Pashtriku.org, 30. 01. 2014 – Ese – (“Fjala, krua i jetës, ku pinë dhe të vdekurit”. M. Zeqo) – (…poezia e tij të huton me idetë dhe figurat, me domethëniet e paradokset, me informacionin e gjerë dhe kulturën groteske, aq sa, ndonjëherë, vetë ajo, poezia, e braktis fletën dhe kërkon të bashkëngjitet në murale e të bashkëjetojë me afreskët onufrian. P. Risto)
Moikom Zeqo si personalitet letrar ka një kostum enciklopedisti të prerë nga e njëjta cohë e kostumit të Konicës, ka një vizion metaforik lorkian dhe një shtrirje disadimensionale si Borhesi dhe Eko, gjë që ka krijuar stilin i tij që, njëkohësisht, është dhe krijimi i vetvetes. Moikomi krijoi origjinalitetin e tij poetik që në hapat e para, madje në kohën kur fabrikoheshin “kultet e modeleve”, djaloshi njëzetëvjeçar me poezinë e tij metaforike, të veçantë, shpërtheu brinjët e të rëndomtës, iu shmang retorikës, shpalosi një vizionarizëm të çuditshëm, guxoi për më shumë dhe sigurisht ishin këto disa nga shkaqet që në famëkeqin Plenum të Katërt të Komitetit Qendror e në mbledhjet e asokohe të Lidhjes së Shkrimtarëve, emri i tij të anatemohej mbase më shumë se nga poetët e tjerë. Poezia e tij kishte konstrukt tjetër, kodet e tij ishin sa tokësore aq dhe galaktike, ndaj dhe poeti gazetar, ende lastar i njomë në lisnajën e letërsisë, “u shkul” nga Lidhja e gazeta “Drita” ku punonte… dhe “u mboll” për disa vjet në një tokë gati djerrë të Rrogozrrogozhinës… Në të tilla kushte mbijetesa letrare shpesh është një fat, por më tepër është një ligj gjenetik i shkruar në rrjedhën e gjakut. Moikomi si organizëm letrar arriti të mbijetojë i padeformuar, ai pandërperë ka shkruar libra mbase më shumë se të gjithë shkrimtarët seriozë shqiptarë të të gjitha kohërave. Frenimi gati njëzetëvjeçar (1973-1991) i lëvrimit në liri të plotë i poezisë në përgjithësi, e veçanërisht i poezisë avangarde postmoderne, nuk solli bjerrjen e poezisë së Moikomit.
– Dr.Moikom Zeqo –
Padyshim që në shkallën cilësore të poezisë së viteve shtatëdhjetë, poezi që mund ta çonte nivelin e saj në panteonin e letërsisë më të mirë evropiane, Moikom Zeqo qëndronte në rradhën e parë. Ai metaforizon botën, ka pasuruar dhe pllenuar sistemin figurativ të poezisë si pakkush. Në një shkrim të tij poeti Dritëro Agolli e quan Moikomin “një nga poetët më origjinalë të Shqipërisë” dhe e përafron me Migjenin dhe Georg Traklin.
Poezia e tij e dikurshme mbijetoi dhe tingëllon e freskët edhe sot. Por në vitet nëntëdhjetë, Moikomi dhe shumë pak poetë të tjerë shqiptarë të brezit të tij, tashmë të lirë, të çliruar nga kufizimet, krijuan poezi të shumta të nivelit evropian, a thua se ortiqet, pasi kishin mbajtur një çast frymën, rinisën festën në faqet e maleve poetike.
Poezia dhe eseistika janë të preferuarat e tij. Në poezinë moikomiane dallon menjëherë kulturën e gjerë, rebelimin e metaforave, shqetësimin qytetar, trokun e kuajve të historisë, por edhe të kuajve të detit, ndieshmërinë dhe ironinë, paradoksin dhe hiperbolën.“ …Metafora është anija ime pirate me kapiten të plotfuqishëm Ironinë!” shkruan ai në një nga poezitë e përfshira në këtë libër, duke shpallur kështu një nga të vërtetat dhe kredot e veta letrare. Poezia e tij është në substancë ciklike, dukuri kjo e rrallë dhe tepër e vështirë.
Ai, si në një karusel magjik, lëviz ciklet për Onufrin, për Naim Frashërin, për Nostradamin, duke i mpleksur intensitetet e tyre në një lëvizje mendore të pafund. Cikli i Onufrit ka një peshë të veçantë dhe origjinal në këtë vëllim. Onufri i madh me të kuqen e tij shpesh është bërë shtyllë kurrizore me palcë metaforash, jo vetëm për poezinë, por edhe për prozën e M. Zeqos. Te cikli shkëputur nga Bota është krijuar nga Onufri, Moikomi vjen i pjekur, i plotë; vargu i tij me refrenin “…tha Zoti, Zoti”, të fut në hullitë e hipnozës, poezia të huton me idetë dhe figurat, me domethëniet e paradokset, me informacionin e gjerë dhe kulturën groteske, aq sa, ndonjëherë, vetë ajo, poezia, e braktis fletën dhe kërkon të bashkëngjitet në murale e të bashkëjetojë me afreskët onufrian.
“Një shami prej zjarri
për ballin e Ëndrrës së Onufrit femër
dhe shtatë buritë biblike që rrëzojnë muret e mbyllur,
vetë kohërat e mbyllura.
Kam harruar të qaj.”
Duke lexuar poezinë e Moikomit kupton se ai është njohës i thellë i historisë njerëzore e në veçanti i historisë së vendit të tij, kupton se e kuqja e Onufrit nuk rrjedh vetëm me gjakun dhe horizontin e perëndimit, por i bëhet lajtmotiv dhe thelb në shumicën e motiveve. Poezia moikomiane ka prerje të shumta vertikale dhe horizontale, ka amplituda ndiesore të veçanta dhe origjinale. Poeti beson te një humanizëm, shpesh transcedental, pa iu shmangur tragjizmit të epërm.
“Kali i përbërë nga trupi im,
fjala ime
i merr kohës veç lëvizje,
krifat i çelin lule.
…Të mbërrijë atje
te dritarja e yllit.”
ose:
“Te lisat e Naim Frashërit
fshihen
vertikalisht
shtyllat dorike
të tempullit të Fjalës.”
Poezitë për romët te libri “Tempulli i Hënës” përbëjnë një magmë ende të nxehtë, që rrjedh në një shtrat origjinal me figura të bukura e të papërsëritshme, që shpesh mund t’i kishte zili edhe Lorka. Ndienja e lirisë, hapësirës, lëvizjes në të katër pikat e horizontit e në të gjitha dimensionet e jetës, përshkojnë poezitë e këtij cikli.
Moikomi na sjell me këtë vëllim botën e tij të gjerë, psikologjinë e një shkrimtari që kalëron shpesh herë para kohës me një kalë apo një pegasus prej fjale me “patkoj rrufesh”…Lexon librin dhe para teje filmërohet e filtërohet bota në të gjitha kohët, madje dhe në disa dimensione të padukshme jashtëtokësore. Eskili, Borhesi, Skënderbeu, deti, pulëbardhat, dallgët, zhytjet nënujore, romët, dajretë, Nostradamusi, “delta e ylberëve”, Onufri, Naimi, Ajnshtajni, kozmosi, Arusha e Madhe, utopia, sytë, “dritarja e një ylli”, arkeologjia, eshtra shenjtorësh dhe eshtrat e vetë poetit me fosforimin marramendës të dashurisë, Qerbelaja e djeshme, por edhe e sotmja, Granada e Lorkës, lumenjtë që rrjedhin, deti që shfryn me “rrufetë si flokë të Poseidonit”, Shirazi, Aleksandri i Madh, Troja, Buda, Dodona, lisi, Milosao, Dante, Krishti, kompjuterat, infiniti si zgjidhje e përjetshme e imagjinatës, sozie të ndryshme, madje dhe të vetes, ADN-ja e një poeme të vdekur që drithëron vuajtje të fshehtë, Migjeni, Mona Liza, gjiri, foshnja, qumështi që rrjedh, busullat që tromaksen nga stuhitë, xhungla, zgjedhje, pranga, pabesi, joshje, diej që rrëzohen nëpër muzgje, Imami, kafka e Jorikut dhe Hamleti, trëndafili i erërave, spiranca, anije që të shfaqen rebele në një oqean magjik e në fund të fundit, siç shkruan poeti: “Kuptimi i gjithçkaje është si shtrati nusëror brenda një qimiteri eunukësh”.
Metafizika është kostumi i përshtatshëm i poetit që, në thelbin e vet botëkuptimor, ka qenë dhe mbetet materialist, një paradoks ky i zakonshëm për talentet e vërtetë.
Të duket sikur poezia e Moikomit është ngjizur në një kohë me detin; poezia e tij ngjan shumë me detin jo thjesht në strukturën metaforike, por dhe në realitetin e drejtpërdrejtë; metaforat e Moikomit janë të pafund si koralet. Ai ka një meritë në krijimin e metaforës-palimpsest, duke e kapërcyer nocionin e figurës stilistikore të metaforës si instrument dhe e kthen metaforën në një shumësi semantike, jo vetëm për një rast, por për tërë kuptimshmërinë pa cak, duke e dyzuar si formë dhe përmbajtje me një individualitet krejt të papërsëritshëm.
“Mushkëritë e Migjenit në gjoks
i shëroj përfundimisht,
i kthej në Kashtë të Kumtrit
për të bërë frymëmarrje vetë kozmosi.”
Poezia e Moikom Zeqos duket si e ngjizur para mijëra vjetësh, por ka freskinë e një mëngjesi nën vesë. Ai bën zbulime arkeologjike, njeh nëntokën dhe objektet e saj pranojnë të metaforizohen; hynë në detin e madh, zbret në thellësitë e tij dhe i gjithë deti bindet të bëhet pjesë e metaforës moikomiane.
“Ja, unë gërmoj
tek akullnajat e poleve të shpirtit
e del një Migjen flake!”
ose:
“O, të jesh i burgosuri i madh
në banesën e Diellit!”
Atmosfera e ndezur apokaliptike që sjell poezia e Moikom Zeqos, të sforcon e të sjellë vetvetiu në buzë fjalën e duhur: stil. Ky është Moikomi, mbase i papërsëritshëm në llojin e vet, aq sa edhe tani, si dikur, po t’ia heqësh emrin thuajse çdo poezie të tij, ia kupton menjëherë autorësinë, gjë që nuk ndodh shpesh edhe me autorë të njohur botëror.
“Onufri është vajtim
i burgosur
në lëkurë.
A e thith dot gurin
ashtu si ajrin?
Peizazhet janë një koncert
i shekujve
pa dëgjim.
Një zambak
lehonë
ka pjellë
një nepërkë.
Po kush flokët e kuq të Judës
i kthen në trëndafila?”
Shumica e poezive të këtij libri janë përzgjedhur nga librat eseistikë; edhe kjo është një e veçantë e Moikom Zeqos: tretja e poezisë në kimikatet e prozës, apo mbrujtja e prozës me brumin poetik. Edhe atëhere kur ti për një çast mendon se fjala dhe figura kanë rrëshqitur në inflacion, kalon një grimkohë dhe e kupton në mënyrë intuitive se ke gabuar, sepse gjatë orëve të leximit je përfshirë tërësisht në fushat magnetike moikomiane, që krijojnë këto fjalë e këto figura befasuese, këto motive, nga të cilat pret vetëm lindje, sepse mbarsja ka ndodhur prej shekujsh.
Petraq Risto – Tetor, 2006