RKL: DEKLARATA E 2 KORRIKUT 1990, SI KOFINI PAS TË VJELAVE

Prishtinë, 03. 07. 2013 – Plot 23 vjet më parë, delegatët shqiptarë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë, pas disa ditë diskutimesh, më 2 korrik të vitit 1990 kishin shpallur Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Deklarata e 2 Korrikut u shpall para ndërtesës së Kuvendit, pasi autoritet e Serbisë, të cilët kundërshtonin shpalljen e Deklaratës, ua kishin mbyllur dyert e Kuvendit delegatëve shqiptarë.
Deklarata Kushtetuese ishte shpallur pasi Serbia kishte pezulluar autonominë e Kosovës, qysh në mars të vitit 1989 dhe në kohën kur kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë. Kjo deklaratë shënonte edhe fundin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në institucionet e Serbisë dhe të Jugosllavisë, shtet të cilit i kishin shërbyer me zell, prej vitit 1945 në kushte dhe rrethana të njohura historike.
Delegatët, të cilët kishin shpallur Deklaratën kushtetuese, ishin në mesin e shqiptarëve, të cilët i kishin përballuar spastrimeve politike, diferencimeve dhe kryesisht ishin më të përshtaturit e regjimit jugosllav, të cilët edhe kishin arritur të mbaheshin në poste qysh prej vitit 1981, kur të gjithë tok kishin mbështetur Platformën e Jugosllavisë në luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.
Asnjë prej këtyre delegatëve nuk i kishte mbështetur kërkesat e popullit të Kosovës, në mars dhe prill të vitit 1981, ku në mënyrë plebishitare kërkohej Kosova Republikë me të drejta të barabarta me republikat e tjera të ish-RSFJ-së. Për më tepër, po thuajse të gjithë kishin mbështetur edhe amendamentet kushtetuese të Serbisë të vitit 1988, për rrudhjen graduale të autonomisë së Kosovës dhe integrimin e saj në kuadër të Serbisë, jo si pjesë përbërëse, sikur figuronte verbalisht në Kushtetutën e vitit 1974, por si pjesë integrale e saj.

– Delegatët e 2 korrikut 1990 –

Këta delegatë, ata që janë gjallë dhe të cilët përkujtojnë këtë datë të “rëndësishme” të kohës së tyre, pretendojnë se kanë bërë një punë të madhe, edhe pse ata, pas këtij akti, nga frika se Serbia mund t’ i thërriste në përgjegjësi, të gjithë tok ia mbathen për në Maqedoni, Shqipëri, Kroaci e në shtetet e Evropës, duke u bërë pikë e pesë.
Delegatët zulmëmëdhenj, nus-prodhim i epokës së bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë, nuk i zbathën “kundrat” për të mbathur opingat e për të luftuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, pasi e kishin shpallur verdiktin, nuk vepruan sikur kishte bërë Hasan Prishtina dikur, kur u largua nga Parlamenti i Turqisë dhe iu bashkua kryengritësve shqiptarë, që po luftonin për shkëputjen e trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane. Ata, madje nuk qëndruan as në Kosovë për të ndarë fatin me popullin e robëruar, por jetuan sikur parazitë nëpër qendrat e ndryshme të Evropës, duke u bërë barrë edhe për Fondin vullnetar të Republikës së improvizuar, që mezi mbulonte shpenzimet e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, shpurës së tij dhe tërë aparatit improvizues të Republikës së Kosovës, të cilën nuk e pranoi asnjë shtet në botë, përveç Shqipërisë komuniste të kohës së Ramiz Alisë.
2 korriku i vitit 1990 megjithatë paraqet datën kur nga regjimi serb e jugosllav po divorcoheshin edhe mohikanët e fundit, ata që me tërë qenien iu kishin shërbyer interesave të shtetit, që tashmë i konsideronte oportunistë.
Asokohe, edhe shqiptarët që i kishin shërbyer Jugosllavisë prej vitit 1945, filluan ta refuzojnë pushtetin okupator. Nga klasa e ish-Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila asnjëherë nuk arriti të shkëputet nga dominimi i ish-komunistëve pro jugosllavë, tashmë të konvertuar në demokratë.
Duke folur për 2 korrikun e vitit 1990, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se “Shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 është ndër ngjarjet më të rëndësishme juridike dhe politike pas shpërbërjes së sistemit njëpartiak në Kosovën e fillim viteve të nëntëdhjeta.
Thaçi ka vlerësuar se delegatët e Kuvendit të Kosovës të asaj kohe ndërmorën një akt të rëndësishëm, ku shprehej vullneti i popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi politike dhe juridike nga pushtimi jugosllav dhe serb. Ai ka përmendur vullnetin e popullit për liri, por nuk ka folur për kontributin, që ata delegatë i kanë dhënë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëse ndonjëri prej tyre edhe mund ta ketë dhënë një kontribut sado modest.
2 korriku nuk është ngjarja më e rëndësishme juridike dhe politike e kohës, për vetë faktin se vullneti i popullit për liri, drejtësi e barazi nuk buroi nga institucionet, nuk buroi nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë as nga komunistët oportunistë të Kosovës, nuk buroi as nga delegatët e “sitës” së fundit të kohës së diferencimeve, por buroi nga gjaku i derdhur rrëke për liri, qysh në vitin 1945 me kryengritjen çlirimtare të Shaban Palluzhës, vazhdoi me përpjekjet e Lëvizjes Nacional-demokratike shqiptare, mori formë të re riorganizimi me Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e trojeve me Shqipërinë, në krye me Adem Demaçin, në vitin 1964, vazhdoi më tutje me demonstratat paqësore të vitit 1968 dhe kulmoi me kryengritjen shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981, për t’ u bërë realitet faktik me luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998-1999.
Gjatë kohës së okupimit, prej vitit 1945, (e jo prej vitit 1990, sikur pretendojnë ta paraqesin institucionalistët e braktisur nga padronët e Beogradit), në vazhdimësi kanë ekzistuar dy alternativa, njëra pacifiste dhe e pajtuar me çdo regjim dhe tjetra militante, kundërshtare e përjetshme dhe e përhershme e çdo regjimi të huaj.
Nuk mund të ketë pikë barazimi në këtë mes. Derisa breza të tërë u persekutuan, u vranë dhe u katandisën burgjeve, klasa e delegatëve që do ta shpallte verdiktin për Republikë, në vitin 1990, 9 vjet pas verdiktit të popullit, ishte ngritur shkallëve të pushtetit mbi kurrizin e popullit të robëruar dhe kishte përfaqësuar interesat e pushtetit okupator. Delegatët që shpallën Republikën në oborrin e Kuvendit, ishin sikur kofini pas të vjelave. Ata kërkonin që Kosova të shpallej Republikë e barabartë në Jugosllavi, në kohën kur Jugosllavia, burgu i madh i popujve të Ballkanit kishte filluar të shpërbëhej dhe gjatë kësaj shpërbërje pësuan të gjithë popujt liridashës e më së shumti shqiptarët.
Iluzionet e institucionalistëve lidhur me rëndësinë e 2 korrikut nuk kanë të bëjnë me realitetin faktik, por kanë të bëjnë me përpjekjen për ta pasqyruar vetëm njërën anë të realitetit.
Leximi i Deklaratës kushtetuese më 2 prill të vitit 1990 nga delegatët e Kuvendit të Autonomisë së Kosovës e Metohisë, në oborrin e Kuvendit, zbulon më së miri mjerimin e asaj klase poltrone, politike, e cila nuk ishte në gjendje të ballafaqohej me realitetin dhe me kohë ishte ndarë e diferencuar nga kërkesa plebishitare e popullit shqiptar për Kosovën Republikë. Prej vitit 1981 e deri në korrik të vitit 1990, për idealin e Republikës kanë rënë qindra dëshmorë, janë dënuar me burg pre 1 deri në 20 vjet, madje edhe dënim me vdekje, mijëra të tjerë, janë përndjekur e persekutuar qindra mijëra liridashës, ndërsa nuk ka dhënë dorëheqje asnjë nga delegatët vasalë, të cilët 9 vjet më vonë do ta shpallin Republikën në sheshin e kryeqytetit, atje ku ishte përgjakur më dy prill të vitit 1981, dhe, që të gjithë, me ndonjë përjashtim do të iknin nga Kosova për të shpëtuar nga burgu i paragjykuar, apo për të krijuar një kapital politik për kohët e ardhshme.
Historia e këtyre 23 viteve ka treguar mirëfilli se cilët ishin ata që e përkrahën pa rezervë RSFJ-në deri në shpërbërje, cilët ishin ata që pasi dolën nga burgjet rrëmbyen armët për çlirim dhe cilët ishin ata që sot po i gëzojnë frytet i fitores, pa derdhur asnjë pikë djerse, pa derdhur asnjë pikë gjaku, madje duke ia veshur vetes meritat, që as i kanë as mund t i kenë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

IKNI …

Thaçi, Rama, Berisha, Mustafa, Meta etj., bëjuni shqiptarëve një “të mirë” historike-largohuni! Nga Skender Sadri KAPITI (Këtë shkrim…