U nda nga jeta Havë Aliaj – Nëna e dëshmorit të kombit Enver Aliaj!
NЁ KUJTIM TЁ PЁRJETSHЁM NËNË HAVË ALIAJ (18.06.1937 – 21.10.2026)
Shkroi: Prof.dr.Nusret Pllana

Nënë Havë Aliaj u lind më 18 qershor 1937. U martua me Ali Aliajn dhe, si nuse e re, hyri në familjen e bashkëshortit, ku përveç përkushtimit ndaj shtëpisë dhe familjes së saj të re, u kujdes me shumë dashuri edhe për vjehrrin, i cili kishte gjendje të rënduar shëndetësore. Një vit pas martesës, asaj i lindi djali i parë, Muhameti. Vetëm gjashtë muaj më vonë, vëllai i saj erdhi për vizitë dhe i tregoi se babai i tyre ishte i sëmurë. Hava e pyeti vjehrrin nëse mund të shkonte për ta vizituar të atin. Ai iu përgjigj: «Po, po, por djali është ende i vogël!» Megjithatë, dashuria për të atin dhe malli për ta parë e bënë të mos hezitonte. E vendosi të birin në djep, e mori në krahë dhe u nis në këmbë drejt Kabashit. Tri orë rrugë me djepin në krahë, por me zemrën plot mall e dashuri për babanë e saj. Pas Muhametit, Nënë Havës i lindën edhe katër djem: (Fetahu, Fadili, Beqa e Enveri) e tri vajza: ( Kumrija, Drita e Latifja).
Fetahu e Kumrija vdiqën të vegjël. Gjashtë fëmijët e tjerë, Nënë Hava i rrriti me shumë mundime e sakrifica, por gjithmonë me krenari, dinjitet dhe dashuri të pakufishme. Ndërsa bashkëshorti, Alia, punonte në kurbet, ajo mbante mbi supe përgjegjësinë për rritjen e fëmijëve dhe mbarëvajtjen e shtëpisë. Ishte një nënë e fortë, e palodhur dhe e përkushtuar, e cila dinte të përballonte vështirësitë pa u ankuar dhe pa e humbur kurrë krenarinë.
SAKRIFICA E NJË NËNE DHE ËNDRRA E NDËRPRERË E ENVER ALIAJT
Kur fëmijët u rritën, bashkëshorti i saj, baca Alia, kishte një dëshirë të madhe për djalin e vogël, Enverin, i cili dallohej për zgjuarsinë dhe rezultatet e shkëlqyera në mësime. Një ditë, Alia i tha Havës: «Grua, po e dërgojmë Enverin të shkollohet për oficer, sepse Kosovës i duhet edhe një strateg ushtarak.» Por Nënë Hava, me zemrën e një nëne që ndiente rrezikun, iu përgjigj: «Jo, burrë, se shkavi s’ka besë. Kam frikë se ma mbysin Enverin!» Frika e saj ishte e thellë. Ajo e njihte pabesinë dhe rrezikun që mund t’i kanosej të birit në duart e atyre që nuk ia donin të mirën popullit shqiptar. Megjithatë, baca Alia vendosi ta dërgonte Enverin në shkollën ushtarake në Beograd, me shpresën se një ditë i biri do të kthehej si oficer i diplomuar, për t’i shërbyer Kosovës. Nënë Hava u mërzit pa masë. Në shpirtin e saj të trazuar, frika se mos i biri nuk do të kthehej më nuk e linte të qetë. Fatkeqësisht, koha do t’ia vërtetonte frikën më të madhe. Aftësitë e jashtëzakonshme të Enverit ranë shpejt në sy të oficerëve serbë të asaj ushtrie, e cila, sipas rrëfimit të familjes dhe shokëve të tij, ishte përgjegjëse për vdekjen e shumë të rinjve shqiptarë, vdekje që shpesh u paraqitën si vetëvrasje. Edhe Enveri u helmua në Beograd, ditën e diplomimit, duke iu shuar ëndrra e rinisë për t’u kthyer në Kosovën e tij dardane si oficer ushtarak. Iu ndërpre rrugëtimi një të riu me aftësi të jashtëzakonshme, i cili dëshironte t’i shërbente atdheut të vet. Për shkollimin e tij, baca Alia kishte sakrifikuar shumë, madje edhe kafshatën e gojës, vetëm që i biri të merrte dijen e të bëhej i dobishëm për Kosovën. Enveri u kthye nga Beogradi në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas rrëfimit të familjes, ai e dinte se ishte helmuar dhe se shëndeti i tij ishte dëmtuar rëndë. Megjithatë, nuk u dorëzua. Edhe në ato rrethana të vështira, në vitin 1990, i vazhdoi studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, ku arriti rezultate të shkëlqyera, me nota dhjetëshe. Paralelisht me studimet, ai vazhdoi përgatitjet me shokët e tij për organizimin dhe themelimin e një ushtrie të Kosovës, e cila më vonë do të merrte emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Enveri nuk arriti ta shihte ëndrrën e tij të bëhej realitet. Jeta e tij u shua para kohe, më 8 qershor 1993, duke lënë pas një dhimbje të madhe dhe një amanet që do të vazhdonte të jetonte në zemrat e shokëve dhe të bashkëkombësve të tij. Shokët e Enverit e vazhduan rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Me sakrificën e tyre dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, Kosova arriti lirinë në qershor të vitit 1999. Sot, Kosova është shtet i lirë, sovran dhe i pavarur. Kjo është edhe dëshmia se ëndrrat e atyre që u flijuan për liri nuk vdesin bashkë me ta. Ato jetojnë në historinë e vendit, në kujtesën e popullit dhe në brezat që rriten të lirë.
DHIMBJA E HESHTUR E NËNË HAVËS
Kur Enveri u nda nga jeta në lulen e rinisë, Nënë Hava nuk derdhi asnjë pikë loti para të tjerëve. Jo sepse nuk ndiente dhimbje, por sepse nuk dëshironte t’ua rëndonte edhe më shumë pikëllimin njerëzve përreth. Lotët e saj i ruante për çastet kur mbetej vetëm, larg syve të të tjerëve, brenda katër mureve të shtëpisë. E tillë ishte Nënë Hava: një grua e fortë, një nënë me zemër të madhe, e cila e mbante dhimbjen brenda vetes dhe përpiqej të qëndronte e fortë për familjen. Për 35 vjet, ajo e përcolli bashkëshortin e saj në kurbet, duke e përballuar me durim mallin dhe mungesën e tij. Jetoi për t’i parë fëmijët të rriteshin, nipërit e mbesat të krijonin familjet e tyre, si dhe të gëzonte ardhjen në jetë të stërnipërve e stërmbesave. Për 40 vjet me radhë, ajo e priti dhe e përcolli Beqen, të cilin e deshi aq shumë. Beqa, nga ana e tij, iu përkushtua me gjithë qenien familjes Aliaj, duke u bërë pjesë e pandashme e saj dhe duke sakrifikuar për përparimin e zhvillimin e kësaj familjeje të madhe, e cila nuk u përkul kurrë para armikut. Jeta nuk e kurseu as nga një tjetër goditje e rëndë. Vdekja e papritur e djalit të saj, Fadilit, këtij njeriu të mrekullueshëm, patriot e atdhetar i shquar, ia rëndoi edhe më shumë gjendjen shëndetësore dhe ia shtoi barrën e dhimbjeve që kishte mbajtur mbi supe gjatë gjithë jetës.
LAMTUMIRË, NËNËLOKE HAVË!
Sot, ( më 23 tetor 2026), po të përcjellim me nderimet më të larta, të mbështjellë me flamurin kuqezi, të cilin e deshe aq shumë dhe për të cilin u flijua edhe djali yt me aftësi të jashtëzakonshme, Enver Aliaj. Ti ishe pjesë e një brezi grash shqiptare që e ndërtuan jetën mbi sakrificën, punën, besën dhe dashurinë për familjen e atdheun. Ishe nga ato nëna që vuajtjet nuk i shndërruan në dorëzim, por në forcë; që dhimbjen nuk e kthyen në urrejtje, por e mbajtën në heshtje, duke vazhduar të jetonin për familjen dhe për brezat që vinin pas. E dashura Nënëloke Havë Aliaj, Tani je bashkuar me bacën Ali, me Muhametin, Enverin e Fadilin. Pas një jete të gjatë, të mbushur me mundime, sakrifica, mall e dashuri, pusho e qetë në dheun e Kosovës dardane, të cilën e deshe aq shumë.
U prehsh në paqe, Nënëloke e dashur!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty! Lavdi jetës dhe veprës sate!
Ngushëllime të sinqerta familjes së madhe Aliaj!