GANI QARRI: TUBIM SHEMBULLOR DHE PËRURIME FESTIVE NË SOLOTHURN TË ZVICRËS

Zürich, 05. 12. 2013 – Në shenjë nderimi të 28 nëntorit, ditës së Flamurit kombëtar dhe 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nga Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, më 24 Nëntor 2013, në Langendorf të Solothurnit, në pranin e një numri të madh pjesëmarrësish u organizua një manifestim shembullor festiv.
Në këtë tubim të mirë’organizuar u përuruan edhe veprat e disa autorëve të pranishëm, si nga autorja Luljeta Selimi, libri tanimë i njohur, në vend dhe jashtë tij, me titull: “Rrëfime tronditëse…”, Lebit Murtishi, Poezi dhe dy monodrama; si dhe librat e autorit të këtyre rreshtave: “Mallkim shekujsh”-poezi, “Krijuesit e Historisë” dhe “Vrasje Idealesh” në prozë, shitjen e të cilave ia dedikoi Shoqatës Humanitare, “Jeta në Kastriot” nën udhëheqjen e zonjës Luljeta Selimi.

 Përveç pjesëmarrjes së mërgimtarëve nga të gjitha anët e Zvicrës, mysafire speciale e këtij manifestimi, nga Kosova, kësaj radhe ishte autorja e librit: “Rrëfime tronditëse” zonja Selimi, kurse nga Gjermania z. Sheradin Berisha, përfaqësues të ambasadës së Kosovës me seli në Bernë, publicist e dashamir të artit si dhe solist të dalluar në mërgim.
Manifestimi u hap me ekzekutimin e Himnit Kombëtar, pas të cilit përshëndetjen e mysafirëve me një fjalë rasti e udhëhoqi Kryetari i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, z.Abas Fejzullahi, kurse për veprimtarinë dhe aktivitetet e Bashkësisë sonë (BISHZ) foli Dr.Sc.Ahmet Xhigoli.
Një nderim i veçantë iu bë mysafires nga Kosova, zonjës Luljeta Selimi, me ç`rast, përveç solidarizimit me aktivitetin e saj humanitar, u përgatitën edhe disa vështrime për librin e saj, i cili u përurua dy herë – brenda dy ditësh, më 24 nëntor në Langendorf pranë Soloturnit dhe më 25 nëntor në lokalet e Bibliotekës Shqiptare në Cyrih.
Tubimi përveç fjalimeve, pjesëve letraro-publicistike, pyetjeve e përgjigjeve dhe diskutimeve, u shoqërua edhe me këngë e valle të zgjedhura si dhe u përshëndet nga zëvendës-ambasadori i Kosovës në Zvicër M. Xhemajli, i cili kishte ardhur enkas nga Berna për nderimin e këtij manifestimi.
Përveç aktiviteteve përuruese,Bashkimi i Intelektualve Shqiptar në Zvicër, përkatësisht Kryetari, Abas Fejzullahi,në këtë tubim ndau edhe disa mirnjohje për aktivistët e dalluar, për të vijuar me pika të zgjedhura muzikore,njohjes në mes të mysafirëve dhe bisedave shoqërore. Për fund ishte përgatitur edhe një darkë solemne me ushqime tradicionale shqiptare,të cilat i kënaqën të pranishmit e shumtë në këtë tubim.
Ndaj të gjithë pjesëmarrësit ishin të mendimit se tubime të tilla në frymë kombëtare duhet të mbahen më shpesh,me gjithë punën e madhe dhe angazhimet e shumta që ato kërkojnë. Për organizime si këto,dhe punën e palodhshme që vazhdimisht bëjnë, në kuadër të Bashkimit të Intelektualve Shqiptar,në mënyrë të veçantë duhet falënderuar Kryetarin z. Abas Fejzullahi si dhe Dr.sci.Ahmet Xhigoli, aktivist të palodhur shumëvjeqar të këtij Bashkimi.
Një manifestim i tillë shembullor do të mbahet mend gjatë, si për organizimin e mirë ashtu edhe për mbarëvajtjen e tij. Ndaj urojmë që tubime si këto, të jenë më të shpeshta dhe të kalojnë në atmosferë sa më festive, edhe në të ardhmen nga të gjithë mërgimtarët të cilët vërtetë me trup e punë, janë në vende të huaja, por me shpirt dhe zemër, mbeten përherë në atdheun e tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura