ILJASA SALIHU: SHTATZËNË ME LIBRIN

Kumanovë, 07. 10. 2013 – Lexonte shumë! Të paktën kështu ai mendonte. Në kohën kur lexonte, shpesh mendja i shkonte tek ata që tërë ditën e natën silleshin vërdallë strumbullarit të paqenë. Ende nuk dihej si kishte pasur mundësi ta dinte se ata njëmend silleshin atje së koti ose vërtet harxhonin kohën dhe fare nuk e shfrytëzonin atë, kur dihej mirëfilli se ky kishte qenë tejet i zënë me leximin e librave? Afërmendsh, që ai të ketë dëshmi se ata silleshin së koti, duhej ose t’i ketë treguar dikush i besueshëm ose vetë të ketë qenë atje i pranishëm. Në të vërtetë, nëse ai mbërrinte ta përvijonte dëshminë më të besueshme, pra të dytën, ai do të duhej t’i kundronte tërë kohën ata me sytë e tij. Në rregull, po e marrim se ai në të kthyer prej shitorës, që i kishte rastisur të shkonte atë ditë dy herë, të njëjtat fytyra dhe në të njëjtën tavolinë që të linte përshtypjen e një strumbullari të kotë, kishte mbërritur t’i shihte. Sidoqoftë, sërish ky nuk është argument i mjaftueshëm sa për t’i akuzuar për vërdallisje.
Ndonëse leximi i tepërt e kishte bërë të veten. Duke lexuar larmi librash, kishte krijuar në kokë një duzinë rravgimesh. Mbase shpesh dilte prej kornizës së asaj që shkruhej nëpër libra. Kishte filluar të kacafytej edhe me librat. Në të vërtet, me autorët e atyre librave më shumë! Të shkretët libra, nuk kishin mundësi të flisnin dy herë, madje edhe atëherë kur flisnin, flsinin në heshtje që vetëm mendja e privuar prej trandjes kishte mundësi t’i kuptonte. Ky jo që ishte njeri i keq, as dashamir i së keqes, por duket se një ditë teksa shikohej në pasqyrën e skërmitur mirë, nëna e tij e kishte gjuajtur me papuçe të leshit, ose thënë më mirë, me papuçe të leshta dhe vetëm një lëvizje e tij krejt nënvetëdijshme e kishte shpëtuar prej goditjes, duke e lënë për pasojë vetëm pasyrën e thyer. Së bashku me zhurmën e mbytur, ngadalë ishte fashitur edhe hakërrima e fjalëve të së ëmës. Ky nuk kishte lëvizur, as nuk kishte bëzajtur fare. Si një plep i lartë të cilit nuk i bëhej vonë edhe nëse e glasonin sorrat më të pështira, me sy ngulmues po shikonte thërrmijët e pasqyrës, pranë së cilës veten tashmë e shihte të rrethuar edhe me ca njerëz të tjerë, të cilët ngjanin shumë me atë, kështu të ndarë në copa të mëdha e të vogla, njëkohësisht me gjithë gjymtyrët në vend.

Tani ishte bërë vetë i katërdhjeti, siç thotë populli. Për më keq, një ditë një mik i tij i kishte thënë se nuk i besonte për leximin kilometrik, ngase thjeshtë duke lexuar asnjëherë nuk e kishte parë. Miku i tij thirrej në shqisat e të parit, përmes të cilave ndërtonte ngrehinën e argumentit. Ai mundohej t’i ofronte argumente se është duke lexuar këtë dhe atë libër, madje qëmtonte diçka prej librave që kishte lexuar. Sërish kot, miku i tij nuk bindej, i kishte thënë se këto që i the, mund t’i kishe marrë të përmbledhura në ndonjë faqe elektronike të internetit dhe tani hiqesh se goxha shumë po lexon. Papandehur, këtij i kishte vajtur mendja diku tjetër, ose në thelbin e asaj që ai tashmë po përgënjeshtrohej. Mendja më në fund i kishte vajtur në fillim. Mos ndoshta tani ky miku im praktikisht dëshiron të ma bën me dije se trajtësimin e paragjykimit në gjykim rreth atyre që silleshin vërdallë së kotës e kisha gabim? Sa kaq, ju kujtua një moral i një tregimi, të cilën e kishte mësuar shumë mirë kur kishte qenë i vogël. Morali i atij tregimi kështu ishte: “Mos ia bën tjetrit atë që nuk dëshiron tjetri ta bën ty.” Qartë, më në fund kishte ngritur pak fitilin e llambës me vajguri. Me këtë sikur tha, ja më duhet pak dritë, duket se nuk shoh mirë sa për t’i gjykuar të tjerët për miopi (shkurtpamësi ose dritëshkurtësi)!
Pas pak duke lexuar kishte hasur në një thënie të Carl Saganit, thënie kjo që e kishte kënaqur prore. “Një shikim të shkurtër në një libri, ju keni dëgjuar zërin e një njeriu tjetër, ndoshta të dikujt që ka vdekur para 1000 vjetësh. Të lexosh do të thotë të udhëtosh në kohë”. Kjo kishte qenë thënia! Ky kishte vendosur të mos merrej më me zejen e tjetrit, fundja nëse do të merrej me paragjykime, vallë si të udhëtonte nëpër kohë, duke qënë se udhëtimi kërkon lëvizshmërinë dhe marrja me të tjerët, madje edhe duke i paragjykuar, do të thoshte ndalje ose lëvizje në vend, gjëkafshë këto që kundërshtoheshin njëra me tjetrën. Sa bukur të lexosh libra të klasikëve, kishte menduar ai. Më në fund duket se e kishte gjetur veten. Të lexosh libra të shkrimtarëve të vdekur është më mirë, ngase edhe kur ngazëllehesh me shkathtësinë e të shkruarit të tyre nuk ke mundësi të vraposh si i çmendur për një nënshkrimi ose edhe për një përqafim, pse jo, kjo vlen edhe për të kundërtën e kësaj, pra të nervozohesh me dobësinë e tyre sa mund të marrësh ndonjë vendim krejt të çmendur. Tani fjala bie, po e lexoj romanin “Luftë e paqe” të Tolstoit, kishte thënë ai. Dale njëherë të shoh se si paska vdekur ky kolos shkrimtar! Duke hulumtuar sheh se Tolstoi kishte vdekur në rrugë, në stacionin Astapovo krejt i vetëm. Hmm, si është e mundur, të kishe aq shumë lexues dhe në fund si të jesh një asgjë ta kishe dorëzuar shpirtin? Sërish kishte ndryshuar vendimin e posa sjellë. Nuk lexoj më libra, autorët e të cilëve kishin pasur fund të keq.
Kishte filluar t’i lexonte vetëm ato libra mbrapa së cilave shkruante vetëm viti i lindjes dhe jo ai i vdekjes. Mendonte ky, nëse nuk pajtohem në ndonjë gjë, me vrik do të kërkoj takim duke i kërkuar pastaj sqarim rreth gjësë të cilën nuk e kapë dot mendja ime. Lexonte e vetëm lexonte, edhe pse koha kalonte pa u vërejtur fare prej këtij që vinte re gjithçka nëpër libra përpos rrjedhën e kohës së tij. Së fundmi lexonte e rilexonte një shkrimtar që ende ishte gjallë. Në disa gjëra nuk ishte pajtuar, ose duket se nuk i kishte kuptuar mirë ato gjëra që pandehte se nuk pajtohej. Kishte vendosur të takonte shkrimtarin. Fati e kishte deshur që takimi të mos jetë i largët. Në një panair libri kishte parë shkrimtarin që aq shumë e admironte, edhe pse shpesh e urrente. Me një mirësjellje e kishte përshëndetur shkrimtarin. Ai me një ftohtësi fundvjeshte ia kishte kthyer përshëndetjen. Ky për t’i hap rrugë bashkëbisedimit të mundshëm, fillimisht kishte kërkuar ta bënin një fotografi së bashku. Ç’të shohesh, shkrimtari ia kthen me një fytyrë vëngër e me një gojë në formë petulle, ec ore atje, ti paske mbet të bësh fotografi me mua, shporru gjithandej, mos ta shoh këtë surrat prej horrit, qe drejtuar shkrimtari me këso fjalësh kah ai. Këtij aq shumë i kishte ardhur keq, sa kishte menduar se toka po dridhej, ndaj i kishte habitur edhe të pranishmit në atë panair me lëvizjet e tija të jashtëzakonshëm. Ky nuk kishte faj për ato lëvizje të çakërdisura, rëndom kështu njeriu lëvizë kur dridhet toka!
Kishte vendosur të mos lexonte as libra të shkrimtarëve të gjallë. Po tani nuk i kishin mbetur “rubrika” njerëzish! Të vdekurit i kishte larguar, tani edhe të gjallët posa i largoi. Kishte menduar, nëse ka kategori tjetër pos kategorisë së vdekur dhe asaj të gjallë. Aha, kishte edhe një kategori, ata në komë. Shumë mirë, kishte mundur ta gjente vetëm një libër të njërit që ishte në komë. E kishte lexuar shumë herë, tashmë përmendësh e kishte mësuar, kishte për t’i thënë edhe atij ca gjëra, por e priste sa të ngrihej prej komës. Tani pozicioni i autorit i pëlqente, por libri ju kishte bërë i tepërt dhe si rrjedhojë e kësaj monotonie, kishte filluar ta urrente edhe përmbajtjen e librit. Ashtu i lodhur, ishte mbështetur në trungun e një arre të moçme, nën hijen e së cilës kishte marrë edhe një vendim të ri për të satën herë me radhë. Të mos lexon tutje! Kishte menduar tanimë më kthjellët. Nuk kishte mundur ta mbante baraspeshën e gjërave në këtë botë. Baraspesha përkonte me leximin, por edhe të punën, të punosh, por edhe ta adhurosh Krijuesin, ta adhurosh Krijuesin si të vetëm, por edhe të mendosh për këtë jetë e atë jetë, kurse të mendosh për jetën në përgjithësi, do të thoshte të ishe martuar, të kishe krijuar familje dhe jo në moshën 30 vjeçare nëna ende të të gjuante me papuçe të leshit jo, por të leshta. Atij i kishin kaluar goxha do vjet, duke u marr me libra të artit e të shkencës, me ata që qëndronin vërdallë e nuk lexonin sa duhej libra, me mënyrën e shkrimit, me autorët e gjallë, të vdekur dhe në komë për të mos pasur sot të paktën me kë ta qante hallin, hall ky që ishte bërë i papërmbajtshëm. Ky kishte menduar të largohej prej kësaj shprehie me mjegull, por ai tanimë kishte ngelur shtatzënë me dukurinë e librit, madje nuk e dinte se prej cilit libër saktësisht e kishte frytin. Atij nuk i mbetej gjë tjetër pos t’i rrekej gjetjes së baraspeshës në jetë, sepse fryti po rritej në embrion, fryt ky i cili ia kishte pamundësuar shkurorëzimin me dukurinë e librit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura