BARDHYL MAHMUTI: ‘INSTIKTI I ZANATҪIUT’ DHE ‘TRURI I ZVARRANIKUT’

Pashtriku.org, 27. 08. 2013 – Publiciteti që iu dha në mediumet shqiptare akuzave “të Fatos Lubonjës” dhe “të Arben Idrizit” kundër personaliteteve më të shquara të historisë së re të Kosovës u përpoqën ta arsyetojnë me njërën nga të drejtat themelore të njeriut: të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin e vet! Në shkrimin tim të titulluar «’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’» nxora në shesh se nuk bëhej fjalë për mendim të lirë por për shpërndarje të kualifikimeve serbe të sintetizuara në të ashtuquajturën “Bela Knjiga”(“Libër i bardhë”) dhe të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji (Terrorizmi shqiptar dhe kriminalitetit i organizuar në Kosovë dhe Metohi, teksti origjinal me rreth 200 faqesh gjendet http://sorryserbia.com/wp/belaknjiga.pdf)
Për të fshehur burimin e vërtetë serb të cilësimeve për “vrasës” dhe për “kriminel” Fatos Lubonja drejton gishtin nga libraritë evropiane, ku “qarkullojnë lirshëm” librat me kualifikimet e lartpërmendura, ndërsa Arben Idrizi deklaron haptazi se përkundër asaj “se nuk ka as prova dhe as shenja për t’i akuzuar si vrasës dhe si kriminel” ai e bën këtë “duke u bazuar në instinktin e zanatit të vet prej shkrimtari dhe intelektuali”. Madje, këtë formë të denoncimit publik dhe “pa prova”, Halil Matoshi dhe “zanatçinjtë tjerë me instinkt” përpiqen ta ngrenë në nivelin e “detyrës për intelektualin”!
Në shkrimin e sotëm do të përpiqem të nxjerr në shesh atë që fshihet prapa “instinktit të shkrimtarit”, “instinktit të intelektualit” dhe “instinktit të zanatçiut” te të cilat bazohen Arben Idrizi dhe kompania e tyre. Zhveshja e këtyre nocioneve do të na mundësoj të kuptojmë edhe një dimension të mekanizmave përmes të cilave tentojnë që ‘vizionin serb për Kosovën’ ta mbanë gjallë në hapësirën mediatike shqiptare.
Në këtë kontekst, nocioni ‘instinkt’ del si nocion qendror. Për këtë arsye po ndalem shkurtimisht dhe po përmendi disa nga të dhënat shkencore lidhur me këtë nocion dhe nocionet që janë në raport me te.
E shoh të udhës të përmendi faktin se filozofi, doktori i mjekësisë dhe themeluesi i psikologjisë amerikane, William James, në vitin 1870 evokoi idenë e ndarjes së trurit në tri shtresa dhe secilës prej tyre i atribuoi funksione të caktuara. Mbështetur mbi këtë orientim hulumtues, një shekull më vonë, në vitin 1971 neurologu amerikan Paul Donald MacLean, në veprën e njohur ‘Tre trurët e njeriut’ e zhvilloi teorinë e tri niveleve të trurit që korrespondojnë me tri periudha të zhvillimit të gjallesave.

Trinomi: Lubonja-Idrizi-Matoshi!

Për temën tonë është me rëndësi të theksojmë se strukturat e moçme të trurit të njeriut, që ngërthejnë funksionet dhe veprimet më të thjeshta dhe që paraqesin qendrën e reagimeve të menjëhershme dhe të pamenduara (instinktive) dhe që janë të lidhura me luftën për mbijetesë të gjallesave, neurologu amerikan Paul MacLean e emërtoi si «truri reptilian». Ky emërtim u bë për arsye se forma e pavetëdijshme dhe instinktive e veprimeve dominon te reptilët (zvarranikët)! Për dallim nga zvarranikët, truri i njeriut zhvilloi, sipas të njëjtit autor, edhe dy struktura të veçanta: «truri limbik», si qendër të emocioneve dhe «truri noekorteks», si qendër e tërësisë së aktiviteteve të vetëdijshme dhe intelektuale.
Kjo teori gjeti mbështetje të madhe në mesin e neurologëve, biologëve dhe psikologëve.
Përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen kësaj teoria, pas zbulimeve të ‘epokës së gjenetikës’, të gjithë pajtohen se vlera e kësaj teorie qëndron në trajtimin e trurit si organ që është produkt i evolucionit miliona vjeçar dhe që përbëhet nga struktura të ndryshme që janë prezent edhe te gjallesat tjera.
Një e arritur tjetër e madhe e shkencës qëndron në verifikimin e faktit se neuronet, për dallim nga qelizat tjera që ripërtërihen vazhdimisht, ato mbeten të njëjta tërë jetën tonë. Ky fakt na mundëson të kuptojmë mekanizmin e memorizimit të të dhënave, (gjuhës, ideve, figurave…) dhe në raste të nevojshme t’i transmetojmë këto njohur të ngulitura në neuronet tona që përcaktojnë kujtesën. Sidomos, në pjesën ballore të trurit (lobin frontal) ku janë qendrat e mendimit, kujtesës, logjikimit, krijimit artistik etj…
Mirëpo, një fazë tjetër vendimtare që të mund të qarkullojnë informatat e memorizuara nga një neuron në tjetrin, vendosja e lidhjeve në mes të tyre është e domosdoshme. Këtë funksion të lidhjes (të konektimit) e kryejnë sinapsat. Pra, sinapsat vendosin lidhjet e komunikimit të neuroneve, në shikim të parë të pavarura, që të komunikojnë dhe të përçojnë informacionet e njëjta…
Kjo është në “aspektin mikro”! Ti kthehemi “aspektit makro” të temës së transmetimit të informatave!
Në artikullin « Mbi vrasësit tjerë » Arben Idrizi si ‘ fakt ‘ për ‘ vërtetësinë’ e akuzave të Fatos Lubonjës sjell ‘të qenurit intelektual dhe instinktin e zanatit të tij’. Në të njëjtën logjikë ai deklaron për ‘vërtetësinë’ e ‘akuazave të ‘veta’ se ‘ unë e di, pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari, se vrasës është ….. etj. etj. ‘
Dikujt mund t’i duket i rastësishëm togfjalëshi ‘instinkt zanati’ ( ‘instinkt shkrimtar’ apo ‘instinkt intelektuali’) dhe si rezultat i mosnjohjes së teorive shkencore të funksionimit të trurit.
Mirëpo, përdorimi i nocionit ‘instinkt’, që është karakteristikë dominonte (por jo e vetme) e zvarranikëve, në vend të ‘intuitës’ dhe ‘inteligjencës’, që karakterizon njeriun dhe sidomos shkrimtarin dhe intelektualin nuk është rezultat i mosnjohjes apo rastësisë.
Nëse përqendrohemi shkurtimisht në pjesën e mësipërme të teorive shkencore të funksionimit të trurit do të shohim se përpjekjet për ta paraqitur si rezultat të ‘instinktit’ listën dhe cilësimin e shqiptarëve për ‘vrasës’ dhe ‘kriminel’, fshehin ‘SINAPSËN’ serbe që përmes pendës së ‘zanatçinjve me instinkt’ bën konektimin e ‘trurit të zvarranikëve’ për të transmetuar informatat e të ashtuquajturës “Bela Knjiga”(“Libër i bardh”) të përpiluara nga institucionet inteligjente të Serbisë!
Përpjekja që t’i atribuoni ‘instinktit’, që buron nga ‘truri juaj i zvarranikut’, transmetimin e shpifjeve dhe insinuatave të shërbimeve inteligjente serbe kundër personaliteteve më të shquara të luftës çlirimtare të Kosovës është strategji e shfajësimit.
Mirëpo, krahas pafajësisë që përpiqet të nënkuptojë, atribuimi i këtyre veprimeve ‘instinktit’ nxjerr në shesh edhe strategjinë e mbijetesës së llojit. Në këtë strategji agresiviteti, siç thekson neurologu amerikan Paul Donald MacLean, është element konstituiv i veprimit për mbijetesë.
Agresiviteti dhe frika për ruajtjen e llojit del haptas në shkrimet e “shkrimtarëve dhe intelektualëve zvarranikë” të tipit Lubonja, Idrizi, Matoshi etj.etj. “Akuzat nga njëra anë dhe frika ‘se mund të të vrasin si qen’ nga ana tjetër, siç bën Arben Idrizi, janë manifestime të këtij agresiviteti ‘instinktiv’ të ruajtjes së llojit të neuroneve të konektuara nga ‘Sinapsat’ e Shërbimit Inteligjent të Serbisë për të mbajtur gjallë ‘vizionin serb’ në Kosovë.
Dhe në fund, ne ‘turma pa mend e me muskuj’, siç ju pëlqen t’i quani mbështetësit e vizionit shqiptar për Kosovën dhe për personalitetet që bënë historinë moderne të saj, e dimë se akuzat që ngriti Shërbimi inteligjent i Serbisë dhe që ju i transmetoni ‘instinktivisht’ me ‘trurin e zvarranikut’ janë, ashtu siç e pranoni edhe vet në shkrimet tuaja, PA PROVA DHE PA SHENJA!
Por, kjo formë e transmetimit të shpifjeve dhe njollosjeve serbe në mediumet shqiptare nxjerr në shesh PROVAT DHE SHENJAT e urrejtjes ‘instiktive’ të zvarranikëve që në Kosovën e pavarur humbën privilegjet që kishin gjatë simbiozës së vëllazërim-bashkimit me Serbinë!
Bardhyl Mahmuti, 13 gusht 2013

*   *   *
BARDHYL MAHMUTI: «ORTODOKSIA SERBE» DHE «HEREZIA SHQIPTARE»

Në shkrimin tim të titulluar “’mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’” nxorra në shesh se akuzat e Fatos Lubonjës dhe Arben Idrizit kundër personaliteteve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës bazohen në dokumentin e përpiluar nga institucionet politike dhe të shërbimeve sekrete (civil dhe ushtarak) të Serbisë, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji”.
Reagimet e shumta kundër përpjekjeve të Fatos Lubonjës, Arben Idrizit, Halil Matoshit, Berat Buzhalës dhe Imer Mushkolajt që të na e “shesin” «vizionin serb» për Kosovën si gjoja “shprehje e mendimit të lirë të shkrimtarëve dhe intelektualëve” mobilizoi personat e lartëpërmendur që t’u vërsulen kundërshtarëve të vet dhe mbrojtësve të «vizionit shqiptar» me një arsenal të llojllojshëm akuzash.
Në shikim të parë, përmes kësaj forme akuzash ata përpiqen të krijojnë përshtypjen se janë “viktima të logjikës totalitare”, se gjoja janë “heretikët e mendimit unik” dhe në këtë mënyrë të përmbysin rolet:nga persekutor në viktimë!
Për këtë arsye, analizat duhet të jenë të përqëndruara në aspektë të ndryshme. Mirëpo, që në fillim po theksoj se fakti i aspekteve të ndryshme që përmbajnë akuzat e tyre nuk janë të rastësishme. Përkundrazi! Ato janë tejet të koordinuara dhe në harmoni të plotë me logjikën e argumentimit të mbrojtësve të «vizionin serb»!
Në këtë shkrim do të përqëndrohem në përpjekjet e këtij klani për të përmbysur rolet dhe për të paraqitur veten si ‘heretik’ dhe ‘vikktima’ dhe do të nxjerr në shesh se stigmatizimi i mbrojtësve të «vizionin shiptar» si “fundamentalist”, “si klerik politik”, “si inkuizitor”, si “stalinist”, si “enverist” etj. sado kundërthënëse dhe përjashtuese të duket, sado që, siç konstaton Arben Idrizi, “ekziston një dallim fundamental në mes nocioneve” ato janë koherente me arsenalin e termeve të ambalazhuara në “kuzhinën serbe” dhe të përdorura vazhdimisht, si në të kaluarën ashtu edhe sot!
Para se të vazhdoj të trajtoj kontekstet shoqërore dhe historike të përgatitjes së “nocioneve” stigmatizuese serbe kundër shqiptarëve, e shoh të udhës që të përmend shkurtimisht domethënjen e dy nocioneve: «ortodoksia» dhe «herezia».
Ky digression do të na ndihmojë që të kuptojmë se fjala është për përmbysjen e roleve në dinamikën e konfliktit dhe luftës në Kosovë.
Fjala «ortodoksi» ka prejardhje nga greqishtja e vjetër ὀρθός, orthos («e drejtë», «e saktë», « korrekt »), dhe δόξα, doksa (« rrugë », «opinion» «mendim»), që tekstualisht do të thotë “rrugë e drejtë”, «opinion i drejtë», « mendim i saktë». Ndërsa, nga ana tjetër, fjala «herezi» në shumicën e gjuhëve ka depërtuar përmes fjalës latine haeresis, e kjo ishte huazuar nga greqishta e vjetër dhe paraqiste një mundësi zgjedhje e një «doktrine, opinioni, sistemi ideshë». Pra, përcaktimi për një vision alternativë, qoftë religjioz apo politik, përballë «ortodoksisë» dominante.
Këto dy «nocione» do të jenë kategori kryesore të luftës së “vizionit religjioz të krishterë” dhe mbrojta e “ortodoksisë” arsyetohej si mission për t’i siguruar «paqen qillore» njerëzimit! Përmes ‘censurës’ dhe ‘inkuizicionit’-terme të preferuara të grupit të lartëpërmendur të “shkrimtarëve” dhe të “intelektualëve- si instrumente dhune, “vizionarët e krishterë” do të krijojnë «ferrin tokësor».
Meqenëse në tipologjinë e diskursit të pjestarëve të grupit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” theksohet përndjekja e “heretikeve” nga ” inkuizitorët” dhe “ nga klerikët e indoktrinuar deri në asht nga dogma” po përmendi vetëm disa të dhëna që karakterizojnë luftën në mes «ortodoksisë» dhe «herezisë».
Vrasjet, burgosjet dhe shkatërrimi i çdo gjëje që nuk ishte në përputhje me “vizionin e krishterë” janë karakteristikat e kësaj forme të totalitarizmit me të cilën është ballafaquar njërzimi. Që të ruhet ‘vërtetësia e kësaj dogme’ autoritetet kishtare do të hartojnë «Lista të librave të ndaluara (Index Librorum Prohibitorum)» dhe kjo frymë e përndjekjes do të jetë e praninishme deri në vitin 1966).
Sa i përket përmasave të ndalesave të librave dhe autorëve përmes futjes në “lista” (Indekse!) po përmendim se “vetëm gjatë periudhës 1600-1996 janë ndaluar rreth 5200 vepra dhe rreth 3000 autorë. (Index Librorum Prohibitorum 1600-1966, Vëllimi i XI, 2002, f.34 Vepër e përpiluar nga grup autorësh nën drejtimin e J.M. Bujanda).
Sa i përket kësaj forme të trotalitarizmit dhe analogjisë që bëjnë me Kosovën anëtarët e grupit të lartëpërmendur, e shoh të udhës të përmend vetëm një segment të “visionit të krishtërë” si “ortodoksi”, si “rrugë e drejtë”, si “vizion i drejtë”: “Zbulimi I kontinentit te Ri” dhe kolonizimi i tij!
Në mënyrë të ngjajshme si dyndja e popujve sllav mbi territoret iliro-shqiptare, ushtarët dhe klerikët e popujve të “civilizuar” te Europës iu vërsulën territoreve dhe popujve autokton të “Botës së Re”. Duke i stigmatizuar si “njerëz të egër”, si “njerëz pa shpirt”, si “popuj të pacivilizuar”, si “popuj barbar” etj., ata që pretendonin se kishin “mandatin hyjnor” që t’i siguronin njerzimit rrugën drejtë ‘parajsës qiellore’ ushtruan format më çnjerëzore të dhunës.
Të udhëhequr nga strategjia se “Konkistadorët janë ketu për te vrarë dhe për të marrë , ndërsa fetarët për të fshirë kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve “( Fernando Baez, Histoire universelle de la destruction des livres, Fayard, 2008, f 156) u shkatërrua çdo gjë që ishte e mundur të shkaterrohej në këtë “Botë të Re”.
Nuk do të zgjatem në tërë atë dhunë të ushtruar kundër civilizimeve të kësaj “Bote të pacivilizuar” por, po përmendi sa për ilustrim vetëm këtë. Peshkopi dhe inkuizitori spanjoll i Meksikës, Juan de Zumarraga, me mburrje krenohej se kishte djegur të gjitha kodekset e popullit Aztek qe kishin shpëtuar nga djegja e mëparshme. (Vepra e cituar e Fernando Baez, f.155) ndërsa zëvendësi i tij, Diego de Landa, në vitin 1548 organizoi në qytetin Mani asgjësimin e 27 kodekseve dhe 5000 tempujve dhe idhujve të civilizimit Maja. Vetëm tri kodekse të këtij civilizimi kanë mundur të mbijetojnë kohët. ( Vepra e cituar, f 177)
Në këtë artikull nuk mund të nxjerrim tërë atë dhunë të ushtruar nga pushtuesit serb për të humbur të gjitha gjurmëve iliro-shqiptare të territoreve të pushtuara. Nëse ka nevojë mund ta bëjmë në shkrimet e ardhshme. Ajo që mund të thuhet në këtë shkrim ka të bëjë me analogjinë tejet domethënëse në mes të “konkistadorëve të Amerikës Latine” dhe të ushtarëve dhe priftërinjeve serb, ku dikush “vriste dhe mirrte” e dikush përpiqej “të fshinte kujtesën dhe krenarinë e autoktonëve”.
Ti kthehemi edhe një herë temës së mëparshme të stigmatizimit të shqiptarëve.
Fenomeni i stigmatizimit të shqiptarët nga institucionet politike, diplomatike dhe mediatike serbe do të merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha, sidomos në periudhën e shpërbërjes së Perandorisë otomane dhe krijimin e kontekstit shoqëror dhe historik që lidhet me procesin e krijimit të shteteve të pavarura në këtë pjesë të Europës.
Fatkeqësisht, stigmatizimi serb i shqiparëve si “islamik në Europën e krishterë” do të gjejë përkrahësit e vet edhe në qarqet politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdhe të asaj kohe.
Mbështetja e “visionit serb” nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia cariste, dhe ‘mbyllja e veshëve me dhyll’ ndaj ‘të vërtetës shqiptare’ do të kenë pasoja të mëdha në përcaktimin e kufijve shtetëror në këtë pjesë të Ballkanit.Tërësia e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Kosovës, si njësi administrative e Perandorisë Otomane , dhe një pjesë e madhe e territoreve të banuara me shqiptar që përfshinte Vilajeti i Manastirit, i dhurohen shtetit të ri serb.
Të gjithë të interesuarit për këtë periudhe vendimtare në krijimin e shteteve të reja në Ballkan mund të binden se “vizioni serb” dhe’vizioni grek”, të propaganduara si vizione të “krishtera”, do të arrijnë suksese në përhapjen e mendimit se “shteti shiptar në Ballkan” do të ruante prezencën otomane në Evropë. Rezultate e Kongresit të Berlinit, të Konferëncës së Ambasadorëve në Londër dhe e të ashtuquajturës “Paqë e Vërsajës” e trimëruan politikën serbe që të Aplikojë politikat shfarrosëse kundër shqiptarëve në përputhje me “vizionin e saj ortodoks” të shtuar në Platformën famëkeqe «Naçertanje».
Moment tjetër që e shoh të rëndësishëm ta përmendi lidhet me pozicionimin e Jugosllavisë në anën e shteteve komuniste. Që nga instalimi i diktaturës komuniste në Jugosllavi, dhjetëra mijë shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq nën akuzën “e antikomunizmit dhe ndikimit me ideologji borgjeze”. Ata që nuk pranonin “ortodoksinë’ serbe, të definuar dhe të kamufluar nën plafin e “parajsës jugosllave” përjetuan ferrin në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.
Vetëm disa vite më vonë, sidomos pas prishjes së marrëdhenjeve politike dhe diplomatike me “Internacionalen Komuniste “ në vitin 1948, shqiptarët do të vriten, përndiqen, arrestohen dhe dënohen nën akuzën e “ithtarëve të stalinizmit”.
Periudha nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 e deri te shpërthimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një moment kyq në strategjinë e luftës antishqiptare.
Kontestimi masiv i “ortodoksisë serbe” se gjoja “shqiptarët kishin vendosur me vullnet të vet t’i bashkohen Serbisë” dhe kërkesa e afishuar për të jetuar të pavarur nga Serbia në kuadër të Federatës jugosllave, i terboi bartësit e aparateve shtetërore, politike, mediatike dhe religjioze të “vizionit serb”. Komunistët serb dhe shqiptar të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe të Kosovës u vërsulen me të gjitha aparatet e dhunës fizike dhe mediale kundër ‘heretikëve’ shqiptar.
Të akuzuar si “nacionalist” dhe si “enverist” vetëm në periudhën 1981-1987 do të kalojnë nëpër duart e hetuesisë serbe dhe argatëve të tyre komunistë shqiptar të Lidjes së Komunistëve të Kosovës mbi 1/3 e popullsisë shqiptare të Kosovës.
Krahas vrasjeve, plagosjeve, arrestimeve dhe dënimeve të atyre që nuk pranonin t’i nënshtroheshin “të vërtetës serbe”, me mijëra libra shqip, të botuara në Tiranë, këngë dhe vepra të diciplinave të ndryshme shkencore u ndaluan me dekret shtetëror. ‘Inkuizicioni i klerikëve komunistë serb e shqiptar të Kosovës kundër ‘herezisë’ shqiptare është i dëshmuar në shumë vepra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Interpretimi zyrtar i komunistëve serb lidhur me vendimin e aneksimit të Kosovës konsistonte në gjoja shprehjen e lirë të vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar nën Serbinë socialiste. Këtë interpretim të “ortodoksisë komuniste serbe” argatët shqiptar në strukturat komuniste të Kosovës të tipit të Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit dhe funksionarëve tjerë që përpiqeshin edhe më tepër se serbët që të mbanin “ortodoksinë e vizionit serb” si opcion të vetëm për Kosovë.
Madje, ata do të mundohen të bindin “turmën e manipuluar” “se rruga e Kosovës drejt zhvillimit të gjithanshëm dhe Fondeve të Federatës kalon nëpër Beograd”.
Opinionit publik shqiptar dhe të gjithë atyre që kanë përcjellur me vëmendje ngjarjet e asaj kohe ju kujtohen mirë këto deklarata. Siç ju kujtohet edhe deklarata e xhelatit të «Kushtetutës së Tankeve», Rrahman Morinës, “se populli shqiptar me ndryshimet e kushtetutës të vitit 1989 nuk ka humbur asgjë por ka fituar shumë! Por, fatkeqësisht në mesin tonë ka hi një dreq i madh dhe po mundohet ta turbullojë mendjen e popullit” . Kjo deklaratë e Rrahman Morinës për “Dreqin e Madh” që “turbullon shpirtin e popullit dhe që mund ta bëjë të shpërthej kundër Serbisë” ndodhi në kohën kur bartësit e aktivitetit kundër okupimit serb të Kosovës bëhëj në mënyrë tërësisht të fshehtë. Pra, në kohën kur pushteti i okupatorëve të Kosovës nuk i dinin se kush ishin personat konkret. Po rikujtojmë se cilësimi me termin «dreq» është cilësim tipik i “inkuizitorëve dhe klerit fetar”.
Përmbysja e komunizmit dhe instalimi i sistemit gjoja demokratik në Serbi, e cila udhëhiqej nga ish diktatori komunist S. Millosheviq, krijoi kontekstin “à la mode” që të fshihen cilësimet e moçme të “shqiptarit antikomunist dhe të ndikuar nga ideologjia borgjeze” dhe të ndryshojnë amballazhin e akuzave përmes të cilave shqiptarët që nuk pranonin ortodoksinë e vizionit serb të stigmatizohen si “komunist”, si “terrorist” dhe si “fundamentalist”…
Në këtë shkrim nuk do të zgjatem në citimin e diskurseve të shumta të politikanëve dhe gazetarëve serb, dhe të atyre «jo serb» (madje edhe shqiptar!) që mbështesnin “vizionin serb për Kosovën” si “vision i vetëm i drejtë” dhe, sipas të cilëve, shqiptarët që nuk pranonin këtë “të vërtetë” nuk ishin gjë tjetër pos “komunist”, “stalinist”, “enverist”, “terrorist”. “ekstremist”, “fundamentalist”…
Kësaj radhe do të kufizohen vetëm në shkrimet e kohëve të fundit të “shkrimtarëve” dhe “intelektualëve” të sortës së Lubonjës, Idrizit, Buzhalës, Matoshit dhe Mushkolajt.
Një çerek shekulli më vonë, tani më kur edhe emrat e bartësve të veprimtarisë çlirimtare të Kosovës janë publik për opininin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, pasardhësit e Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Mehmet Maliqit, Rrahman Morinës etj nën maskën e të drejtës për të shprehur lirshëm mendimin e tyre do të aktualizojnë diskurset dhe stigmatizimet e vjetra. Kështu, Arben Idrizi, të cilit i pëlqenjë parafrazimet herë të Senekës e herë të Salman Ruzhdiut kësaj radhe, në shkrimin e tij të gjatë kundër Jakup Krasniqit dhe “turmës së manipuluar”, parafrazon Rrahman Morinën. Ai, ndër të tjera shkruan:
“Ballafaqimi human dhe intelektual me doktorë të shkencës si z.Krasniqi është më i vështirë se ballafaqimi me djallin. Turma në vetvete shpesh mund të jetë e ndenjur, janë ai lloji i klerikëve që e trazojnë, e bëjnë të pluskojë dhe gurgullojë, derisa edhe të shpërthejë si vullkan. Klerikët politikë dhe klerikët fetarë, sidomos kur janë të indoktrinuar deri në asht nga dogma përkatëse dhe njëkohësisht kanë në dorë pushtetin dhe gëzojnë njëfarë autoriteti (çfarëdo qoftë) para turmës që përfaqësojnë, në të vërtetë nuk janë veçse ideologë skizofrenikë të vrasjeve, shfarosjeve individuale e në masë”. Duke mos ia përmendur emrin e Rrahman Morinës, ai mendon se do t’ia arrijë të fsheh gjurmët e burimeve të “mendimeve të veta të lira”!
I vetmi dallim i tekstit të Arben Idrizit nga teksti që i ishte dhenë Rrahman Morinës për ta recituar 25 vite më parë qëndron në përmendjen e emrit të «dreqit të madh», të z. Jakup Krasni. Për ta krijuar mozaikun biblik “të dreqërve të tjerë” që kontestojnë ortodoksinë serbe, po i njëjti Arben Idrizi, siç mund të shihet në shkrimin e titulluar ’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’, e publikoi “listën serbe” të atyre personaliteteve të shquara të historisë së re të Kosovës që krijuesit dhe mbështetësit e vizionit serb i konsiderojnë për ‘kriminele dhe vrasës’.
Në arsenalin e “listave”, si në kohën e inkuizicionit, nuk munguan as emra personash e as vepra të caktuara. Madje, kopjimi i diskursit të para 25 viteve nuk i mungoi as Enver Hoxha. Jakup Krasniqi, ky “dreq i madh” «që trazon turmën deri në shpërthime vullkanike» siç cilësohet në shkrimin që mban emrin e Arben Idrizit, nuk ka të drejtë, në cilësinë e doktorit të shkencave të historisë apo edhe të bindjeve të veta personale, të mbajë as librat e Enver Hoxhës, sepse ai ishte për paraardhësit e Rrahman Morinë dhe kopilave të ortodoksisë serbe “Nëna e Dreqit”! Fotografia e e Enver Hoxhës në kopertinën e një libri shndërrohet, në diskurset e kësaj sorte, në “fotografi bukur të madhe në kornizë”!
Në arsenalin e sulmeve që grupi i “shkrimtarëve”, “intelektualëve”, “krijuesve të opinionit” dhe “deputetit” nuk munguan edhe nocionet tjera stigmatizuese të kuzhinës serbe.
Kështu, Berat Buzhala, në cilësinë e deputetit të PDK-së, në shkrimin ekskluziv për Gazetën Ekspress, shkruan artikullin e titulluar “ Lubonja dhe Beni nuk janë problem” deklaron me pompozitet se edhe në rastet “kur nuk pajtohet me konstatimet e ‘ngushta’ dhe ‘rigjide’ të Lubonjës dhe Benit prapë se prapë unë rreshtohem në taborin e tyre nëse do të më kërkohej që të rreshtohesha. Me tërë qenien time unë i urrej fundamentalistët!” Që i urren “fundamentalist” që luftuan ortodoksinë serbe Berat Buzhala e ka bërë të qartë që moti. Por, ajo që mbetet e paqartë dhe që përpiqet ta fsheh në shkrimin e tij lidhet me faktin se ai nuk e tregon se kush i kërkoi “të rreshtohet pro Lubonjës dhe Benit”. Fundi i fundi kjo nuk çon shumë peshë. Ajo që shihet qartë ka të bëjë me arsenalin e stigmatiziimit të shqiptarëve me nocione dhe terme të gatuara në kuzhinën serbe.
Megjithatë duhet të pranoj se Berat Buzhala ka të drejtë kur thot së “Lubonja dhe Beni nuk janë problem”. Problemi qëndron në “vizionin serb për Kosovën”, si vision racist dhe gjenerator I politikave të shpeshta gjenocidale në këtë pjesë të Europës. Për deri sat ë mbetet gjallë dhe të ushqehet kjo “ortodoksi serbe” edhe ndër shqiptarë do të gjenden të atillë që do të mendojnë “se rruga e Kosovës për Europë kalon nëpër Beograd”. Ndërsa, ata që si Halil Matoshin që “u vargisen thirrje e çjerrje bishash me fytyra të mërdhezura për linçim publik” tentojnë të rikthejnë strukturat dhe logjikën që aplikoi “diferencim ideopolitik” kundër atyre që rrugën e Kosovës për në Europë nuk e shohin përmes Beogradit”.
Zhurma dhe “çjerrjet e bishave” deri në kupë të qiellit për t’u sjellur argumente dhe fakte se janë ‘argatë të ortodoksisë serbe’ në Kosovë, fsheh frikën e tyre nga e vërteta. Ata që “luftojnë për mendimin ndryshe”, madje “sado ekstrem që të jetë” artikullit tim dhe fakteve që unë ua bëra publike, ia mbullën hapsirën në mediat e kontrolluara prej tyre. Për mua është plotësisht e qartë dhe i kuptoj. Sepse, siç thot R. de Gourmont “ ajo që është më e tmerrshme në procesin e kërkimit të vërtetës, është gjetja e saj!”
Bardhyl Mahmuti, 6 gusht 2013

======================

BARDHYL MAHMUTI: ‘MENDIMI I LIRË’ DHE SKIZOFRENIA POLITIKE!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1860

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura