DR.JAKUP KRASNIQI: “Ç’DUHET TË BËJNË SHQIPËTARËT PËR TË PARË DITË TË BARDHA”?

Prishtinë, 30. 07. 2015 – Me këtë titull para 111 vitesh në Gazetën “Drita” të Sofjes me 11 shkurt të vitit 1905, me autor, një mëmëdhetar (pa emrin e autorit), është shkruar ky artikull që edhe sot, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, ruan nota të fuqishme aktualiteti e porosie. Që në fjalinë e parë, autori konstaton se: “Për të arrirë njeriu ose një komb një qëllim të vogël më të lartë duhet: gjyq, vendim dhe guxim”(1). Edhe sot, pas kaq vitesh shqiptarëve po u duhet shteti i së drejtës të cilin nuk po e arrijmë dot pa marrë një vendim të guximshëm për të parë kombi “Ditë të bardha”. Autori gjithashtu ishte i bindur se ai njeri apo komb që i përdor këto mjete, ai njeri a komb do të ketë mbarësi e lumturi.(2) Autori e kishte bindjen se njeriu a kombi i fjetur që nuk e përdorë gjyqësinë, ai nuk mund të vendos për asgjë, pasi aty ku nuk ka gjyq, nuk ka as vendim e as guxim(3) njerëzor e intelektual.
Autori edhe para 111 viteve ishte i bindur se shqiptarët e rrethuar me armiq, kishin nevojë edhe për miq (aleatë), por para se të kërkonin ndihmën e miqve, ata mos të pandehin se miqtë do tua kryejnë obligimin për ngjalljen e përparimin e kombit, pasi ngjallja e kombit nuk është çështje që eksportohet. Ai ishte i bindur se “shqiptarët vetë për vetëhen’ e tyre duhet të ndjejnë ca nevoja të mëdha që kanë, pa të cilat kurrë do të mos mundin të ngrënë kokënë përpjetë edhe kur të nisinë punënë vetë, si të shohin miqtë të vërtetë se kërkojnë të drejta për mbrodhësin’ e tyre edhe për të shpëtuarë nga fatkeqësia, pa fjalë ata do të shtrinjë dorënë ndihmëse edhe pa pendëhurë qëllimet të lartërë munt të mbushenë(4)”. Por, gjithnjë sipas autorit të kohës, nevoja më e madhe e kohës ishte: bashkimi i shqiptarëve për çlirim kombëtar. Pasi ai ishte i bindur se kudo në botë ku ishin arritur qëllime të larta, ato asnjëherë nuk ishin realizuar pa u arritur paraprakisht një bashkim i fuqishëm për liri, zhvillim e progres.(5) Ketë konstatim te autorit të nënshkruar pa emrin e vërtetë, por vetëm si një mëmëdhetar, e ka dëshmuar katërçipërisht edhe historia e jonë më e re. Sikur mos të bashkohej populli ynë rreth Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës të udhëhequr nga SHP e Komandanti Legjendar, Adem Jashari, nuk do të pasonte ndihma nga NATO, SHBA-të e BE-ja. Lirinë e çlirimin askush askujt kurrë nuk ia kanë servirur në pjatë. Por për të arritur çlirimin u deshtë të çliroheshim nga frika dhe të merrej vendimi i guximshëm për të luftuar armikun e egër. Ajo orë, kur u mur ky vendim, është më shumë se historike.

Autori i shkrimit në fjalë ishte i bindur se koha kishte ardhur për punë e angazhime mëmëdhetare, prandaj kërkonte nga çdo shqiptar që të veproj, jo për të rrëmbyer nishane (dje tituj e grada) e sot ndonjë çmim prestigjioz, por ishte/është koha e vendimeve të mëdha që e lartësojnë dhe e nderojnë atdheun dhe kombin. Si ata që para më shumë se një shekulli që me trimëri e vendosmëri i vuan gjokset para vdekjes, ashtu edhe ushtarët e UÇK-së pas gati një shekulli i vuan gjokset e tyre në mbrojtje të të drejtave e lirive të kombit. Kjo ishte rruga që para një shekulli ia solli “ditët e bardha” Shqipërisë, ndërsa Kosovës pas gati një shekulli. E përbashkëta e te dy ngjarjeve të mëdha ishte, vlerësimi i drejtë i situatës dhe marrja e vendimeve të guximshme e në kohën e duhur.
Ngecjen e shqiptarëve në raport më të tjerët autori anonim e shihte te mungesa e shkollave, të cilat i shihte si vatra të dijës, të përparimit e të zhvillimit. Dhe më të drejtë autori konstatonte, se dijet duhet të merren në gjuhën e vendit, pasi ato vetëm ashtu më shpejtë zgjeroheshin dhe më të drejtë kërkonte shtrirjen e shkollave (skolive) në gjithë vendin (6). Sot është fatbardhësi që vendi dhe kombi ynë nuk ka nevojë për shtrirjen e shkollave, por ka nevojë, bile edhe shumë, që në shkollat e universitetet tona të merren dijet e standardeve të kohës. Gjendja e përgjithshme e kishte shtyrë autorin e para 111 viteve që të vinte te një konstatim tepër realist se: “kurrë nuk është vonë për të vendosur një qilim të mirë”(7). Përveç dijes, gjykimit të drejtë, vendimit e guximit, autori ngjalljen e kombit, siç thotë ai, zgjimi nga “gjumi i vdekjes” janë: “bashkimi, dashuria dhe vëllazëria”(8). Pra, kurrë nuk është vonë të zgjohemi!
Autori anonim, një pengesë të madhe, diçka që e helmonte shoqërinë shqiptare, dje nga shkronjësit e ndryshëm, ishte gjuha e ashpër dhe helmuese që përdornin mesdhetarët në komunikimet mes tyre(9). Ky fenomen, dje ishte i shtrirë të shkronjësit mëmëdhetarë, sigurisht, jo në përmasat e kohës sonë. Sot komunikimi në qarqe intelektuale e sidomos në ato politike është tepër fyes e denigrues, veçmas të përfaqësuesit e kombit te të dy Kuvendeve shqiptare (Shqipëri e Kosovë), “ku të gjithë shqiptarët janë kriminel”?! Në pjesën e fundit të shkrimit autori, në formë pyetje konstaton: “A do të jesh i dobishëm për vete dhe për kombin, ruaj nderin edhe tyt vëllai?” Në kohën tonë, secili po mendon vetëm për veten e vet, për nderin e virtytin e vet, i pat apo nuk i pat ato?! Mëmëdhetari kërkonte nga shkronjësit e kohës (në mesin e të cilëve kishte edhe grindavecë), mendimtarët e Rilindjes që ta “udhëhiqnin kombin në bashkim, dashuri e vëllazëri”(10). Nuk ka asnjë dyshim se rilindësit i çuan shqiptarët drejtë Evropës dhe pavarësisë, por ku mbeten ata vizionarët e shqiptarizmës pas pavarësisë? Pse vendi mbeti në duart e bejlerëve të sojit të Esat Toptanit? Kjo pyetje kërkon përgjigje adekuate edhe sot. E Kundërta nuk na duhen edhe sot, pas 111 viteve, dashuria njerëzore, vëllazërimi e bashkimi i të gjitha energjive për të dalë nga rrethi vicioz i prapambeturisë? Aty ku na futën armiqtë e egër, por jo edhe pa kontributin e shqiptarëve tanë.
__________________
1. Universiteti I Tiranës, Instituti I Historisë dhe I Gjuhësisë: Mendimi politik e shoqëror I Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Mihajl Duri”. Tiranë 1971, faqe 186.
2. Po aty.
3. Po aty.
4. Po aty, faqe 187.
5. Po aty.
6. Po aty, faqe 188
7. Po aty.
8. Po aty.
9. Po aty faqe 189.
10. Po aty.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura