KIMETE BERISHA: LIRIA NUK KRIJON HERONJ

Prishtinë, 24. 05. 2013 – Java e Tolerancës dhe e Pajtimit në Kosovë filloi mbrapshtë. Një ditë pasi që u arrit pajtimi mbi implementimin e pajtimit me Serbinë, policia e baroneshës Ashton në Prishtinë arrestoi “Grupin e Drenicës” për krime të luftës kundër popullatës civile.
Aktakuza u ngrit ekskluzivisht në bazë të dëshmitarëve shqiptarë dhe në bazë të “biografive” të shkruara nga shërbimi inteligjent serb, të botuara online për 156 “kriminelë” shqiptarë. Serbia i pagëzoi si “Grupi i Drenicës”, anipse sipas saj në atë grup ka edhe qytetarë nga Peja. Dhe në biografinë e shkruar (Wikipedia) online të kryeministrit Hashim Thaçi, sipas shërbimit inteligjent serb të Ivica Daçiqit, kryeministri raportohet si shef i këtij “Grupi të Drenicës”. Thaçi asnjëherë nuk e demantoi biografinë e tij në Wikipedia.
Në bazë të informacioneve të shërbimit inteligjent serb u formuluan edhe raporte të tjera kundër UÇK-së, të publikuara nga organizata ndërkombëtare, në krye me KE-në. Dick Marty, u bazua në “dokumentet “e shërbimit inteligjent serb për të përpiluar raportin kundër kryeministrit Hashim Thaçi për trafikim me organe njerëzore. Edhe në raportin e Dick Martyt Hashim Thaçi konsiderohet shef i “Grupit Drenica”. Pa ndihmën e jashtëzakonshme të shqiptarëve, EULEX-i nuk do t’ia dilte.
Thaçi nuk e mbajti fjalën që ta bëjë publike listën me emra të shqiptarëve që e ndihmuan Dick Marty-n për të bërë raportin monstruoz së pari kundër tij dhe kundër UÇK-së, për trafikim me organe serbe. Shqiptarët që e ndihmuan Marty-n në mënyrë të mistershme dhe enigmatike, një nga një zbritën nga Lista e Thaçit, për t’i mbetur kryeministrit vetëm një letër e bardhë varur në gishtat e dorës së tij të majtë.

Për inteligjencën e Daçiqit kryeministri është shef i “Grupit të Drenicës”, pavarësisht që Thaçi privatisht e ka mbyllur kapitullin e “luftës” me Serbinë, kur e ka hapur kapitullin e paqes personale me të. Por, Daçiqi nuk ia mbyll dot historinë. Përkundrazi, Daçiqi ia hapi Thaçit një faqe të re dhe të përgjakshme nga e kaluara, kur ia kërkoi kryeministrit tonë amnestinë formale me Ligj, për kriminelët serb të luftës.
Kryeministrin që e konsiderojnë si shef i “Grupit Drenica”, nuk e kanë akuzuar, dhe sot ky është i vetmi lajm i mirë. Ndoshta ndodh që të jesh pjesëtar i një “Grupi” anëtar i një Familje, e të mos ndikohesh nga politika e “Grupit”, dhe ta ruash individualitetin tënd të paprekur. E nëse nuk vepron sikur “Grupi”, do të thotë që nuk je pajtuar me veprimet e “Grupit”. E nëse nuk je pajtuar me veprimtarinë e “Grupit”, s’do të thotë domosdoshmërisht që je spiun, dhe i ke tradhtuar shokët e “Grupit”, për ta shpëtuar veten.
Jo.
Sipas raportit të shërbimeve inteligjente të KFOR-it, NATO-s dhe USA-s, edhe Xhavit Haliti është pjesëtar i lidhur “mish e shpirt” me “Grupin Drenica” të Hashim Thaçit. Por, as ky nuk u akuzua, ndoshta sepse nuk është i lindur në Drenicë, dhe mbasi grupi quhet “Drenica”, duhet gjithsesi që pjesëtarët të jenë banorë të Drenicës.
Kur filloi lufta, shqiptarët i krijuan dy ushtri, për të luftuar me Serbinë. Kur përfundoi lufta me Serbinë, komandantët shqiptarë filluan të luftojnë kundër njëri-tjetrit.
Dhe, luftën ndërmjet komandantëve shqiptarë e fitoi Serbia. Gjithmonë na mashtrojnë e na tradhtojnë neve katundarëve të Drenicës. Gjithmonë tradhtohet Drenica. Jemi naïv dhe të sinqertë. Besojmë. Qe, kujtoje Shaban Polluzhën që e tradhtoi komunisti Fadil Hoxha. Sot ka trëndafila në varrin e Fadil Hoxhës që e tradhtoi Shaban Polluzhën, e nuk gjen një trëndafil të gjallë në varrin e Shaban Polluzhës, që u tradhtua nga Hoxha i pashpirtë.
Sa herë më bie rruga të kaloj kah varri i Hoxhës e kujtoj Polluzhën dhe betohem në Zot. Çuditem me krizantemat e verdha, me zambakët e bardhë, me karanfilat e kuq mbi pllakën e varrit të tij. Se komunistët e rinj nuk janë naiv si ne katundarët që i harrojmë heronjtë tanë, ata kanë fytyrë ta puthin varrin e tradhtarit tonë, të cilin TMK-ja e përcjelli për në botën tjetër me nderime shtetërore.
Në mos për kurrgjë, mirë që e shuan TMK-në që refuzonte ta nderonin funeralin e presidentit Ibrahim Rugova, e nuk refuzuan që ta përcjellin me nderime” të përkohshme” komunistin e përjetshëm të dyshuar për faj dhe të akuzuar nga viktima e mbijetuar e masakrës së Tivarit (i ndjeri Azem Hajdini-Xani), për pjesëmarrje në vrasjen barbare të 5000 djemëve të rinj nga shteti serb në Tivar, kur Adriatikun e lan me gjakun e tyre, me ndihmën edhe të shtetit shqiptar. Sami Lushtakut dhe Hashim Thaçit së pari ua mbylli derën Kulla e Jasharajve. Edhe Presidentja derëmbyllur, hyn në Manastitirin e Deçanit, por nuk provon kurrë të hyjë në Kullën e Jasharjave.
E, shteti shqiptar mban qëndrim ndaj Kosovës, sikurse Serbia dhe shtetet tjera që e konsiderojnë Kosovën krahinë autonome të Serbisë. Në çastin kur u shpërnda lajmi se u arrestuan gjashtë pjesëtar të UÇK-së për krime lufte kundër popullatës civile, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, e dha një lajm ekskluziv që flet për hurmat e një vendi Gjergjan.
Ua spjegon fansave të tij shijen e ëmbël të hurmave, se nuk e dinë banorët e Gjergjanit se sa “ i bukur” është Gjergjani. Pasi që u ngrita në majë të faqes së tij në facebook, zbrita teposhtë faqes, për të kërkuar një fjalë për Kosovën, derisa e kuptova që facebook-u i tij kish “eksploduar”, nga Uragani i Beratit, Uragani i Gjirokastrës, Uragani i fitores. Në realitet, jashtë faqes së tij në facebook, uragani shkatërron dhe kurrë nuk ka fitore përmbi shkatërrimin. Kur fronti i nxehtë takohet me frontin e ftohtë formojnë stuhinë që bëhet tornado e që ndodhi përnjëmend sot në Prishtinë. Këtë Uraganin e Kosovës, Sali Berisha nuk e shënoi në “hartën e tij folklorike”.
Edhe “shpirti i fjetur” i Presidentit Nishani, i ftoi në Tiranë nëntë shtete të Ballkanit, mes tyre Serbinë, për të marrë pjesë në konferencën e shtatë të Iniciativës së shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit, dhe në këtë konferencë, për hatër të Serbisë, Shqipëria nuk e ka ftuar Kosovën. Serbia kaherë na e ka marrë Shqipërinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura