LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XIII)

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XIII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

20. Raport për degën Hasan Prishtina, 31 korrik 1981

(31 korrik 1981)

Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare

-Komitetit të Degës „Hasan Prishtina“

Nga adresimi i mësipërm mund të themi edhe këtë:

Raporti vlen dhe është çështje që duhet të merret me te

1.Lëvizja Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në përgjithësi

      2. –Komiteti i Degës së Lëvizjes „Hasan Prishtina“ në Turqi, në veçanti.

    Jusufi e nënshkruan këtë raport me pseudonimin e tij si person, si individ, por përmes adresimit ai është shumë kategorik dhe nuk pranon që kjo çështje të mbes vetëm në mes tij dhe Sabri Novosellës.

  • Ibrahim Kelmendi dhe Riza Salihu, dy personazhët e Raportit të Jusuf Gërvallës, dërguar më 31 korrik 1981, Degës së Komitetit të LNÇKVSHJ-së „Hasan Prishtina“ në Turqi

        R A P O R T

       Mbi disa çështje rreth punës së organizatave

       Grupi komunist „Zëri i Kosovës“ dhe Fronti i Kuq Popullor

   1.Nga dita e arritjes sime në RF të Gjermanisë, më 14 dhjetor 1979,

këtu kam pasur kontakte me përfaqësues

-të Grupit komunist „Zëri i Kosovës“ dhe pastaj

-të organizatës Fronti i Kuq Popullor.

   Jusufi largohet nga Kosova më 14 dhjetor 1979 dhe mbërrin në Ludwigsburg në Gjermani tek vëllau i tij pas një jave, më 21 dhjetor 1979.

    2.Le të më lejohet të shënoj këtu disa përshtypje dhe disa vrojtime lidhur me punën e tyre,

aq më parë lidhur me punën e Frontit të Kuq,

-pasi Dega „Hasan Prishtina“ mendon se është e arsyeshme të thërritën edhe përfaqësuesit e tij për bashkimin e organizatave dhe të veprimtarisë sonë.

    Që të raportoj për punën e Riza Salihut është çështje më vete dhe më e lehtë që Jusufit nuk i nevojitet ndonjë potencim i veçantë.

Por ai është i detyruar të jap sqarimin se të raportoj për Frontin e Kuq

-ndihet veçanërisht i detyruar

-pasi Dega „Hasan Prishtina“ mendon se është e arsyeshme

-të thërret edhe Ibrahim Kelmendin në diskutimet për bashkimin e organizatave dhe të veprimtarisë sonë.

-Me një fjalë Dega „Hasan Prishtina“ kërkon që Jusufi të mos bëjë bisedime e diskutime me Kadri Zekën e OMLK-në pa qenë i pranishëm përfaqësuesi i Frontit të Kuq – Ibrahim Kelmendi.

Në të gjitha letrat e mëparshme Jusufi e injoron ose flet keq për Frontin e Kuq duke ia bërë me dije Sabriut, se përmes tij, diskutime për bashkim, pas janarit 1981, me Ibrahim Kelmendin nuk mund të ketë.

Jusufi nuk pranon bashkim me Ibrahim Kelmendin për arsyen më të thjeshtë se me te nuk pranon të ketë as bashkëpunim të drejtpërdrejtë, por vetëm përmes Kadri Zekës.  

Dhe ky është vendim i përjetshëm i Jusufit. Koha e ka vërtetuar se Jusufi ka pasur të drejtë dhe Sabriu nga Turqia nuk ka pasur asnjë mundësi ta vlerësoj situatën më mirë se Jusufi në Shtutgart.

Përkundër këtij qëndrimi të njohur të Jusufit, më vonë, në kohëra të ndryshme, persona të ndryshëm janë munduar ta fusin në një thes Jusuf Gërvallën me Ibrahim Kelmendin. Të gjithë, për meritën e veprës së Jusufit kanë pësuar katastrofë në këtë drejtim.

   Prej pikës 3-39 RAPORTI ka të bëjë vetëm me Riza Salihun

   3.Me udhëheqësin kryesor

-të Grupit komunist „Zëri i Kosovës“ jam njohur, pra,

në fund të dhjetorit 1979.

4.Quhet Riza Salihu, nga fshati Mushtisht.

5.Ra fjala për organin e LNÇK „Zëri i Kosovës“ dhe ai,

-me një ton të ashpër,

-shprehu dyshimin jo vetëm në ekzistencën e këtij organi dhe të LNÇKVSH,

-por edhe në besnikërinë time.

6.Arsyeja ishte se

-ai qëndronte vetë në krye të Grupit me të njëjtin emër dhe,

-siç del logjikisht, nuk dinte për ekzistimin e LNÇKVSH  dhe

-kishte edhe vetë një logjikë të kufizuar,

-kurrsesi nuk ia kapte rradakja të bëjë dallimin mes një organizate

-me emrin „Zëri i Kosovës“ dhe

-një organi me titull „Zëri i Kosovës“ që i takonte

-koinçidentalisht një organizate krejt tjetër.

7.Po atë natë,

-ai më njohu mua dhe vëllaun tim me dy shokë tij,

-Hysen Gega (tani i burgosur në burgun e Prishtinës) dhe

Maksut Saramati, me punë të përkohshme në RFGJ.

8.Që në fillim më ra në sy

-kapadaillëku në rigorozitetin prej një shefi bande i Riza Salihut dhe

-natyrshmëria e zgjuarësia e dy shokëve të tij (anëtarë të KQ të „Z.K.“).

   9.Me Hysenin e Maksutin u pamë dhe ndenjëm disa herë me radhë dhe

e pritëm bashkë Vitin e Ri 1980.

10.Hyseni lente të kuptohej se kishte diku në Gjermani

-një shok më të mirë se Rizanë, një student.

-Ai fliste dendur për të dhe vëllaut tim, Bardhit,

-që kishte njohur kohë më parë një person të tillë,

-i shkoi mendja mos ishte për njëfarë Ibrahim Kelmendin.

11.Por, Hyseni e fshehte, prandaj nuk ngulëm këmbë për t’u njohur.

12.Pak ditë më vonë vijnë te ne

-Hyseni e Maksuti dhe na tregojnë sesi Rizai kishte ardhur,

-që në takimin e parë me mua,

-në përfundim se unë jam „i dërguar special i UDB-së“ dhe se

-u kishte propozuar haptazi Hysenit e Maksutit

-të më likuidonin bashkë me vëllaun, Bardhin.

13.Ata u hapën në „muhabet“ për dy arsye, sipas pohimit të tyre:

-e para, lidhur me Rizanë kishin pasur disa dyshime më përpara, dhe

-e dyta, tashmë ishin takuar me Ibrahimin dhe ai i kishte këshilluar të më afroheshin se gjoja ai e ditka kush jam dhe sa jam „i mirë“.

   Këto ishin dyshimet e shokëve më të ngushtë të Rizasë lidhur me veprimtarinë dhe me personalitetin e tij:

14.-Riza jetonte me vite në Gjermani, por as punonte as kishte zënë banesë të përhershme. Me se mbahej, pos me paratë e punëtorëve tanë?

   15.-Rizai kishte theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e moralitetit, te çdo patriot e revolucionar. Vetë jetonte me një serbe dhe kishte me të një djalë me emër sllav. Këtë e kishin zbuluar shokët, e nuk ua kishte thënë ai vetë.

   16. -Ç’është me rëndësi, mënyra e organizimit të Grupit „Z.K.“ ishte bërë e dyshimtë edhe për bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rizasë. Sipas kësaj mënyre, në organizatë mund të hynte çdo shqiptar që „do të luftojë për atdhe“.

17.Çdonjëri që hyn në organizatë, duhej të jepte shënimet e sakta biografike (emri e mbiemri, vendlindja, ditëlindja, vendi i punës) dhe, mbi të gjitha, këto shënime si dhe betimin ta bënte me shkrim, me dorë të vet.

18. Nga listat me të dhëna të tilla të hollësishme, një mbahej nga shokët e tyre në atdhe dhe një tjetër nga Rizai në RFGJ. Para se të arrija unë këtu, pothuaj të gjithë njerëzit e organizuar prej Rizait (kryesisht në Ferizaj e në Prizren) ishin burgosur pa mundimin më të vogël nga policia, sepse arrestimet ishin bërë në bazë të listave të përmendura.

19.(Mërgimi mund të dijë për çfarë të burgosurish është fjala: kur ishim në atdhe, ne gjatë takimeve kemi pas biseduar me të disa herë lidhur me një grup të rinjsh ferizajas, që vepronin demonstrativisht nëpër qytet nën hundët e policisë. Unë këtu, kur kuptova hollësitë lidhur me organizimin e „Z. K.“, supozova se ishin pikërisht ata të arrestuar.)

Mërgimi=Sabri Novosella

20. Edhe Rizai, më vonë, e H. dhe M. që në fillim, i thoshin edhe me emra shokët e tyre të burgosur, kryesisht në dy qytetet e përmendura. Tre nga katër prej tyre përmenden në artikullin e parë të „Lajmëtari“ Nr.1.

H. dhe M.=Hysen Gega e Maksut Saramati

21.   Nga bisedat që kam pasur me H. e M. kam kuptuar se puna e Grupit komunist të tyre konsistonte në radhë të parë në botimin e disa trakteve (nëse më bie në dorë ndonjë prej tyre do t’jua dërgoj) dhe në shfaqjen e disa filmave të huajtur nga shokët gjerman, miq të RPSSH.

22. (Kur unë vetë mora kontakt me këta shokë gjermanë, më thanë se pas një kohe janë detyruar ta largojnë Rizanë nga lokalet e partisë së tyre, për shkak të arrogancës së tij.)

23.   Përafërsisht katër muaj pas takimit të parë me Rizanë, u takuam edhe një herë, në banesën e H. Ishim prezent unë e vëllau, pastaj Ibrahim Kelmendi (ishim njohur me të ndërkohë), Hyseni, Maksuti dhe Rizai.

24.Ne u fjalosëm keq më të, sepse patëm rastin të hetonim që të gjithë se ai kishte prirje të gënjejë dhe t’i shmanget bisedës parimore.

25.Këto ishin pikat që rrahëm:

-Pse ai, pa verifikuar dyshimet e veta, që në takimin e parë kish kërkuar nga shokët e vet të më likuidonin mua dhe vëllaun;

-pse, pastaj, me muaj të tërë, në stacionin hekurudhor të Shtutgartit, ku dalin e rrinë punëtorët tanë, kishte agjituar kundër meje (pa i vërtetuar akoma dyshimet) me fjalët: „Ruajuni se këndejpari vepron filan fisteku, i dërguar special i UDB-së“;

-Pse ai vetë (edhe pasi ia kisha tërhequr unë vërejtjen që në takimin e parë), vazhdonte kontaktet me njëfarë Adem Povataj nga Strellci, i cili, pasi kishte marrë në qafë disa punëtorë stinorë në Titograd, më 1978, duke i ngashnjyer së pari për punë patriotike e pastaj duke ua dorëzuar komplet UDB-së (që Rizai kishte kontaktuar dhe vazhdonte të kontaktonte me këtë njeri, ia thoshin ndërsy shokët H. e M.);

-pse ai, si komunist që i thoshte vetes, edhe pasi kishte parë rezultatet e hidhura të mënyrës së organizimit me lista të anëtarëve të organizatës, vazhdonte punën me të vjetrën dhe merrte njerëzit në qafë.

   26.Gjatë gjithë bisedës ai mbajti një qëndrim qyqar, që s’kishte aspak të bënte me qëndrimin e një komunisti shqiptar. Në fund ai pranoi se kishte gabuar sa u përket shpifjeve të pabazuara rreth meje e vëllaut dhe premtoi se nuk do ta përsëriste. Por, që të nesërmen ai e përsëriti, në stacionin e Shtutgartit. 

27.   Nga gjysma e gushtit të vjemë, te unë erdhi në banesë policia kriminalistike gjermane (po në atë orë Bardhi ndodhej në qendrën  e kësaj policie, në Shtutgart, ku e kishin marrë nga puna.

gjysma e gushtit të vjemë (gushtit 1980); këtë ngjarje Ibrahim Kelmendi në romanin Atentatet si gënjeshtër dajllëzore e paraqet se ka ndodhur, një vit më vonë, në fund të korrikut 1981 me të vetmen arsye për ta paraqitur situatën se ai në mbarim të korrikut 1981 ka qenë i obliguar nga rrethanat në formë zyrtare të shkoj tek Jusufi në Untergruppenbach, pikërisht në kohën kur Jusufi e shkruan këtë RAPORT.

    Ibrahim Kelmendi: ”Në mbarim të korrikut dy policë të kriminalistikës erdhën në konvikt te Mirani, pasi e paralajmëruan në telefon, duke i kërkuar leje për një bisedë.

– Je duke marrë postën me rregull? – e pyti njëri nga policët.” (Atentatet, f. 283)

(Këtu më poshtë vazhdojnë fjalët e Jusufit)

28.Ata na morën në pyetje veç e veç.

29.Çështja kishte të bënte me Riza Salihun.

30.Ai kishte hapur në postën e Shtutgardit 14 fah-postale në emër të 14 njerëzve të ndryshëm, ku ndalte letrat e këtyre dhe i lexonte për nevojat e veta.

-Mes të 14, kishin qenë

-unë e vëllau,

-Hysen Gega,

-Ibrahim Kelmendi etj.

31.Policia e kishte zënë, e kish hedhur në burg dhe dyshonte se është agjent i UDB-së.

32.Ndërkohë që Rizai kishte shpallur ndër punëtorë sesi ka kërkuar azil politik në Gjermani, ai kishte qenë pesë herë, në prag të burgimit, në konsullatën jugosllave në Shtutgart.

-Këto i kishte të shënuara në bllokun e shënimeve.

33. Për mua e vëllaun dhe për Ibrahim Kelmendin kishte dhënë te policia deklarata shumë të liga me shkrim, me plot gënjeshtra edhe për dy takimet që kishim pasur e ku kishim shumë dëshmitarë.

34.Policia një fjalë kërkonte prej nesh:

-të thoshim edhe ne se Rizai është spiun jugosllav.

-Natyrisht, ne s’e bënim dot një gjë të tillë pa qenë të sigurt, dhe insistimet e policisë, të bazuara nga ana e saj në disa fakte që ne s’na e mbushnin mendjen, i kthenim mbrapshtë me arsyetimin se UDB-ja ka mundësi të mëdha të kurdisë gracka, e kështu ka mundur të veprojë edhe me R. S.

35.   Pastaj, tërë vjeshtën dhe tërë dimrin s’dëgjuam gjë për të.

36.Të tretën herë u takuam me të në demonstratat e punëtorëve tanë në Shtutgart.

-Ishte vënë në bisht të kolonës, me duar në xhepe dhe pa asnjë shok me vete.

-Pas demonstratës m’u afrua.

-Përshëndeste punët e mia, lavdëronte (ishim më këmbë dhe s’pata si ta pyesja për çfarë punësh e kishte fjalën) dhe thoshte se do të kish qenë mirë të bisedonim.

36.Aty për aty ishin zënë me Ibrahim Kelmendin dhe Ibrahimi ia kishte ndaluar pjesëmarrjen në demonstratat e ardhshme.

37.Unë e qortova Ibrahimin, se s’bënte ashtu, dhe Rizait, ndërsy Ibrahimit, i thashë që e kish derën hapur për ta thënë mendimin e vet.

-Ai tha se më ka diçka borxh dhe se do të bënte një autokritikë.

-Unë i shpreha gatshmërinë se do ta dëgjoja kur të ketë qejf, por atë ditë e sot as më kërkoi më dhe as e kërkova unë.

-Tani po dëgjoj se paska ndërruar mendje lidhur me mua dhe nëpër njerëz nuk flitka më keq.

38.   Lidhur me këtë person ka edhe një të dhënë me rëndësi.

-Diku nga viti 1976, Rizain e ka plagosur me thikë një kroat.

-Kroati i afron një hartë dhe Rizai e rrefuzon me fjalët „Nuk e pranoj një Jugosllavi të tillë, e cila s’e ka edhe Kroacinë brenda“.

-Në spitalin e Shtutgartit pastaj e kanë vizituar njerëzit e konsullatës jugosllave dhe e kanë mburrur për patriotizëm jugosllav.

39.Edhe Bardhi ka qenë prezent, si përkthyes dhe punëtor social. Disi pas këtij rasti fillon edhe veprimtaria patriotike (?) e Rizait.

Deri këtu RAPORTI kishte të bënte vetëm me Riza Salihun.

Në pikat në vazhdim nga 40-77 ka të bëjë vetëm me Ibrahim Kelmendin.

Maj 1981: UDB-ja përmes Ilustrovana Politikës dhe Radio Beogradit

-bën fushatë kundër Jusuf Gërvallës,

-pos tjerash duke e reklamuar

-Ibrahim Kelmendin si shokun e tij më të ngushtë.

Viktima të kësaj fushate të UDB-së

-janë shumë shokë të LNÇKVSHJ

-e në mesin e tyre edhe Sabri Novosella.

Korrik 1981: Për t’iu kundërvu fushatës dezinformuese

-e reklamave të UDB-së,

-dhe për t’ia thënë të vërtetën LNÇKVSHJ-së,

Jusuf Gërvalla, më 31 korrik 1981,

i shkruan një raport-Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare – Komitetit të Degës „Hasan Prishtina“,

ku i tregon raportet e tij të vërteta me Ibrahim Kelmendin.

40.   Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor,

-Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980.

41.Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur

-për gazetën „Bashkimi“ dhe më ka propozuar

-që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë.

42. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe

-e dija se gazeta bie në duar të popullit,

-bile në një gjendje jo të lakmueshme,

-e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe

-konkretisht fillova me bashkëpunimin.

-(Bashkëpunimi im fillon me atë numrin,

-që ia kam dërguar Mërgimit,

-ku në faqen e parë është një vizatim që paraqet

-grushtet e të burgosurve tanë që shpërthejnë grilat e dritares së burgut.)

43. Më vonë, Ibrahimi ka ardhur bashkë me Hysen Gegën e Maksut Saramatin

dhe kanë kërkuar prej meje

-që të vihem në krye të tyre e t’i udhëheq

-(tashmë Hyseni e Maksuti e paskëshin braktisur Rizain dhe

-kishin kaluar në anën e Ibrahimit).

44.Unë e refuzova kërkesën e tyre,

se s’bënte të jem njëkohësisht në dy organizata.

45.Përveç kësaj,

-ua kisha tërhequr që më vërejtjen se konspiracioni

-duhej mbajtur i pacenuar edhe këtu ashtu si në vendlindje.

-Kërkesa e tyre e dytë ishte që së paku t’i këshilloja,

-si „njeri me përvojë“, dhe unë tërë kohën atë punë bëja.

-Por, ndërsa kërkonin këshilla dhe i aprovonin ato,

-në punën e tyre ishin mësuar të vepronin krejt ndryshe

-dhe s’hiqnin dot dorë nga mënyra që i kishte rrëmbyer

-dhe ua diktonte çdo hap.

-Përveç të tjerash, me gjithë sqarimet e shumta nga ana ime,

-ata konspiracionin e konsideronin si frikë, zhburrërim dhe jopatriotizëm.

46.   Që të mos zgjatem në detaje,

-ja vrojtimet e mia në pika të shkurtra

-lidhur me veprimtarinë dhe personalitetin e I. Kelmendit.

47.   Kurdoherë ka anuar nga aksione të natyrës terroriste

-dhe në këtë drejtim i ka nxitur edhe shokët e vet.

48.Unë ia kam tërhequr vërejtjen se kjo gjë

-është e dënueshme edhe nga pikëpamja e PPSH.

49. Më vonë kam vërejtur,

-në librin që ma ka dhënë hua për lexim,

-se i ka pasur të nënvizuara pikërisht mendimet e Leninit

-lidhur me kotësinë dhe rrezikshmërinë

-e terrorizmit në lëvizjen revolucionare.

-Kam ardhur kështu në përfundim se ai

-ka një prirje të natyrshme kah terrorizmi dhe e bën me vetëdije. 

50.  Pikërisht në kohën që jam njohur unë me të,

-ai ka pasur kontakte,

-madje edhe negociata me emigracionin reaksionar shqiptar

-për një veprimtari të përbashkët

-në mbledhje armësh dhe mjetesh materiale.

51.Madje, në atë kohë, kërkonte një njeri „të ndershëm e trim“,

-që, për një kundërshpërblim prej nja 50 mijë markash gjermane,

-do të kryente në Kosovë një aksion

-sipas porosisë së reaksionit shqiptar antikomunist.

52.(Lidhur me këto çështje

-kemi pasur një dialog të përbashkët

-dhe bukur të rreptë në praninë e tij

-unë dhe dy shokë nga Vjena,

-lidhur më këtë është dashur të jetë i informuar patjetër Profesori,

-në qoftë se është informuar për çkado lidhur me I. Kelmendin.)

unë dhe dy shokë nga Vjena, =Jusuf Gërvalla dhe dy diplomat të Shqipërisë në Ambasadën e Vjenës

Profesori = Bujar Hoxha, diplomat i Shqipërisë në Ankara,

      (MINISTËR FUQIPLOTË I SHQIPËRISË në ANKARA)

në periudhën qershor 1981-tetor 1982

53. Ka pasur vërejtje rreth Kushtetutës së RPSSH dhe rreth përgatitjes „luksoze“ të librave të shokut Enver, në „dëm“ të botimeve letrare në RPSSH! Vërejtjen e parë na e ka thënë hapurazi mua dhe shokëve të Vjenës, të dytën vetëm mua. Arsyetohet se ka të drejtë të bëjë vërejtje gjithfare dhe se këto dilema të tij nuk i paraqet te masat, por i diskuton vetëm me shokë. Unë s’mund ta di a është e saktë kjo.

 54.  Ka dyshuar me këmbëngulje

-në drejtësinë e artikullit të „Zërit të popullit“,

-ku shprehej gatishmëria e RPSSH

-për t’u ardhur në ndihmë popujve jugosllavë

-po të kërcënohen këta nga BRSS,

-dhe dyshimet e tij kanë qenë edhe të shokëve të tij.

-Përkundër bindjeve të mia se është e panevojshme

-dhe e pamirë një gjë e tillë,

-jam detyruar të udhëtoj me qindra kilometra

-për ta „arsyetuar“ te shokët e tij artikullin e përmendur.

55. Ai më ka propozuar pastaj me këmbëngulje

-që këtë gjë ta përsëris edhe me shkrim

-në artikullin e „Bashkimit“ me titull

-„Zëri i popullit – zë i të gjithë shqiptarëve“

-(këtë numër s’e keni pasur, prandaj po jua dërgoj).

56. (Pas kësaj, kam vendosur të mos bashkëpunoj më me të

-dhe kam vendosur ta nxjerr „Lajmëtarin e lirisë“.

57.Kështu kam vepruar

-nga gushti 1980, deri në fillim të vitit 1981,

-kur më ka ardhur në derë me disa materiale të çoroditura

-për numrin e ri të „Bashkimit“.

58. Ndërsa ishim duke punuar në këtë numër

-(që Mërgimi e ka veçuar si më të mirin),

-ai ndërkohë e kishte „lejuar“ Hysen Gegën

-të shkonte për kryerjen e një aksioni në Kosovë.

59.Gjoja Hyseni e paska përberë

-që të mos më tregojë mua për këtë gjë,

-se unë s’e lë të shkojë.

***

”Ezkemplar i vetëm

   Tiranë, më 1.4.1981

   Vjena me telin 111 dt. 30.3.1981 njofton “Malin”

   Isuf Gërvalla erdhi ne panair (Panairi Nërkombëtar i artizanatit në Munchen – Internationale Handwerksmesse – IHM, më 21 mars 1981 – shën. i Xh.D.). Me qe e njihnim nuk iu afruam. Iu afrua vete “Fazanit” dhe i tha: Me Simonin kam biseduar disa here dhe i kam shpjeguar punet tona. Me ka thene se ty te njohin edhe shoket e KQ te PPSH. Presim orientime e materiale. Ne vazhdim tha: Akoma nuk kam dokumentin per te levizur. Sa ta siguroj ate do te marre familjen dhe do te vije ne Vjene qe të vendosem ne vendin tone, ku edhe do te kem mundesi per te shkrua. Ne vazhdim tha se Hysen Gega shkoi ne Kosove i derguar nga Ibrahim Kelmendi me detyre per te hedhur ne ere Sekretariatin e Puneve te Brendshme te Prishtines. Dukej i prere dhe i vendosur ne çka fliste. Nuk priti te bisedohej e t’i jepej pergjigje.”

(Jusuf Gërvalla në dosjet e Sigurimit; ABC Story; Youtube, 3 prill 2023)

***

60.Vërtetë nuk do ta lija,

-se ai kishte respekt ndaj meje dhe,

-meqë aksioni ishte i natyrës terroriste,

-e dinte edhe mendimin tim.

-Pas disa ditë qëndrimi ilegal në Kosovë,

-bashkë me njeriun me të cilin ishin nisur prej këndej – një njeri i dyshimtë

-edhe për mendimet e Ibrahimit e të Hysenit, Sadik Blakaj,

-për të cilin Mërgimit i kam shkruar më herët – Hyseni bie në burg,

-kurse Sadiku kthehet në Gjermani shëndosh e mirë.

Fajin për burgosjen e Hysenit unë ia vë Ibrahimit.

61.  Nëpër të ashtuquajturat klube kosovare në mërgim,

-që ishin dhe shumica vazhdojnë të jenë çerdhe agjenturore të përfaqësive diplomatike jugosllave në Perëndim,

-I. K. është ekspozuar në masën më të madhe të mundshme

-edhe para përfaqësuesve diplomatikë jugosllavë.

-Ua ka thënë hapurazi të gjitha të palarat e Jugosllavisë titiste.

-Pasoja pozitive ka qenë inkurajimi i punëtorëve kosovarë,

-pasoja negative – dëmtimi i disa punëtorëve

-që kanë marrë pjesë në klubet ku është paraqitur I. K.

-Këta punëtorë ndodhën në burgje jugosllave.

***

“Apostol Duka: – Shkuat në konsullatën jugosllave?

    Taip Zeka: – Kam shkue unë me Ibrahim Kelmendin..”

(Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, Tiranë 2009, faqe 25-26)”

***

62. Është nip i një agjenti me zile të UDB-së,

-i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj,

-punon në postën e Pejës.

-I biri i këtij Ramës ndodhet me punë

-në Mynhen dhe ka qenë aktivist i dalluar,

-madje edhe kryetar klubi në Mynhen.

-Ibrahimi kritikon hapurazi si agjent dajën,

-por ka kontakte të vazhdueshme me djalin e dajës dhe,

-për sa mund të vërehet, edhe simpati ndaj tij.

63. Ka provuar t’ia plotësojë këtij daje të vogël

-(Gani Ibërdemajt – edhe lidhur me këtë njeri

-është dashur të jetë i informuar Profesori)

-dëshirën për t’u njohur me mua.

-Më vonë, kur ka qenë puna që të formojmë këndej

-një shoqëri kulturo-artistike të punëtorëve të mërguar,

-me shokun e „Lirisë“ e kemi provuar Ibrahimin

-lidhur me dajën e tij të vogël:

-meqë ky Ganiu qenka këngëtar dhe

-instrumentist i mirë në vegla muzikore folklorike,

-Ibrahimi propozoi që edhe ai të hynte në atë shoqëri.

-Po kur erdhi puna te aktiviteti konkret,

-Ibrahimi tha se Ganiu donte pak „lutje“.

-Në anën tjetër, më 25 maj, në festën jugosllave të rinisë,

-Ganiun e gjejmë në ballë të një orkestrine

-dhe të ca valltarëve shqiptarë e jugosllavë,

-bashkë me të shoqen, në Stadiumin e Munhenit.

64. E kemi konsideruar të panevojshme

-të kërkojmë ndonjë sqarim nga Ibrahimi,

-dhe ky vetë s’e ka marrë mundimin të na sqarojë,

-as lidhur me këtë rast dhe, përgjithësisht, as për raste të tjera.

-Tash i gjithë Mynheni flet çmos pikërisht për këtë farë Ganiun.

65. Në kufirin gjermano-zvicëran,

-Brahimit dhe Hysenit u ka zënë policia e huaj

-disa qindra ekzemplarë të „Bashkimit“ dhe ua ka marrë.

-Me këtë rast, Ibrahimi nuk është treguar i gatshëm për të pranuar kritikat.

-Përgjithësisht, nëse ia numëron gjestet dhe punët e kritikueshme,

-ai thotë: „Mos m’u kap vetëm për disa gabime, të vogla“.

66. Menjëherë pas kësaj,

-bashkë me shokët,

-kanë vazhduar rrugën për në Çekosllovaki,

-në gjurmim të armëve

-(ndoshta profesori mund të ketë ndonjë informim

-nga ana e shokëve të Pragës lidhur me sjelljen e tyre në atë vend,

sepse e di që shokët e Pragës kanë pasur kontakte

-dhe bile disa mosmarrëveshje me ta, sipas fjalëve të I. dhe H.).

Profesori=Bujar Hoxha, diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara

e shokëve të Pragës=diplomatëve në Ambasadën e Shqipërisë në Pragë

I. dhe H.=Ibrahim Kelmendit dhe Hysen Gegës

67. Vetë më ka treguar gjoja për disa sugjerime,

-që i kanë bërë shokët e organizatës së tij në vendlindje,

-dhe të cilave ai nuk u është përmbajtur fare.

-Të imponohet përshtypja se as që ka shokë të tillë në Kosovë.

68.       -Përshtypja e parë dhe e fundit

-lidhur me këtë çështje është se ai,

-përveç disa punëtorëve të tubuar rreth tij në botën e jashtme,

-të paorganizuar po vetëm të furnizuar

-me literaturë revolucionare dhe të inkurajuar,

-tjetërkë as që ka prapa vetes.

69.       -Kjo, në një mënyrë edhe mund të provohet bindshëm.

-Më vjen një ditë, (vitin e kaluar), në derë

-me disa shkresurina që vetëm titullin e kishin të qartë:

-Programi dhe Statuti i Frontit të Kuq Popullor,

-dhe më lutet t’ia korrigjoj në pikëpamje drejtshkrimore.

70.       Më pastaj më autorizon që të preki,

po e pashë unë të arsyeshme, „si njeri me përvojë“,

edhe në anën materiale të pikave të përfshira në program e statut.

Mirë, them, dhe meqë

përmbajtja e shkresurinave ishte pa kokë pa bisht,

i hy unë punës me gjithë seriozitetin dhe ato pak njohuri që kisha.

71.       Gjithmonë kisha parasysh, pas punës sime,

ai do t’ua kthente shokëve për diskutim

Programin dhe Statutin e Organizatës së tyre.

Por, doli ndryshe.

Doli se I. K. i ishte tekur të bënte një natë pa gjumë

dhe të hartonte këmbadoras një program dhe statut

të një organizate revolucionare,

të cilin e botoi dhe e shpërndau si „literaturë revolucionare“

menjëherë pas „korrigjimeve“ që i bëra unë.

E puna që kisha bërë unë më atë rast, s’ishte punë korrigjimi.

72.       –Shokët e Vjenës e mbajnë larg.

-Bile, kur njërit prej këtyre shokëve,

-i cili më qortoi pse rrija me I. K.,

-i thashë se është njeri që imponohet me këmbëngulje dhe unë,

-si shqiptar, nuk mund ta përzë nga shtëpia ime,

ky m’u përgjigj fjalë për fjalë kështu:

-„Ia paske frikën, prandaj s’e përzen, si qenin!“

Shokët e Vjenës=diplomatët e Shqipërisë në Ambasadën e Vjenës

73.       Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të.

74.       Kur takohemi rastësisht, flasim,

por punë të përbashkëta nuk kemi.

75.       Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave

të mbajtura në Perëndim

ka shkuar përmes shokut të „Lirisë“.

76.       Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj,

duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër

si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I.K.,

që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.

77.   Përndryshe, një meritë e tij, mendoj, nuk mund ta përbuzë askush: që nga viti 1977 e këtej, i vetëm, po me një vitalitet të pashoq, ka bërë shumë në shpërndarjen e literaturës revolucionare, si ka mundur e ka ditur, dhe në njëfarë politizimi spontan të një pjese të mirë të punëtorëve tanë në botën e jashtme. Është njeri komunikativ dhe i popullarizuar te punëtorët. Udhëton shumë, vlon prej idesh, shpesh naive e të papërpunuara, ndonjëherë edhe të qëlluara.

SOKOLI (Jusuf Gërvalla-shën. i Xh.D.)

(VIJON)

© Pashtriku.org

_____________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XIV)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura