DAUT XHEMAJLI: A KA ҪMIM PËR KOMPENSIMIN E TË BURGOSURVE POLITIKË DHE IDEJA PËR FONDIN E TYRE HUMANITAR

Viti, 10. 01. 2014 – Ligji për të Drejtat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë është në fuqi nga 29 tetori i vitit 2010, ku sipas këtij ligji personat që përfitojnë ,”kanë të drejtën në rehabilitimin juridik, moral, shoqëror e politik për pasojat e burgosjes, të dënimit dhe të trajtimit të padrejtë “, ata kanë të drejtë edhe për Kompensimin për një ditë të kaluar në burg, sipas dispozitave në fuqi për kompensimin e personave të dënuar pa faj (edhe pse pikërisht këta janë “fajtorët” për prishjen e ish-Jugosllavisë ).
Pa u zgjatur më tepër në këtë ligj me të cilin rregullohet statuti i ish të burgosurve politik dhe të drejtat tjera të tyre, po ndalem te çështja tashmë e aktualizuar,e kompensimit…
Kompensimi i të burgosurve politik i cili tani më është një proces, që do të ndodh për pesë vitet e ardhshme dhe është Komisioni Qeveritar i emëruar nga Qeveria e Kosovës, i cili që do të shqyrtoj secilin aplikacion (dosje) të këtyre ish të burgosurve politik dhe do të vendos për pranimin e statutit të secilit prej tyre dhe kompensimin e tyre. Tani edhe mund të shtrohet pyetja, a është dashur të bëhet ky kompensim dhe sa ka qenë dashur të jetë shuma për një ditë të kaluar në burg? Kjo është një çështje, për të cilën është diskutuar dhe vendosur, kurse çka do të bëjë me këtë shumë secili përfitues (ish i burgosur politik), kjo nuk duhet të diskutohet fare tash apo duhet të diskutohet nga vet ish të burgosurit politik, ku dhe si të duan ata, por vendi për debat për ish të burgosurit politik duket se është i caktuar dhe ky vend është, Shoqata e tyre, ku këta ish të burgosur politik janë të organizuar.

– Punimet e ish të burgosurit Sylë Mujaj –

Paraprakisht mendoj se duhet të sqarohet edhe një çështje: A, do të duhej që këta ish të burgosur politik të kompensohen për dënimet e padrejta ndaj tyre dhe kush do të duhej ta bënte këtë kompensim?
Prandaj për këtë çështje, duhet të thuhet shumë shkurt dhe qartë, që të sqarohet edhe opinioni i gjerë, sepse ish të burgosurit politik nuk kanë kërkuar një kompensim të tillë nga shteti i Kosovës, por as shteti i Kosovës nuk u ka borxh asnjë cent këtyre personave. Asnjëri nga ish të burgosurit politik në kohën kur janë arrestuar dhe dënuar, nuk ka menduar dhe as që i ka shkuar mendja që burgu i tyre një ditë do të kompensohet nga shteti, për të cilin ata u sakrifikuan.
Ata kanë punuar dhe vepruar atëherë për lirinë e atdheut të tyre dhe i vetmi shpagim (kompensim) për këtë kontribut të tyre, do të ishte liria e vendit të tyre, sepse me lirinë e atdheut atyre do tu kompensoheshin të gjitha vuajtjet dhe sakrificat e tyre. Ish të burgosurve politik, që të gjithëve pa asnjë përjashtim, duke filluar nga baca Adem e deri te i burgosuri politik i fundit, që kanë luftuar dhe sakrifikuar për këtë vend dhe lirinë e këtij vendi, nuk ka asnjë çmim që ua kompenson vuajtjet e tyre dhe familjarëve të tyre, nuk ka çmim dhe nuk mund të ketë çmim që ua kompenson humbjet e tyre fizike e psikike dhe nuk ka çmim që ua kompenson humbjet e “perspektivave” të tyre me burgosjen e tyre si dhe pengesat tjera për zhvillimin profesional dhe politik të tyre dhe familjarëve të tyre.
Shuma për kompensimin e ish të dënuarve politik për një ditë të mbajtur burg, caktohet duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për procedurën e kompensimit të dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye. Shuma e përcaktuar nga Komisionet e caktuara nga KGJK sipas UA-së për personat e dënuar pa faj tani në Kosovën e lirë, ku burgu mund të konsiderohet ”vendpushimi dhe rekreacioni” dhe ku trajtimi i të burgosurve është i mbikëqyrur rigorozërisht nga shumë mekanizma vendor e ndërkombëtar, në kuptim të mbrojtjes dhe respektimit të drejtave të njeriut dhe trajtimit të burgosurve sipas ligjeve tona. Pra, hajt bashkërisht të krahasojmë vetëm për një moment burgjet e Kosovës me burgjet serbe në ish-Jugosllavi, të cilat janë të njohura për “trajtimin“ apo thënë më saktë persekutimin e ish të burgosurve politik shqiptar dhe familjarëve të tyre në aspektin fizik dhe psikik.
Kjo shumë e kompensimit për personat e dënuar ose arrestuar pa arsye (faj) në Kosovë për një ditë burgu është 16.70 Euro dhe plus kompensimi për përpilimin e kërkesave dhe shkresave tjera nga ana e avokatëve që sipas tarifave të Odës së Avokatëve të Kosovës për një rast penal të gjykuar sillet nga 1750,00 Euro deri në 2.465,00 Euro. Pra shuma e caktuar nga një Komision i KGJK-së është mbi 20,00 Euro, por nëse personi (pala) nuk pajtohet me këtë shumë për kompensim ditor të caktuar nga Komisioni, atëherë me procedurë të rregullt gjyqësore dhe me padi civile, kërkon kompensimin e pretenduar të dëmit, shuma e të cilit mund të arrijë deri në 192.90 Euro, kompensim të dëmit për një ditë burgu pa arsye (faj) siç është rasti i Afrim Zeqirit nga Cërnica e Gjilanit, të cilit Gjykata e Kosovës për 617 ditë burg i ka ndarë 119.000,00 Euro, me të cilën shumë pala (personi) nuk është pajtuar dhe ka paralajmëruar ti drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar kompensimin e dëmit të pretenduar prej 420.000,00 Euro.
E theksova këtë rast, jo për ta arsyetuar ose kontestuar shumën prej 16,7o Euro sa e ka caktuar Qeveria e Kosovës, por për të treguar se sa simbolik është ky kompensim për ish të burgosurit politik që kanë vuajtur burg në burgjet serbe apo kazamatet serbe,por këto ditë jam seriozisht i irrituar nga llogaritjet që po bëhen në shtypin tone, se sa shumë do të fitoj (177 mijë Euro) me këtë rast Adem Demaçi, baca Adem.
Dua të theksoj edhe diçka tjetër se shteti i Kosovës, i cili që nga viti i ardhshëm do të filloj të kompensoi këta ish të burgosur politik për pesë vitet në vazhdim, nuk u ka borxh këtyre personave ish të dënuar as edhe një cent për burgimet dhe vuajtjet e tyre, sepse këta veprimtar dhe atdhetar të dënuar dhe të persekutuar nga regjimet okupuese në Kosovë, kanë kryer vetëm një pjesë të detyrës së tyre që ka patur secili qytetar ndaj atdheut të robëruar. Pra, nëse u ka dikush borxh këtyre ish të burgosurve, ajo është Serbia si ekzekutore dhe trashëgimtare e ish-Jugosllavisë, prandaj të burgosurit politik vetëm Serbinë dhe mekanizmat e saj i llogaritin përgjegjëse për ndjekjen, dënimin dhe persekutimin e tyre dhe familjarëve të tyre. Ish të burgosurit, nuk kanë kërkuar nga Kosova dhe as nuk kërkojnë këtë kompensim dhe as që e kanë miratuar dhe as kontestuar shumën prej 16.70 Euro, që është caktuar nga Qeveria e Kosovës për kompensimin e tyre për një ditë të mbajtur burg.
Natyrisht që të jem i sinqertë, ata dhe sidomos një pjesë e madhe e tyre, që tani janë gati raste sociale në Kosovë, përkundrazi e kanë mirëpritur dhe i janë falënderues për këtë Vendim të Qeverisë së Kosovës, për të cilën sakrifikuan shumë, si një shpërblim “modest” nga shteti i ri dhe i varfër i Kosovës, për sakrificat e tyre dhe si shpërblim për peripecitë jetësore nëpër të cilat ata kaluan dhe sidomos si shpërblim “modest dhe simbolik” për kontributin e tyre për lirinë e Kosovës, pavarësisht se ata nuk janë të kënaqur me këtë liri ende të cunguar të saj.
Së fundi, duke lexuar dhe dëgjuar disa deklarime publike këto ditë për “zemërgjerësinë” e disa individëve për të mos marrë këtë shpërblim apo për ta dhuruar në tërësi shumën e tyre apo përqindje nga kjo shumë, mund të them se ishte një marketing i keq politik nga ana e tyre i shprehur në këtë formë si zemërgjerësi e tyre në media(E.Reçica dhe J.Krasniqi). Sidomos më erdhi keq, sepse ata sikur i harruan shokët e tyre, diku atje poshtë e të cilët ballafaqohen me vështirësi të mëdha jetësore për vete dhe familjen e tyre, më erdhi keq sidomos pse u fol nga pozitat të cilat i kanë marrë edhe nga kontributi i shokëve të tyre, që sot janë në gjendje të keqe ekonomike dhe që ky shpërblim nga shteti Kosovës, mund tua zbutë së paku përkohësisht gjendjen e tyre familjare apo ky moment do jetë edhe rast për satisfaksion moral para fëmijëve të vet për kujdesin e shtetit ndaj tyre.
Unë jam i bindur se asnjëri nga ish të burgosurit politik dhe as nga ish ushtarët e UÇK-së, kur ranë nëpër burgje dhe kur shkuan në luftë nuk menduan për privilegjet që mund ti gëzonin pas lufte. Kishte dhe ka nga ish të burgosurit dhe nga ish ushtarët e UÇK-së, që pasi “kryen detyrat” e tyre nuk ishin shembull i mirë i atdhetarit dhe luftëtarit të lirisë konsekuent, por pavarësisht kësaj ata ishin dhe janë atdhetar dhe luftëtarë të lirisë në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, për çka duhet të shpërblehen.
Nuk mund të mos e theksoj edhe një shprehje nënçmuese dhe përbuzëse nga disa individ a media që tani po llogaritin shumë thjesht dhe pa asnjë ndjenjë njerëzore, se sa po “fitoka” baca Adem nga ky kompensim, pra kujtohuni për mendjen e tredhur të tyre, kur thonë që baca Adem po fiton 177 mijë euro !!!
Po a ka më turp, a ka më mjerim dhe a ka më nënçmim që të lansohet si fitim i bacës Adem kjo shumë për 28 vjet burgim të rëndë në burgjet serbe me të gjitha pasojat tjera individuale dhe familjare të Adem Demaçit. Me këtë shumë, a mund të kompensohet baca Adem, për sakrificën e tij, për frymëzimin për liri të brezave të tërë të shqiptarisë dhe për idealin e lirisë së popullit të robëruar, për jehonën e luftës për liri e barazi,apo kjo është më tepër edhe një mirënjohje për bacën Adem dhe veprën e tij të madhe. Që ta kemi të qartë të gjithë neve njëherë e përgjithmonë : Nuk ka çmim me të cilin mund të kompensohet sakrifica dhe kontributi i bacës Adem dhe shokëve të tij për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.
Së fundi, baca Adem edhe të gjithë shokët e tij duhet të marrin këto mjete, e pasi që ti marrin ato, të ulen e të mendojnë se ku dhe në çfarë fondi do ti derdhin këto mjete si donator, apo të mblidhen dhe të vendosin bashkërisht për themelimin eventual të një Fondi…
Edhe për mua është shumë e qëlluar ideja e themelimit të një Fondi ku ish të burgosurit politik personalisht, pa pompozitet dhe pa zhurmë do të derdhin shuma të caktuara sipas vullnetit të tyre të deklaruar nga ky kompensim apo burimet tjera të tyre (sepse ka nga disa ish të burgosur politik që kanë burime të mira financiare ). Fondi duhet të drejtohet dhe menaxhohet për qëllimin e caktuar, prandaj tani më së shumti i takon Shoqatës të ish të burgosurve politik, konkretizimi i një ideje të tillë e cila në vetvete është shumë humanitare dhe në harmoni me vet idealin e shenjtë të të burgosurve politik.
– Autori është ish i burgosur politik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura