ENIS VELIU: SALI BERISHA ME ‘MAFINË’ SERBE, KUNDËR KOSOVËS!

(Prishtinë, 16. 04. 2012) – Për më shumë se një vit, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka bllokuar tenderin për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri. Me këtë veprim favorizohen tregtarët serbë të energjisë, të cilët kanë lidhje me djalin e kryeministrit Shkelzen Berisha. Sipas burimeve të gazetës „Zëri“, biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliq, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha…
     Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Bllokimi i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha, i ka siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi që për momentin Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior. 

Prishtinë, 16 Prill 2012: Faqja e parë e gazetës „Zëri“…

____________________________________

     Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në mars të vitit 2011, është hapur tenderi për linjën e transmetimit të energjisë, Shqipëri – Kosovë, me kapacitet 400 kilovoltësh, projekt ky i cili financohet nga banka gjermane KFW, ku ndërtimi i kësaj linje midis Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i sillte vendit pavarësinë nga linjat serbe.
     Sipas këtyre burimeve, biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliq, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha. “Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”, tha burimi i gazetës.

Shkelzen Berisha, Vuk Hamoviç dhe Damir Fazlliç.

_____________________________________

     Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se pas procedurave të rregulla të tenderit, morën pjesë disa kompani të njohura të kësaj fushe, si: “Dalekovod” nga Kroacia dhe “Energo Invest” nga Bosnjë e Hercegovina. “Kompania e parë ‘Dalekovod’, është një kompani shumë e suksesshme në këtë fushë në mbarë botën, e cila ka përfunduar me sukses dhe linjën e transmetimit të energjisë Elbasan – Podgoricë, me një kapacitet po ashtu prej 400 kilovoltësh. Pas vlerësimit nga komisioni i tenderit, ku merrnin pjesë OST, KOST, si dhe konsulenti gjerman ‘Intech Gopa’, fitues i tenderit u shpall kompania kroate ‘Dalekovod’”, tha burimi i besueshëm i gazetës.
     Por, pas emërimit të drejtorit të ri Operatorit të Sistemit të Transmisionit (OST), Arben Ibroja, ish-truprojë e Sali Berishës, dhe ish-drejtori i Doganës së Durrësit, ky projekt mbeti nën mëshirën e kohës.
Ibroja, udhëzuar nga Sali Berisha, bllokoi këtë projekt për një kohë të pacaktuar.
Bllokimi i këtij projekti të rëndësishëm në masë të madhe ka indinjuar edhe drejtuesit e bankës gjermane KFW. Në letrën drejtuar Ministrisë së Financave drejtori i KFW-së, Roland Siller (Lexoni: http://gcpf.lu/roland-siller.html  – SH.B), ka shprehur shqetësimin për vonesa të realizimit të këtij projekti. “Ne po i shikojmë me shqetësim të shtuar vonesat në procesin e dhënies së kontratës për ofertuesit më të mirë për këto dy projekte të mëdha energjetike. Ndonëse për të dyja projektet raportet finale u janë dërguar javë më parë, por deri më tash aprovimi përfundimtar nga OST nuk është dhënë, ku si rrjedhojë edhe është vonuar fillimi i negociatave për kontratën dhe nënshkrimin e saj”, thuhet në letrën e Siller dërguar Ministrisë së Financave, më 5 dhjetor të vitit 2011.

Drejtori i KFW-së, Roland Siller.

_________________________

     Më tej drejtori i KFW kërkon nga Qeveria e Shqipërisë që ta rishikojë edhe një herë këtë çështje dhe të sigurojë se ky proces nuk do të vonohet më tej. Po, kjo letër e KFW ka hasur në veshë të shurdhër, pasi që askush nga njerëzit e inkuadruar në këtë projekt nuk i është përgjigjur KFW-së.
     Po ashtu më 7 shkurt të këtij viti, KFW i është drejtuar edhe me një letër Ministrisë së Financave, ku sërish nga ta ka kërkuar përshpejtimin e këtij procesi. “Kështu që ne dy herë kemi ardhur në Tiranë këtë vit për të diskutuar lidhur me tenderin për ndërtimin e transmisionit 400 KW. Këto vonesa po shkaktojnë kosto ekstra masive”, thuhet në fund të letrës së dytë dërguar në adresë të ministrit të Financave dhe kryeministrit Sali Berisha.
     Sipas korrespondencës që e ka siguruar gazeta shihet se banka gjermane disa herë i është drejtuar kryeministrit, por ky i fundit nuk e ka parë të arsyeshme t’i përgjigjet. “Bllokimi prej një viti i projektit përbën një procedurë kriminale nga ana e bllokuesve, i cili sjell dhe shumë humbje financiare për Shqipërinë. Gjatë kësaj kohe linja do të ishte në prag të përfundimit”, tha më tej burimi i besueshëm i gazetës.
     Po ashtu, të zhgënjyer më këtë çka po ndodh janë shprehur edhe zyrtarë të kompanisë “Dalekovod”, e cila është fituese e tenderit për ndërtimin e transmisionit.
     Në një letër drejtuar OST-së, zyrtarë nga kjo kompani thonë se prej më shumë se 3 muaj e gjysmë nuk ka asgjë lidhur më projektin për të cilin kjo kompani është shpallur fituese.
Po, edhe ky shqetësim i kompanisë fituese ka hasur në vesh të shurdhër tek autoritetet shqiptare.
     Kontakti i pamundur
     Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka provuar të kontaktojë zyrtarë më të lartë të Ministrisë së Financave në Shqipëri, por edhe OST-in, por kontakti me ta ka qenë i pamundur. Gazeta po ashtu u ka dërguar pyetje zyrtare OST-së dhe Ministrisë së Financave, por asnjeri nga ta nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

SHIKONI MATERIALIN: BERISHA, AFERA ME MAFIAN SERBE…

____________________________

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
RRJETI I KOMPANIVE TË KRYEBOSIT SERB – VUK HAMOVIÇ!!!

Në vijim pashtriku.org, ju sjellë një Diagram ku paraqitet rrjeti i kompanive të kryebosit mafioz serb, Vuk Hamoviç, i cili sipas burimeve të gazetës „Zëri“ – bashkë me Damir Fazlliç ka patur një takim pune në Vjenë, me dalin e kryeministri të Shqipërisë – Shkëlzen Berishën. Nga ky diagram duket qartë se Rrjeti i kësaj kompanie – bazën e ka në Qipro!

Shikoni diagramin në formatin e zmadhuar:

https://pashtriku.org/fckeditor/image/vuk-hamovic-EFT.JPG

____________________________________
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, 16 Prill 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura