GJOKË DABAJ: NE SHQIPTARËT, TË AFTË PËR T’U DHËNË TË TJERËVET Ç’TË DUAN

Durrës, 24. 04. 2013 – Në bisedimet me Sërbinë, u treguam përsëri të aftë për t’u dhënë të tjerëvet ç’të duan e sa të duan e për të mbajtur për vete ç’të teprojë. U treguam të zotët për të marrë për vete sa më pak, nga ajo që duhej dhe që mund të merrnim. Thënë ndryshe: Morëm ç’na dhanë të tjerët. Morëm ç’na la Europa, morëm ç’na la Sërbia. Nuk qemë në gjendje të marrim asgjë vetë, me zotësinnë tonë.
Këtu, në këtë neglizhencë të falshme, e cila do të rëndojë keqas mbi kurrizin e fëmijëvet tanë, përgjegjësinë kryesore e kanë: 2 qeveritë tona, 2 siplomacitë tona, të gjitha partitë shqiptare, të gjitha shoqatat shqiptare, të gjithë udhëheqësit e religjionevet, pjesëtarë të cilëvet janë shqiptarët, të gjithë universitetet, pedagogët dhe studentët, të gjithë poetët dhe artistët e tjerë, të gjithë institucionet arsimorë e kulturorë, të gjithë gazetarët shqiptarë, deri te unë, i cili e ha bukën kot, këtu, në një fshat të harruar të Durrësit.
Të gjithë kemi përgjegjësi, sepse, nga Marrëveshja e Brukselit, nuk morëm më shumë se një bisht qepe, për ta bërë sallatë. Që të gjithë ne ngjajmë sot, 1 ditë pasi u firmos ajo Marrëveshje, me një tufë dhishë e cjepsh, brimëdhenj, krenarë, impozantë dhe të lumtur, që, më në fund, dikush po na e hap derën e oborrit, për të brejtur ca fletë dushku, lënë nëpër shpardhishte prej tufash të tjera.

Çfarë duhej të kishim bërë ne shqiptarët, përfshirë aty të gjitha kategoritë që i përmendëm?! Duhej t’i kishim shtruar, në tryezën e z.K.Eshton, 200 mijë faqe A4, të shkruara, të skanuara, të fotokopjuara e të printuara, mbi pushtimet dhe krimet që sërbët kanë bërë mbi tokat tona dhe mbi popullin tonë, e pakta nga gjysma e dytë e sh XIX e këndej. Të mos shtyheshim më thellë në kohë, te mizoritë që ata kanë bërë në vendin tonë në shekujt VI-VII dhe në shekujt XI-XIV, por të përqëndroheshim vetëm te sh XIX e këndej, deri në sg XXI. 200 nijë faqe!
Njëkohësisht, do të duhej t’u thoshim sërbëvet, që edhe ata, nëse kanë dokumente bindës, t’ia parashtronin z.K.Eshton krimet që të parët tanë mund t’u kenë bërë sllavëvet. Jo përralla e shpifje, por të vërteta, dhe ne duhej të ishim të gatshëm të kërkonim ndjesë për çdo gjë të keqe që mund t’u jetë bërë atyre, qoftë edhe duke qenë nën komandën e pushtuesvet osmanë apo ndonjë tjetër të huaji.
Gjatë më shumë se 10 raundevet të bisedimevet, zonjës K.Eshton duhej t’i ishin adresuar, e pakta, 2 milionë letra e mesazhe, ku të pranohej kërkesa për bisedime, por, para se të bëheshin bisedimet, bota të njihej me faktet që parashtronin të 2 palët. Të shtroheshin për bisedime të gjitha çështjet, në radhën e tyre kronologjike. Jo, të fillohej me Leposaviqin, por të fillohej me Leskovcin, me Prokuplen e me Kurshumlinë, pastaj të arrihej te Mitrovica e Veriut, te Leposaviqi e te Zubin Potoku, ashtu si duhej e jo ashtu si nuk duhej. Kjo do të ishte demokraci e mirëfilltë.
Nëse do të kishim vepruar kështu, a do të mund të na thoshte dikush: Çfarë po bëni, ju, shqiptarët?! A do të mund të na akuzonte dikush për nacionalizëm të paarsyeshëm? A ka mundur t’i akuzojë dikush zezakët e SHBA-së për racizëm, kur ata kanë kërkuar e realizuar të drejtat e veta?! Martin Luterkingu, a mund të quhet racist (i paarsyeshëm)?! Aq mund të quhemi nacionalistë (të paarsyeshëm) ne në bisedimet me cilindo prej fqinjëvet tanë. A do të mund të na thoshte dikush (i arsyeshëm): Ju nuk jeni faktor stabiliteti në rajon, kur ne nuk po kërkojmë kurrfarë hakmarrjesh?! Ne nuk po kërkojmë të vrasim fëmijë, or burrë! Ne nuk po kërkojmë të djegim fshatra! Ne nuk po kërkojmë për t’i dëbuar popullatat sërbe, të cilat kanë zënë territore të gjërë të tokavet të Shqipërisë! Ne po kërkojmë që këto gjëra TË NJIHEN, në mënyrë që të mund t’u pritet rruga keqbërjevet të tjera në të ardhshmen!
Por ne, në bisedimet e tashmë me Sërbinë, nuk bëmë asgjë nga këto gjëra që duheshin bërë. Ne e lamë z.H.Thaçi, me 2 a 3 vetë, të shkojë e të rropatë kokën nëpër zyrat e Brukselit, dhe në fund, t’i themi: Të lumtë! Ia dole që prapë të na e mbushësh Kosovën me malicë sërbë! E anulove, e hodhe poshtë Plenumin e Brionevet të vitit 1966, kur J.B.Titoja i pat zëvendësuar milicët sërbë me malicë shqiptarë dhe solle prapë në fuqi ligjet e A.Rankoviqit!
Por ne nuk kemi të drejtë t’i themi kështu z.H.Thaçi, sepse jemi që të gjithë pjesëmarrës, madje shumë prej nesh edhe duartrokitës të këtij ripushtimi të një pjese të Kosovës nga ana e Sërbisë!
Z.H.Thaçi nuk ishte Avni Rustemi. Por, edhe Avni Rustemi, në qofë se shqiptarët do ta kishin lënë vetëm në Paris më 1920-n, nuk do të kish dalë dot i pafajshëm.
Si pasojë e një të këtillë neglizhence të krejt Kombit tonë, nëse dje, xhandarmeria sërbe e pati guximin dhe e hoqi lapidarian e UÇK-së prej sheshit kryesor të Preshevës, sot e tutje, po ajo xhandarmeri sërbe, do të mund të na i rrëzojë, ose thjeshtë të mos na i lejojë përmendoret, jo vetëm në pjesën veriore të Kosovës, por edhe mu në mes të Prizrenit! Guxo e ngri monumente për Grevën e Minatorëvet të Trepçës! Guxo e shko në Shalë të Bajgorës, për të nderuar plejadën e heronjvet boletinas! Guxo e kujto masakrat! Me zhavorr do të t’i mbushin rrugët dhe zhavorrin do ta ruajnë policët sërbë, që ti të mos guxosh ta heqësh, sepse do të akuzohesh për shkelje të të drejtavet të njeriut! Ndërkaq, kontrabanda do të qarkullojë krejt lirshëm në krejt kufirin verior me Sërbinë! Do të qarkullojë kontrabanda, por nuk do të akuzohen sërbët. Do të jenë shqiptarët ata që do të kapen, “me fakte”, dhe të nxiren para gjykatës sërbe në Mitrovicë!
E këtillë është mençuria jonë, në këtë fillim të këtij shekulli, jo krejt të mbarë, por sidoqoftë, më të mbarë se shekujt paraardhës, të cilin ne nuk ditëm dhe nuk po dimë për ta shfrytëzuar në tërë të fëmijëvet tanë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura