MARRËVESHJA HAKERUP (UNMIK) – ÇOVIQ (SERBI) PËR TË DREJTAT E SERBËVE NË KOSOVË, NËNTOR 2001

Kjo marrëveshje: „Garanton se komunitetit të serbëve të Kosovës do t’iu mundësohet arsimi në gjuhën e vet, nga niveli fillor deri në atë universitar. Planprogrami arsimor do t’i bëjë strukturat arsimore të serbëve të Kosovës në mënyrë adekuate dhe kompaktibile me sistemin arsimor serb dhe kërkesat e tregut të punës.“

DOKUMENTI I PËRBASHKËT UNMIK – BEOGRAD

Beograd, 5 nëntor 2001

Një dokument i përbashkët i UNMIK-ut është miratuar sot nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën z. Hans Haekkerup dhe Përfaqësuesi Special i Presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë z. Nebojsha Çoviq, i cili është edhe President i Qendrës Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë.

PJESA E PËRGJITHSHME

1. Vërteton parimet themelore të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe besimit të ndërsjellë se Rezoluta në fjalë mund të zbatohet me sukses vetëm nëpërmjet veprimeve të përbashkëta të të gjitha palëve përkatëse. Është në interesin e të gjitha palëve që të bëjnë ç’është e mundur në përparimin e synimeve të Rezolutës 1244 dhe të marrin parasysh brengat e palëve tjera, duke u përpjekur t’i mënjanojnë dhe t’i zgjidhin ato nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë.

2. Ripohon obligimet e parapara me Rezolutën 1244 që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të drejtat e njeriut, kthimit të të gjithë të shpërngulurve dhe refugjatëve, si dhe pushtetin e pakontestueshëm të UNMIK-ut që ta realizojë Rezolutën 1244 dhe vërteton se të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë kanë të drejta të barabarta dhe që UNMIK-u ato të drejta do t’i mbështesë.

3. Pohon përcaktimin tonë për t’u marrë aktivisht me brengat e arsyeshme të serbëve dhe bashkësive tjera etnike në Kosovë dhe zotohet vendosmërisht për të vazhduar shqyrtimin e tyre, në mënyrë që të gjitha bashkësitë etnike të jenë në gjendje që të përforcojnë përpjekjet ndërkombëtare në Kosovë. Trajtimi jodiskriminues i të gjithë qytetarëve paraqet themelin për një Kosovë multietnike, multifetare dhe multikulturore.

4. Promovon mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të serbëve dhe bashkësive tjera etnike në Kosovë, bazuar në parimet e parashtruara në Rezolutën 1244, duke përfshirë këtu edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë, si dhe të atyre që janë parashturar në Kornizën Kushtetuese për vetadministrimin e përkohshëm.

5. Ripohon se qëndrimi për statusin e ardhshëm të Kosovës mbetetet ashtu siç është parashtruar me Rezolutën 1244, si dhe ky vendim nuk mund të ndryshohet me kurrfarë aksioni që merret nga Institucionet e Përkohshme të Vetadministrimit.

6. Përshëndetet bashkëpunimi i vendosur në kohën e fundit ndërmjet UNMIK-ut në njërën anë dhe Republikës Federative të Jugosllavisë, nëpërmjet Qendrës Koordinuese për Kosovën. Nga ana tjetër, pohon formimin e një grupi punues të rangut të lartë, nën autoritetin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë që në to të përfshihen edhe përfaqësuesit e RFJ-së (kryetari dhe anëtarët e Qendrës Koordinuese për Kosovën), nga njëra anë dhe UNMIK-ut, e pas formimit të tyre, edhe atë të Institucioneve të Përkohshme të Vetadministrimit, në anën tjetër. Ky grup do të sigurojë një qasje të qëndrueshme dhe afatgjate të bashkëpunimit, duke mbuluar fushat me interes të ndërsjellë dhe me shqetësim të përbashkët dhe me qëllim të sigurimit të një koordinimi dhe konsultimi me kohë dhe të rregullt. Grupi punues i rangut të lartë mund të formojë trupa punues në kuadër të fushave të caktuara me interes të ndërsjellë.

7. Ripërsërit përkushtimet për zbardhjen e fatit të personave të kidnapuar dhe të zhdukur dhe potencon se kjo plagë e hapur e të gjitha bashkësive etnike mund të shërohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informatave.

8. Respekton të drejtën e pakontestueshme të personave të zhdukur dhe refugjatëve për kthimin në shtëpitë e tyre dhe sigurinë se ky proces ka filluar.

9. Përshëndet ngrohtësisht pjesëmarrjen e gjerë dhe aktive të të gjitha bashkësive etnike në procesin e regjistrimit dhe mbështet synimin që askujt të mos i mohohen të mirat e demokracisë.

10. Thekson se faza e ardhshme e procesit është nxitja e zhvillimit të demokracisë, sigurisë dhe prosperitetit dhe zgjedhjet paraqesin shansin për një fillim të ri demokratik, me vendosjen e vetadministrimit substancial, si dhe bazën për një dialog të hapur, për një të ardhme të përbashkët rajonale dhe evropiane, për të cilën do të nevojitet një bashkëpunim në mes të gjitha bashkësive etnike në Kosovë, si dhe ndërmjet udhëheqësve të Kosovës, të zgjedhur në mënyrë demokratike, Republikës së Serbisë dhe Federatës Jugosllave.

11. U rekomandon fuqimisht serbëve të Kosovës që të marrin pjesë aktivisht në të ardhmen e Kosovës multietnike, duke marrë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit dhe në institucionet e vetadministrimti të përkohshëm.

FUSHAT SPECIFIKE TË ANGAZHIMIT DHE TË INTERESIT TË PËRBASHKËT

Siguria, mbrojtja dhe liria e lëvizjes

Ofrimi i sigurisë për të gjitha bashkësitë entike është kushti kryesor për një Kosovë multietnike. Është e domosdoshme ngritja e nivelit të sigurisë së përgjithshme dhe mbrojtja e qytetarëve të rrezikuar, vendbanimeve, komunikimeve dhe lokacioneve kulturore dhe pronës së rrezikuar, si dhe liria e plotë e lëvizjes në Kosovë.

Pranon nevojën për bashkëpunim të shtuar ndërmjet UNMIK-ut, RFJ-së dhe Republikës së Serbisë, në sigurimin më të madh të lirisë së lëvizjes në pikat kufitare, në kufirin administraitv në mes Kosovës dhe trevave brenda RFJ-së dhe pajtohet lidhur me bashkërendimin e shtuar operativ dhe sigurinë në këto lokacione.

Njeh përkushtimin e UNMIK-ut për ta rritur lirinë e lëvizjes nëpërmjet lëshimit të targave pa pagesë për serbët në Kosovë, si dhe vendosjen e rrugës hekurudhore nga Kosova në tërë Jugosllavinë.

Personat e zhdukur

Ripërsërit përkushtimin e UNMIK-ut për ndriçimin e fatit të rreth 4000 të zhdukurve nga të gjitha bashkësitë etnike dhe me këtë qëllim, UNMIK-u është i pajtimit se deri më 31 dhjetor 2002, të hetojë të gjitha vendvarrezat e pahulumtuara në Kosovë dhe të fillojë zhvarrosjen e të gjitha mbetjeve njerëzore dhe nëpërmjet analizës së ADN-së dhe të dhënave para dhe post mortore, të 1250 trupave të paidentifikuar në tërë Kosovën, me synim të identifikimit dhe kthimit të tyre anëtarëve të familjes.

Pranon se programi i ekshumimit dhe indetifikimit është vetëm një pjesë e veprimtarive në lidhje me personat e zhdukur, duke obliguar kështu UNMIK-un dhe qeverinë e Beogradit që të bashkëpunojë me transparencë të plotë dhe të shkëmbejë të gjitha të dhënat dhe informatat përkatëse. Ky bashkëpunim, gjithashtu, do të përfshijë edhe punën në lokacionet në të cilat janë zbuluar varrezat.

Kthimi i refugjatëve dhe i personave të zhvendosur

Duke respektuar të drejtën e pakontestueshme të të shpërngulurve dhe refugjatëve që të kthehen në shtëpitë e tyre, UNMIK-u, si prioritet, do të hap Zyrën për kthim, nën mbikëqyrjen drejtpërdrejt të Përfaqësuesit Special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, që do të veprojë si trup operativ bashkërendues për përshpejtimin e këtij procesi, duke përfshirë edhe propozimin e një plani të ri për kthim gjatë vitit 2002 dhe 2003. Në këtë proces do të përfaqësohen të gjithë akterët relevantë, përfshirë këtu, sipas rastit, përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të vetadministrimit, komuniteteve të të zhvendosurve dhe të refugjatëve si dhe autoritetet e trevave mikëpritëse dhe me qëllim të krijimit të kushteve adekuate për lehtësimin e procesit. Ky proces i brishtë duhet doemos të jetë i qëndrueshëm dhe do të ndërmirren masa të konsiderueshme për të garantuar sigurinë e të kthyerve. Kësaj çështjeje të rëndësishme do t’i jepet prioritet dhe nga institucionet e përkohshme të vetadministrimit pritet që t’i mbështesin kthimet aktivisht. Ripohon të drejtën e refugjatëve dhe të personave të zhvendosur që ta kthejnë pasurinë dhe pronën e tyre dhe pranon se kthimi i pronës ose kompensimi është vendimtar për procesin e kthimit. Ndihma e donatorëve nëpërmjet mekanizmave të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga RFJ është kyçe për procesin e kthimit.

E drejta pronësore

Njeh në tërësi të drejtën e patjetërsueshme për pronën private, si një nga themelet e shoqërisë demokratike dhe njëherë përsërit vendosmërinë e prerë për rikthimin e pronës pronarëve ligjorë, në rast se konstatohet një gjë e tillë. Duke përkujtuar procesin e deritanishëm të kërkesave, UNMIK-u ka marrë për detyrë që të përmirësojë shqyrtimin e tyre. UNMIK-u do të identifikojë zgjidhje praktike për zbatimin e vendimeve që merren për kërkesa pronësore dhe banesore, si dhe anagzhohet për hapjen e zyrave në Serbi këtë vit dhe në Mal të Zi, në fillim të vitit të ardhshëm, për të lehtësuar parashtrimin e kërkesave për personat e zhvendosur. Afati për paraqitjen e kërkesave do të zgjatet deri më 1 dhjetor 2002.

Mbrojtja e të mirave materiale dhe pasurisë

Vërteton vullnetin për të zbatuar dispozitat përkatëse të Konventës së Hagës (1954) lidhur me mbrojtjen e vendeve kulturore dhe pasurisë në Kosovë.

Gjyqësia
Pranon se me qëllim të trajtimit të paanshëm të çështjeve që kanë të bëjnë me aktivitetet ndëretnike kriminale, ekziston nevoja për shtimin e numrit të gjykatësve ndërkombëtarë dhe prokurorëve brenda sistemit gjyqësor të Kosovës. UNMIK-u do të dyfishojë numrin e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në gjashtë muajt e ardhshëm, do të kujdeset për angazhimin e tyre në rastet e rënda të krimeve ndëretnike dhe do të nxisë bashkëpunimin aktiv në mes gjyqësisë së Kosovës, qoftë ajo lokale, ndërkombëtare ose asaj jugosllave.

Konfirmon angazhimin e UNMIK-ut që të ndërtojë një gjyqësi multietnike në Kosovë dhe në këtë drejtim UNMIK-u pajtohet menjëherë të fillojë dhe të plotësojë në kuadër një shërbim të ri, në kuadër të Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut, i cili do të jetë përgjegjës për avancimin e përpjekjeve në këtë fushë nëpërmjet përqendrimit të potencialeve dhe personelit për çështje që lidhen me gjykatat dhe punësimin e serbëve dhe joshqiptarëve brenda sistemit gjyqësor të Kosovës. UNMIK-u do të bëjë përpjekje që të përmirësojë sistemin gjyqësor dhe gjyqtarët e prokurorët serbë të Kosovës duhet kryesisht të punojnë në gjykata komunale të qarkut, ku serbët janë shumicë dhe në komunitetet e përziera, duke siguruar kështu që nuk do të ketë paragjykime etnike në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Pohon se ekziston nevoja për të rritur numrin e serbëve të Kosovës, të punësuar në shërbimin korrektues të Kosovës dhe në këtë drejtim UNMIK-u pajtohet në shqyrtimin e menjëhershëm të punësimit të kandidatëve serbë në Kosovë brenda shërbimit korrektues të Kosovës. Pajtohet se me një grup punues të përbashkët, duke përfshirë pjesëmarrësit nga UNMIK-u dhe RFJ-ja do të shqyrtojë rastet e krimeve të rënda, që siç pohohet janë kryer nga serbët e Kosovës, në të cilat raste gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë nuk marrin pjesë me qëllim të zbutjes së paragjykimeve etnike.

Konfirmon se të burgosurit shqiptarë kosovarë, që mbahen në burgjet dhe qendrat e burgimeve të Republikës së Serbisë, për shkeljet për të cilat pohohet t’i kenë kryer në Kosovë, duhet që pas shqyrtimit të rastit të tyre, në pajtim me standardet ndërkombëtare, të transferohen sa më shpejt në Kosovë, nën autoritetin e sistemit të burgjeve të UNMIK-ut.

Bashkëpunimi policor

Pajtohet se lufta kundër krimit dhe organizatave kriminale është një fushë e preokupimit të përbashkët, veçanërisht në fushën e trafikimit, të drogës dhe femrave, pastrimit të parave dhe trafikimit të armëve dhe se kjo duhet të trajtohet nëpërmjet një niveli të përforcuar të bashkërendimit, që do të përfshijë këmbimin e informacioneve përkatëse për kriminelët dhe organizatat kriminale dhe takimet e rregullta mujore të komisioneve të përbashkëta midis UNMIK-ut, RFJ-së dhe Republikës së Serbisë.

Masa kundër terrorizmit

Merr përsipër, brenda kornizës së bashkëpunimit policor të luftojë terroizmin, i cili destabilizon sigurinë rajonale dhe përpjekjet për ndërtimin e besimit.

Zhvillimi i Shërbimit Policor të Kosovës

Fuqishëm përsërit zotimin për të vazhduar zhvillimin dhe përforcimin e Shërbimit Policor të Kosovës, në mënyrë që të gjitha komunitetet të mund të besojnë në forcën policore profesionale multietnike dhe gjithëpërfshirëse që ka për objektiv primar shërbimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë njerëzve të Kosovës dhe zotohet më tej që t’i jep prioritet rekrutimit të një numri më të madh të serbëve të Kosovës në këtë shërbim, veçmas në pjesën veriore të Kosovës. Policët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës do të punojnë kryesisht në rajonet ku ekziston një shumicë e serbëve dhe në komunitetet e përziera. UNMIK-u do të përpiqet që të garantojë se struktura e SHPK-së do të pasqyrojë strukturën etnike të rajonit ku ata punojnë.

Shërbimi multietnik civil

Zotohet të vazhdojë krijimin e një shërbimi civil multietnik dhe shumëgjuhësor në Kosovë, ku do të rekrutoheshin kandidatët nga të gjitha komunitetet, me qëllim që ai të reflektojë karakterin multietnik të Kosovës dhe që do të garantohej nëpërmjet zbatimit të një politike jodiskriminuese të personelit në të gjitha fushat dhe nivelet. Shërbimi civil do t’i përmbush standardet e larta të qasjes, trajtimit të barabartë dhe të profesionalizmit, nëse UNMIK-u konfirmon se përfaqësimi i serbëve të Kosovës në institucionet e përkohshme të vetadministrimit të Kosovës do të jetë përafërsisht propocional me përfaqësimin e tyre në kuvend.

Qeveria vendore

Zotohet të nxisë pjesëmarrjen e rritur të serbëve të Kosovës në institucionet dhe administratën e Kosovës. UNMIK-u po ashtu do të delegojë kompetenca të mëtejme në nivele komunale dhe do të rivlerësojë në mënyrë të plotë dhe sipas nevojës do të përshtasë përfaqësimin e serbëve të Kosovës në çdo komunë, si dhe funksionimin e strukturave të komuniteteve vendore, të cilat duhet të jenë përafërsisht propocionale në përfaqësimin e tyre në kuvendet komunale, me qëllim të nxitjes së gjithëpërfshirjes.

Arsimi
Garanton se komunitetit të serbëve të Kosovës do t’iu mundësohet arsimi në gjuhën e vet, nga niveli fillor deri në atë universitar. Planprogrami arsimor do t’i bëjë strukturat arsimore të serbëve të Kosovës në mënyrë adekuate dhe kompaktibile me sistemin arsimor serb dhe kërkesat e tregut të punës.

Informimi dhe mediat

Zotohet se do të zhvillojë më tej shpërndarjen e informacionit, duke përfshirë atë nga RFJ-ja dhe mediat që i dedikohen komunitetit serb në Kosovë. Kjo mund të përfshijë themelimin e një televizioni dhe të radiostacioneve më të pavarura.

Z. Hans Haekkerup

Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Dr. Nebojsha Çoviq

Përfaqësues Special i Kryetarit të “Republikës Federative të Jugosllavisë dhe të Qeverisë Federale të Jugosllavisë dhe të Qeverisë së Republikës së Serbisë”

Beograd, 5 Nëntor, 2001

___________________

UNMIK – FRY COMMON DOCUMENT

Belgrade, 5 November, 2001

https://www.kosovo.net/unfry.html

===============================

MARRËVESHJA E RAMBUJESË, MË 6 – 23 SHKURT & 17 MARS 1999 (1 – 3)

MARRËVESHJA USHTARAKO – TEKNIKE E KUMANOVËS, MË 9 QERSHOR 1999

REZOLUTA 1244 E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR KOSOVËN, 10 QERSHOR 1999

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura