MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXVII)

Pashtriku, 23 mars 2021:
1. Bajram SHATRI
Fjalë në emër të Shtëpisë Botuese “Libri Shkollor”, në promovim të veprës
“Bir i Atdheut” të autorit, Mehmet Hajrizi
Prishtinë, më 10 janar 2019
Të nderuar pjesëmarrës,
kam nderin që në emër të Shtëpisë Botuese “Libri Shkollor” dhe në emrin tim personal t’ju përshëndes.
Libri të cilin po e promovojmë sot është një studim për Naser Hajrizin, dëshmor. Ai e përfaqëson gjeneratën e demonstrantëve të vitit 1981. Në ballë të demonstruesve, Naseri u vra mizorisht nga dora e gjakatarit.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme të pas Luftës II Botërore në Kosovë, ishin demon-stratat e vitit 1968. Pushteti serb nuk ishte “mësuar” me demonstrata të tilla të shqiptarëve kundër politikës jugosllave dhe sidomos ndaj asaj serbe. Demonstratat e studentëve dhe rinisë shqiptare dëshmuan se shqiptarët e të gjitha trojeve të Jugosllavisë nuk i kishin të drejtat e barabarta me popujt e tjerë. Ishin të diskriminuar si në punësim, në arsim, në pronësi si dhe në të drejta të tjera.

Demonstratat e studentëve të 27 Nëntorit të vitit 1968, patën rrjedha pozitive për Kosovën, në arenën ndërkombëtare. Si rezultat i tyre, pasuan ndryshimet e klimës politike ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. U hap Universiteti i Prishtinës, dhe disa institucione të tjera profesionale. Deri në këto vite struktura nacionale e nxënësve, por edhe e studentëve ishte e disfavorshme për shqiptarët. Prej fillimit të dekadës së tetë të shekullit të kaluar, arsimimi avancohet në një shkallë më të lartë dhe u përmirësua struktura kualifikuese e mësimdhënësve shqiptarë si rezultat i hapjes së Universitetit të Prishtinës.
Ndarja definitive e shqiptarëve nga regjimi pushtues sllav në Kosovë, fillon në vitin 1981. Lëvizja Gjithëpopullore e atij viti, e bëri të qartë para botës se statusi i Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë, ishte diskriminues për popullin shqiptar. Andaj, shqiptarët nuk kërkonin asgjë më shumë sesa që Kosova të ishte njësi e barabartë me republikat e tjera, fillimisht në kuadër të Jugosllavisë. Ishte e shpejtë përgjigjja e Komitetit Qendror të LKJ-së që miratoi “Programin Politik për Kosovën”. Në këtë Program Universiteti i Prishtinës u shpall si burim “i indoktrinimit nacionalist shqiptar”. Prej kësaj kohe e tërë veprimtaria arsimore, në të gjitha nivelet, u vu në llupën e dioptrisë politike.

Përveç Universitetit, fajtorë ishin edhe rinia shkollore, e cila, sipas tyre, ishte e frymëzuar nga tekstet shkollore, nga planet dhe programet mësimore, nga historia, nga shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të Shqipërisë etj.
Demonstratat e vitit 1981 patën ndikim në historinë e re shqiptare, sepse u rihap çështja e shqiptarëve dhe u paralajmërua shpërbërja e Jugosllavisë Socialiste.
Këto demonstrata u kualifikuan nga kënde të ndryshme, por ajo që është kryesore ato ishin vazhdimësi e shprehjes së pakënaqësisë së shqipta¬rëve për faktin që kishin ngelur nën Jugosllavi pa vullnetin e tyre.
U bënë diferencime politike e partiake të mbikëqyrura nga politikanë të kohës, të afërt me regjimin dhe të ndihmuar edhe nga policia dhe ushtria jugosllave e posaçërisht nga ajo serbe. Shumë punëtorë të arsimit, dhe jo vetëm ata, si pasojë e diferencimit ideo-politik, u dëbuan nga procesi i punës mësimore, u burgosën apo u izoluan.
Demonstratat e vitit 1981, i udhëhoqi rinia shqiptare, sidomos ajo studentore, por fuqishëm të përkrahura nga rinia e shkollave të mesme dhe nga popullata shqiptare në tërësi. Në ballë të tyre u flijuan Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, figura këto që nuk harrohen kurrë as nga brezi i tyre, e as nga brezat e mëvonshëm.
Naser Hajrizi, protagonisti i librit të cilin po e përurojmë, ishte njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar, i ngjarjeve të rëndësishme në Kosovë, i aksionit të grumbullimit të armëve, njohës i mirë i qëllimit të demonstratave të vitit 1968 dhe pjesëmarrës aktiv i demonstratave të vitit 1981.
Për këto aktivitete, Naseri ishte i frymëzuar dhe edukuar nga tradita heroike shqiptare, nga gjendja e robëruar e Kosovës së tij dhe nga Lëvizja Kombëtare e kohës.
Për librin e Mehmet Hajrizit kushtuar kësaj figure të shquar të kësaj periudhe folën referues të tjerë, qoftë si redaktor apo recensentë, por unë, me këtë rast dëshiroj t’i them disa fjalë për autorin e librit “Bir i Atdheut”, Mehmet Hajrizin, për personalitetin e tij, i cili mbase për shkak të modestisë nuk e shkroi edhe biografinë e vet në këtë libër.
Mehmet Hajrizin shumica e juve prezentë këtu, e njihni, por për ata që nuk e njohin sa duhet, në mënyrë të shkurtër do t’i them pak fjalë për veprimtarinë e tij politike.
Mehmet Hajrizi është veprimtar i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, politikan, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqiptare, publicist. Lindi më 1948 në Strofc të Vushtrrisë. Në Prishtinë mbaroi Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik. Ka punuar në arsim 14 vjet.
Mbi dhjetë vjet ka qenë veprimtar i organizuar i Lëvizjes Kombëtare ilegale të Kosovës dhe udhëheqës i Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës, organizata më e madhe e kësaj lëvizjeje gjatë viteve ’70 të shekullit të kaluar. Kjo organizatë çlirimtare frymëzoi, mobilizoi e organizoi popullin e robëruar të Kosovës drejt kryengritjes së vitit 1981, e cila shënoi fillimin e fundit të Jugosllavisë dhe të pushtimit të Kosovës. Ishte bashkëthemelues dhe kryeredaktor i organeve të shtypit klandestin, “Zëri i Kosovës” (1974), “Pararoja” (1976) dhe “Liria” (1980). Më 1979 u mbajt në burg hetues për dy muaj, por në mungesë të fakteve, u dënua vetëm për propagandë kundër regjimit pushtues.
Më 1981, pas demonstratave, arrestohet sërish dhe dënohet me 12 vjet burgim për veprimtari politike çlirimtare, të cilësuar nga regjimi si kundërrevolucionare. Pas lirimit nga burgu, angazhohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës si anëtar i Këshillit Drejtues tetë vjet, anëtar i Kryesisë dhe përgjegjës i Sektorit të Informimit katër vjet, kryetar i Këshillit të Solidaritetit tri vite etj. Ndërkohë mbante lidhje dhe e ndihmonte edhe Lëvizjen konspirative patriotike.
Më 1992, në një nga zonat elektorale të Prishtinës zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Informimit. Drejtoi tri vite Këshillin Qendror të Financimit në cilësinë e kryetarit, të formuar në janar të vitit 1992. KQFK deri në vitin 1999 financonte arsimin, veprimtaritë e tjera shoqërore, asistencën sociale dhe më vonë ndihmoi edhe Luftën çlirimtare të Kosovës. Në mars të vitit 1998 qe njëri nga themeluesit dhe sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Demokratike Shqiptare dhe më vonë i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, e cila mbështeti politikisht Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në qershor të vitit 1998 propozohet kryeministër i Qeverisë së unitetit, e cila u inicua dhe u mbështet nga përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë, por nuk u formua për shkak të konflikteve të brendshme të subjektit politik, kombëtar e ushtarak të Kosovës. Gjatë viteve 1998-1999 mori pjesë në përgatitjen e kushteve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Në shkurt dhe mars të vitit 1999 në Konferencën e Rambujesë, ishte anëtar i Delegacionit të Kosovës dhe i Grupit Politik të tij.
Më 2 prill 1999 emërohet zëvendëskryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, e cila u formua sipas një akordi të Delegacionit kosovar në Rambuje dhe veproi deri në shkurt të vitit 2000.
Pas Lufte ishte anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës, që nga themelimi i tij si organ përfaqësues, dhe nga shkurti i vitit 2000 bashkëdrejtoi mbi dy vite Departamentin e Rindërtimit të Kosovës në Administratën e përbashkët me UNMIK-un.
Nga gushti i vitit 2002 ishte për tri vite sekretar i përhershëm i Kryeministrisë së Kosovës dhe dy vite drejtor i Zyrës për Integrime Evropiane.
Që nga viti 2008, shtatë vjet ishte shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ka botuar: “Sprova të çlirimit” më 2004, “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981” më 2008 dhe si bashkautor “Këshilli Qendror për Financim i Kosovës” më 2007 dhe “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës” më 2014.
Libri i autorit Agim Sylejmani “Në rrugë drejt Lirisë” është intervistë e gjatë me Mehmet Hajrizin, ku ai evokon kujtimet e tij nga veprimtaria klandestine kombëtare.
Libri “Bir i Atdheut” është libri më i ri monografik i Mehmet Hajrizit. Ai këtë ia kushton një familjari të vet, por edhe një vazhduesi të denjë të rrugës të cilën e kishte ndjekur edhe vetë për çlirimin dhe pavarësimin e vendit. Dhe, kush më mirë se vetë Mehmet Hajrizi do të mund të pasqyronte jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit Naser Hajrizi për popullin dhe vendin e tij.
Duke u nisur nga vlerat që përmban ky libër, por edhe librat e tij të tjerë, duke u nisur nga objektiviteti që i shquan ata, urojmë që Mehmet Hajrizin ta mbajë shëndeti i mirë dhe të na dhurojë edhe vepra të tjera.
– VIJON –
_________________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXVI)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11042

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura