SHEMSI REÇICA: PËRBALLJET NDËRMJET KRYETARIT RUGOVA DHE KRYEMINISTRIT BUKOSHI (I)

Pashtriku.org, 20 korrik 2018: Përveç përballjeve në fronte të heshtura, por dhe në fronte të hapura, ndërmjet llojeve të ndryshme, si: LPK-LDK; Qeveria Bukoshi-LPK; UÇK-FARK; Qeveria Bukoshi-UÇK; LPK-FARK, etj., shqiptarët i kanë përjetuar edhe përballjet në fronte të heshtura, madje edhe në fronte të hapura, brenda një lloji, si: përballjet e dr-ve Rugova dhe Bukoshi brenda LDK-së e institucioneve të Kosovës; përballjet brenda LPK-së; brenda UÇK-së, etj., që, në momentet dhe në gjendjen më kritike të vendit, e kanë dobësuar tej mase forcën mbrojtëse të shqiptarëve, kundrejt Serbisë.
*****

Dr. Rugova, kryetar i Kosovës, i zgjedhur me mbi 90 % të votave, në Zgjedhjet 1992, dhe i zgjedhuri i tij për kryeministër, dr. Bujar Bukoshi, për dy mandate, sa kanë “qeverisur“ me shqiptarët tanë, në vazhdimësi deklaronin se Kosova i ka institucionet e veta të pavarura: presidentin, qeverinë dhe kuvendin, dhe kërkonin, poashtu në vazhdimësi, respektimin e tyre nga vendorët, ndërkohë që nga Bashkësia ndërkombëtare kërkonin “njohjen formale“ të pavarësisë së Kosovës.
Kjo ishte njëra anë, pra, ana e deklaratave dhe e kërkesave të tyre verbale, drejtuar vendorëve dhe Bashkësisë ndërkombëtare, por, në anën tjetër, realisht dhe praktikisht, dr. Rugova dhe dr. Bukoshi, përveç në fazën fillestare, në fazën e konsolidimit të tyre në “krye“ të Republikës, përkatësisht të Qeverisë, – as vetë nuk i njihnin, as i respektonin institucionet e Kosovës, të dala nga Zgjedhjet 1992: dr. Rugova nuk e njihte, as e respektonte Qeverinë Bukoshi dhe dr. Bukoshi nuk e njihte as e respektonte Presidencën Rugova. Pra, dr. Rugova as e njihte, as e respektonte dr. Bukoshin, si kryeministër të Kosovës dhe dr. Bukoshi as e njihte, as e respektonte dr. Rugovën, si kryetar të Kosovës (!).
Mospajtimet dhe mosmarrëveshjet e dr-ve Rugova dhe Bukoshi, kishin filluar qysh në fazën e dytë të “qeverisjes“ së tyre me shqiptarët, pra menjëherë pas konsolidimit të tyre në pozitat e kryetarit të Kosovës, përkatësisht të kryeministrit të saj.

Dr.Ibrahim Rugova dhe Dr.Bujra Bukoshi

Kryeministri Bukoshi kishte kërkuar llogari prej kryetarit Rugova dhe prej njerëzve të tij, në Kosovë, për shpenzimet e fondeve që ai ua dërgonte. Dr. Rugova, as njerëzit e tij, nuk kishin pranuar t’i jepnin llogari dr. Bukoshit. Ky, pra Bukoshi, pastaj, ua kishte ndërprerë fondet Rugovës dhe njerëzve të tij, në Kosovë dhe jashtë saj. Kështu, kishte filluar sherri ndërmjet presidencës dhe qeverisë, pra, tash brenda llojit, brenda LDK-së e institucioneve “shtetërore“ të Kosovës, por ai ishte mbajtur i heshtur, nën rrogoz, dhe larg opinionit.
Mosmarrëveshjet e tjera (si: mbajtja e mësimit në objektet shkollore-universitare apo në shtëpitë-shkolla; marrëveshja dr. Rugova-Millosheviq për arsimin; krijimi dhe zbatimi i politikës “institucionale“; etj.) ndërmjet kryetarit Rugova dhe kryeministrit Bukoshi, dolën në sipërfaqe dhe u bënë të njohura edhe për opinionin, në prag të fillimit të vitit shkollor dhe akademik, 1996/97, pra në fazën e tretë të “qeverisjes së tyre me shqiptarët.
Një javë para fillimit të vitit shkollor, 1996/97, në mbledhjen e dt. 24.08.1996, me kryetarët e degëve të LDK-së, dr. Rugova kërkonte prej tyre vazhdimin e përgatitjeve për mbajtjen e mësimit, siç thoshte ai, “si deri më tash, nëpër shtëpitë-shkolla“.
Dy ditë më vonë, me Komunikatën nr. 38/96, Qeveria e Republikës së Kosovës kërkonte “nga organet e të gjitha niveleve të arsimit, në komuna dhe në Republikë, që të bëjnë të gjitha përpjekjet dhe përgatitjet e nevojshme që ky vit shkollor të fillojë dhe të mbahet në objektet e rregullta shkollore“. (Bota sot, 26. 08. 1996).
Më 30 gusht 1996, dr. Rugova e pranoi se presidenca dhe qeveria, përkatësisht ai vetë dhe Bukoshi, kishin qëndrime të ndryshme, në prag të vititi të ri shkollor, lidhur me hapësirat, ku duhej të fillonte dhe të mbahej mësimi, dhe bënte thirrje që “të gjithë t’i zbatonin qëndrimet e presidencës-institucionit më të lartë shtetër“. Pra, kryetari Rugova bënte thirrje që të zbatohej qëndrimi i tij, përkatësisht, të mos përfillej qëndrimi i institucionit tjetër shtetëror, qëndrimi i Qeverisë Bukoshi.
Kështu, pra, mosmarrëveshjet ndërmjet dy institucioneve kryesore të Kosovës, presidencës së dr. Rugovës, i cili kërkonte vazhdimin e mësimit nëpër SHTËPITË-SHKOLLA, dhe qeverisë së dr. Bukoshit, që kërkonte filllimin dhe mbajtjen e mësimit në OBJEKTET E RREGULLTA SHKOLLORE, – për herë të parë po bëheshin publike.
Në anën e Presidencës Rugova, pra kundër Qeverisë Bukoshi, u rreshtua menjëher SBASHK-u (dhe jo vetëm ai). Kryetari i tij, dr. Agim Hyseni, në konferencën për shtyp, të dt. 29 gusht 1996, iu bënte thirrje nxënësve, studentëve dhe arsimtarëve shqiptarë që “të përmbahen nga kërkesat e zgjidhjes së çështjes së arsimit, me mjete dhe mënyra të tjera, me rrugë“.
Më 31 gusht 1996, dr. Rugova, në takimin e tij me kryetarët e degëve të LDK-së, përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij zyrtar “për kthimin vetëm me mjete paqësore dhe me marrëveshje politike, në objektet shkollore, të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjitha institucionet, pra edhe qeveria e Republikës së Kosovës“.
Fillimin e vitit të ri shkollor 1996/97, në shtëpitë private-shkolla, më në fund, e kishte konfirmuar edhe mbledhja e dt. 01.09.1996, e kryetarëve të këshillave komunale për arsim të Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Xhavit Ahmeti, këshilltar për arsim i dr. Rugovës.
Pra, në përballjet e kërkesës së Qeverisë Bukoshi, për filllimin dhe mbajtjen e mësimit në OBJEKTET E RREGULLTA SHKOLLORE, dhe kërkesës së Presidencës Rugova, për vazhdimin e mësimit nëpër SHTËPITË-SHKOLLA, “fitoi“ kërkesa e dr. Rugovës. Megjithëkëtë, dr. Bukoshi nuk u dorëzua. Ai shpresonte se qeveria e tij do të ringjallej, do të forcohej e do ta bënte punën e vet.
“Qeveria ime nuk pranon që të shuhen institucionet e Kosovës dhe ajo do të zbatojë vetëm atë politikë për të cilën është përcaktuar populli i Kosovës në Referendum“, deklaronte Bukoshi në Bota sot, më 7 shtator 1996. Kryeministri Bukoshi, pra, zotohej publikisht se nuk do ta zbatonte politikën e Kryetarit Rugova.

(VAZHDON)

_____________________________
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET NDËRMJET KRYETARIT RUGOVA DHE KRYEMINISTRIT BUKOSHI (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7876
***
SHEMSI REÒªICA: PËRBALLJET NDËRMJET KRYETARIT RUGOVA DHE KRYEMINISTRIT BUKOSHI (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7881

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura