NEBIL ҪIKA: FIRMËTARËT E PAVARËSISË DHE DIKTATURA KOMUNISTE

(Pashtriku.org, 04. 03. 2013) – Përkujtimi i ngjarjeve historike ka si qëllim promovimin e vlerave tona kombëtare e humane, por ato shërbejnë edhe si shembuj për brezat e ardhshëm me qëllim të vlerësojnë e të motivohen nga gjërat e mira, por dhe të dënojnë e të mos lejojnë përsëritjen e të këqijve. 100-vjetori i Pavarësisë sigurisht është një ngjarje e madhe për kombin shqiptar, por kjo nuk mund të na pengojë që në analizën që çdokush prej nesh i bën kësaj historie njëshekullore të kujtojmë të mirat dhe të këqijat e saj. Fatkeqësisht, gjysma e kësaj periudhe pavarësie për shumicën e shqiptarëve ka qenë një nga periudhat më të zeza të historisë shumëshekullore të kombit e popullit tonë. Diktatura komuniste përbën faqet e zeza të historisë sonë kombëtare dhe fatkeqësisht përbën gjysmën e periudhës, njëherazi edhe të librit të kësaj historie. Është e qartë gjëma që shqiptarët pësuan në diktaturën e E. Hoxhës dhe R. Alisë, por unë dua të përqendrohem kryesisht te një aspekt i saj shumë i rëndësishëm për të kuptuar e përcaktuar jo vetëm historikisht natyrën antikombëtare të kësaj diktature kriminale dhe autorëve të saj, zgjatimet e së cilës vazhdojnë të jenë dominuese në të gjitha aspektet e jetës edhe sot, 20 vjet pas rënies de jure të saj. E kam fjalën për qëndrimin jo vetëm historik që diktatura demonstroi ndaj patriotëve shqiptarë e veçanërisht shumicës së firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë dhe familjeve të tyre, gjë që duket se u anashkaluan jo pa qëllim në kremtimet e bujshme të 100-vjetorit të saj.
Duke filluar nga Ismail bej Vlora (Qemali), për të vazhduar me shumicën e tyre, firmëtarët e Pavarësisë dhe familjet e tyre u shënuan në krye të listave të armiqve të diktaturës komuniste, gjë që u shoqërua me persekutimin çnjerëzor. Kështu, familja e “babait” të Pavarësisë shqiptare, Ismail Qemalit, u persekutua politikisht. Djali i tij, Qamil Vlora, një ushtarak i nderuar i ushtrisë kombëtare, u arrestua dhe u dënua që në vitin 1945 si sabotator në ushtri, ndërkohë që të gjithë pasardhësit u trajtuan si armiq dhe u ndëshkuan politikisht me forma nga më të ndryshmet. Djali i Isa Boletinit u vra nga komunistët në një atentat në Shkodër që në vitin 1943 dhe u trajtua si armik gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ndërkohë që vrasësi i tij, ish-kreu komunist Vasil Shanto, u shpall Hero i Popullit, titull që e mban me nderime zyrtare edhe sot. Një shkollë e njohur në Tiranë dhe disa rrugë në të gjithë vendin mbajnë ende emrin e tij. Bedri Pejani u arrestua nga komunistët shqiptarë dhe iu dorëzua atyre jugosllavë, ku dha shpirt nga torturat në burgun e Prizrenit. Dhjetëra patriotë të tjerë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi pësuan të njëjtin fat.

40 PORTRETET E FIRMËTARËVE TË PAVARËSISË

SË SHQIPËRISË TË PUNUAR NGA ARBEN MORINA.

*  *  *

Lef Nosi, një tjetër firmëtar i njohur, u dënua me pushkatim, familja e tij u persekutua në mënyrë sistematike, ndërkohë që varri i tij ende nuk dihet. Ndaj Iliaz bej Vrionit, i cili kishte ndërruar jetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, u ndërmor një nga aktet më të turpshme në historinë e njerëzimit. Varri i tij në Berat u shkatërrua nga komunistët dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Osum, për të humbur kështu pa nam e nishan. Familja e tij u persekutua deri në ditët e fundit të regjimit komunist.
Ferit Vokopola, një tjetër firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, u dënua dhe vdiq nga torturat në burg, familja e tij gjithashtu vuajti kalvarin e gjatë të persekutimit gjysmëshekullor. Familja e Hajredin Cakranit ishte një nga familjet që pësoi ndëshkime nga pushkatimi deri të burgosjet e internimet e gjata në disa breza. Edhe familja e Mustafa Merikës (Kruja) për disa breza e kaloi jetën në burgje e internime, ndërkohë që vetë Kruja u shpall kriminel lufte dhe jetoi gjithë jetën në ekzil politik. Mithad bej Frashëri, djali i Abdyl Frashrit, nipi i Samiut dhe Naimit, një prej personaliteteve më të spikatura patriotike jo vetëm të pavarësisë, kryetar i Kongresit të Manastirit, u shpall armik dhe kriminel lufte dhe vdiq në rrethana të dyshimta në SHBA. Të njëjtin fat pati edhe Rexhep Mitrovica, i cili vdiq ne ekzil në Turqi. Shefqet Dajiu, firmëtari nga Elbasani, u arrestua nga komunistët dhe u burgos. Vdiq n burg nga torturat në vitin 1946. Familja e Xhelal Koprencekës ishte gjithashtu një prej më të përndjekurave të regjimit komunist. Nipi i tij, Xhelal Koprencka (i riu), u burgos dhe më vonë u pushkatua.
Në prill 1946 komunistët arrestuan Qazim Kokoshin, i cili qe kthyer nga internimi i nazistëve vetëm disa muaj më parë, në vitin 1945. I burgosur në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat çnjerëzore, ndërsa familja e tij u shpall armike dhe u persekutua me egërsi deri në vitin 1990. Në vitin 1951 u arrestua nga komunistët një tjetër firmëtar, Zihni Kanina (Hamzaraj), i cili vdiq po nga torturat në burgun famëkeq të Tiranës.
Po kështu edhe familja e Qemal bej Karaosmanit, e dom Nikollë Kaçorrit, Toptanët, Gurakuqët, por edhe shumë familje të tjera u persekutuan dhe u trajtuan si armiq gjatë gjithë kohës së komunizmit. Dua t’u kërkoj falje lexuesve dhe atyre familjarëve të firmatarëve dhe pjesëtarëve të tjerë në kuvendin e Vlorës të persekutuar nga komunizmi që nuk u përmenda emrin, që besoj se janë më shumë prej tyre, por besoj se ata që përmenda janë të mjaftueshëm për të kuptuar atë që komunistët i bën kësaj ajke të racës shqiptare.
Vuajtja dhe persekutimi fizik janë vetëm njëra pjesë e persekutimit komunist të firmëtarëve të Pavarësisë. Denigrimi, poshtërimi dhe përbaltja e këtyre figurave të ndritura të kombit nga shteti komunist, propaganda e sidomos historiografia e tij janë sigurisht një krim më vete. Falsifikimi i historisë është sigurisht një nga krimet më të mëdha të komunizmit dhe këto figura ishin në epiqendër të këtij krimi. Në të gjitha tekstet historike zyrtare e jozyrtare të botuara nga 1945 më 1990, por dhe më tej, shumica e firmëtarëve të Pavarësisë ose janë hequr, ose janë injoruar nga historianët komunistë. Rasti më flagrant është fshirja nga fotoja e shpalljes së Pavarësisë të shumë prej këtyre figurave dhe vendosja me falsifikim e xhaxhait të diktatorit Hysen Hoxha, një version historik i manipuluar në mënyrë shumë të trashë nga autorët e të cilit vazhdojnë të jenë ende pika referimi të historiografisë sonë. Krimi i diktaturës me firmëtarët dhe patriotët e tjerë nuk mbaron këtu. Diktatura dhe historianët e saj u përpoqën t’i zëvendësonin ata me figurat më antishqiptare të mundshme. Kështu, Haxhi Qamili, një bandit mendërisht gjysmak, që vriste patriotët shqiptarë, u shpall pothuaj hero kombëtar dhe lëvizja e tij kundër Pavarësisë si lëvizje patriotike e revolucionare (!) Meritat e presidentit Uillson dhe SHBA-ve në krijimin e shtetit shqiptar as që guxohej të përmendeshin fare, ndërkohë që paraqitej si shpëtimtar Lenini dhe Bashkimi Sovjetik, udhëheqësi komunist i një vendi që ka qenë dhe vazhdon të jetë kundërshtar i interesave tona kombëtare. Denigrimi i këtyre figurave vazhdon edhe sot. Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i vitit 2008, i Akademisë së Shkencave nuk i ka fare të paktën 20 emra të firmëtarëve të Pavarësisë, ndërkohe që figura si Mithad Frashri etj. baltosen me të njëjtën demagogji si në kohën e Hoxhës. Tekstet e historisë shkollore janë gjithashtu me pak ndryshime nga ajo e kohës së komunizmit për sa u përket këtyre figurave historike. Sigurisht që kjo e ka një arsye. Fakti që të njëjtët historianë të komunizmit dominojnë fushën e historiografisë edhe në demokraci është i mjaftueshëm si shkak i kësaj gjendjeje të pandryshuar, në të cilën ndodhemi në këtë drejtim. Historianë të implikuar në krime të komunizmit (të paktën dy prej tyrem A. Puto e K. Frashri, janë të denoncuar si dëshmitarë në gjyqin special, ku u vranë edhe firmëtarë të Pavarësisë) vazhdojnë të jenë referenca historike edhe për zyrtarët antikomunistë të politikës e të shtetit aktual shqiptar, gjë që ka çuar në perceptime të gabuara të tyre për historinë. Historianë të implikuar drejtpërdrejt në krimet e komunizmit dhe falsifikimin e historisë janë sot më të nderuarit e sidomos të sponsorizuarit nga qeveria e shteti shqiptar.
Si përfundim dua të theksoj se e gjithë kjo përplasje mes dy krahëve të politikës në këtë përvjetor të Pavarësisë ka në themel këtë raport të shtetit komunist, politikanëve e sidomos historianët e tij me Pavarësinë dhe protagonistët e saj. Nëse drejtuesit politikë të diktaturës janë përgjegjës për persekutimin e tyre, historianët komunistë janë të tillë për denigrimin e tyre. Me gjithë përgjegjësinë e rëndë, askush prej tyre nuk ka kërkuar falje e as ka ndryshuar qëndrimin e ata që kanë shkruar për hesap të diktaturës komuniste. Kjo situatë ka sjellë këtë pështjellim në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, që më shumë se festë është kthyer në një debat, për të mos thënë luftë për historinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura