndaluar, sepse kjo më mundësonte që ajo pak dritë që vinte nga jashtë të bie drejt e mbi faqet e librit.

Mirëpo, duke qenë i shtrirë, pluhuri drejtpërdrejë më binte në sy, edhe kjo kishte një ndikim. Nuk kisha besim të shkoj te mjeku për sy, por i tregova familjes dhe ata pastaj ma sollën një ilaç dhe ky ma pati zbutur gjendjen sadopak.

Siç e thashë, Burgu ishte gati ngjitur për ndërtesën shumëkatëse të UDB-së. Nga dhomat tona ne i shihnim nëpunësit nëpër zyra, dhe të burgosurit, që ishin nga rrethi i Ferizajit, i njihnin dhe na informonin për emrat dhe funksionet e tyre…

Kjo ngrehinë e vjetër, prej vitesh nuk ishte më burg hetues. Sepse shërbente më tepër si burg i përkohshëm për vuajtjen e dënimit ose si “karantinë“ derisa bëhej seleksionimi i të burgosurve. Prej këtu, pas disa javësh por edhe muajsh, i dërgonin në ndëshkimoret gjysmë të hapura, në Smrekovnicë ose në Lypjan. Me një fjalë, ky ishte burg “tranzit“, prandaj dhomat e tij i ngjanin disi sallave të pritjes nëpër stacione të vjetra të trenit nëpër Ballkan; të errta, të papastra dhe plot me njerëz, që krejt kohën shkonin e vinin…

Kjo i kishte të mirat por edhe të këqijat e veta.

Aty vinin njerëz të dënuar për vjedhje, prerje të pyellit, rrahje e ngatërresa nga më të ndryshmet.

Kishte njerëz nga Ferizaji me rrethinë, nga Drenica, nga Llapi e Gollapi, nga rrethi i Gjilanit etj.

Ne katin përdhesë, në qeli, ishte një i sëmurë psiqikisht. Thonin se quhet Selatin. Kishte qenë për vrasje dhe, si duket, gjendja e rëndë e familjes e kishte nxjerrë prej binarëve dhe vuajtjen e tij e nxjerrte përmes një britme të tmershme që t’i çonte flokët përpjetë.

Disa herë i kam ndëgjuar kah e rrahin mizorisht, por megjithatë ai nuk i ndalte britmat e tij.

Drejtor i burgut ishte një serb, Sveta quhej. Ishte rreth 50 vjeç dhe shumë dinak. Ta digjte çergën. Me mua komunikonte me një korrektësi të çuditshme.

Roje nuk kishte shumë: Shyqa, Nazifi, Ganiu, një burrë i lig deri te zoti, Hafizi, Muhameti, Metushi, Demushi dhe Sadiku, ky ishte nga Strellci.

Më i miri prej tyre ishte Demushi. Krejt qenia e tij rrezatonte një mirësi e njerëzillëk shëmbullor.

Ishin edhe dy serbë: Vlada, nga Shtërpca, një tip, që, përkundër përpjekjeve, nuk mund ta fshihte armiqësinë dhe Toma nga Sllovia.

Ky i fundit e fliste shqipen pa theks dhe ishte shumë korrekt…, e, padyshim, më i zgjuari prej të gjithëve. Këtij ishte jo zor, por e pamundur me ia hedhë.

Në fillim, sa isha vetëm në dhomë, dikund rreth tre muaj, nuk e dija se është serb.

Pas dy muajsh e liruan Njaziun. Unë isha në dhomën 9, ndërsa ai në dhomën 8, dhe meqë dhomat ishin në këndin e korridorit, ne hipnim mbi “kibëll“ ose shtrat dhe flisnim me njëri tjetrin, duke qenë ballë për ballë. Por me kujdes maksimal, sepse, ani se krejt kati ishte bosh, kisha bindjen se aty kishte mikrofona.

Dhe ishte krejt e natyrshme, sepse mbi 90% të pjesëtarëve të Grupit Revolucionar të Kosovës nuk ishin zbuluar, kështu që hetimet ndaj meje vazhdonin me të gjitha mënyrat e mundshme edhe pas 7 vjetësh burgimi.

Para se ta lironin Njaziun, shfrytëzova rastin dhe ia hudha një pusullë për dritare: “Ende nuk e kam marrë vendimin e plotfuqishëm për dënim në Podgoricë (për shkak të kryengritjes në Ndëshkimoren e Spuzhit, përmes së cilës dënimin nga 8 vjet ma kishin ngritur në 11), kështu që, nëse ma konfirmojnë dënimin, unë do të përpiqem me ikë nga burgu me çdo kusht, prandaj sa më shpejtë, shko bleje një atllas, dhe futmi në kopertina dy sharra të reja për prerjen e metalit dhe dërgoja familjes, mos le gjurmë gishtërinj në to…

Në korrik pritet të dalë nga burgu Isa Kastrati, edhe atij ia kanë shtuar 3 vjet, prandaj nëse ai del, lajmëroma familjen menjëherë…”

Pas dy javësh, kur erdhën familja, ma sollën, atllasin. Pa ndonjë problem.

Njazi Korça ishte burrë i fjalës dhe ma dinte hallin.

* * *

Posa më transferuan në Ferizaj, i parapagova: Rilindjën, Politikën, Ekspresin dhe të përjavshmën e Beogradit “NIN“ (Nedeljne Informativne Novine).

Gazetat m’i sillnin me vonesë derisa i lexonin vetë, të gjithë, kisha përshtypjen, prej Svetës e tëposhtë…

Ushqimi ishte katastrofik, por familja më sillnin rregullisht. Unë gjithashtu porosisja për çdo javë artikuj ushqimor, e sidomos qumsht të konservuar. Me blerjet merrej administratori i Burgut, Hafiri.

Dikur në dhomën time, filluan të sjellin të dënuar. Ata ndërroheshin shpesh dhe prej tyre e plotësova me informacione, në një masë të mirë, mungesën e gjatë shumëvjeçare nga Kosova.

Për çdo ditë ndëgjoja rrëfime nga më të çuditshmet.

Një ditë e sollën një plak nga Smallusha, i thonim Halit, por ne i thonim Bajraktar. Kishte qenë i varfër e i këputur. Përpara e kishte vetëm një dhëmb, me të cilin e përgjakte vazhdimisht buzën e poshtme dhe kur e pyesnin: Pse po të përgjaket buza, ai, duke na e rrudhur syrin, thoshte: M’ka kicë gruja!

Kishte mustaqe të gjata, dhe nuk kujdesej fare për to, pos kur i dredhte herë pas herë.

Luante mirë cicmic dhe i mundte gati të gjithë… Sa herë i mundte, i fërkonte duart, i dredhte mustaqet dhe thoshte, duke i çatalluar sytë: Ta shlooova!

Shkrihej prej kënaqësisë. Mirëpo këtë e shfaqte më tepër për të na nxitur të qeshim.

Me një rast, ia kishte pas falur një të afërmi njërin prej djemëve. Rrëfente me trishtim të pafund për këtë rast dhe, dikur, shtoi: “Atë natë që ia dhash djalin, nuk fjeta gjithë natën, dhe m’u nxe koka aq shumë sa që kisha përshtypjen se ma kanë vu saçin e skuqur mbi kry’!“

“Po pse ia fale, atëherë, – i thash?“

“Më pshtoi fjala dhe nuk mund ta ktheja mbas…“

Memzi i mbante familjen me bukë, por kishte një kod të fortë moral.

Mes atyre që i sillnin kishte edhe spiunë të regjur, të cilët, për shkak të përvojës së madhe, i zbuloja shpejt. Nuk ka as shkollë e as përvojë më mësimdhënëse se burgu.

Kjo ishte një përparësi e madhe, sepse edhe arrija ta ruaj distancën me çdonjërin, por edhe t’i lë në “gjumë“, pa ashfaqur asnjëherë dyshimet e mia.

* * *

Isha duke vuajtur vitin e shtatë të dënimit dhe nuk kisha haber se si t’ia bëj; kushtet ishin shumë të këqija, na nxjerrnin në shëtitje dy herë në ditë nga 10-15 minuta dhe na kthenin. Tërë kohën mbyllur.

Megjithatë, për të mos e humbur vitalitetin, ushtroja për çdo ditë nga një orë të paktën dhe para ushtrimeve vrapoja në vend deri në 10’000 hapa.

Kjo më ndihmonte shumë, ani se ajri ishte plot pluhur.

Kur erdha fillimisht, gardianët më kqyrnin si me pas ardhë nga shpella. Por përgjithësisht ishin korrekt. Pos njërit, por ky vërtetë e dinte tutën hak. Unë nuk di se çka kishin shkruar ata të Mitrovicës së Sremit, por kam përshtypjen se Njaziut dhe mua na e kishin mveshur tollovinë që pati shpërthyer atje, dhe për të cilën, vërtetë, nuk kishim asnjë përgjegjësi.

Por unë mbaja një qëndrim maksimalisht korrekt dhe e respektoja rregulloren e burgut. Kjo ishte mënyra më e mirë që “t’i vë në gjumë“.

Për të mos përbi gjithçka, më 16 janar 1981, ia dërgova një protestë Sekretarit Krahinor për Jurisprudencë dhe Administratë të Përgjithshme, dhe kërkova të dërgohem në ndëshkimore, ku ka kushte normale, në përputhje me ligjin, për vuajtjen e dënimit.

Pas tri ditësh më thirri Sveta në zyrë:

Ishte i zgjuar dhe kishte shume përvojë. Më duhej të jem maksimalisht i kujdesshëm.

Sveta: “E kam lexuar letrën që ia ke dërguar sekretarit,- më tha, por nuk di se a është lutje, protestë apo kërkesë…

Ti e di se në këso forme mund të shkruajë vetëm organi i shtetit…“

Unë: “- Jo, protesta shkruhet në rast se dikush ua shkelë të drejtat dhe personi kërkon respektimin e të drejtave të tij. Unë nuk duhet t’i lutem askujt që ta respektojë ligjin, sepse ju e keni për detyrë, mandej edhe paguheni për këtë. Në rastin tim, unë qe më shumë se 4 muaj po mbahem në izolim, pa asnjë vendim dhe pa asnjë shkak.“

Sveta: “- Shkaqe ka, sepse nuk të kanë hequr prej Mitrovicës së Sremit pse lexon libra pandëprerë, ose pse bën për çdo ditë gjimnastikë, as pse e ke emrin Xhafer e mbiemrin Shatri, por pse e ke bërë tollovi. Në fakt ngado që ke qenë ia ke prishë punën vetit tu ba tollovi mas tollovie. Në Idrizovë, qashtu, Në Spuzh edhe daha ma zi, në Mitrovicë gjithashtu. Asnjë KPDOM (ndëshkimore) në Jugosllavi, nuk ka pranuar me të transferu aty, prandaj të kanë pru këtu… Askush nuk po të don…“

Unë: “- Nuk po kërkoj prej askujt me m’dashtë, aq më pak prej ndëshkimoreve (robijashnice)…, sepse ka kush më don, por po kërkoj trajtim ligjor. Asgjë më shumë.“

Ky ishte vetëm një testim i dyanshëm. Një ecje ekulibriste nëpër litar.

* * *

Bota e burgut është e vogël, e ngushtë, ndërsa dita të thërmohet si dritarja me grila. Dhoma ishte e vogël 4×4, e në të 7-8 veta. Pinin duhan shumica dhe kjo më dëmtonte shumë. Ngatërroheshin shpesh mes tyre, për gjëra koti dhe e spiunonin njëri-tjetrin te Sveta (Edhe mua sigurisht…). Dhe për këtë ose kërkonin raport, pra takim, ose kah i çonin për vizitë u përshërisnin rojeve… atyre serbë kryesisht. Këtë e vëreja menjëherë pastaj nga ndryshimi i qëndrimit të rojeve.

Sidomos të dy serbët, që na i sollën në dhomë, Sava e Vllasta këtë e bënin gati hapur prandaj nuk ishin të rrezikshëm. Ndërkaq, disa shqiptarë ishin shumë më përfidë dhe shihej se ishin sjellur aty me mision… Kjo më detyronte të jem maksimalisht i kujdesshëm.

Ja si e përshkruaja aso kohe një ditë të rëndomtë burgu:

E hënë, 16 shkurt 1981,

Mbremë kam fjetur keq. Do ëndërra pa lidhje… Posa na e sollën “Rilindjën“. Duke e lexuar hasa në një koment të “Tanjugut“. Ishte interesant; “… Shumë grupe qytetarësh po shkruajnë parashtresa, përmes të cilave po kërkojnë që të korrigjohet Kodi Penal, e sidomos neni 133 që penalizon “propagandën armiqësore“. Këto grupe po kërkokan gjithashtu që të miratohet Ligji për amnisti dhe të lirohen të gjithë të burgosurit politikë. Këso parashtresash, si duket, qenkeshin shkruar gjatë sëmundjes së Titos dhe, sidomos, pas vdekjes së tij.

Disa prej tyre i paskëshin nënshkruar me qindra qytetarë, për të cilët edhe shtypi po thotë se janë të ndershëm politikisht, por “të mashtruar“… Komenti i sulmon ashpër “disa grupe të Zagrebit dhe grupin e Beogradit…“

Sot e hoqën mga dhpma jonë Ganiun (Kçiku) dhe e dërguan në dhomën nr 11. M’u dhimbt tepër shumë. Ishte një djalë fort i mirë. Jam i bindur se ky është rezultat i spiunimit. Bajraktari ia nisi të qajë me zë për largimin e tij. Memzi e qetësova.

Mixha Ali po na tregon rastin e njërit që ujqit ia kishin pas prerë të gjitha dhitë. I zoti mërzitet shumë, mbyllet në dhomë dhe nuk e ndezë as zjarrin. Mërzia e çon krejt pranë çmendjes, mirëpo, ndërkohë, karcelli, gjinkalla, ia nisë këngës së vet cërr-cërr-cërr… Pronari i shkretë, thotë vetë më vete, po kur po këndon ky që jeton në plasë të gurit të oxhakut, pse të mos ia marrë këngës edhe unë? Dhe ia nisë me këndu’!

Ai i kishte pasur dy gra dhe, kur e dëgjojnë duke kënduar, i thonë njëra tjetrës: vallaha u çmend… Mirëpo, njëra prej tyre thotë, po shkoj ta shoh se ç’u bë me të, ndërsa tjetra thotë vallaha s’po shkoj as nuk po ia baj ngat…

Ajo që i shkoi në odë e pyet:

– “Ti njeri, ç’u bâ kështu me ty, a u tranove apo çka âshtë kjo kangë në këtë ditë gazepi?“

– “Jo vallaha, oj gru, hala jo, por kesh kah tranohna, mirëpo kur e ndëgjova karcellin t’u këndu, e t’u e ditë që ky i ka punë edhe ma llugë se na, thash vetëmeveti, pse të mos këndoj edhe unë…“

Gruan tjetër e kishte pas lëshuar të nesërmen…

* * *

Gjatë asaj kohe kam takuar me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë të atyre anëve dhe kam ndëgjuar rrëfime të jashëzakonshme. Prandaj, nuk vonova shumë dhe fillova të mbaj shënime. I shkruaja në atë mënyrë që ishte e pamundur t’i dëshifrojë dikush tjetër. Shumë prej tyre kam arritur t’i nxjerr jashtë dhe, më vonë, kisha vështirësi serioze për t’i “deshifruar“. Çka është më keq, zbardhja e këtyre shënimeve është bërë me vonesë të madhe dhe, për pasojë, shumë detaje dhe personazhe, i ka tretë harresa.

Për t’i maskuar shënimet, përdorja titullin e librit që isha duke lexuar. Për shëmbull:

I. Kadare “KUSH E SOLLI DORUNATINEN“ (Asokohe “Rilindja“ kishte botuar tërësinë e veprave të Kadaresë si një edicion i posaçëm) dhe pastaj vazhdoja shënimet me herioglife vështirë të zbërthyeshme:

“Po e lexoj këtë vepër të Kadaresë… sot, më 19 mars 1981… më erdhën në vizitë të dyja gjyshet: Nana Ajshe (nëna e babës) dhe Nana Zelfi (nëna e Nanës), me to ishte Nana dhe Eminja. Ishte një takim që më ka munguar tepër shumë. Kjo ishte hera e parë pas gati shtatë vitesh që i takova gjyshet.

Mbaheshin mirë dhe më kënaqën sidomos me kujtesën e freskët. Edhe Nana dukej mirë dhe, si gjithmonë, optimiste.

Eminja gjithashtu dukej shumë mirë, nuk kishte ndryshuar fare, kjo ishte vizita e parë, pas 7 vitesh, që pata mundësinë të flasë edhe me të më shlirshëm. Ishte Muhameti aty dhe ai, si burrë korrekt që ishte, qëllimisht rrinte larg, te dera e sallës.

Shfrytëzova rastin dhe ia dhash Eminës shënimet e muajve të fundit, të maskuara mirë në një pako cigaresh “Bozhur“ (lart ishin filterat, ndërsa nën ta ishin fletët e sistemuara). Por edhe të flas sadopak me të. M’u dha rasti i rrallë t’i them, krejt të vogël: Më sa po shihet, në Kosovë nuk do të ketë më qetësi, kështu që, posa të dal, duhet t’ia therim jashtë, sepse këtu, do të më burgosin pas dy-tre muajsh, qoftë edhe nëse unë rri gjatë gjithë kohës nër jargan ose duke i prashitë arat. Kështu që bëhu gati ngadalë. Fol me Bacin Demë dhe vetëm me të, se si ta nxjerrësh pasaportin, ose t’ia marrësh ndonjë njeriu të besueshëm…

Prandaj jij gati dhe mos fol me askënd tjetër për këtë çështje…“

“- Nuk ka problem, unë jam e gatshme për çdo gjë që e sheh të nevojshme…“

Ne kishim jetuar bashkë vetëm tri javë dhe, veç mallit, ndihesha vazhdimisht edhe fajtor për ndarjën e gjatë.

* * *

Sava (një serb nga Plemetini, komuna e Obiliqit) po na tregon se si Bora Moraçiqi u ka marrë të holla pacientëve. Mirëpo kohët e fundit mjekët s’po marrkan ma të holla, por vetëm pesëlirsha!

“Për shkak të reumës kisha nevojë për Iligje, prandaj shkova te Mihailoviqi, shef i Klinikës së Ortopedisë në Prishtinë. E mora më vete një gjysmë qingji për Bozhiq (Kërshendella)dhe ia çova, por më ndoqi si qenin. Më vonë shkova te një kolegu i tij shqiptar B.B dhe më tha se Mihailoviqi nuk pranon ushqim, por vetëm të holla. Dhe pa një gjysmë milioni mos gabo me i shku… (Ky B.B. m’ja dërgu edhe kaun e therun nuk po thojke jo…).

Një ditë shkova te Mihailoviqi në banesë. Doli e shoqja, sepse ai kishte qenë ende në shtrat. Shkoi ajo ta pyes dhe e ndëgjova kur i tha: A ka diçka në dorë? Gruaja i tha jo, atëherë fute brenda. Hyra, më qitën kafe.

I tregova se kam nevojë të shkoj në Iligje. Ia dhash të hollat dhe ai menjëherë ma shkroi udhëzimin për mjekim në Iligje. Kur shkova në Iligje, iu lajmërova njeriut të tij, një shqiptar i ri, dhe ky, meqë nuk kishte vend, e nxori nga dhoma një plak të sëmurë shqiptar dhe ma lëshoi mua…“

Ndërsa Shaqir Vojvoda nga Llapushniku na tregoi për një rast të jashtëzakonshëm:

Një Hajdin Rraci i kishte pasur një llaçumi prej 7 pelash. Me një rast bie një shi-breshër i fortë dhe pelat në kërkim të strehimit e shtyjnë derën dhe futën në kishën e Çabiqit. Më pastaj duhet ta kenë shtyer derën dhe ajo duhet të jetë mbyllë… Ato, të shkretat, mbesin aty dhe i gjejnë pas disa javësh: ishin tharë dhe ndonjëra prej tyre e kishin kafshuar, deri në asht, njëra tjetrën…

F U N D

© Pashtriku.org

—————————————

Kthehu në fillim

Në 43 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981

(Kujtime burgu)

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NGA NJË KËNDVËSHTRIM TJETËR (1)

Shkruan: Xhafer Shatri

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura