PROF.XHEMALEDIN SALIHU: BLAGOJE NESHKOVIQI VENDOSI FATIN E KOSOVËS DHE TË LUGINËS SË PRESHEVËS

Preshevë, 03. 10. 2013 – Propozimin e Kreut partiak të ish-Jugosllavisë për Autonomi në kuadër të Jugosllavisë, atëherë për Kosovë e Metohinë kategorikisht e refuzoi Blagoje Neshkoviqi, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë
Hyrje
Librin: Vencesllav Glishiq, Dosja e Blagoje Neshkoviqit, Shtesë për biografi, Beograd, Fletorja zyrtare, 2011/Venceslav Glisic, Dosije o Blagoju Neskovicu, Prilozi za biografiju, Beograd, Sluzbeni glasnik, 2011, e mora në Bibliotekë dhe e lexova të tërën, me qëllim që të marrë informata lidhur me çështjen e Preshevës dhe Bujanocit-Rrethi i Preshevës, sepse Neshkoviqi, më vitin 1945 ishte sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë dhe se në atë kohë ai me Kolishevskin kanë vendosur për fatin e Preshevës, ndërsa Neshkoviqi edhe pë fatin e Kosovës.
Biografi e shkurtër
Blagoje Neshkoviqi u lind më 1907 në Kragujevc. Kreu gjimnazin aty, Fakultetin e Medicinës, më 1933 në Beograd. Pjesëmarrës vullnetar i Luftës së Spanjës.
Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë /KQ PKS- më tutje në tekst/ prej vitit 1945 deri në vitin 1948. Neshkoviqi përjashtohet nga Partia dhe më 1982 kërkon rehabilitim, por asnjëherë nuk i jipet mundësia e rehabilimit nga udhëheqësia e Serbisë.
Për herë të parë u takua me Titon në Beograd, më 28 mars 1941.
E njihte Rankoviqin dhe e kishte pasur kumbar, takohet më vonë pas Plenumit të IV të Brioneve të vitit 1966, kur të dytë e humbin pushtetin partiak. Vdiq më 1984 në Beograd. U varros me nderime modeste.

Blagoje Neshkoviqi, çështjet nacionale dhe Kosova
Më vitin 1975, në intervistën me Vencesllav Glishiqin, Blagoje Neshkoviqi fol në një emision të Radio Beogradit edhe për Serbinë federative dhe përkufizimet e kufijve apo vijën e demarkacionit në mes të Serbisë me Kroacinë, me Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, për çështjet nacionale dhe çështje të tjera si dhe për Kosovën./f.41/
Blagoje Neshkoviqi, sekretar i KQ PK në Serbi, atëherë, nuk pajtohet me qëndrimet e Partisë së Jugosllavisë për shumë çështje, sidomos me çështjet nacionale, sidomos të pakicave kombëtare brenda Serbisë, sepse mendonte dhe e thonte atë haptas se ato ndikojnë negativisht dhe janë në dëm të popullit serb. Pikëpamjet e tij ishin kategorike dhe i mbeti besnik deri në fund të jetës partiake.
Neshkoviqi me këto qëndrime ishte i pakompromis, gjithmonë shprehte shovinizëm serbomadh. Shovinizmi i tij shprehej edhe në kundërshtimet që mbishkrimet në Beograd të jenë të shkruara me alfabetin latin./f.93,94/.
Sipas biografisë së Neshkoviqit, pas LDB, në kreun partiak të Jugosllavisë ishte planifikuar Federata në mes të Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë.Këtë ide e kundështoi shumë ashpër dhe kjo Federatë nuk u realizua.
Në një takim më Millovan Gjillasin, i cili e paska pyetur në emër të Titos, se a do të pranojë që Metohia t’i bashkangjitet Shqipërisë, ndërsa Mal i Zi t’i bashkangjitet Serbisë. Neshkoviqi këto propozime të Gjillasit kategorisht i refuzoi. Ashtu edhe ndodhi, as Kosova nuk iu bashkangjit Shqipërisë, e as Mal i Zi nuk iu bashkangjit Serbisë. Kështu e vendosi fatin e Kosovës Blagoje Neshkoviqi, sekretar i KQ PKS.
Neshkoviqi kishte fuqi partiake në Serbi dhe ai vendoste për shumë çështje jetike të Serbisë, por në dëm të Shqiptarëve, Rumunëve, Hungarezëve.
Neshkoviqi deklarohet, në këtë intervistë se në pyetjen e Titos për këtë çështje, ai reagoi shumë rreptë dhe me këtë u mbyll çështja e Rumunëve si dhe Serbia Lindore t’i bashkangjitet Rumunisë.
Poashtu Neshkoviqi reagoi ashpër në çështjen që i përmendi Tito lidhur me mos shpërnguljen e Hungarezëve nga Vojvodina. Neshkoviqi me udhëheqjen serbe qëndroi në pozitat se duhet të shpërngulen Hungarezët nga Vojvodina, sikur Gjermanët dhe në vend të tyre të sillen Serbët e Hungarisë në Vojvodinë.
Shovinizmin e madh e shprehu sidomos atëherë kur shokët e Komitetit krahinor të Kosovë e Metohisë diskutuan me Neshkoviqin lidhur me te që Krahina e Kosovë dhe Metohisë të fitojë Autonominë, përshkak të shumicës së popullatës shqiptare.
Neshkoviqi kishte reaguar ashpër dhe kishte thënë se Krahina e Kosovë dhe Metohisë duhet të jetë vetëm rreth i rëndomtë në kuadër të Serbisë. Pra ai vendosi fatin e Kosovës dhe të popullit shqiptar, sipas fjalëve të tij dhënë në intervistën e përmendur.
Gjatë vitit 1945, thuhet në libër, se në popullatën e Kosovë dhe Metohisë, Kreut të saj partiak ekzistone vullneti për zgjidhjen e çështjes së kësaj Krahine dhe bashkangjitjen e saj ndonjë shteti tjetër, gjegjësisht Shqipërisë/ autori/. Neshkoviqi përshkak të pikëpamjeve shoviniste ndaj Shqiptarëve, i tha shokëve të Komitetit krahinor, se Kosovë e Metohija do të jetë rreth në kuadër të Serbisë, bile kategorisht e hodhi poshtë idenë e kreut partiak të ish Jugosllavisë për Autonomi, duke i akuzuar Shqiptarët si fajtorë të luftës dhe se boll e kanë këtë rreth, bile edhe ajo është tepër dhe se çdo shprehje e pakënaqësisë së Shqiptarëve, të sankcionohet me shpërngulje të tyre për një shtet tjetër, thoshte Neshkoviqi. Sigurisht për Shqipëri./autori/
Poasht, atëherë Neshkoviqi, me çdo kusht, insistonte që Shqiptarëve mos t’i kthehej toka e konfiskuar dhe e dhënë kolonistëve serbë e malezezë në Kosovë, edhepse u patë marrë qëndrimi në Konferencën partiake krahinore, për kthimin e tokave.. Shtrohet pyetja: athua aq i fortë partiakisht ishte Neshkoviqi dhe të vendoste për të gjitha cështjet jetike të ish-Jugosllavisë. Bindja ime është se edhe disa kuadro partiake serbe e dëshironin dhe e përkrahën një gjë të tillë. Po e përmendim Rankoviqin e ndonjë tjetër./autori/
Poashtu ishin të njohura qëndrimet e tij centraliste, për te Jugosllavia duhet të ishte Republikë Federative e jo Federatë e Republikave. Decentralizimi i Jugosllavisë ndodhi pas vitit 1966, me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova fitoi Autominë, për të cilin Shqiptarët nuk ishin të kënaqur, por kërkonin Pavarësi.
Në përkufizimet kufitare me Malin e Zi, sipas Neshkoviqit nuk pati probleme, sepse dy rrethet, të Plavës dhe Bijello Pollës i takuan Malit të Zi, ndërsa 6 rrethe të tjera i mbeten Serbisë së atëhershme dhe të sotme./f.42/
Poashtu me Bosnën nuk pati probleme, mbeti kufiri i vjetër nga periudha e Austro-Hungarisë./f.42/
Probleme më të mëdha kufitare dolën me Kroacinë rreth Sremit dhe Maqedoninë rreth Manastirit Prohor Pcinjski. Bisedimet kufitare me Kroacinë atëherë i udhëhoqi Millovan Gjillasi, ndërsa me Maqedoninë, Lepa Peroviq. Komisionet morën parasysh kushtet e ndryshme, duke filluar nga përbërja etnikë e popullatës, kur ishte vullneti i shprehur i populltës shqiptare nuk u përfill na Neshkoviqi,deri te kushtet historike, ekonomike dhe gjeografike në hapësirat kontestuese. Maqedonia, përshkak se në Prohor Pcnjski mbajti më 1943, Mbledhjen e Parë të ASNOM-it, kërkonte që Manastiri dhe territori rreth tij t’i takonte Maqedonisë. Neshkoviqi nuk u pajtua me këtë ide dhe organizoi deklarimin e popullatës lokale, të cilët u deklaruan Serbë. Edhe në mbështetje të këtij deklarimi dhe punës së Komisionit, Neshkoviqi e informoi Lazar Kolishevskin se ky territor nuk mund t’i takojë Maqedonisë. Kështu Prohor Pçinjski iu bashkangjit Serbisë, në komunën e Bujanocit së sotme. Këtë kohë ndodhi edhe bashkangjitja e Preshevës Republikës së Serbisë.
Blagoje Neshkoviqi, Rrethi i Preshevës dhe vullneti i popullatës shqiptare
Përkah organizimi administrativo-territorial e politik në Mbretërine e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve të vitit 1925, Rrethi i Preshevës i takonte Qarkut të Kumanovës, Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup.
Kjo ndarje administrative, territoriale e politike e Rrethit të Preshevës vazhdoi edhe në Mbretërinë Jugosllave të vitit 1931 deri më vitin 1947, atëherë kur Rrethi i Preshevë në mënyrë arbitrare iu bashkangjitë Republikës Popullore të Serbisë, duke u sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1947, në qeverisje herë nga Rrethi i Bujanocit, Vranjës e herë nga ai i Leskocit.
Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te, me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të saja dhe aty këta, me insistimin e udhëheqësve partiakë serbë dhe disa shqiptarë u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.
Pra, ky ishte ai “plebishiti gjithëpopullor” i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë apo të Serbisë u kurdis fati i Preshevës,që të mbetet në Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit.
Skënder latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f. 90, shkruan : “Neshkoviqi dhe Kolishevski vendosën për fatin e Preshevës dhe Bujanocit të mbeten në Serbi”.
Kështu Presheva, në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Në mbështetje të disa rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet qartë se edhe atëherë klasa politke shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga komunistët e atëhershëm donin mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të vazhdohet me Maqedoninë, ndër ta ishte Abdullah Krashnica.
Më 1946, organet partike të ish-Jugosllavisë e detyruan Komitetin e Preshevës, që të shkruajë kërkesë zyrtare dhe t’ i drejtohet KQ të PK të Jugosllavisë, se Presheva është deklaruar më 1945 për bashkangjitje Serbisë. Këtë vit, KQ i PKJ formon komisionin në përbërje : Andrea Hembrang, Stevan Doronjski dhe Radosavleviq, të cilët nuk zbresin në Preshevë, për ta diskutuar dhe pyetur udhëheqsinë partiake të Preshevës, por edhe popullatën shumicë shqiptare, por mbeten në Vranjë dhe ku e morën raportimin e sekretarit të Komitetit të Preshevës, Selim Selimit, i cili raporton se Presheva është deklaruar që t’i bashkangjitet Serbisë. Në emër të Komisionit, Stevan Doronjski shkon në Shkup dhe në bisedë me Lazar Kolishevskin, e njohton ate me vendimet e Komisionit dhe arrihet marrëveshja që Presheva të shkëputet nga Banovina e Vardarit, Maqedonisë dhe t’i bashkangjitet Serbisë. Kështu edhe ndodhi.
Selim Selimi në librin e tij thotë: “Referendumi për t’u shprehur vullneti i popullit nuk është mbajtur, por në një tubim më 1945, në sallën e kinemasë u mblodhën përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve dhe u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë”. Edhepse nuk ishte ai që vendosi për fatin e Preshevës, Selim Selimi e arsyeton këtë akt me zhvillueshmërinë më të madhe të Serbisë dhe me atë se Shqiptarët e Preshevës gëzuan më shumë të drejta se Shqiptarët e Maqedonisë.
Abdullah Krashnica i mbeti besnik idesë që Presheva duhet të mbetet me Maqedoninë, bile e përkrahu edhe idenë e atdhetarëve të Rezistencës shqiptare në Luginë të Preshevës dhe Parisë së Preshevës, që Presheva t’i bashkohet Kosovës.
Ali Aliu në librin e Skënder Latifit, Përtej ferrit, Preshevë, 2008, f. 14, thotë : “… Abdullah Krashnica u përgjigj: Edhe unë e di mirë këtë çështje dhe jam i informuar për të gjitha çka po ndodh në popull dhe çka mendon e dëshiron, por tani kjo është e pamundur, sepse kjo gryka jonë e lidh Serbinë përmes Shkupit me Selanikun. Për ne, do t’ishte më mirë të mbeteshim me Maqedonin, pasi Shkupin e kemi më afër dhe lidhemi me popullsinë tonë”.
Abdullah Krashnica e kishte me dije rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit për sferat e interesit dhe globalizmit botëror. Andaj e pati shumë të qartë se këto dy Lugina/e Preshevës dhe e Shkupit/ duhet të popullohen me popullatë shqiptare, për të krijuar elementin dominues shqiptar. Këtë e mundësonte vetëm mbetja e Luginës së Preshevës me Maqedoninën, gjegjësisht Presheva në Banovinën e Vardarit, e cila do të krijonte mundësi për një shumicë shqiptare përgjatë Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit.Është e njohur teza e studiuesve serbë, se kush e mbizotëron Fushëgropën e Preshevës dhe të Shkupit, e sundon Ballkanin.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në fillim të vitit 1945, Shqiptarët e Preshevës u ndan sërish nga tërësia e popullatës shqiptare të Kosovës dhe nga ajo e Maqedonisë, për të mbetur Presheva qendër rrethi në fillim, ndërsa më vonë qendër komunale në kuadër të Serbisë. Në asnjë prej shteteve të deritashme, Shqiptarët e Preshevës nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin, në përbërjen e të cilit shtet apo njësi administrative duan të jetojnë.
Me Ligjin mbi ndarjen administrative të RP të Serbisë të 18 prillit 1947(Fletorja zyrtare RPS, nr. 17/1947), u caktuan njësi administrative-territoriale: rrethet, qytetet dhe rajonet e qyteteve. Me këtë ligj Preshevës i merret e drejta të jetë rreth si përpara, kështu nga viti 1947, Presheva i takon herë rrethit të Bujanocit, herë rrethit të Vranjës, herë bashkësisë ndërkomunale në Leskoc dhe në fund rrethit të Pçinjës. Kjo ndodhi, sepse rrethet ishin drejtpërdrejte të lidhura me pushtetin qendror, ndërsa komunat me rrethet. Preshevës ia morën të drejtën e rrethit që të mos ketë lidhje me qendrën, por të qeveriset nga Bujanoci, Vranja, Leskoci.
Më 1947, komunës së Preshevës i bashkangjiten edhe këto fshatra: Staneci, Seferi, Buhiçi, Caravajka, Peçena, Buhiçi, Depca, Maxherja dhe Ranatoci, të cilat i takonin komunës së Gjilanit, si dhe fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot brenda komunës së Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin me Ranillug të Kosovës, sikundër që edhe fshatrat Zarbincë dhe Pribovc (sot brenda komunës së Bujanocit) në vitet 1947-1949 ishin pjesë e Kosovës, vetëm e vetëm për ta zvogëluar popullatën shqiptare në Kosovë.
Fshatrat German, Nerav,Ogut dhe Metezhevo ishin të banuara me popullatë të pastër serbe në komunën e Kriva Pallankës.. Ende është e paqartë dhe nuk mund të vërtetohet cilët ishin shkaqet që pas LDB disa nga këto fshatra iu bashkangjitën Kriva Pallankës dhe Maqedonisë.Banorët e këtyre fshatrave pas LDB-së disa herë kërkuan t’i bashkaqngjiten Serbisë.Shumë prej nënshkruesve serbë të peticioneve dhe kërkesave, pushteti maqedon i burgosi dhe i torturoi.
Me kërkesat e banorëve të këtyre fshatrave në fjalë u mor edhe qeveria e atëhershme e Jugosllavisë, e cila më 16 mars 1948 formoi Komision të posaçëm për zgjidhjen e këtyre problemeve, në përbërje të Lepa Peroviq, Radovan Stijaçiq, Millovan Batanoviq dhe Bora Pekevski. Ndërsa për kërkesat e Shqiptarëve, qeveria e Jugosllavisë asnjëherë nuk i mori parasysh edhepse u formua Komisioni me Hebrangun në krye, por për t’i shuar kërkesat e Shqiptarëve të rrethit të Preshevës dhe për t’i bashkangjitur me Serbinë.
Komisioni i përmendur aq larg e çoi punën dhe kërkesat e banorëve të këtyre fshatrave sa që i pranoi edhe kërkesat e Mëhallave të disa fshatrave. Kështu fshatrat Nerav dhe German, me popullatë shumicë serbe, i u bashkangjitën Serbisë, ndërsa Mëhalla e Mesme e fshatit German, përshkak të popullatës shumicë maqedonase mbeti në Maqedoni. Poashtu edhe fshatrat Ogut dhe Metezhevo mbeten në Maqedoni, pos një Mëhallë e Ogutit, me popullatë shumicë serbe t’i bashkangjitet Serbisë.
Kështu banorët e fshatrave që mbeten në Maqedoni, për 50 vjet jetë në Maqedoni i ndërruan mbiemrat prej viq në ski, ndërsa mbiemrat e paraardhësve mbetën me viq.
Poashtu më 12 shtator 1946, Qeveria e Maqedonisë dërgoi letër Qeverisë së Jugosllavisë ku dha mendimin që 11 fshatra të Këshillit Popullor të Gjeneral Jankoviqit /Elez Hani-autori/ ti bashkangjiten Këshillit Popullor të Gjorgje Petrovit, kërkesë që u realizua.
“Nuk thuhet gjë e re nëse themi se ndarjet e territorit etnodemografik të shqiptarëve deri në ditët tona kanë qenë të imponuara e të dhunshme dhe të shoqëruara me tragjedi të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj. Hapësirat shqiptare të tri komunave Medvegjë, Bujanoc, Preshevë bëjnë pjesë në tërësitë e mëdha etnogjeografike ku përfshihen dhe rajonet e Gallapit dhe të Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës të lidhur pashkëputshëm me Luginën e Kumanovës- Shkupit dhe zonën e Karadakut që sot ndodhet në Maqedoni. Madhësia e territorit të Kosovës prej 10.887 km² dhe kufijtë e sotëm të saj u kornizuan herën e fundit jo në vitin 1956, po më 1958. Deri në këtë vit Kosova kishte një territor prej 10.690 km², ndërsa në vitin 1958 sipërfaqja e saj u rrit për 197 km² dhe madhësia e sotme territoriale më nuk ndryshoi. Nga krahasimi i hartave të viteve 1948-1958 shihet qartë se ndryshime ka pasur vetëm në pjesën veriore të Kosovës Në vitin 1958 ka ndodhur ky ndryshim: Serbia ia marrë rrethit të Rashkës 197 km² dhe bashkuar ato komunës së Leposaviqit në rrethin e Mitrovicës, duke ia “dhënë” atë sipërfaqe Kosovës brenda Serbisë. Në këtë mënyrë numri i vendbanimeve të Kosovës është rritur për 49 (nga 1.389 pas Luftës në 1.438 më 1958). Nuk është këtu fjala për kurrfarë këmbimi territoresh me Preshevën apo Bujanocin, siç flasin të painformuarit. “Dhurimi” i tillë kishte për qëllim që Leposaviqi si komunë të zgjerohej territorialisht dhe në pikëpamje etnodemografike, të rritej numri i serbëve edhe në këtë komunë, edhe në Kosovë; përveç tri fshatrave shqiptare, në këtë komunë të gjitha vendbanimet e tjera ishin serbe dhe sot e gjithë ditën janë serbe. Këto ndryshime territorialeadministrative u përligjën edhe me akte përkatëse juridike, të cilat mund të gjenden në dokumentacionin e ish-Këshillit Krahinor të Kosovë-Metohisë.
E gjithë historia e Luginës së Preshevës ka qenë pjesë e historisë së hapësirës së Kosovës në vazhdimësi. Pjesëmarrja aktive në lëvizjet e dekadave të fundit është zhvilluar në po atë horizont, përfshirë Referendumin e vitit 1992 për bashkim me Kosovën, Luftën në Kosovë, vazhdimin në Maqedoni e në vetë Luginën e Preshevës.” shkruan Akademik Hivzi Islami në Diskutimet për Kosovën dhe Kosovën Lindore, Prishtinë, Koha ditore, më 21.12.2011.

_____________________
Referencat:
1. Vencesllav Glishiq, Dosja e Blagoje Neshkoviqit, Shtesë për biografi, Beograd, Fletorja zyrtare, 2011/Venceslav Glisic, Dosije o Blagoju Neskovicu, Prilozi za biografiju, Beograd, Sluzbeni glasnik, 2011
2. Akademik Hivzi Islami, Diskutimet për Kosovën dhe Kosovën Lindore, Prishtinë, Koha ditore, më 21.12.2011/
3. Skënder Latifit, Përtej ferrit /Bisedë me Ali Aliun/, Preshevë, 2008
4. Selim Selimi, Kohë e sfidave historike, Preshevë, 1995
5. Xhemaledin Salihu, Përfaqsimi i Shqiptarëve të rrethit të Preshevës në organet dhe institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-1947, Presheva.com, gusht 2010
6. Administrativno-teritorijalne promene u NR Srbiji od 1834-1954.godine, Beograd, Zavod za statistiku, maj 1955. godine.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura