EQEREM CANAJ – KY NOTAR I PAEPUR NË LUMIN E LETËRSISË SË TIJ

EQEREM CANAJ – KY NOTAR I PAEPUR NË LUMIN E LETËRSISË SË TIJ

Nga Dr. Albert HABAZAJ

Poeti dhe këngëtari

Eqerem H. Canaj ka një gjysmë shekulli duke notuar hapësirave ujore të Shqipërisë letrare dhe me natyrën rebele të labit smokthinjot, me krenarinë gjenetike të kapedanit Cane Miftari, por pa u mburrur, falë pasionit, talentit, mundësisë si mësues i letërsisë dhe gjuhës shqipe, patjetër dhe këmbënguljes atipike, domosdo që do të dilte nga shtrati dhe do të krijonte lumin e letërsisë së tij, shpesh herë me mundim sizifian. 

Ai është një personalitet i letërsisë vlonjate, (i asaj që thuret në këtë qytet të bukur e madh, e cila është pjesë e së tërës Letërsi shqipe). Ai tashmë është një zë i dëgjuar në Letërsinë shqipe me një profil të dukshëm të tij në letërsinë bashkëkohore.

Kam mendimin se të jesh poet i mirë, duhet të dish edhe të këndosh mirë këngët e vendlindjes apo vendorigjinës. Eqerem Canaj këndon shumë bukur e qartë këngët labe sipas stilit muzikor të Smokthinës dhe ia merr aq shtruar këngëve karakteristike. Në pamje të parë, nga që njihet si poet modern, Eqeremi nuk ta jep ndjesinë e lidhjes me traditën, me këngën labe – ilaçin e labit për të shëruar hallet e dertet e shumta përgjatë shekujve, mjaltin për t’u ëmbëlsuar gëzimeve të pakta në rrjedhat e kohës së murrme. Kush e ka dëgjuar, është kënaqur me zërin e tij si marrës. Me gurrën popullore në shpirt, ai që herët pa nga majat e maleve të letërsisë, me synimin qysh atëherë për t’u ngjitur atje sipër me këmbët e tij, me penën e tij, me fuqinë e tij si Eqerem.

Sot, me 80 vjet e kusur në shpinë lart e shikojmë jo llagëmeve, por tek çan monopatet e ngushta për t’u ngjitur lart – tek synimi, me çdo libër që boton. Është në natyrën fisnike të autorit, që çdo vëllimi poetik apo libri me prozë (roman, tregime, novela) ditëlindjen t’ia festojë mes miqsh, me njerëzit e letrave. I dëgjon dhe e dëgjojnë, por, si shkrimtar mendjehapur, di dhe të kundërshtojë, siç dhe pret ta kundërshtojnë, sepse është qytetar i emancipuar dhe, natyrshëm, e pranon mendimin ndryshe të mikut të mirë.

Pak nga Eqeremi i letërsisë

Ndoshta nuk është e nevojshme të rrëfejmë jetëshkrimin e autorit, se bota letrare e njeh, por, edhe për referencë të shkrimtarit, dy fjalë vlejnë t’i paraqesim në këtë parathënie të librit të zgjedhur poetik të tij.

Eqerem Canaj ka lindur më shkurt të vitit 1944, në fshatin Mesaplik, Vlorë. Mësimet e para i mori në vendlindje, shtatëvjeçaren në Vlorë (Skelë). Kreu Shkollën Pedagogjike 2-vjeçare “Pandeli Sotiri” Gjirokastër, ndërsa studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega “Gjuhë-Letërsi Shqipe”, Tiranë, 1975. Canaj ka shërbyer në arsim prej 46 vjetësh si mësues dhe si drejtor shkolle, në fshat dhe në qytetin e Vlorës, ku është dalluar si mësimdhënës dhe metodist jo vetëm në lëndët e profesionit.

Ai është marrë me krijimtari letrare, qysh nga viti 1976, me botimet në revistën “Nëntori”, gazetat “Drita”, “Rinia”. Poeti Eqerem Canaj ka botuar poezinë “Labi i vogël” kushtuar mendimtarit demokrat, atdhetarit Halim Xhelo në revistën “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, (e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike), 1977/6, f.101-102. Për novelën “Vlora-Vlora” në konkursin Kombëtar të Pavarësisë (1982), ka fituar Çmimin e Dytë. Qysh në ato vite, ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, duke iu akorduar edhe leje krijuese sipas kritereve. Në vitet e demokracisë (2011-2015), ka drejtuar Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë. Për krijimtarinë e bollshme e të suksesshme, ka fituar disa çmime të para e të dyta përgjatë konkurseve kombëtare dhe lokale. Është dekoruar nga Shoqata “Labëria”, Bashkia e qytetit Vlorë, nga Qarku Vlorë, shoqatat “Petro Marko”, “100-vjetori i Pavarësisë” dhe Federata e Paqes Universale.

Vepra letrare e shkrimtarit E. Canaj është marrë në studim nga Katedra e Gjuhësisë Tiranë (2013, nën drejtimin  e gjuhëtarit, prof. dr. Rami Memushaj), nga departamenti i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë (2014-2015, nën drejtimin  e gjuhëtarit, prof. dr. Nexhip Mërkuri, përkatësisht: “Gjuha dhe stili në veprat e Eqerem Canajt” nga Anila Metaj dhe “Vështrimi i gjuhës së Eqerem Canajt sipas semantikës gjenerativiste” nga Anisa Rapi. Deri në vitin 2025 ka realizuar 48 botime në të gjitha gjinitë letrare.

Në Katalogun online të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjenden 79 regjistrime bibliografike të autorit, nga të cilat, 40 me emrin Eqerem Canaj dhe 39 regjistrime bibliografike me emrin Eqrem Canaj, ndërkohë që përditësimi i titujve në kohë shton numrin e regjistrimeve bibliografike. Përshkrimi bibliografik i veprës së tij letrare, kritike dhe publicistike të këtij autori gjendet dhe në faqen e Bibliotekës Shkencore dhe Botimeve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlortë, si pjesë integrale e platformën ndërkombëtare Cobiss. Net, që është rrjeti i sistemeve  bibliotekare – informuese dhe sistemeve të informacionit për veprimtari shkencore, regjistruar nga kataloguesi dhe bibliografi i atij institucioni, autori i kësaj parathënieje.

Ndër veprat e tij më të arrira të Canajt si “Kur zemërohen yjet” (trilogji), “Gjethi i kuq”, “Çatia e gjarpërinjve”, “Zëri i vetëdijes”, “Princesha Rugjinë”, “Apoteoza” ‘Misteri”, “Ombrella e thyer” etj., janë botuar nga gjiganti botues “Toena”.

Romanet “Çatia e gjarpërinjve” e “Rebeli”, si dhe vëllimi poetik “Gjethi i kuq” janë promovuar në Londër.

Personalitete të artit dhe kritika kanë spikatur profilin e tij letrar: “Një zë në Jug, përfaqësues i letërsisë moderne”.

Siç u shprehëm, Canaj na paraqitet lart në dy relieve: në këngë – i traditës, në poezi – modern. Qysh nga fillimet. Dhe me pretendime. Dhe shumë kërkues, i pakënaqur me veten për të mbërritur tek më e mira e mundshme. Gjithmonë prish një varg, një strofë, një poezi apo dhe një poemë të tërë, për ta rindërtuar të re, të bukur, të hijshme, të pëlqyeshme. E ka si normë ai, poezia, poema, tregimi, novela, romani, (sipas rastit) së pari meriton të pëlqehet nga vetja, dhe duhet prishur për ta ribërë prapë, po i vrau veshin… Poezinë e ka xanxare Eqeremi, sepse me veten është xanxar. Kërkues te Zoti. E gërryen mosarritja artistike dhe estetike dhe, në kërkim të gjetjeve të reja, del në udhën e madhe të letërsisë me hapin e tij të rëndë dhe autoritar. Ai e ka arritur standardin. E mban atë në lartësi dhe më tutje synon. Ky është Eqerem Canaj, i pakënaquri me veten për të kënaqur të tjerët.

Ai është si ai notari i mirë, që i zotëron të gjitha stilet e noti dhe, mund të themi se Eqeremi i lëvron të gjitha gjinitë e llojet e letërsisë artistike. Është i njohur si romancier i mirë, por po aq mjeshtër i fjalës artistike është në poezi. Canaj sakrifikon për poezinë e tij dhe kjo është e vërtetueshme dhe me ç’ka shkrova më lart, por sidomos kjo duket në përkushtimin e tij serioz deri në eksperimentet letrare që ndërmerr. Të paktën Vlorë, është unikal në këto prova letrare, jo vetëm në strukturën poetike (si te haiku etj.).

Notari i dallgëve që del në anë

Dhe erdhi koha që Poeti të botojë Serinë e zgjedhur të veprës së tij letrare në kolanën Poezia shqiptare bashkëkohore, vëllimin poetik me titullin metaforik aq të gjetur dhe intrigues “Gërshet shqiponjash për liri”, më i ploti dhe më i arriri i derisotëm.

Patjetër nuk mund të bëj analizë teksti a koment letrar, se nuk është ky misioni i parathënies, por disa piketa poetike po i ravijëzoj, që teksti të marrë një trajtë të dukshme e të bëhet i qartë i dallueshëm për lexuesin për strukturën dhe mesazhet që i përcjell përditësueshëm lexuesit të sotëm.

Shqiponjat me gërshet lirie

Libri që kemi në dorë me emrin e bukur simbolik “Gërshet shqiponjash për liri” është vëllim  poetik i veçantë sepse është i ndërtuar vetëm me poema. Libri ka 3 kre, ku kreu i parë titullohet “Mesapliku në luginë”, me 6 poema apo 4 poema dhe 2 vjeshta të gjata, që vijnë si poemth. Edhe në këtë libër vërejmë se Eqeremi është poet i vërtetë, është vetvetja dhe njeri me personalitet të fortë letrar, ku spikat për autenticitetin, vetëbesimin e motivuar dhe qëndrueshmërinë shkrimore. Në poezitë e këtij vëllimi, niset nga vetja, nga shtëpia e tij, nga Mesapliku. Jam i mendimit, që jetëshkrimi ndjesor, idetë dhe mendimit e çdo autori gjenden në botimet e tij. Në çdo botim ai jep vetveten, pak e pak a si t’i vijë. Edhe Eqeremi po kështu.  Tek poezitë e tij gjeni atë. Një vlerë e autorit është se ngre në poezi e poema gjeografinë lokale, ato hapësira e troje, ata banorë e psikologji, atë jetë të përditshme e kulturë jetese, ata heronj me histori që njeh më mirë dhe i paraqet e i përuron në nivelin e botës shkrimore për t’u njohur dhe nga të tjerët.  

Poemës së parë i ka vënë emrin “Baladë mbi Shushicë” dhe ia ka kushtuar heronjve të Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920, profetit të Kotës legjendare Zigur Lelo, kapedan Sali Vranishtit, Kanan Maze Bukurisë, Ballit të lapidarit Selam Musai, gjyshërve tanë të mirë, që nisin  kuvendojnë…, Sazanit, Vlorës, Drashovicës, Gjormit… Ndër heronjtë e popullit, gjaku i të cilëve u bë dritë më Njëzetën, Kanan Mazja, i cili luftoi sypatrembur, hyri në legjendë me nofullën e bërë copë nga një predhë. Dhe armikun  e hodhën në det, gremisën Perandorinë Apenine. Autori shkruar me mjeshtëri artistike, me vërtetësi dhe nderim për ata luftëtarë idealistë të lirisë së Atdheut. Poemës i vesh kostumin që i shkon, tradicionalin me 6 rrokshin, që përdoret dhe në letërsinë artistike me rimë abcb (nga që nuk rri dot në rresht të përdorë rimat e puthura, të kryqëzuara apo të mbyllura), duke e përforcuar ritmin dhe mjetet shprehëse të gjuhës poetike: “Për lirinë e trojeve/ shqiponjat gërshetë/ përtypin vetëtimat/ gjaku spërkat retë”. Për të vënë në dukje figurën e luftëtarëve vullnetarë për liri, për të përforcuar përshtypjen, që të kemi ndjesi të fuqishme gjatë leximit, që ta përjetojmë sa më gjatë në kujtesë historinë e shkruar në vargje, autori përdor një nga tropet më domethënëse, siç është hiperbola, që i shkon shumë për shtat poezisë epike dhe kësaj epiko-lirike.

Duke qenë se jam njëri ndër njohësit e letërsisë së Canajt, kam bindjen se Eqeremi nuk bën letërsi për letërsi. Patjetër që letërsia e tij është një standard letrar, por ai ndërton po aq një letërsi me mesazhe të qarta e të dëlira lirie. Poezia e tij është sa sociale, po  aq atdhetare, ndërkohë që poezia atdhetare nuk mund të jetë kurrë e vjetruar, se ndjenja atdhetare udhëton si stafetë nga brezi në brez tek banorët e këtyre trojeve, aq më tepër motivi atdhetar tek poetet, që janë dhe misionarë drite e kanë ndjesi më të thella për rrënjët, prejardhjen, sotmërinë, ardhmërinë e vendit “ku kemi lerë”. Edhe nëpërmjet vargjeve të poemës “Baladë mbi Shushicë”, autori na risjell në kujtesë me format e tij poetike se si përfaqësuesit e fuqive imperialiste, të mbledhur në Paris, në Konferencën e Paqes (18 janar 1919-1920) për të ndarë “plaçkën, siç shprehet ai, përpiqeshin të realizonin planet e tyre antishqiptare. Autori na kujton historinë e hidhur, kur pushtuesit italianë kryenin barbarizma, duke rrëmbyer fëmijë, gra e njerëz të pafajshëm, të cilët i mbyllnin në anije, sa “lot vajtonin yjtë”…

Historia na mëson se ishin të shumtë faktorët që e bënë Vlorën simbolin shqiptar të fitores mbi një pushtues të madh, më modernin e kohës, ndërsa autori këndon me ngjyrime emocionale, art, krenari dhe vërtetësi: “Zjarr zemra shqiponjash/ flakë derdhej nga goja/ rrjedh e rrjedh balada/ për ty: “Vlora – Vlora”.

Janë ngjarjet dhe njerëzit që i kanë bërë më shumë përshtypje në jetë autorit, të cilat ai i përjetëson në vargje. Pas “Baladës…” vjen “Lamtumira” kushtuar shkrimtarit të njohur Shevqet Musaraj, që jetën dhe veprën e tij e vuri në shërbim të Atdheut. Musaraj ishte nga Matogjini, fshat i Shullërit në krahinën etnografike të Mesaplikut; ishte nga rrënjët e autorit (Bashaj – fshat i Shullërit në krahinës e Mesaplikut); ishte nga rrënjët e mia (Tërbaçi, po ashtu – fshat i Rrëzës në krahinën e Mesaplikut).

Eqerem Canaj është një shkrimtar me emrin e tij dhe poet i lirë, që nuk vuan nga komplekset. Përveç Mesaplikut, prejardhjes së njëjtë, që na bën krenarë në kohë, Musaraj e ka ndihmuar mësuesin e letërsisë dhe shkrimtarin e ri, të talentuarin e pasionuar dhe të munduar Eqerem Canaj, e ka përkrahur dhe mbështetur autorin e ri mesaplikas, i ka falur mirësi. Dhe Canaj, i rrahur në dallgët e furtunat e përroit të thellë, të egër e rrëmbyeshëm të jetës, di ta ndajë shapin n ga sheqeri, siç thotë populli. Canaj i thotë të bardhës e bardhë, të zezës e zezë dhe këtë logjikë e mbështetë në përvojën vetiake, se është i vetëdijshëm kush e ka mbështetur dhe kush e ka shtyrë. Për ata që e kanë përkrahur shpreh mirënjohje, ata që e kanë shtyrë i anashkalon me shpërfillje. Shkrimtari i njohur Shevqet Musaraj ka qenë në shkëlqim qysh nga koha koha e LANÇ – it deri sa ra sistemi në Shqipëri. Këto 35 vjet demokraci emri i tij është zbehur e zvogëluar, është errësuar e sulmuar. Autori është me kohën, është fatos i demokracisë, por nuk mund të jetë mosmirënjohës, si ca liliputë. Mirënjohja e tij ndaj shkrimtarit Musaraj është strukturuar në vetëdijen e tij, në karakterin burrëror, qytetar e letrar, është virtyt njerëzor. “Deti kaltëron, deti nxin/ valëzim dallgësh në pafundësi…”

Nëpërmjet kësaj poeme, vërehet lehtë që autori noton në lumin e letërsisë së tij. Me një gjuhë letrare e mjete të fuqishme shprehëse në të shkruar, ai është në fushën e tij i lirë, i pa fre, me frymëmarrje të plotë poetike, ku feksin metaforat, epitetet, krahasimet etj. Në këtë poemë me 4 pjesëza poetike, si të ishin bisturi e kirurgut, autori i bën autopsinë mikut të vjetër dhe të mirë, ku “përmbi qiejt retë ngjyer në shqotë/ …mbetët të mugtit poetë”. Dhe, natyrshëm, ndahen në paqe me: “lundërtarin poet/ lamtumirë poet!”

Udhëtimi poetik i autorit ka dy korsi, atë epiko-historike dhe korsinë liriko-sociale e shpesh herë i kërlesh ato, që thurja e vargjeve të na bëjë më shumë përshtypje, ta përjetojmë më  konkretisht poezinë, pse jo të futemi në lëkurën poetike që ai na paraqet që ta ndjejmë veten brenda.

E treta në renditjen e “Gërshetit…” është poema apo poezia e gjatë “Labja”, kushtuar legjendës njerëzore Miro Tërbaçi, heroinë popullore e mbarënjohur për historinë e saj trimërore jo vetëm në Labëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Për Miro Tërbaçen janë shkruar poema nga Odhise Grillo e Zhaneta Lazri, janë thurur poezi nga shumë autorë, ndërkohë që mund të jetë një personazh historik që ka 146 variante këngësh labe apo motërzime të këngës popullore. Canaj e gdhend bukur dhe me origjinalitet personazhin historik në personazh letrar, duke e sjellë në vetën e dytë njëjës, pra, duke iu drejtuar me “ti”, për ta bërë më të afërt atë me veten, me lexuesin: “Me legjendat rritur…/ djepi prej eshtrash/ lëkundej mbi ty,/ vdekjes i thoshje/ plaç,/hasmin/ përpije me sy…/ kokën pashait po sillje në trastë,/ labe, moj labe!”. Struktura moderne e thurjes së vargjeve e bën poemthin të pranueshëm dhe tërheqës për lexuesin e sotëm, që është lodhur nga prodhimet e papjekura letrare, që na i vënë përpara si qullufice.

Edhe poemthi në vijim “Trimi kësaj toke” kushtuar heroit të Popullit Zigur Lelo, ecën në këtë shtrat, me profilin e tij epiko-historik, ku në funksion të ndjeshmërisë së lartë letrare, ku shkëlqen kontrasti dhe similituda, për të realizuar përshkrimin real të heroit në vargje, autori ka futur me finesë edhe elemente folklorikë, si vargje nga epika historike e Luftës Kombëtare të Vlorë, 1920 apo edhe pasazhe etnografike. “Gunën e leshtë, hedhur krahëve/ gunë  e ashpër me thinja të bardha,/ si mjekër e maleve të sertë/ i/ fole me gjuhën tënde vitit të mbrapshtë:/ Mbaju,/ mos u jep!”. Gjatë gjithë lëndës, vërejmë se autori shpesh herë, ku e shikon me vend, na tërheq vëmendjen me piketën e lartë letrare të “Gërshetit…”. Edhe te poemthi i Zigurit, se “Nga Veriu në Jug/ gërshet i shqiponjave/ rrëmbyer në dyfek/ për nënën e gjorë/ për Vlorën e shtrenjtë”, kur, siç i drejtohet autor heroit: “mbi trupin tënd/ plumbat hiqnin valle,/ nata blozë e zhgunë” dhe zbritën mbi Kotë, mbi Vlorë kënga e hekurt e maleve”.

I gdhendur në kujtesë” është një poemë elegjiake, që na vjen si lotim i hidhur i zogut shtegtar për një bir nëne, që, si shumë e shumë të tjerë, mori udhët e mërgimit dhe u përball keq me liganët e atij dheu, që, ç’nuk bënë me përbuzje, përçmim e turpërim për t’i vrarë krenarinë, por biri i nënës labe u bë furtunë e flakë vetëtime për poshtëruesit e ulët, kur na pllakosi gjëma e rëndë e emigracionit ekonomik shqiptar, viktimë e kohës dhe e shtetit në rrokullimë. Edhe pse erdhi në arkivol, nëna stoike, shamizeza pahequr e këndoi me vaje zogun këngëtar: “Diku mbive prapë/ si lisi në rrënjë/ përjetësisht i gjallë/ i gdhendur në kujtesë”.

Mesapliku në luginë” është poemë liriko-epike, e gjashta dhe fundit e kreut I të vëllimit poetik, e ndërtuar me 7 nënkre, ndër më të bukurat që kam lexuar për vendlindjen, si gjetje, motivim e realizim tërësor si përmbajtje e një vepre të mirë letrare në letërsinë shqipe. Poema është botuar edhe në vëllimin poetik “Qiej të çarë”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 133-152. Vetëm kjo poemë meriton një shkrim më vete, një vështrim analitik të merituar, sepse është ndër më të dashurat për autorin, ndër më të arrirat, si lartësi e nivelit artistik, të humanizmit njerëzor dhe dashurisë për dheun e të parëve dhe natyrën si kartolinë speciale. Për Mesaplikun, autori rri e mendohet, trurit t’i ndezë dritë e ballin  rrudh mbi kartë të mbjellë për brezat e këngët e trimërisë ëndrrat për të ardhmen. Si në çdo krijim të tij, por sido mos në këtë poemë, ka një begati të shëndetshme retorike, pra të figurave të fjalës, si, fjala vjen, tropet, figurat gramatikore dhe figurat e ndërtimit. Po kaq të freskëta, të këndshme e të begata përdor dhe figurat e mendimit, si p.sh., similituda, alegoria, apostrofi, pyetja dhe përgjigjja retorike, perifraza etj. Është në natyrën e tij krijuese përdorimi i beftë i neologjizmave, të cilat nuk mund t’i shkruajmë këtu, se ato aq sa janë të bukura, aq janë dhe të shumta në numër, por, që fatmirësisht ne nuk na bezdisin, përkundrazi na shijon më kulturalisht dhe estetikisht këndimi i poemës. Nuk është deklaratizëm patriotik vargu i poetit: “Mesaplik/ për ty do të vdes”, sepse vendlindja e tij është “ag dhe dritë”, sepse është amaneti atdhetar i të parit të tij, Cane Miftarit, që tok me tafilë, hodot, gjolekët thyen taborë, saqë klithnin sulltanët. “Me leshra të bardha si lule bore…/ me zemrën në duar si në përrallat mitologjike dhe gunat hedhur përmbi tela”. Në këto katër vargje është një epope e tërë lirie, me kapedanët e Njëzetë sikur të ishte një pikturë poetike. Në fund të fundit, çdo përpjekje letrare, arsimore, edukative që bën autori, ashtu sikundër dhe dëshira mundi i çdokujt, është që të kemi “fëmijët si lulet/ lulet si fëmijët”.

 Kreu i dytë titullohet “Përdëllimi” dhe përbëhet nga 3 poema. Poema e parë ka emrin “Shqiponja nervoze”, titull i padëgjuar ta ketë tjetërkush në vjershërimet e tij. Është një poemë politiko-sociale, ç’ka mishëron se autori nuk është një poet i akuariumit, por është një veprimtar, një intelektual i shqetësuar, që operon ndershëm dhe shëndetshëm, pa le të dhembë plaga… Në vështrimin e tij poetik, autori tregohet ashpërsisht i vërtetë, se nuk mund ta mbajë ndërgjegjen të ngarkuar dhe, i revoltuar, na sjell imazhin e shqiponjës nervoze për këtë Shqipërizë gjithë jetën në dufe shtrëngatash.

Stili metaforik i autorit nuk bulëzon, por shpërthen me energji poetike të gjallë. Ka plot vargje me kompozita, fraza  e shprehje metaforike, epitete të goditura e figura të tjera, që e hijeshojnë poemën, lindur natën e furtunës që solli shqiponjën nervoze mbi pishë.

Poema II e kreut II ka emrin e një vajze “Aleksia” dhe vjen si përjetim i një gjendjeje shoqërore në qytet. Poema ka intensitet, kontraste të fuqishme, ka ritëm, ka dramacitet e përshpejtime të zhvillimit të situatave e gjendjes psikologjike të Aleksias, protagonistes së poemës. Trajtohet një ngjarje kulturore e fundvitit, ku çmimin “Protagonist i vitit” e kishte merituar  një poet që mungonte në sallë. Ai ishte emigrant. Në dhe të huaj. Atje…“Konferencierja me diksionin kumbues/ të lirizmit karakteristik/ çliroi emrin poetit…”. Aleksia, vajza e bukur e poetit mori dekoratën dhe tufën me lule i mbajti gjatë në duar… E shtangur, ajo nuk mund të falënderonte. Nuk mundte. Po mbante rënduar arkivolin e babait. I thoshte durimit “duro”. Nuk tha një fjalë. Tjetër gjë mendonte ajo: “Me arkivolin e të et në dorë do të dalë jashtë/ kësaj salle, mbytur frymorësh epshngrirë,/ drejt hapësirë blu… po babain  e saj, poetin/ e natyrës/ e të filozofisë, siç qe: do ta varrosë pranë/ trungut/ të një ulliri…/ mbi kreshtën e shkëmbit të kalasë… Poema vjen si një prozë poetike moderne, që rrjedh lirshën në shtratin e saj dhe shfren me zemërim ndaj maskave, se nuk ndjen mallëngjim, as dhembshuri a mëshirë ndaj realitetit hipokrit, që hiqen sikur janë prekur në zemër.

Poema III, që ka titullin  “Përdëllimi”, është e fundit e këtij kreu. Është një poemë e gjatë, sa një libërth më vete, që na vjen si himn për prejardhjen dhe këndvështrim i thukët për veten. Do t’i shkonte shumë edhe titulli “Monument për babain”. Është botuar në vëllimin poetik “Gjethi i kuq”, Tiranë, Toena, 2013, f. 145-173. Përmbajtja e poemës është aq tronditëse, sa që na rrëmben dhe ne i përjetojmë keq ngjarjet që zhvillohen në rrjedhën e vargjeve dhe ndjejmë, sikurse autori, krenari apo zemërim, sidomos dufet na bëhen si dallgët e lumit në stuhi të keqe, që rrëzon pemë e mendime… Këtu autori ulet këmbëkryq me historinë e jetuar, me fshatin, me realitetin sy më sy si poet i vërtetë, jo si politikanët shtiracakë. Ka zbritur nga kali i racës që kishte historia e të parëve legjendarë. Këtu ai gjendet i rrethuar nga trishtimi e pamja e zymtë, që klith. Nuk më pëlqen shprehja “Burgu është për burrat”. Jo, burgu është për fajtorët, nuk është për gabimtarët, për ata njerëz të thjeshtë e punëtorë që gabojnë pa dashje, pa qëllim të keq. Ndërkohë, që burgu është burg, nuk ka emër tjetër, as tjetër kuptim s’ka. Ai lë shenjë. Edhe pendët e gushkuqit janë nervoze e lehin vetëtimat qiellit dimëror. Edhe ajri është bërë i egër. Eshtrat e portës – nervozizëm i ndryshkur. Shtëpia ka vdekur. Autori rrëfen burrërisht dhe me dinjitet poetik, si kurrë më parë për babain, për gjyshen, për nënën, për veten… “Ulërin foshnja për qumësht gjiri nga i së/ ëmës. Po gjyshe zeza e ushqen me lot…/ Zoti e mëkon me qumësht perëndie…”. lindi djali, drita e syrit. U bë poet. Është një emër sot. “Përdëllimi mallor më ka përflakur në tërsëllinë e tejmatë”. Por, zemërata e poetit është e pamatë, saqë, siç shkruan ai, as Balzaku, Homeri, Tolstoi, Gorki, Tueni, Hajnrih Bël, as Nesin e as vetë Musaraj i tij nuk ia kthejnë vështrimin  nga droja (?!)… E megjithatë, simbolika e shtëpisë është e veçantë dhe me mesazhe të kthjellta. Dashuria për vendlindjen merr një kuptim të ri më të gjerë, më të thellë e bashkëkohës. “Zjarri i mallit dashuror ta ketë shkrirë/ me degë e rrënjë?!”

Kreu III i këtij vëllimi ka emrin “Burri i dheut” dhe përbëhet nga 3 poema. “Liria”, që çel këtë kre, është një poemë epiko-historike, që në 3 pjesë rrëfen në vargje, sipas stilit të autorit dhe këndvështrimit të tij, dramën e burrave të Hormovës nga diktatori Ali Pasha. Tragjedia e burrave hormovitë, të cilët diktatori i ndëshkoi rëndë dhe turpshëm, duke i detyruar të shinin në lëmin me driza është një akuzë e rreptë ndaj tiranisë së pashait Ali Tepelena. Autori e njeh mirë këtë histori tragjike, mbushur me barbari mizore dhe ka ditur ç’të përzgjedhë prej saj për të nxjerrë fjalën poetike me efekt artistik, falë dhe fantazisë së tij krijuese, që të tërheqë vëmendjen e lexuesit. Vdiq peshku që kërkonte liri, shkruan autori, jo ngordhi, siç thuhet për ndërprerjen e jetës së një kafshe. Tjetër përmasë i jep në kontekst të idesë themelore të librit që është liria në tërësinë e saj kuptimore në univers. “Koha shtërzon lirinë e Sizifit/ liri me litar në grykë”.

Vikama”  është poemë e dramave sociale të kohës që jetojmë. Në këtë poemë kemi fjalë të reja të tijat apo me burim nga dialekti rajonal, të cilat qëndrojnë mirë në tekst dhe e bëjnë më tonin, si lexues. Të tilla fjalëformime (neologjizma) që hyjnë rishtazi nga autori mund të përmendim: lumëmarri, gjëmatari, sherranët, ujana, pikëllimtari, xhindaku, tërbimtari, rrëmbimtari, gjoriani etj. poema i kushtohet një punëtori nate, që dha jetën, i përfytur me dallgët gjatë përmbytjes së qytetit të Vlorës, tetor 2015. Ai punëtor i thjeshtë përjetësohet në poemë si lumëmarri i përroit të lotëve.

Burri i dheut”, e treta e këtij kreu dhe e krejt librit, është një poemë tronditëse politiko-sociale, ku uni poetik, bashkëshoqërues apo udhërrëfyes poetik në të tre kretë e këtij vëllimi poetik të veçantë për autorin dhe letërsinë e sotme, ka dalë dukshëm në skenën e fjalës së shkruar të ngrejë zërin, të protestojë e të shpërthejë për lartësimin e Shqipërisë, se “të parët e shtetit/ luajnë mbi fatkeqësitë/ e atyre që janë poshtë/ në fushën e të mundurve…”; të ngrejë zërin, të protestojë e të shpërthejë për burrin  e dheut me dinjitet; të ngrejë zërin, të protestojë e të shpërthejë se shqiponjat “për lirinë/ dhe vetëm për Lirinë  bëhen theror…

Gjithë lënda poetike e librit ka një harmoni të natyrshme, që vërehet tek lidhja organike ndërmjet të poemave të përfshira në 3 kre, të cilat kanë një unitet të qëndrueshëm kompozicioni. Po ashtu, zgjedhja dhe renditja e fjalëve në mënyrë të këndshme për veshin e një lexuesi të kulturuar tregon se autori e zotëron më së miri mjeshtërinë artistike si në formë dhe në përmbajtje. Prandaj shprehemi, se sa më ëmbël të tingëllojë fjala në varg, sa më e harmonishme të jetë strofa, struktura poetike, lënda letrare, aq më thellë na prek mendjen dhe zemrën tonë, si lexues, patjetër dhe të studiuesve të autorit apo letërsisë që prodhohet në Vlorë apo dhe në Shqipëri. 

bodrumin e tij të freskët me figura gramatikore, figura stilistike dhe artistike, ai merr atë që i duhet dhe e vendos në vendin e saj ku dhe kur vlen, që të ngjit për lexuesin, që nuk e merr era, por ngelet mbresëlënëse në kujtesë

Ndër kolegët e sotëm të Vlorës (që ushtrojnë të shkruarit letërsi mbas viteve 1990), E. Canaj është i pari dhe ndoshta unikal që ndërton një libër vetëm me poema. Ja, ky është Eqerem Canaj – notari i paepur në lumin e letërsisë së tij, që në një libër me 12 poema  thuri “gërshet shqiponjash për liri”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura