Kumanovë, 29. 05. 2013 – Para disa vjetësh kur shit-blerjet dhe shërbimet e ndryshme i kryenim vetëm me para të gatshme, para këto të djersitura prej kursimit me fanatizëm në xhepin e qepur mirë dhe nën jastëkun me pupla të gjalla të pulës tashmë të ngordhur, paraqitja e ndonjërit me kartelë bankare na bënte të mendojmë dhe të bindemi se njeriu në fjalë qenka shumë i pasur, aq shumë sa xhepi apo jastëku në shtëpi nuk ia zë paratë, ndaj atë tufë parash e paska deponuar në bankë, emër ky që ta përkujton bollëkun e parave dhe të pasurisë materiale. Zakonisht shpura e këtyre njerëzve ishin ata që punonin në mërgim, tek-tuk ndonjë tregtar i këtushëm. Para se të blinin ndonjë gjë, neve që i shikonim këta si të ishim babëzi, na thoshin pritni pak këtu të shkojmë deri në bankë t’i tërheqim ca para me kartelë. Ne i shikonim të hutuar dhe me pipëtimë thoshim, – ehe, ku ka ardhur puna, vetëm me një kartelë plastike mund ta blesh një maunë me plastika në lagjen e plastikave në Bit Pazar.
Koha së bashku me motin ndryshuan! Edhe neve na u dha mundësia të kemi kartela bankare në kuletën tonë të grisur dhe më shumë të zbrazur se sa të mbushur me para. Dikush mund të thotë se meqë kuletën e keni të zbrazur me kartelën bankare brenda, mos harroni se ju mund ta keni të mbushur aparatin bankar me para. Sikur të jetë kjo e vërtetë, mbase pikërisht edhe këtu qëndron tragjedia ekonomike e kësaj të vërtete!
Nëse dikur ndër qytetarët përdorimi i kartelave bankare për tërheqje parash ishte sinonim i të qenit i pasur, sot ajo gjithnjë e më tepër lakohet në sinonimin e të qenit i varfër. Përse? Sepse sot rendin më të madh pranë bankomatëve e përbëjnë ata që dy javë përpara ardhjes së rrogës, pyesin nësa ka ardhur rroga! Të pasurit nuk presin rend pranë bankomatëve, por ata blejnë dhe shesin gjësende përmes kartelave bankare, madje të njëjtën gjë e bëjnë edhe me rastin e kryerjes së shërbimeve të llojllojta.
Është vështirë të gjesh sot ndonjë punonjës shtetëror a privat i cili nuk është futur dy rroga minus. Sistemi bankar në fillim e shfrytëzoi mirë këtë ofertë joshëse kundrejt atyre që nuk kishin arritur në jetën e tyre t’i shohin se si duken “500 euro live”! Politika bankare i këputi këta të syrgjynosur e katosur duke i gëzuar fillimisht përmes dhënies së buqetës së parave dhe pastaj i rrjepi si të ishin “pula të drzhavës” përmes ndaljes së interesit kamator prej rrogës së mjerueshme. Ka 5 vite që dëgjoj se banka për çdo muaj ia ndal nga 8 euro kamatë kësaj tufe të djegurish. Fillimisht nuk duken shumë, por nëse do ta llogarisnim këtë grimcë të kamatës, do të dilte kështu rrjedha e rezultatit: 8 euro për çdo muaj bëjnë 96 euro për një vit, 96 euro për pesë vite bëjnë 480 euro dhe vlera e kësaj shume në Kanada afërsisht është 6.000 dollarë. Të merremi vesh, kjo shumë është vetëm për kamatën në kryegjë dhe jo kryegjëja (shuma e parave pa kamatë). Paramendo sikur një kanadez vetëm për normë të kamatës në rrogë t’i harxhonte këto para se si do të reagonte! Përpos ngazëllimit me rastin e tërheqjes së dy rrogave, sot përpos dëshpërimit asgjë nuk ka mbetur prej asaj tërheqjeje. As që bëhet fjalë për mundësinë e kthimit të atyre dy rrogave, ngase këtu rroga rrogën asnjëherë nuk ka arritur ta takojë, madje qoftë edhe me ndonjë metalikë të fundit të mbetur, metalikë që mund t’ia kishe dhënë fëmijës për të bërë zhurmë në tavolinën e xhamit të gërvishur në kohën kur atë nuk e merrte gjumi!
Përskaj këtij mulliri pa grurë dhe mullisi i pa pluhurosur të paktën në rrobat e punës me miell, semimaturanti prej këtij borxhliu, kërkon 150 euro për rroba dhe për ahengje të ndryshme, maturanti 300 euro për të njëjtat arsye dhe studenti me nxitim 200 euro me arsyetimin se pronari i banesës teshat vetëm sa nuk ia ka hedhur fërfëllueshëm prej ballkonit në tokë. Ai duhet të përballet me borxhin e mbërthyer prej kryegjësë dhe kamatës në rritje dhe me kërkesat që natyrshëm duhet t’i përmbush çdo prind ndaj familjes së tij!!!
Borxhin që e theksuam më lartë është vetëm një lloj kurthi bankar me karta të hapura prej dhjetrave mundësive tjera që banka detyrimisht të fut në borxh, edhe pse nuk përjashtohet mundësi që vetë ajo një ditë të përballet me produktin e kurthit të saj. Kemi edhe kartela të veçanta kreditore të cilat me një kufi të caktuar ta mundësojnë tërheqjen e parave me normë të interesit prej 15 për qind dhe kur ta shikosh përafrimin e përmbarimit të borxhit, sheh se shumë larg një gjëje të tillë gjendesh, ngase përpos kryegjësë jo aq të lartë duhet të përballesh me normën e interesit shumë të lartë e cila nga viti në vit vetëm sa rritet duke të paralajmëruar kështu se një ditë ajo nga forca e madhe dhe madhësia trupore edhe dritaret e shtëpisë do t’i bëje thërrmija të imëta. Kësisoj, për ta arsyetuar këtë dukuri të përgjithshme shqetësuese gjithnjë e në rritje, paraqesim të dhënat më të reja të Bankës Popullore të Maqedonisë ku tregojnë se borxhi i kartelave kreditore deri në fund të muajit prill ka arritur shifrën prej 200 milionë euro.
Kjo shumë është e barabartë me paraqitjen e shpenzimeve zyrtare për ndërtimin e projektit “Shkupi 2014”. Mos të habitemi nëse një ditë dëgjojmë prej qytetarëve të kapitur ekonomikisht se kjo ndërtesë kundërthënëse dhe fyese për shqiptarët duhet të hudhet në treg, të shitet dhe të paguhet borxhi i përgjithshëm i qytetarëve ndaj bankave. Po kujt t’i shitet kur dihet se edhe blerësi që e njihnim për të pasur, posa ishte futur në borxhe me kamatë?