Tiranë, 17. 03. 2014 – Kapërcimi nga jeta e gjallë në Botën e të Vdekurve rikonceptualizon mitin marramendës të Orfeut. Orfeu pagan është më rebel dhe kërkues se Dantja: ngulmon ta nxjerrë nga hijet e Hadit të dashurën e tij të vdekur, të realizojë të pamundurën: Ringjalljen. Dantja më i butë, më i arsyeshëm do të shohë në Parajsë Beatriçen ashtu siç shihen sot në ekran imazhet e habitshme digjitale, një lloj tjetërsimi kipcor, një edicion i dytë i Amshimit. Dantja shkruan kryeveprën e tij, – të pakrahasueshme në botë, – si procesverbalin estetik dhe transcendental të një ëndrre të gjatë dhe të trefishtë. Ëndrrat janë të pabesueshme, ndërkaq ëndrra danteske ka një besueshmëri magjike dhe reale Komedia Hyjnore ka tri personazhe: Danten (në vetën e parë) Virgjilin dhe Beatriçen (të dy në vetën e tretë).
Komentuesit entuziastë kanë vërejtur se:
– Dantja është simbol i Njeriut,
– Virgjili simbol i Arsyes dhe
– Beatriçja simbol i Besimit.
Por kjo optikë është thjeshtëzuese sepse është tejet koncentruese.
Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara atdhetare, Dantja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t’i shërbente popullit, të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar.(sh.b)
* * *
Emrat e tjerë që përmenden janë një kostelacion shpirtrash. Dantja e ka ditur mirëfilli profecinë e Armagadonit biblik, mos praninë e tejzgjatur të Apokalipsit. Nuk nguron të futet në gjeografinë e hijeve dhe si rishtar në këtë udhëendje të frikshme e gjen udhërrëfyesin e pazëvendësueshëm: Virgjilin, që e priste në vdekje përplot 14 shekuj.
Virgjili krijoi dikur sagën poetike perandorake romake, me një latinishte të shkëlqyer si e gdhendur në mermer të bardhë (ah, Davidi i Mikelanxhelos edhe dy shekuj pas Dantes!). Egloga IV e Virgjilit, ku parandihet lindja e një fëmije nga një virgjëreshë në Mesjetën katolike europiane u teologjizua si profeci e pashmangshme e një poeti jo të krishterë për Krishtin. Teologët bizantinë qenë më skeptikë me Virgjilin.
Virgjili e udhëhoqi Danten kureshtar në mjedise muzeore të tmerrshme, në malin e përmbysur kokëposhtë të Ferrit (me shtatë rrathë) në brezaret ciklike të Purgatorit, por ndaloi dhe e la Danten krejt vetën drejt qiejve rrethorë të Parajsës. Parajsa është tabu për paganin e lavdishëm, por kjo nuk i heq apo i shton asgjë amshimit të tij pa kufij.
Në Parajsë, Dantja është Adami i Ri që takon Evën e Re – Beatriçen. Nuk kemi mëmësinë tokësore dhe hyjnore të shën Marisë por mëmësinë e munguar të Beatriçes, për shkak të martesës së parealizueshme dot të dhëndrit të gjallë me nusen e vdekur.
Gati një herezi teologjike.
Virgjili, Dantja dhe Beatriçja përbëjnë një tjetër Trinitet sui generis. Krejt të pazakontë dhe shqetësues në pambarim.
Nëse udhëtimi i parë i Dantes është poetik udhëtimi i dytë – kur ai ka vdekur – ka qenë tepër i shkurtër, drejt e në Parajsë, kuptohet tek Beatriçja. Tashmë për Danten tabuja e dyfishtë është Ferri dhe Purgatori – s’ka kuptim t’i shihte sërish. Dhe s’do t’i shihte më në përtej-vdekje. Ai mund t’i tregonte Beatriçes për Ferrin dhe Purgatorin, që në fakt ajo nuk i njohu kurrë.
Mungon ndërkaq në kryeveprën danteske takimi me vetë Krishtin, por që është i nënkuptuar në gjithçka. Kjo është shumë e çuditshme. Gati e pabesueshme.
Siç e shpjegon vetë Dantja – Saga e tij poetike është shkruar në katër kuptime:
– atë letrar,
– alegorik,
– anagogik dhe
– etik.
Sipas Ezra Pound’it këtë formë misteri na e ofrojnë shprehjet matematike: në fakt, atje, kur vëmë re se një ligj i përgjithshëm qeveris një seri ekuacionesh të llojit:
– 3×3 + 4×4 = 5×5 (apo më thjesht 32+42 = 52),
– 62+82 = 102,
-122 + 162 = 202 etj etj, që shprehin algjebrikisht raportin e zakonshëm a2 + b2 = c2.
Dhe kush ka studiuar gjeometri elementare dhe gjeometri analitike, e sheh menjëherë se ky është raporti i kateteve me hipotenuzën e trekëndëshit kënddrejtë si dhe, në gjeometrinë analitike, ai mes pikave që përcaktojnë perimetrin e një rrethi. Ashtu si në sytë e matematicienit enigmatik a2 + b2 = c2 shpreh:
1. Një seri numrash abstraktë në raport mes tyre
2. Një raport mes ca numrash abstraktë
3. Përmasat përkatëse të një figure, në këtë rast trekëndësh
4. Idenë, apo idealen e rrethit.
Kjo lloj matematike poetike, apo edhe mistike zotëron tërë substancën e fjalëve. Kryevepra e Dantes mbetet ende e fshehur, si pjesa e padukshme e Hënës. Ajo stimulon enigma të infinitshme.
Duket sikur shekujt ikin për t’i errësuar më shumë kuptimet. Rutina e komenteve na çmend, madje na budallalleps lehtësisht. Ky manipulim e shumëfishon ambiguitetin e poezisë. Tre njerëz janë konkretë (ishin të tillë)_
– Virgjili,
– Dantja dhe
– Beatriçja.
Për të tërë njerëzimin. Simbolet teologjike janë metaforizuar, më shpesh tjetërsuar. Kjo tregon një intuitë të hatashme dhe deri diku të frikshme.
Dantja e modelon ndryshe – krejt ndryshe tërë letërsinë.
Ai e do Virgjilin, por nuk është Virgjili. Sepse është i vetëmjaftueshëm në amshim. Është sublimimi i intelektit. Me një ndjeshmëri kozmike.
Beatriçja është utopia që ai e beson duke e shpikur. Ky është sekreti i tërë sekreteve të artit.
………………………….
Dante Alighieri: The Divine Comedy
Dante Alighieri (1265 – 1321)
*********************************
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)