NË ÇFARË RRETHANASH U MASAKRUA PROF. RUZHDI BERISHA?

Në 25 vjetorin e vrasjes, 31 mars 2024!

Si u tradhtua Prof.Ruzhdi Berisha nga “shokët” e partisë?!

NË ÇFARË RRETHANASH U MASAKRUA PROF. RUZHDI BERISHA?

Shkruan: Sheradin Berisha

Prof.Ruzhdi Berisha ka lindur më 1952 në fshatin Buçe, komuna e Sharrit (ish’Dragashit). Shkollën fillore e kreu në Bellobrad, ndërsa Shkollën Normale pesë vjeçare e kreu në Prizren.

Ka punuar si mësues në Shkollën fillore të Llapushikut të Opojës, ndërkohë që ka kryer Fakultetin Filozofik për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1976 – 1977 ka dhënë mësim në gjimnazin „Emin Duraku“ në Sharr (Ish’Dragash).

Në fillim të viteve të 90’ta Prof.Ruzhdi Berisha, filloi aktivitetin si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Sharr, ka qenë veprimtar i KMDLNJ’së, anëtar i Kryesisë së LDK’së në Sharr dhe deputet i Kuvendit të pakonstituuar të Kosovës (1992 – 1998) nga kjo komunë.

Prof.Ruzhdiu, për shkak të aktivitetit të tij politikë e arsimor, shpeshherë është marrë në biseda informative nga policia dhe UDB’a serbe, por për asnjë çast s’është lëkundur dhe si i tillë e ka vazhduar aktivitetin.

Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, Prof.Ruzhdiu edhepse ishte anëtar i Kryesisë së LDK’së në Sharr (ish’Dragash) aktivisht mori pjesë në shtrirjen dhe organizimin e UÇK’së në këto anë. Për këtë qëllim Prof.Ruzhdi Berisha (pa e ditur “shokët” e tij në LDK) ka udhëtuar për në Shqipëri për të vënë kontakte bashkëpunimi me drejtuesit UÇK’së.

Në qershor 1998, ai ka shkuar në Tiranë duke e kaluar ilegalisht kufirin dhe është takuar me eprorët e UÇK’së, Esat Krasniqin dhe Xhafer Jasharin dhe pas konsultimeve të shumta ka marrë detyra për shtrirjen e UÇK’së në Trevën e Opojës. Prof. Ruzhdi Berisha në janar 1999 edhe një herë ka udhëtuar ilegalisht në Shqipëri për këtë qëllim.

Si u tradhtua Prof.Ruzhdi Berisha nga “shokët” e partisë?!

Dihet mirëfilli se pas fillimit të bombardimeve të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë (24 mars 1999), Serbia intensifikoj dhunën dhe fushatën e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta dhe në këto zhvillime edhe popullata shqiptare në Opojë do të detyrohet të largohet nga vatrat e tyre. Kjo ngjarje ndodhi më 31 mars 1999 kur forcat ushtarake – policore serbe japin urdhër që brenda dy orësh popullata shqiptare e Opojës t´i braktisin shtëpitë e tyre dhe të shpërngulen për në Shqipëri.

Vetëm dy ditë më herët (më 29 mars) Kryesia e degës së LDK’së për Sharr (ish’Dragash), në një mbledhje të mbajtur në Buzezë, në shtëpinë e Sekretarit të LDK’së Shaban Halimi, merrë vendim, që “nëse vjen deri te shpërngulja e popullatës nga Opoja ne si kryesi e LDK’së asesi nuk duhet të shpërngulemi por duhet të qëndrojmë këtu”.

Prof.Ruzhdi Berisha, këtë vendim e mori shumë seriozisht, dhe nuk do të shpërngulet me popullatën për në Shqipëri, ndërsa anëtarët tjerë të kryesisë së LDK’së, përfshirë këtu edhe kryetarin e LDK’së për Sharr, z.Halim Shemsidini (ish’kryetar i komunës) dhe sekretari i LDK’së, Shaban Halimi (ish’deputet i LDK’së në Kuvendin e Kosovës) nuk e respektojnë këtë vendim dhe të parët ishin ata që ja mbathën (ikën) për në Shqipëri.

(Se kush ishin Halim Shemsidini dhe Shaban Halimi gjatë regjimit komunist të Tito & Millosheviqit mund mësoni në fund të këtij shkrimi, nëse lexoni studimin argumentues edhe me dokumente arkivore me titull:

SI U BËNË PJESMARRËSIT E TUBIMIT TË GAZIMESTANIT, ZYRTARË TË INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS?!

https://pashtriku.org/si-u-bene-pjesmarresit-e-tubimit…

Pra me këtë rast duket se Prof.Ruzhdiu tradhtohet nga “shokët”e LDK’së dhe kjo tradhti do t´i kushtojë me jetë. Gjatë qëndrimit të Ruzhdiut në Buqe (në fshatin e tij të lindjes), forcat kriminale serbe (përmes informatorëve shqipfolës) i bien në gjurmë, dhe ato ditë arrestohet. Prof.Ruzhdiu pasi torturohet barbarisht nga njësitë kriminale serbe vritet e masakrohet mizorisht.

Kush e zbuloj vrasjen e Prof.Ruzhdi Berishës?!

Në qershor të vitit 1999, kur njësitë e UÇK’së hynë në trevën e Opojës, fillimisht nisën pastrimin e terenit nga minat dhe njëkohësisht morën masa për gjetjen e Prof.Ruzhdi Berishës dhe të disa personave të tjerë që konsideroheshin të zhdukur në këtë trevë. PU e UÇK’së, informatën e parë për vrasjen e Prof.Ruzhdi Berishës e ka pranuar në fshatin Krushevë të Gorës nga personi Sadik Idrizi, ish’Ministër i Shëndetsisë në Qeverinë e Agim Çekut. 

Sadik Idrizi ishte zyrtar i partisë „VAKAT“ dhe ka qenë deputet i kësaj partie në Kuvendin e Republikës së Kosovës si pjesë në GP „Grupi 7+“. Sadik Idrizi në nomenklaturën e kaluar ka pas edhe dy pozita në Kuvendin e Kosovës: Kryetar i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenje Sociale dhe Anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Sadik Idriz i lindur me 28.02.1954 në fshatin Krushevë, deklaron se në fund të muajit prill 1999 në një lokal – ëmbëltore në Dragash, pronë e një fshatari nga Zlipotoku i Gorës, ka biseduar me një epror serb me emrin e quajtur Mitojeviç Dragutin, i cili në besim i ka treguar se Ruzhdi Berishën e kanë vrarë në karakollin Stojanoviç (në kufi me Shqipërinë).

Kush e vrau dhe e masakroj Prof.Ruzhdiun?

Pas këtij informacioni të hidhur Policia Ushtarake e UÇK’së nis kërkimin për gjetjen e kufomës së Prof.Ruzhdi Berishës dhe të gjërave përsonale të tij. Fillimisht u mësua se letërnjoftimi i prof.Ruzhdi Berishës është gjetur në depon ndërtimore të pronarit Taip Sadikut nga fshati Bellobrad, (Taip Sadiku ishte informator i UDB’së dhe njëri nga bashkëpunëtorët kryesor të eprorit të policisë serbe Gradimir Zekavica ).

Letërnjoftimi së bashku me një dekleratë me shkrim në stacionin e PU’së është dorëzuar nga Kujtim Neziri – vëlla i inspektorit federativ të sigurimit shtetëror serb, Lulzim Nezirit (Luli) nga fshati Kuk i Opojës. Gjatë hulumtimeve në teren, në shtëpinë e kriminelit Miroslav Gapiç në Prizren janë gjetur: një flamur, patent shoferi dhe libreza ushtarake e prof.Ruzhdi Berishës si dhe një thikë e gjakosur, me të cilën dyshohet të jetë masakruar Prof. Berisha.

Ndërkohë në Lipjan është gjetur edhe vetura e tij. Pas shumë përpjekjesh, përfundimisht më 19 shtator 1999, disa ushtarë të UÇK’së nën udhëheqjen e Zahadin Krasniqit, afër kufirit Shqiptaro – Shqiptar e gjejnë edhe kufomën e masakruar të Ruzhdi Berishës.

Pas disa ditësh i gjithë ky dokumentacion i gjetur, i është dorëzuar hetuesve të gjykatës së Hagës, me qëllim të hetimit të këtij rasti dhe të arrestimit dhe daljes para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në vrasjen dhe masakrimin e Prof. Ruzhdi Berishës, por për fat të keq çdo gjë ka përfunduar me dorëzimin e këtij dokumentacioni, sepse deri më tani askush nuk është arrestuar edhe pse dihen mirëfilli emrat dhe mbiemrat e atyre që u përfshinë  në dhënien e informatave, në kapjen dhe vrasjen e intelektualit Ruzhdi Berisha.

*  *  *

Pas përfundimit të luftës, po në këtë rajon (në Opojë) bariu i fshatit Brezne Hasan Kadri Krasniqi, te vendi i quajtur “Fusha e Hutit” në drejtim të Lugut të Gjeraçinës, ka gjetur gjashtë kufoma të gjinisë femrore. Ka informuar komandën e UÇK’së në Opojë të cilët menjëherë kanë angazhuar një njësi ushtarake për këtë qëllim. Për këtë krim është informuar UNMIK’u, KFOR’i dhe mediat lokale dhe të gjithë kanë dalur në vendin e ngjarjes (në Brezne) ku kanë marrë të dhënat në vendngjarje si dhe kanë bërë inçizimin e kufomave. Pas ekzaminimit të kufomave mësohet, se këto femra të masakruara ishin prej fshatrave Studençan dhe Ternje të komunës së Therandës (ish’Suharekës).

1. Rafije Krasniqi – nga Studençani (49 vjeç),

2. Behare Krasniqi – nga Studençani (22 vjeç),

3. Bahrije Gashi – nga Ternja (1938),

4. Rahime Voci -nga Ternja (1947),

5. Ajmone Gashi – nga Ternja (1966),

6. Besarta Gashi – nga Ternja (1985).

(…)

Pashtriku.org – Mars 2011

PLOTËSIM

“Gjenerali” i “Brigadës 128 me 4 batalione imagjinare” Ruzhdi Saramati, në pllakën e mermertë në Memorialin e dëshmorëve në Gorozhup, e ka futur edhe Prof.Ruzhdi Berisha, si dëshmor të kësaj “brigade”. A është e vërtetë se Prof. Ruzhdiu ishte ushtar apo epror i “brigadës 128”? Jo nuk ishte në asnjë rrethanë e vërtetë! Ashtu siç nuk ishte as Adem Berisha dhe shumë dëshmorë të tjerë të skalitur në këtë memorial të gjeneralit!

____________

Ilustrimet:

  • Memoriali i dëshmorëve në Gorozhup, foto e rrethuar me ngjyra të kuqe është dëshmori Ruzhdi Berisha;
  • Dëshmi – Krimineli Mirosllav Gapiq, leja e çarkullimit dhe makina e Prof.Ruzhdi Berishës.

________________

NDERIM PËR DËSHMORIN ADEM BERISHA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura