EDHE NJË PIKË SHKOLLORE NË GJUHËN SHQIPE …

Hapet pika shkollore në Romanshorn të Kantonit të Turgaut!

Nga Vaxhid Sejdiu

Jemi në fillim apo në fundin e viti shkollor, kjo nuk ka rëndësi, por mbi të gjitha më e rëndësishmja është hapja e pikës shkollore, aty ku, pikërisht, fëmijët shqiptarë do të kenë mundësinë për ta mësuar gjuhën shqipe. Ky është lajm mbi të gjitha lajmet, për hir të rëndësisë dhe peshës që ka mësimi i gjuhës amtare në shkollë nga fëmijët shqiptarë në mërgim. Dhe, kjo e mërkurë gëzoi disa prej tyre në pikën shkollore në Romanshorn të Kantonit të Turgaut, e cila hapi dyert për fëmijët  shqiptarë të kësaj qyteze. Dhe me të drejtë dijetari shqiptar Sami Frashëri ka thënë: “Shenja e kombit është gjuha. Kur një komb e humb gjuhën, ai humb edhe veten.”

Nxënësit janë ata, të cilët i përjetojnë në mënyrë të veçantë orët mësimore në gjuhën shqipe.  Nxënësit e Shkollës Shqipe në Romanshorn të Kantonit të Turgaut, duke bërë përgatitjet për festën e 1 Qershorit.

Pas disa përpjekjeve dhe takimeve me prindërit shqiptarë, të mërkurën edhe zyrtarisht filloi mësimi në pikën shkollore në Romanshorn të Kantonit të Turgaut, duke ua mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të vijojnë mësimet në mënyrë të rregullt në gjuhën shqipe.  Nxënësit: Zejnepi, Emini, Beyani, Anisa, Lina, Liana, Aida, Elsa, Anesa, Amina, Inara, Zana, Amari etj.,  të cilët erdhën  në orën e parë, ishin të gëzuar se më në fund po fillonin me mësimet në gjuhën shqipe, por edhe nxënës të tjerë, të cilët do t`u bashkëngjiten në ditët në vazhdim, do të jenë pjesë e gëzimit, padyshim.

Klasa ku zhvillohej mësimi kishte marrë një pamje të mrekullueshme, buzëqeshjet e fëmijëve, fjalët e mësueses Valbona Alili e begatonin klasën. Ata po i gëzoheshin ditës së re, që kishte hapur një faqe të re për të mirën e tyre, që ta mësojnë edhe gjuhën e nënës. Prindërit, të cilët i shoqëruan deri te dera e shkollës, ndiheshin ndryshe nga ditët e tjera. Dhe ky fakt duhet t’i  motivojë, jo vetëm këta prindër që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në gjuhën shqipe, por edhe mijëra prindër të tjerë, fëmijët e të cilëve lindin dhe rriten larg atdheut. Ruajtja  e gjuhës amtare është obligim moral dhe kombëtar i të gjithëve, prandaj në këtë drejtim, të gjithë duhet të bëhemi bashkë dhe të veprojmë në shërbim të përhapjes së dritës se diturisë në gjuhën shqipe.

Mësuesja Valbona Alili, për veç shkronjave të shqipes, u foli nxënësve edhe për festën e 1 Qershorit – Ditës së fëmijëve, ditë e cila na obligon të gjithëve që t`i kushtojmë edhe më shumë rëndësi, atyre që janë e ardhmja e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Prandaj për ta ruajtur gjuhën duhet ta mësojnë në mënyrë të rregullt. Mësuese Valbona ishte shumë kënaqur me fillimin e mësimit, në këtë pikë shkollore, dhe falënderoi nga zemra veprimtarët e arsimit shqip, Vaxhd Sejdiun, Mixhit Osmanin, Nexhat Hysenin, Zekirja Aliun dhe shumë prindër të tjerë, të cilët janë angazhuar në 2-3 javët e  fundit, me dëshirën e madhe  që pika shkollore të ngritët mbi këmbët e veta. Dhe tani dera e shkollës shqipe në Romanshorn është  e hapur për të gjithë ata prindër. të cilët dëshirojnë që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe për ta mësuar gjuhën amtare.  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura