BEJTULLAH KRASNIQI: KOSOVA, PARADOKSI YNË QË NUK FALET!

Prizren, 10. 01. 2014 – Zhvillimi i shoqërisë njerëzore nëpër etapa të ndryshme ka përjetuar rënie dhe ngritje nga më të ndryshmet. Janë ngrit e kanë rënë, herë një popull e një kulturë, e herë një tjetër. Kanë jetuar e sunduar liderë e udhëheqës, diktatorë e tiran. Herë kanë parë e përjetuar më shumë zullum e herë më pak shtypje, por nuk ma thotë mendja se kanë parë paradokse çfarë po sheh e përjeton ‘epoka’ jonë. Të gjitha këto më silleshin ndër mend derisa po e pija kafenë time të paradites (që më shumë i ngjante djersës së zezakut) në sheshin shatërvan, përball katër krojeve që datojnë nga koha e osmanlive. Pasi e morra dozën e zakonshme të ‘helmit’ nga gazetat, mendja më fluturoi nëpër kohë. Cila gjeneratë ka pasur fatin të jetojë kohë më të bujshme se kjo e jona? Kemi përjetuar Masakrën e Tivarit, shpërnguljet masive për në Turqi, demonstratat e ’68-ës, që na sollën një frymëmarrje më të lehtë. Pastaj demonstratat e ’81-ës, që tronditën themelet e një mini perandorie artificiale, pamë e përjetuam luftën e fundit që nxori nga sarkofagu Drakullën e etur për gjak të fëmijëve.
Megjithatë, kjo gjeneratë pa dhe ishte dëshmitare edhe e shumë sukseseve kombëtare; pamë se si i mbijetuam të gjitha kurtheve për eliminimin fizik nga këto hapësira, dhe kjo është e bukur, përjetuam themelimin dhe veprën e UÇK-së, projekti më madhështor në 2000 vjetët e fundit, e jetuam çlirimin e këtij vendi, e përjetuam shpalljen e Pavarësisë së Kosovës që ishte ëndërr e shumë brezave para nesh. Vetëm zemrat më të qëndrueshme kanë mundur t’i përballojnë këto batica e zbatica që përjetoi brezi ynë. Dhe tani, mozaiku i skicuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dalë-ngadalë po plotësohet, por shumë ngadalë!

Prizren (Sheshi Shatërvan), 31. 12. 2013: përball katër krojeve në shesh, Berat Batiu – botues i revistes ‘Fidani’, Bejtullah Krasniqi – mësimdhënës, poet dhe publicist dhe Sh.Berisha, kryeredaktor i portalit www.pashtriku.org.

___________________

Koha tashmë është ftohur dhe, edhe në qytetin më të ngrohtë të vendit nuk rrihet jashtë. Ne, ‘meraklitë’ e kafës, gazetës dhe cigares, jemi ulur në tarracat me tavolina të mbuluara me shtrez, që nga lagështia e natës e kishte krijuar acari i mëngjesit. Brenda lokaleve nuk mund të hynim, meqë ligji e ndalon duhanin. Çfarë paradoksi! Pamje të ndryshme vazhdojnë të parakalojnë në mendjen time si në vegim.
* * *
Ministria e Shëndetësisë, sikur i ka rregulluar të gjitha problemet që e rëndojnë këtë lami, tani i ka mbetur vetëm duhani! Shërimi i pacientëve me sëmundje malinje mbetet vetëm dëshirë, por nuk intervenohet as aty ku ka mundësi. Reparti i kardiologjisë vazhdimisht i ka aparaturat e prishura, ndërsa në spitale private kurrë nuk prishen! Mjekët refuzojnë të shkojnë në sallë të operacionit sepse, ta zëmë sot nuk janë në qejf, duhet intervenimi policor! Mjekë apo kriminel janë këta?! Për mungesë të kujdesit mjekësor kanë vdekur foshnja të porsalindura! Mjekët kapen në flagrancë duke marrë ryshfet…
Skandali që plasi së fundmi rreth blerjes së provimeve në Fakultetin e Mjekësisë është krim mbi krime. Para atyre mjekëve me provime të blera, nesër do të shtrihemi në tavolinën e operacionit!!! Situatë e njëjtë është edhe në fakultetet tjera, porse ato ende po arrijnë t’i mbajnë portat të mbyllura me shul.
Tregu farmaceutik, kineastëve iu ofron material për serial qindra episodesh. Kompanitë farmaceutike, herë na helmojnë me barëra pa afat, herë me barëra që vijnë nga prodhues anonim e herë me barëra bartëse bakteriesh të prodhuara nëpër bodrumet tona ilegale. Të gjitha këto që u thanë më lartë, ministrit nuk i bëjnë përshtypje, madje as mungesa e sigurimeve shëndetësore. Në kohën kur substancat narkotike vrasëse kanë depërtuar edhe nëpër shkolla fillore, ministri e ka prioritet ndalimin e duhanit!!! Paradokse, paradokse.
* * *
Njësojë si në Ministrinë e Shëndetësisë, paradokset vargohen edhe në resorët tjerë të Qeverisë sonë. Ja, ta zëmë sistemin arsimor; për një vend pune konkurrojnë me dhjetëra kandidat, të gjithë të diplomuar, madje shumë prej tyre me titull master. Por, kot e kemi, arsimi ynë mbetet ndër më të dobëtit në rajon e më gjerë. Askush nuk pyet se ku dhe si i marrin këto diploma këta njerëz. Kush na i përgatit kuadrot në duart e të cilëve po mbetet e ardhmja jonë. Programi për avancimin e arsimtarëve pa shkëputje nga puna, si duket është ideuar për miqtë e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Aty marrin diploma: kuzhinier, policë, zjarrfikës, marangozë… të gjithë këta janë në moshë të shtyrë dhe posa të diplomojnë (e këtë e kanë të sigurt) kërkojnë të punësohen në arsim. Shumë prej tyre e vazhdojnë edhe për masteri. Edhepse një numër i konsiderueshëm i këtyre vijuesve nuk dinë të flasin shqip, diplomat do ti marrin se kanë kryer fakultet në gjuhën shqipe!!!
Ligji, në vendin tonë të paradokseve, nuk e lejon një arsimtar me shkollë të lartë, të emërohet drejtor i një kolektivi me 10-15 arsimtarë, Në anën tjetër, ligji lejon që të emërohet një ambasador në SHBA me përgatitje shkollore të mesme.!!!
* * *
Paradokset tona nuk kanë të ndalur.
Baseni më i madh në Evropë i thëngjillit është pikërisht në Kosovë, ndërsa ne e paguajmë rrymën më të shtrenjtë, edhepse reduktimet vazhdojnë edhe 15 vjet pas lufte. Një miku im, duke dashur të mburret me pasurit natyrore që i ka Kosova, një të huaji që punonte në Kosovë i kishte thënë:
– Ne kemi rezervat më të mëdha të thëngjillit në Europë.
Pa një pa dy e kishte marrë përgjigjen:
– Çka po ju duhet ai thëngjill, ju nuk keni ngrohje, ju nuk keni drita!
* * *
Logjikisht, policia do të duhej të ishte institucioni më i besueshëm në vend. Mirëpo, meqë vendi ynë është vend i paradokseve, populli nuk ka besim në polici. Nëse vidhen dhomat e dëshmive (në Prishtinë e Pejë), nëse vidhet fondi i destinuar për prodhimin e pasaportave etj. etj., si mund të besojmë se këta policë do të na mbrojnë nga hajnat e kriminelët?!
* * *
Vendet e rezervuara për deputetët e pakicave në Kuvendin e Kosovës, janë një tjetër paradoks që njeriut ia ngacmon ulcerën e ia vështirëson frymëmarrjen. Të gjithë këta kanë marrë pjesë në krimet mbi popullsinë civile në Kosovë, dikush drejtpërdrejtë e dikush tërthorazi. Pas çdo lufte agresori është ndëshkuar, mirëpo te ne ‘rregulli’ i paradoksit kërkon të kundërtën. A ka Kosova burra që e ndalojnë këtë ‘rregull’ mazohist? Kjo po na kushton tepër. Me këtë ‘rregull’ të dëmshëm është infektuar edhe Misioni Europian Për Sundimin e Ligjit EULEX-i.
Po çka po bën EULEX-i?
Asgjë të veçantë. EULEX-i vetëm po zbaton ‘rregullin’ e paradoksit që e ka gjet te ne. Policët, prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it me ngulm po hetojnë, në mos dikujt po i mungon ndonjë ble flokësh në mënyrë që pastaj ta gjejnë ndonjë komandant të UÇK-së për ta akuzuar për krime lufte, apo në mos dikush e ka marrë ndonjë flakaresh prej ushtarëve të UÇK-s për bashkëpunim me policinë serbe, në mënyrë që pastaj t’i vërsulen komandantëve të UÇK-s duke i akuzuar për krime lufte! Të gjitha aktakuzat e prokurorit Salustro deri më tani kanë dalë të jenë inskenime të dështuara, dhe askush nuk del me i thanë; hajde baco, mbathja prej nga ke ardhë. Jo, nuk po them se duhet me i thanë dikush i yni, se kjo është punë që nuk bëhet sepse, ne e ruajmë traditën e mikpritjes, po as ata të Europës nuk po i thonë. Me siguri edhe ata e dinë rregullin e paradoksit te ne…!!!
* * *
Kushedi sa situata paradoksale do të më vargoheshin në mendje sikur ezani i namazit të drekës që vinte nga xhamia e Sinan Pashës të mos ma ndërprente këtë udhëtim të trisht. Ashtu i strukur nga të ftohtit, me gazetën nën sqetull, kokulur e me krenari të mposhtur, u nisa për në shtëpi pa ia ndier shijen kafes të cilën kisha harruar ta paguaja. kështu padashtas u rreshtova në vargun e paradokseve tona të pafundme.

– Autori është mësimdhënës, poet dhe publicist. Kontakti: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura