Tetovë – 13. 04. 2113 – Shkëlqesi! Duke marrë për bazë rëndësinë që i kushtoni Ju dhe vendi juaj i lirisë, paqes dhe vlerave universale të të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe duke u mbështetur në miqësinë e përjetshme shqiptaro-amerikane, vendosëm t`u drejtohemi me një lutje, që besojmë se do të gjejë mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj.
Historia tragjike e popullit shqiptar nuk fillon, dhe fatkeqësisht, as nuk mbaron me kryengritjet e viteve 1999-2001. Kjo periudhë historike, falë Zotit dhe ndihmës tuaj, u duk sikur mori rrugët e zgjidhjes, dhe për këtë akt human tuajin u jemi shumë mirënjohës. Por duhet të vëmë në dukje zhvillimet e mëvonshme politike që dekurajuan e vazhdojnë të dekurajojnë popullin shqiptar, që vazhdojnë e do vazhdojnë të alarmojnë popullin shqiptar, se megjithatë, fati i tij mbeti i nëpërkëmbur edhe në këtë fillimmileniumi të ri. Shqiptarët, ashtu siç mbetën të ndarë në 6 (gjashtë shtete) pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën dhanë rreth 150 mijë njerëz të të gjitha moshave, por nuk e dhanë asnjë izraelit të strehuar në Shqipërinë e atyre viteve, edhe në këto kohë të ,,erës së re” vazhdojnë të mbeten, me pak të drejta kozmetike, në pozita, afërsisht të njëjta, me ato që trashëguan pas Luftës së Dytë Botërore.
Nënpresidenti i SHBA-së Joe Bajden.
Mendojmë dhe besojmë se pa rihapjen dhe anulimin e vendimeve të ,,Konferencës së Paqes” të mbajtur në Londër në qershor-korrik të vitit 1913, problemet vetëm sa konservohen për të shpërthyer në kohë të tjera. Nuk është në interes të paqes të ushtrohet presion mbi shqiptarët, duke i shpallur ata, herë si kujdestarë të paqes, herë si fajtorë për prishjen e paqes…
Është koha dhe momenti historik, që drejtësia të kthehet edhe në zemrat dhe në familjet e shqiptarëve. Duke dashur të kursejmë kohën tuaj, nuk po Ju sjellim hollësi të lodhshme historike. Por një të vërtetë që duhet të dini, një të vërtetë – që prodhon krizat e që s`mund të mbulohet përjetësisht, një të vërtetë – që mban mbuluar të gjitha faktet e tragjedisë shqiptare, një të vërtetë – që quhet ,,Kutia e Pandorës” dhe që rri kyçur në arkivat e Londrës, është pikërisht kjo ,,Konferencë Paqeje”… Mund të duket i rëndë ky hap, por rregulli i pagabueshëm shkencor e thotë: ,,pa eliminuar shkaqet e problemit nuk mund të shuhen pasojat e tij”.
Organizata që unë përfaqësoj, që përfaqëson shpirtin e paepur gjithëshqiptar të lodhur e të kapitur në të gjithë shekujt e shkuar, kërkon angazhimin e hirësisë Suaj, dhe kërkon mendimin tuaj shumë të çmuar, lidhur me planet dhe synimet tona për realizimin e së drejtës tonë historike për të qënë sovran në trojet që na takojnë.
Kemi dy rrugë të vetme përpara që inkurajojnë synimet tona kombëtare: E para është hapja e një Procesi Gjyqësor Ndërkombëtar kundër vendimeve të ,,Konferencës së Paqes” në Londër, dhe e dyta është, organizimi i Zgjedhjeve Parlamentare në të gjitha trojet shqiptare, dhe formimi i Parlamentit Mbarëkombëtar Shqiptar në Tiranë.
Është kjo mënyra e vetme e legjitimimit të zërit të shqiptarëve, është kjo mënyra e vetme për të shmangur nga skena politike këtë kastë të korruptuarish politikë, që është në gjendje të vë nënshkrime në çdo letër që i del përpara… Dhe është kjo mënyra e vetme dhe më demokratike që do të vuloste fatin e paqes së qëndrueshme dhe të përhershme në Ballkan.
Golgota e heshtur shqiptare kapërcen disa herë vuajtjet e popujve që tashmë janë zhdukur nga hartat gjeografike. Por falë Zotit dhe energjisë së pashtershme të këtij populli, falë luftërave qindravjeçare me të gjitha perandoritë e kohëve, arriti të shpëtojë sumbstancën e vet biologjike. Dhe sot, duke përjashtuar diasporën e madhe shqiptare që mbulon gjithë rruzullin tokësor, numëron rreth 10 (dhjetë) milion banorë.
Kushdo që mund të pretendojë të mbajë të ndarë edhe më tej këtë energji dhjetëmilionëshe, jo vetëm që bie ndesh me proceset e natyrshme historike, por mund të krijojë edhe situata të papërgjegjshme dhe të paimagjinueshme. Për këto arsye, dhe për hir të miqësisë tradicionale mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar, për hir të vlerave demokratike dhe humaniste që përfaqëson Amerika e Madhe përmes Personit tuaj, shpresojmë të gjejmë atë mbështetje që e mohuan dhe vazhdojnë ta mohojnë të gjithë shekujt.
Një rivendosje e të gjitha çështjeve të hapura mbi tavolinë, ku do vendosej përfundimisht ,,e bardha mbi të zezën”, dhe jo anasjelltas, do varroste përfundimisht ëndrrat hegjemoniste sllavomëdha, që ushqehen shekuj me radhë nga klerë e ideatorë me botëkuptime mesjetare.
Shqiptarët dijnë të vlerësojnë e të ndihmojnë mikun e vërtetë në të gjitha kohët. Dhe jemi krenarë që i kemi dhënë botës shumë emra të mëdhenj, që nga Gjergj Kastrioti, nëna Tereze, dhe gjer tek senatorët dhe kongresmenët e shumtë amerikanë. Historitë flasin edhe për një numër presidentësh me gjak shqiptari, që fillon me Xhorxh Washingtonin edhe këtej. Këto janë fakte shtesë, të cilët, bashkë me diasporën shqiptare në ShBA na bëjnë të ndihemi edhe ne ndonjëherë si pjesëtarë të zhvillimit dhe të rritjes amerikane. Nder dhe respekt përherë për SHBA-të dhe për personin tuaj, mik i madh!
Lebit Murtishi
Drejtues i Unionit Gjithëshqiptar “Vëllazërimi Ynë”
Tetovë – 13. 04. 2113
Republika e Shqipërisë