ELIFE LUZHA: GJUHA E URREJTJES DHE PASOJAT E SAJ

Marrëdhëniet e mira ndër njerëzore, ku hynë: toleranca si dhe respektimi i tjetrit, pa marr parasysh nacionalitetin, gjuhën apo ngjyrën, janë çelësi i demokracisë bashkëkohore. Historia, na e ka vërtetuar se urrejtja dhe jo toleranca asnjëherë asnjë shoqërie, nuk i kanë sjellë paqe dhe prosperitet. Informimi i drejtë i shoqërisë për pasojat e gjuhës së urrejtjes, si dhe këmbimi i përvojave ndërkombëtare për mënyrën se si duhet luftuar ky fenomen është edhe mënyra më e mirë për ta zhdukur atë. Duke u bazuar në publikime të ndryshme të studiuara në Slloveni, si dhe duke u mbështetur në faktet reale, në pika të shkurtëra do të shpjegojë, se sa është prezent gjuha e urrejtjes në Slloveni dhe masat e marra shtetërore për ta luftuar këtë fenomen.

GJUHA E URREJTJES NË SLLOVENI

Gjuha e urrejtjes mund të radhitet në mesin e nacionalizmave apo dhe racizmave të ndryshëm të shprehur. Nëse kjo mënyrë e diskriminimit nuk radhitet krahas veprave tjera kriminale atëherë do ta kemi vështirë ti shqyrtojmë si vepra kriminale edhe veprat tjera.

Fjalët e shprehura me qëllim për të nënçmuar, veçuar, fyer dinjitetin, apo cilësuar si të pacivilizuar e jonjerëzor individin, janë shprehje që ndikojnë në përcaktimin e pozitës shoqërore të atyre që u drejtohen ato, duke ndikuar edhe në kualitetin jetësor të tyre. Në Slloveni, Romët kanë vështirësi të punësohen pasi që punëdhënësi e ka të krijuar bindjen se ata nga natyra janë dembel. Kurse gruaja rome është e cilësuar si e lindur vetëm për amvisni! E tërë kjo është si pasojë e gjuhës së urrejtjes, që ka arritur të ndikojë me të madhe në masat e gjera të popullatës në Slloveni.

Ky shembull na bënë të kuptojmë se gjuha e urrejtjes është mjeti më i fortë i diskriminimit njerëzor, edhe nga fakti se, sa vështirë e kemi ta definojmë si dhe të realizojmë sanksionimin e saj. E gjithë kjo është edhe si pasojë e mos interesimit për studim të kësaj fushe nga ana e shkencëtarëve dhe hulumtuesve të ndryshëm.

Gjuha e urrejtjes përfshinë të gjitha format e shprehjes së saj, si format e shkruara, shprehjet verbale, sulmet fizike apo edhe dhunën institucionale. P.sh në kushtetutën e SHBA’ve, gjuha e urrejtjes përfshinë të gjitha format e të shprehurit të saj, si nëpërmjet fjalës, shkrimit, organizimit të paradave të ndryshme apo edhe vendosja e shiritave në krah etj.

Viteve të fundit në opinionin publik është hapur diskutimi duke shtruar edhe dilema rreth asaj se a duhet radhitur gjuha e urrejtjes krahas veprave tjera kriminale.

Dilemat më të mëdha qëndrojnë rreth asaj se:

– Si të shpjegohet lidhshmëria mes gjuhës së urrejtjes dhe atyre që u drejtohet ajo?

– Si të arrihet definimi i gjuhës së urrejtjes, në mënyrë që të pengohet shkelja e të drejtave të njeriut?

– Ku qëndron dallimi në mes paragjykimeve, stereotipave dhe diskriminimit?

– Si ndikon fjalimi me gjuhën e urrejtjes, në jetën individuale dhe shoqërore të atyre që u drejtohet?

– Nëse fjalimi me përmbajtje armiqësore është vepër kriminale, si ta pengojmë atë? Etj.

Nga diskutimet e shumta në Slloveni, dhënia e përgjigjeve në këto pyetje, është bazuar në konventën e OKB’së të vitit 1965, ku dënohen të gjitha format e diskriminimit racorë. Janë respektuar edhe vendimet e Komisionit Evropian për të drejtat e njeriut, ku dënohet çdo formë e shprehjes së urrejtjes, duke veçuar se fjalimi me gjuhën e urrejtjes nuk ka vend në Evropë.

Në Slloveni në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe të tërthortë sanksionimi i gjuhës së urrejtjes është i rregulluar me ligjin kushtetues. Në nenin 63 të kushtetutës është përcaktuar si veprim antikushtetues, çfarëdo paraqitje e urrejtjes në baza kombëtare, racore, fetare apo edhe forma tjera të urrejtjes që shkaktojnë dhunë dhe luftë. Kurse të gjitha fjalimet me përmbajtje armiqësore, që e stimulojnë urrejtjen në baza racore, kombëtare, fetare, etj. Dënohet me ligjin shtetëror slloven. Dënohen gjithashtu edhe të gjitha fjalimet që kanë për qëllim: mashtrimin, fyerjen, përfaljen apo edhe dhënien e kundërpërgjigjeve fyese.

Deri më tani në gjykatën sllovene nuk ka pasur asnjë dënim kundrejt paraqitjeve të lartë përmendura. Në të kaluarën ka pasur disa fjalime me përmbajtje armiqësore siç është p.sh. ai kundër afrikanëve në Lubjanë, ku shprehja e gjuhës së urrejtjes përmes fjalimit ka eskaluar edhe në përleshje fizike. Kurse dhjet viteve të fundit gjuha e urrejtjes është e shprehur kundër individëve, të ardhur nga ish’Jugosllavia, grave mbajtëse të familjes, invalidëve si dhe hebrenjve. Format e shprehjes së urrejtjes ndaj tyre janë të ekspozuara në Muzeun e Lubjanës, dhe janë të publikuara në revistën e Institutit Slloven për Media.

Në diskutimet e kohëve të fundit rreth gjuhës së urrejtjes në Lubjanë është konstatuar se gjuha e urrejtjes përdoret nga niveli i njerëzve me mangësi kulturore, dhe prirje barbare. Nga kjo pikëpamje gjuha e urrejtjes është vlerësuar si sëmundje patologjike. Identifikimi i këtij fenomeni, me terminologji mjekësore na orienton nga ideja se gjuha e urrejtjes është sëmundje që duhet shëruar. Personat e tillë çdo here nëpërmjet formave të ndryshme të shprehjes së urrejtjes, sulmojnë grupet e margjinalizuara, zakonisht të huajt që kanë ardhur nga lindja dhe jugu, emigrantët, të papunët, myslimanët si dhe ata me të ardhura sociale.

Në interesin e tyre është mbytja e zërit dhe frikësimi i tyre, në mënyrë që tu zvogëlohet mundësia për participim në shoqëri. Vetëm duke i frikësuar apo edhe izoluar do të jetë më lehtë për ti shfrytëzuar ata. Paraqitja e gjuhës së urrejtjes edhe kundër sindikalistëve të cilët i mbrojnë të drejtat e punëtorëve, është një fenomen i ri në Slloveni. Kurse gjuha e urrejtjes më e rrezikshmja për shtetin është atëherë kur buron nga institucionet shtetërore siç është parlamenti, qeveria, partitë politike, apo edhe kisha.

Përderisa nuk merren masa serioze institucionale për ta luftuar, fenomenin e gjuhës së urrejtjes, shoqëritë çdo here do të jenë të rrezikuara të infektohen nga kjo sëmundje me pasoja tepër të rrezikshme për të gjithë. Asnjë vepër e mirë njerëzore nuk është e bazuar në urrejtje, andaj dhe ta luftosh urrejtjen është një nga veprat më humane dhe më njerëzore për të gjithë ne. Sanksionimi i këtij fenomeni me mjete ligjore nga ana shtetërore, pastaj iniciativa të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare si dhe publikimet e ndryshme do të ndikonin me të madhe në uljen e përdorimit të gjuhës së urrejtjes kudo që të jetë shfaqur ajo.

Prishtinë, 05. 05. 2010

~ ) Referencat janë të hequra nga autorja.

– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura