HILMI GASHI: A ËSHTË DOBËSUAR ‘MUSKULATURA’ EUROPIANE?!

Pashtriku.org, 07. 12. 2013 – Bashkimi Europian i cili në vitet e 1950-ta mori nisjen e vet me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe të Çelikut dhe me Traktatet e Romës, për burrështetasit që atëherë e çonin këtë nismë përpara, nuk ishte vetëm një projekt shprehimisht ekonomik, por në vijë të parë një projekt politik. Ishte konsekuenca që ata kishin nxjerrë nga historia e Europës në gjysmën e parë të shekullit 20’të.
Një motiv i rëndësishëm krahas përfshirjes së Gjermanisë ishte edhe tejkalimi i nacionalizmit me qëllim të përafrimit të shteteve, të cilat më herët kishin qëndrime armiqësore ndaj njëra tjetrës. Ky motiv nga koha e themelimit të BE-së duket ndërkohë të ketë rënë në harresë, me gjasë sepse mendohet se problemet e atëhershme të jenë të tejkaluara.
Sot legjitimiteti i problemit të BE-së i ka dy aspekte të ndryshme: apatia, e cila para pak vitesh çoi në një dalje të ulët të europianëve në zgjedhjet për Parlamentin Europian, e që ishte një reflektim i frustrimeve nga gjendja në të cilën ka ardhur BE-ja viteve të fundit, dhe euroskepticizmi i madh, që ka ardhur për shkak të bindjes së krijuar se BE-ja nuk është e aftë të gjejë zgjidhje, por është vetë pjesë e krizës.

 Ku ndodhet sot Bashkimi Europian?
Kriza ekonomike dhe financiare po e tronditin Europën me papunësinë e lartë, pensionet e pasigurta dhe pasigurinë. Shumë analistë mendojnë se europianët tashmë nuk janë më euforikë. Europianët po humbasin besimin tek BE-ja dhe institucionet e saj, ky është përfundimi i një studim i publikuar së fundi.
Qytetarët e BE-së shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për vendet e punës dhe pensionet e tyre. Ata zhgënjehen nëse u krijohet përshtypja, se zëri i tyre nuk dëgjohet në institucionet e BE-së. Demonstrata, protesta dhe dhuna janë shprehje e qëndrimit të popullsisë së velur prej politikës.
Baza për këtë bashkëjetesë brenda BE-së janë diversiteti kulturor, angazhimi i madh për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe vlerat e përbashkëta. Por në kohë të tilla kur duket se stabiliteti po lëkundet ka vetëm dy mundësi: ose të gjithë humbasin, ose të gjithë bashkë bëhen fitues.
Duke marrë për bazë gravitetin e krizës ekonomike, është koha që BE-ja të dëshmojë forcën e saj. Jo t’iu thuhet euroskeptikëve se BE-ja e fortë është e rëndësishme, por të binden se BE-ja mund të sfidojë të gjitha krizat, me të cilat ballafaqohen evropianët.
A ka mjaftueshmërisht Europë të Bashkuar?!
Në një botë, ku Kina dhe India po shtojnë rolin e tyre ndikues në shumë çështje, nuk ka shume kohë që njerëzve t’iu mbushet mendja se BE-ja duhet të jetë më e fuqishme. Por BE-ja duhet të tregojë se ka një lidership të vendosur për zgjidhjen e krizave të fundit globale.
Duhet pranuar se muskulatura evropiane tashmë është dobësuar paksa në rrugëtimin e saj të konsolidimit, dhe dallimet e mëdha mes vendeve të BE-së vërehen dita ditës sidomos atëherë kur bëhet fjalë për zgjerimin e saj të mëtutjeshëm.
Herë kemi shumë Europë, e herë tjetër shumë pak Europë, e për të thënë me fjalë të tjera, shumë vende europiane janë të përfaqësuara në forumet kryesore të botës, me shumë zëra më vete. Në këmbim të kësaj, nëse shprehemi në gjuhën e peshës dhe ndikimit specifik, nuk ka mjaftueshmërisht Europë të Bashkuar.
Dallimi mes dy kontinenteve “Po, mundemi” dhe “Po, ka gjasa të ndodh”
Le të jemi të arsyeshëm: pa as me të voglin dyshim, Shtetet Bashkuara të Amerikës as që mund të krahasohen me një Bashkim që mbetet gjithnjë e më larg së shndërruari në Shtetet e Bashkuara të Europës. Nëse marrim në shqyrtim dy anët e Atlantikut – mes kontinentit “Po, mundemi” dhe të kontinentit “Po, ka gjasa të ndodhë”, dallimet janë shumë të mëdha, e për këto arsye, shumë europianë i shmangën çdo lloj përballjeje apo diskutimi për këtë çështje.
Thjeshtë, mungon diçka që ta mëshirojë vetë Bashkimin Europian. Për pasojë, ka më pak “Bashkim” në Europë dhe më pak Europë në botë. Sot Europa është e pranishme si një aktore ekonomike, por jo si një aktore politike e ndërkombëtare. Ndaj, një zë i njësuar europian në institucionet multilaterale do të bënte që të dukej me e qenësishme së kurrë.
Siç edhe europianët kërkojnë, me qëllim që të vendosin në vend besimin dhe sigurinë e humbur në vetën e tyre, në krenarinë dhe shpresën e të gjithëve bashkë, ata duhet të përfitojnë nga rasti që të bëjnë rregullimet dhe përputhjet e nevojshme në sistemin multilateral të shfaqur prej tyre.
Duhet ta bëjnë këtë edhe në kërkim të virtyteve që përfaqësojnë. Në një botë të tillë globale, vetëm kështu një Europë e bashkuar, do të jetë ajo Europë, e cila do të ketë sy e veshë në një fytyrë të vetme, pra, të shprehet e shfaqet si një e tërë.

……………………….

The European Union – Soviet Union II?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura