MODELI I DY GJERMANIVE APO MODELI I BANGLLADESHIT PËR KOSOVËN!

MODELI I DY GJERMANIVE APO MODELI I BANGLLADESHIT PËR KOSOVËN!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Duhet t’i kërkohet falje Baton Haxhiut

Kohë në parë portali Albanian Post që drejohet nga Baton Haxhiu doli me një informatë , si koncept letër për një propozim të Francës dhe Gjermanisë për një zgjidhje të përshkallëzuar në formë të një marrëveshjeje jopëfundimtare midis Kosovës  dhe Serbisë sipas modelit të dy gjermanive . Realisht , ky model përfolej edhe më herët por se refuzohej thuaja nga të gjithë sepse , as ndërkombëtarët nuk ishin të qartë se cilën rrugë duhej ta ndiqnin. Ndërkombëtarët gjithmonë e propozojnë rrugën më të lehtë me rezultat win – win , fitues janë të gjitha palët duke e drejtuar presionin kah pala më e dobët , në rastin konkret kah Kosova. Serbia , në saje të pozitës strategjike gjeografike dhe përkrahjes së vazhdueshme nga Rusia , Kina , India , Brazili , shumica e shteteve arabe , pjesërisht Turqia , me përkrahje të heshtur nga Franca dhe qëndrim oportunist të Gjermanisë së kohës së Shrederit dhe Angela Merkelit , kishte përparësi të madhe duke e vënë Kosovën në pozitë mbrojtëse . Pas krimeve makabre që shteti serb i kreu në Kosovë gjatë 100 vjeçarit të fundit ,   me theks të veçantë në luftën e viteve 1998 – 1999 u krijua një mundësi që njëherë e mirë të zgjidhet mosmarrëveshja dhe papajtueshmëria historike midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e Serbisë , si okupatore dhe Kosovës   që asnjëherë nuk i ndali përpjeket për liri dhe çlirim . Faktori përcaktues për këtë ishte bashkësia ndërkombëtare e cila , po të kishte vullnet politik , qysh në qershor të vitit 1999 do ta noterizonte gjendjen faktike në terren duke e njohur pavarësinë e Kosovës për faktin se Serbia ishte nokautuar politikisht dhe ushtarakisht ! Në këto rrethana , edhe opinioni në Serbi më lehtë do ta pranonte këtë zgjidhje sepse nuk kishte fare hapësirë për manovrim politik kurse ushtarakisht as që kishin mundësi të intervenonin shkaku se ishte një forcë e madhe ushtarake ndërkombëtare e vendosur në Kosovë , përkatësisht ishte KFOR –i , si mekanizëm ekzekutiv i NATO-së.  Politika oportuniste dhe dyfytyrëshe ndërkombëtare bëri që Serbia të konsolidohet politikisht , dhe , me heqjen e embargos për armatim , edhe ushtarakisht. Misionet ndërkombëtare më shumë udhëzonin serbët të kundërshtojnë integrimin e serbëve në institucione se që të bëhen pjesë konstruktive e shoqërisë. Në vend të afrimit u thellua përçarja dhe ndarja , thuaja sipas vijave etnike. U krijuan enklavat njëetnike ( për të improvizuar rrezikun që iu kanosej serbëve ) , u përligj kufiri i ndarjes së pjesës veriore të Kosovës e në lumin Ibër që administrohej nga Beogradi  , si pjesë e okupimit administrativ  , u krijuan zonat e mbrojtura sipas Planit të kriminelit juridik Mati Ahtisari , u dhunua Kushtetuta e Kosovës nga një Pako kriminale duke e futur Kosovën në një labirint , thuaja pa dalje apo vetëm me një dalje , kah Beogradi dhe Serbia. Realisht , as politikanët e Kosovës nuk u shquan se ishin të zgjuar duke pranuar thuaja të gjitha kushtet e imponuara dhe duke e shndërruar tërë procesin e bisedimeve në një proces teknik që i përshtatej Serbisë sepse krijonte dhe siguronte jetëgjatësi   të krizes e që i përshtatej Serbisë. Në këto rrethana doli në skenë një lëvizje e quajtur KAN që udhëhiqej nga kryeministri aktual , Albin Kurti për t’u shndërruar pastaj në Lëvizjen Vetëvendosje .  Në aspektin e promovimit medial dhe përafrimit me popullin , Albin Kurti e kishte përkrahjen 100 % të Bacës Adem Demaçi , deri në kohën kur Baca Adem u bind se këto ishin përralla dhe u largua nga përkrahja e LV –së. Rinia , por edhe qytetarët idealistë u rreshtuan krah Vetëvendosjes shkaku se mendonin se do të pengojnë proceset e dëmshme për Kosovën që ishin evidente sikur edhe për faktin se thuaja si qëllim ,  të jeshë apo të mos jeshë , politikisht dhe kombëtarisht e kishin bashkimin kombëtar që ishte , jo vetëm ideal por edhe qëllimi kryesorë i të gjithë patriotëve shqiptarë , që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri më sot. Në ndërkohë , në rrethana të një presioni dhe shantazhi të pashembullt u formua Gjykata Raciste Speciale dhe LV –ë , pasi ishte në opozitë , me mjeshtri përfitoi duke votuar kundër kësaj Gjykate . Sot , kur janë në pozitë , me të gjitha mjetet e mundshme i luftojnë ish – themeluesit dhe ish –  drejtuesit  e UÇK-së dhe udhëheqësit më të lartë thuaja të të gjitha institucioneve të Kosovës që mbahen  si  pengje  në Gjykatën Speciale Raciste në Hagë. Nuk ka bashkim kombëtar se , jo që nuk duam ne por që Kushtetuta e Kosovës e pamundëson këtë bashkim. Ky nen i Kushtetutës , nuk paska qenë më parë por se ka hyrë në fuqi vetëm pasi u mor pushteti , me qëllim që të pamundësojë realizimin e  premtimit elektoral. Çfarë mashtrimi dhe manipulimi i ulët  !

Pas bërjes publike të propozimit francezo – gjerman kishte filluar një linçim publik i Baton Haxhiut në vend që pikërisht kryeministri Kurti , presidentja e kryeministrit Kurti , Vojsa Osmani dhe Sizifja që ia ka futur veti në kokë se është ministre për Punë të jashtme , ta informojnë opinionin dh qytetarët për këtë propozim , për aq sa kanë pasur mundësi ta bëjnë , sepse , asnjë propozim nuk bëhet publik në tërësi deri në kohën kur arrihet një pajtueshmëri për pranim apo refuzim të këtij propozimi . Jo që nuk e bënë këtë por pabesisht mohuan se ekziston një propozim i tillë . Për të dalë disi nga kjo situatë , kryeministri Kurti shkoi , pa paralajmërim në një drekë pune me kryeministrin e Shqipërisë , Edi Rama të cilin , ndryshe e konsideron si armik dhe opinionit i shpërndau shqetësimin për mungesën e energjisë elektrike dhe sulmet kibernetike . Vetëm budallai beson në këtë arsyetim ! Edi Rama , pa asnjë dyshim është kryeministri më i suksesshëm shqiptar dhe më i angazhuari për çështjen e Kosovës , gjatë tërë ekzistencës së shtetit shqiptar. Deri në kohën kur ky angazhim po i mohohet nga Albin Kurti dhe mbetjet mortore ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë duke e akuzuar për paternalizëm në kohën kur Kosova qenka shtet i pavarur dhe sovran . Dhe , Edi Rama angazhimin e tij për Kosovën e ka tëkurrur  sipas rrethanave të krijuara . Po të mos ishte Shqipëria dhe politikanët shqiptarë , me të gjitha të metat dhe gabimet , shqiptarët e Kosovës do ta kishin fatin e kurdëve dhe të palestinezëve , pa asnjë dyshim. Nejse , së fundi edhe botërisht u pranua se udhëheqësve të instiutucioneve të Kosovës , Kryeministrit të Kosovës , Albin Kurti  , Presidentit të Kosovës , Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit , Albin Kurti i është dorëzuar një propozim i tillë . Ky propozim u noterizua nga Sekretari i Shtetit të SHBA –ve , Blinken i cili  paska  biseduar me kryeministrin Kurti për të arriturat historike të qeverisë Kurti 2 në fushën e zhvillimit ekonomik prej 11 %  -ve , 40,000 vendeve të reja të punës , kontributin për luftën e Ukrainës dhe zgjidhjen e problemeve tjera globale për të cilat nuk kishin zgjidhje , as SHBA e as aletatët evropianë ! Nuk  e kam të qartë nëse Sekretari Blinken ka qenë i informuar për suksesin e madh të Kosovës në planin diplomatik . Është e papërfillshme ,  nëse llogaritet si sukses liberalizimi i vizave për Kosovën krahasuar me suksesin historik siç është liberalizimi i vizave me Banglladeshin për udhëheqësit politikë të Kosovës dhe zyrtarët e lartë të shtetit . Populli është parashikuesi më i saktë i zhvillimeve politike dhe jo vetëm politike ; qe një kohë të gjatë  thoshte se u bë Kosova  – Banglladesh.  Për fillim , janë vizat !

 Modeli i dy gjermanive

Modeli i dy gjermanive është modeli më i keq për Kosovën dhe , nëse është ashtu siç ka rrjedhur në opinion , zgjidhjen e çështjes vetëm do ta shtejë për 10 vjet e që as ,  atëherë nuk do të jetë zgjidhje përfundimtare. Ky model , gjithnjë sipas asaj që dukej në media , 100 % është në interes të Serbisë dhe 100 % kundër intereseve të Kosovës. Mjaftueshëm është humbur kohë deri tani për të lejuar edhe një prolongim 10 vjeçar , Kosova ka nevojë për një zgjidhje përfundimtare radikale që nuk lë asnjë paqartësi qoftë edhe për 10 minuta pas nënshkrimit të Marrëveshjes e lëre më të tëhollohet dhe stërzgjatet për një periudhë 10 – vjeçare. Pas 10 vjetëve askush nga ndërkombëtarët , nëse kështu vendoset , nuk do të merret seriozisht me Kosovën , përveç  Serbisë. Për zgjidhjen e çështjes së Kosovës duhet një kirurgji e thellë politike e jo një terapi paliative ( për zbutje të dhimbjeve ) 10 – vjeçare.  Modeli i dy gjermanive . si përfindim i vetëm logjik dhe faktik kishte formimin e një shteti të vetëm gjerman , dhunshëm i ndarë pas përfundimit të luftës së dytë botërore ! A është modeli i dy gjermanive i propozuar për Kosovën një model që garanton një Serbi unitare , me Kosovën brenda kufinjve , pas 10 vjetëve, si njësi federative apo konfederative , nuk ka rëndësi ?! Ky është një propozim shajzen dhe nuk është kurrfarë zgjidhje , duhet të refuzohet , pa asnjë dyshim . Nëse është ashtu siç ishte bërë publik më heret ! Nëse këmbëngulet në këtë propozim atëherë duhet që pala kosovare të këmbëngulë për një referendum për bashkim me Shqipërinë . Nuk ka tjetër zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme përveç kësaj . Po e shohim që Republika Serbe po sillet si pjesë e Serbisë në Bosnje dhe Hercegovinë , po kështu nesër do të sillet edhe Zajebnica në Kosovë . Zajebnicen ndërkombëtarët do ta formojnë në Kosovë edhe me çmim të mbetet vetëm një serb në Kosovë . Është punë e kryer , me një ambalazhim maskues dhe mashtrues . Sikur që edhe Pop Sava Janjiq do të bëhet pronar i 24 hektarëve të pronës shoqërore , si kryetar dhe kryeparamilitar i Manastirit të Deçanit . Këto janë penalltitë kryesore për Serbinë dhe ndërkombëtarët në portën e pambrojur mjaftueshëm të Kosovës.

Si ngushëllim për këtë perspektivë të zymtë  , Kosova po ecën para ; do ta votojmë ligjin për martesa të së njëjtës gjini ku Hasani dhe Hyseni ,  në një marëdhënie bashkëshortore të shenjtë dhe të mbrojtur me ligj do të kenë edhe fëmijë . Ëndërr e kahmotshme që tani po bëhet realitet . Pastaj , do ta organizojmë një festë shtetërore kur Hashim Thaçi , Jakup Krasniqi , Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të dënohen me burg të përjetshëm , nëse dënohen vetëm me 40 vjet do të ndjehemi të pikëlluar dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha të drejtat e kundërshtimit , deri te Gjykata Supreme e Serbisë !

Por , unë e quaj sukses të jashtëzakonshëm heqjen e pakushtëzuar të vizave për politikanët dhe zyrtarët e lartë të Kosovës nga Banglladeshi dhe ansjelltas . E papërsëritshme dhe e paimagjinueshme për të besur se vjenë kjo ditë . Mirëpo , ERDHI DITA !

12 tetor 2022 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura