AVDYL GËRVALLA: GJERGJ, QIELLI ËSHTË I GJELBËRT

Zvicër, 06. 07. 2013 – (Këndi satirik: TOP SEKRET (*) Dyluftimi 13 minutësh verbalo-hipotetik) – A e di ti gjergj se në Hamburg jetojnë 8 milion turqi? 200 milionë turqi e nënshtrojnë një Europë plakë 300 milionshe… vetëm me kebaba të freskëta… Kina pas 20 vjetëve do t’i ketë 2 miliardë e gjysmë banorë, prej tyre 1,5 miliard musliman praktikant… India, përtej 800 milionëve, poashtu, të gjithë musliman… paramendoje, qielli i gjelbër, pa kufinjë, me gjysmë hëne në mes…
Sa e pat përgatitur Gjergj Dedaj dosjen kundër kryeministrit rreth krimit që ky i fundit e kishte bërë ndaj tij, kryeministri e ftoi dhe ia ofroi pozitën… gjergji u befasua, u prek thellë dhe me mallëngjim fshiu nga balli djersën e përzier me lot gëzimi. Pasi kishte pritur plot 6 orë e 13 minuta nëpunësi i kishte bërë shenjë me dorë gjergjit të hyn në zyren e kryeministrit.
– U çoftë mirë zotëri kryeministër!
– Merhaba gjergj!
– ???… Merhaba zotëri kryeministër…
– Të kam ftuar i dashur, kam një befasi të këndshme për ty… për sa kam dëgjuar… ti di edhe të këndosh.
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër, jeni i përkryer… më falni… po… dij të këndoj.

– Hashim Thaçi dhe Gjergj Dedaj –

– Më ke lavdëruar këto dy vitet e fundit!… pothuajse të gjithat i kam lexuar, m’i ka përcjellë stafi… Kemi diçka të përbashkët… së paku lirizmin brutal dhe dëshprimin e thellë. 
– Si urdhëroni, zotëri kryeministër, më nderoni pa masë.
– Unë të kam ftuar për një ndryshim… pa ty s’do ta bëja… ne të dy së bashku mund ta bëjmë… në kohën e Hamza Kastriotit… një farë Gjergji ishte kryeministër… tani një gjergj e emëroj unë, hiç më pak se zëvendës ministër… ndryshojnë kohët, ndryshojnë, o gjergji im.
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër, jeni legjendë.
– “Ku mund ta shuaj këtë etje?… Kjo natë është e gjatë sa dhembja e tërë njerëzimit”… kush i ka shkruar këto vargje? A e di ti?
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… më falni… më duket Albert Camus.
– Jo. Gabohesh… Sulejman Ylldiz Harkati… “Vaji i dallëndyshes në qiellin e gjelbër… dhe rrugët e përmbytura në hije, mistikë dhe ullinjë… Ti je i pastër për të mirë, ashtu siç jam unë i pastër për të keq”.
– Ju falëm nderit zotëri kryeministër, m’i përngjanë vargjeve të Albert Camus… por unë zotëri kryeministër mund edhe të gaboj… ju jeni i pagabueshëm, zotëri kryeministër.
– Jo, gjergj… ky është një poet turk që ka jetuar në shekullin e kaluar… vepra e tij Kaligula është shumë e njohur.
– Ju falëm nderit zotëri kryeministër, nga zemra… ju keni të drejtë, me siguri, ju jeni gjeni… unë gabova… sikur m’u duken vargjet e françezit Albert Camus… ai e ka shkruar një libër me të njejtin titull… më falni zotëri kryeministër, për t’ua thënë të drejtën gati më shumë e njoh letërsinë ruse… ju falëm nderit zotëri kryeministër, për durimin.
– Jo, gjergj, jo… ke pak të drejtë, por të vërtetën nuk e di… në një gazetë turke e kam lexuar polemikën e gjatë, ka më shumë se dy vjet, ku është vërtetuar, shkencorisht, se ai far belgu… Albert Camus e ka kopjuar vepren e Sulejman Ylldiz Harkati, fund e krye… a di ti gjë për këtë punë, gjergj?
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… nuk dij asgjë… jeni plot befasi, zotëri kryeministër.
– Je i qelbur me propagandë perendimore… s’ke faj ti, jo!
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… unë fëmijërinë time e kam kaluar në një fshat ku gjysma kanë qenë të besimit musliman… pjesën dërmuese i kam shokë, sot e asaj dite… më ndjeni zotëri kryeministër.
– Pse, a ke ti shokë shumë, a?
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… nuk kam shumë shokë.
– Ja pra, unë përkundër të gjithave… të kam përsëri shok, prandaj do ta besoj një sekret… perandoria osmane po i merr shtetet, një nga një… për 20 vjet do të hyjë në Europë… pastaj do të ngjitët dalë nga dalë deri te fjordet e bukura skandinave, deri te ajo mugëtirë, dhe aty do të bëhet ndryshimi, qielli do të shëndrrisë, përjetësisht ngjyrë të gjelbër… në Angli, pra në Britaninë e Madhe, për shembull, ka sot më shumë musliman se kryqali… madje edhe në Islandë… perandoria do ta shpalosë, duke e përvjelur cepin perëndimor të Europës, Portugalinë e Spanjen dhe do të vazhdojë deri në rusi… a e di ti se në Hollandë ka plot musliman? Pastaj në Francë, më shumë se francez… a e di ti gjergj se në Hamburg jetojnë 8 milion turq? 200 milionë turq e nënshtrojnë një Europë plakë 300 milionshe… vetëm me kebaba të freskëta… Kina pas 20 vjetëve do t’i ketë 2 miliardë e gjysmë banorë, prej tyre 1,5 miliard musliman praktikant… India, përtej 800 milionëve, poashtu, të gjithë musliman… paramendoje, qielli i gjelbër, pa kufinjë, me gjysmë hëne në mes… E çka ta merr mendja se ç’farë ngjyre ka qielli?
– Blu… zotëri kryeministër.
– Jo. Nuk është blu. Qielli është i gjelbërt… puro i gjelbërt… edhe pse sytë tanë na e sjellin si blu, qielli është i gjelbërt, në realitet… ky është një prej atyre mashtrimeve optike, deformim universal trashëgimtar… këtë e kam dëgjuar në Bajkonur, në Kazakistan, gjatë një seminari tremdhjetë ditorë të kryeministrave botërorë, në Departamentin e New Astrological Monitor Medium, veren e kaluar… kurse njerëzit në Kosovë kanë menduar se kam shkuar në SHBA në pushime verore… jo gjergji, jo. Unë punoj. Unë jam “working class hero” (hero i klasës punëtore).
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… po ju jeni poet… Më vjen mirë zotëri kryeministër… se ne shqiptarët katolikë i kemi vëllezërit tonë me shumë se 90% të besimit musliman dhe shpresoj ata do të mund të na shpëtojnë?!?
– A e di ti, gjergji im, se të kam shok prej ditëve të para të njohjes sonë… kohëve të fundit m’a ke shtrëmbruar pak shoqërinë… njerëzit flasin keq edhe për mua… s’ke patur arësye të futesh në vallen e tyre… nuk e dij a e ke kuptuar a jo, se pikërisht kjo e ndihmon poziten time, a po e sheh?… Ti më ke sharë, e unë të avansoj…. të gjithë do t’i shpërblej… kjo është natyra ime.
– Më falni zotëri kryeministër, jeni zemërgjërë… jeni yll… por unë nuk ju kam sharë… jam shumë i kujdesshëm, nuk shaj. Më ka shpëtuar aty-këtu ndonjë fjalë, por jo sharje! Ju falëm nderit zotëri kryeministër për mirëkuptim.
– Nuk ka rëndësi… çështja ka shkuar deri te enver hasani, vetëm ai ia ka vënë kapakun kësaj pune, a është kështu?
– Po, zotëri kryeministër… Më ndjeni, zotëri kryeministër.
– E ç’farë të ka thënë ai?
– Më ka thënë se s’mund të më ndihmon… Më falni, zotëri kryeministër.
– Çfarë ta merr mendja, a ka patur të drejtë enver hasani!
– Po, zotëri kryeministër… ka patur plotësisht të drejtë… jeni i madh, zotëri kryeministër!
– Eh, atë e kam shok… a e di ti?
– Po gëzohem, zotëri kryeministër… mendja ma merr se ai ju ka juve shok… zotëri kryeministër!
– Merre si të duash… Do të të bëjë zëvendës ministër të kulturës… pa procedurë… kështu e kam vendosur… ty, gjergj dedaj… gjergj dedaj.
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… për mundin dhe besimin e dhënë.
– Kush ta ka vënë këtë emër, gjergj?
– Baba, dritë pastë shpirti i tij, ma ka vënë, për të përtrirë emrin e babait të vet, të vrarë gjatë luftës, zotëri kryeministër.
– Hu çfarë emëri! Me siguri se ia ke parë sherrin shumë herë këtij emri?
– Po, zotëri kryeministër… unë e flas të vërtetën… nuk dij të gënjej… Ju falëm nderit zotëri kryeministër.
– A të ka shkuar mendja ta ndërrosh… ndonjëherë… për shembull… gjerdan dedaj… jo dedaj… bjeri trup… për shembull… gjerdan demaj… po ndryshojnë kohët… kështu e ashtu është një djalë i ri që luan futboll, është yll, atje në Turqi, Gjerdan Shaqiri e quajnë, unë e kam merak sportin… do të tingëllojë shumë më mirë… gjerdan demaj… disi më çlirshëm… më poetike… hiqet ajo përseritje e gj-gj-së… dhe bëhet gjerdan demaj, me një gj… sa bukur!… po ta kthej dinjitetin.
– Për hatrin tuaj, zotëri kryeministër, e bëjë edhe këtë! … Ju falëmnderit për kujdesin dhe kthimin e dinjitetit tim.
– Jo për hatrin tim… por kështu e kërkon nevoja… gjerdan demaj… sa bukur… kjo më përkujton… një lloj tamjani… një lloj parfumi… A pajtohesh!
– Po, zotëri kryeministër! Unë jam në shërbimin tuaj një qind për qind, zotëri kryeministër.
– Po ti më ke sharë!
– Ju falëm nderit, zotëri kryeministër… ju garantoj se çdo gjë ka qenë gabim.
– Të martën e ardhme do të na këndosh në mbledhjen e qeverisë!
– Pasha Krishtin nuk ju kam sharë!… Ju jeni legjendë zotëri kryeministër.
– Koha është para nesh… mos të përsëritet më ky far budallallëku i yt… a e more vesh… kurse për perandorinë… askujt asnjë fjalë… ata më kanë thënë të lëshoj pe… a të dukem unë se lëshoj pe prej qejfit, a?… edhe unë jam shqiptar… bile më i mirë se të gjithë të tjerët… unë e kam udhëhequr luftën… unë dij të bëjë paqe… a more vesh?… cila është garanca jote, gjerdan demaj, tani?
– Ju falëm nderit zotëri kryeministër… ju garantoj se do të jem në shërbimin tuaj… edhe një po ua them… një gjë shumë intime… do të bëjë cirkonsicion, ky veprim le të jetë edhe dënim, por edhe garancë… më falni zotëri kryeministër, për këto fjalë… dhe ju garantoj se do t’ju shërbej vetëm juve dhe askujt tjetër në këtë botë.
– Mos e harro: “Ti je i pastër për të mirë, ashtu siç jam unë i pastër për të keq”, çfarë vargu gjenial… Prej sot je zëvendës ministër i kulturës!
– Ju falëm nderit… jeni i përkryer… më nderuat pa masë… jeni legjendë… i pagabueshëm… gjeni… plot befasi… jeni poet… ju më keni qitë në rrugë të drejtë se belgu Albert Camus e paska pas kopjuar vepren Caligula të Sulejman Ylldiz Harkatit… jeni zemërgjërë… ish seminarist i Bajkonurit… jeni yll, dhe qielli është i gjelbërt, siq më mësuat ju… jeni legjendë zotëri kryeministër, ju më bëtë zëvendës ministër të kulturës… ju falëmnderit për kujdesin dhe kthimin e dinjitetit tim!…
– S’ka nevojë, është e tepërt… Shko tash!…*
_______________________
*fus-nota 1
TOP SEKRET = proqes verbali, i protokoluar në arkivin shtetëror
(Kontakti me autorin: [email protected])

=============================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KRYEMINISTRI HASHIM THAҪI,

KA EMËRUAR GJERGJ DEDAJN, ZV.MINISTËR TË KULTURËS

Prishtinë, 3 korrik 2013 – Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, është emëruar nga kryeministri Hashim Thaçi në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në zyra për media e kryeministrisë. Lideri i PLK-së, Gjergj Dedaj, ka qenë në disa poste të larta qeveritare gjatë mandatit të kaluar të qeverisë së Hashim Thaçit. Gjersa ishte pjesë e saj kishte thënë se Qeveria e Hashim Thaçit meriton çmimin Nobel, duke e quajtur atë si më të mirën në botë. Por gjërat ndryshuan kur ai qe shkarkuar menjëherë, pas dyshimeve për keqpërdorime. Në dhjetor të vitit 2011 në Rubikon të KTV-së lideri i PLK-së, Gjergj Dedaj, ka shpërthyer me akuza të rënda për kreun aktual të ekzekutivit të vendit. 
Atëkohë, ai e akuzoi Thaçin se gjatë luftës e ka arrestuar atë me gjithë një delegacion dhe arsyeja e vetme ishte përse ai ishte përkrahës i Ibrahim Rugovës. Thoshte se ishte torturuar fizikisht dhe psiqikisht në atë kohë.  “Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psiqik, moral… disa anëtarë të delegacionit janë torturuar edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, pati thënë Dedaj.
Përveç kësaj ai akuzonte Hashim Thaçin edhe për vjedhje votash dhe keqpërdorim të pozitës,duke e krahasuar me Berluskonin.  “Ai edhe 100 palë zgjedhje po të mbahen do t’i fitojë. Këto janë zgjedhje të manipuluara. Kur të kesh para sa të duash, mekanizma tjerë, edhe Berlusconi i fitoi votat, por humbi, edhe Sanaderi, edhe Gadaffi. Aspak nuk më bënë përshtypje çka s’i pëlqen Thaçit”, ka thënë ai.
Dedaj ishte në stafin e qeverisë Thaçit dhe për çudi derisa u largua nga pozita nuk ishte dëgjuar duke bërë këso akuzash, me të larguar nga qeveria ai kishte thënë se do t’i qes të gjitha të zezat e Thaçit në opinion.  Ai në këtë emision pati thënë se ka vendosur të hapë dosjen ndaj kryeministrit Hashim Thaçi. “Gjergj Dedaj ende s’ka fol. Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëvizë në Kosovë”, kishte thënë ai në këtë emision. Ai drejtoi akuza për PDK-në dhe Thaçin, duke thënë se zgjedhjet e fituara nga PDK-ja ishin të manipuluara.

Në vijim shikoni të plotë intervistën e Gjergj Dedajt në RUBIKON të KTV-së:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura