Vjeshtë, 2026
JAKUPI
(Ose burgu ynë…)
Nga Rexhep Kasumaj
Jakup Krasniqi, ky i burgosur i vetëm i dyfishtë në historinë e re: nga Serbia dhe nga Europa.
Stinë e mote ndrroheshin, por ndëshkimi i Tij mbetej një provë e
dinjitetit dhe moralit të shkelur njerëzor.
Qysh herët nuk do të mjaftohej vetëm me të drejtën e dyshimit në formulën e lumturisë zyrtare. E pra, nuk e zbërthente dot (si do lexoja tek Milan K.) misterin e zemrës që mund të gëzohej me statusin e popullit nënshtetëror…
Dhe, ndërsa të tjerë zgjodhën iluminimin a, pjesërisht, dyshimin si vetënjohje identitare, ky do të zgjidhte të dyjat: dritën dhe flijimin.
Akuzatorët, në fakt, kishin legjislatura të ndryshme: diktatoriale e pushtuese në Serbi dhe demokratike në Europë.
Por, nëse ligjet penale dallojnë thellë mes tyre, e njëjtë mbetet vepra që i ngarkohet me faj: lufta politike dhe e armatosur për liri!
Tani ku dhe si ndërthuren vlerat e qytetnisë demokratike të Europës iluminante dhe rendi obskur, i errët, i tiranisë, aq më tepër, okupimi serbian i Kosovës?
Sepse Jakupi, për të njëjtin faj sublim, fajin e lirisë, është ndjekur, burgosur e dënuar: nga Serbia, më herët dhe nga Europa libertare tani, në shekullin e ri!
Por ideologjia, fundja, nuk shpjegon gjithçka.
Të gjitha Europat dhe Serbitë, të vjetra e të reja, monarkike, republikane apo bolshevike, i kanë prerë kronikisht Udhëjetën njeriut të zgjedhur shqiptar. Etërve të tij pellazgë, tani të mbledhur kruspull në një skaj Shtëpie.
Të Shtëpisë vet!
Dhe Jakupi vijon prapë burgun e tij.
E, përsa kohë të burgëtojë në kazamatin e huaj, i burgosur është dhe populli i vet.
Natyrisht, hekurat nuk i duken, trupi s’ka pranga e gjallimi fizik ndjekë ritmin e dhunuar të jetës. Por është shpirti kolektiv që ndrydhet i terruar në vargorët e hershëm e të vonë të padrejtësisë.
Dhe një simbiozë logjikisht e kundërt etike gjen shprehjen e vet të rrallë: ti shqiptar je edhe i vrarë edhe fajtor, edhe i lirë edhe i mohuar, edhe i pari ndër troje edhe i mallkuar elaboratesh për zhdukje!
Dhe Jakupi, pas një bujtje të dekretuar në shtëpi, kthehet sërish në burg.
Aty gjykohet e mohohet lufta e tij çlirimtare. E drejta natyrale për gëzimin e jetës.
Aty gjykohem unë, ti, fëmijët tanë dhe të gjithë shqiptarët në Dhéun e vet me emrin e bekuar Dardani!
Më të vjetër e të fismë se ky gjyq Hadesi mbi tokë!
(R.)