ADIL FETAHU: A PO VETËZHDUKEMI SI POPULL E SI KOMB SHQIPTAR?!

Tiranë, 14. 01. 2015 – (Nga populli më i madh në Ballkan, u bëmë populli më i vogël) – Gjeografi i njohur Ami Bout, në analizën e tij për vendet dhe popujt e Ballkanit, thoshte se në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë në Ballkan kishte më pak se 900 mijë serbë, kurse shqiptarë ishin mbi 1,6 milionë, të cilët shtriheshin në 180 mijë km/katrore hapësirë etnikisht të pastër shqiptare (Elena Kocaqi: “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, fq.174).
Shkrimtari e politikani Ben Blushi, në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”, shkruan se në vitin 1800, popullsia serbe në Ballkan kishte 180 mijë banorë, ajo greke 630 mijë, kurse shqiptarë ishin afro 700 mijë. Në vitin 1900 kishte 3 milionë serbë, 2,6 milionë grekë dhe mbi 1,5 milionë shqiptarë. Blushi parashikon se në vitin 2100, Shqipëria do të ketë një milion banorë më pak se që ka sot (fq.7-11). Parashikime aspak optimiste. Gjatë një ndeje me shokët e mi të gjeneratës së ish-normalistëve të diplomuar në vitin 1961, disa prej të cilëve kanë punuar mbi 40 vjet në arsim, u bisedua me brengosje për rënien rapide të numrit të nxënësve të cilët regjistrohen në klasën e parë të shkollës fillore, që është tregues real i rënies së shtimit të popullsisë, dhe shprehëm habinë se si asnjë institucion shkencor a shtetëror, madje as mediat apo shoqëria civile nuk merren me analizën e shkaqeve dhe masave që duhet të merren në politikën popullative për ndaljen e këtij trendi negativ.

 Rënia e natalitetit në Kosovë e në Shqipëri
Është një keqkuptim i termit natalitet, madje edhe prej shumëkujt që nuk duhet ta keqkuptonte. Nataliteti ka lidhje të drejtpërdrejt me shtimin natyror të popullsisë, por ai vetvetiu nuk është shtimi. Nataliateti (fr.natalite – lindshmëri) tregon numrin e foshnjave të lindura gjallë në një shtet, krahinë, qytet, gjatë një periudhe të caktuar. Zakonisht llogariten lindjet që kanë ndodhur gjatë një viti, apo periudhe më të shkurtër apo më të gjatë, dhe krahasimet behën sa lindje (apo vdekje) kanë ndodhur në 1000 banorë (promila). Por, në shtimin e popullsisë ndikon edhe mortaliteti (vdekshmëria), dhe vetëm kur nataliteti është më i madh se mortaliteti, ka shtim të popullsisë dhe ai shtim është për aq sa është norma e natalitetit më e lartë se ajo e mortalitetit. Sot në shumë vende të zhvilluara të Evropës, mortaliteti është më i lartë se nataliteti, prandaj ato vende nuk ka në shtim të popullsisë. Organizata “Human Life”, në raportin e vitit 2011, shkruante se në botë po vdesin 79 kombe, prej të cilave 35 në Evropë, dhe se vetëm Shqipëria dhe Malta kanë normën mbi nivelin e reproduksionit. Fakti se në Evropën e zhvilluar ka rënë nataliteti, e demanton teorinë e cila arsyeton se gjendja e varfër ekonomike po ndikon në rënien e natalitetit te ne, gjë që s’është aspak e vërtetë. Sepse, përkundrazi, është e ditur se mu në vendet më të pa zhvilluara e të varfra të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine, nataliteti është më i lartë. Mos e kishim gjendjen ekonomike më të mirë, kur te ne ishte nataliteti më i lartë? Dikush do thoshte, se është krijuar vetëdija e popullsisë, që planifikimin e familjes ta bëjnë në pajtim me kushtet ekonomike; të kenë sa më pak fëmijë që të mund t’i rrisin e shkollojnë me standarde sa më të larta. Mua kjo vetëdije më duket e çoroditur, derisa nga ana tjetër mungon vetëdija për rrezikun e vetëzhdukjes së kombit.
Për të vërtetuar problemin e rënies së shtimit të popullsisë në Kosovë e në Shqipëri, po analizojmë të dhënat e statistikave zyrtare të lindjeve e vdekjeve të dy vendeve. Rezultati është dëshprues. Ndonëse statistikës nuk mund t’i besohet krejtësisht, sepse ajo është vetëm “mbledhje e saktë e numrave (të dhënave) jo të sakta”, megjithatë çdo analizë e fenomeneve shoqërore bazohet në statistikë. Dhe, në qoftë se për numrin e lindjeve e të vdekjeve mund të shprehet dyshim në të dhënat e statistikës, për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë apo në klasat e tjera të arsimit bazë, nuk duhet të dyshohet. Dhe ja se çfarë të dhëna na jep statistika për numrin e lindjeve e të vdekjeve dhe natalitetin në Kosovë e në Shqipëri, në periudhën 2002-2013.
K o s o v a
Vitet Lindje Vdekje Nataliteti

2002 36.136 5.654 30.482
2003 31.994 6.417 25.577
2004 35.063 6.399 28.664
2005 37.218 7.207 30.011
2006 34.187 7.479 26.708
2007 33.112 6.681 26.431
2008 34.399 6.852 27.547
2009 34.240 7.030 27.210
2010 33.751 7.234 26.517
2011 34.262 7.556 26.706
2012 34.532 7.839 26.693

2013 29.459 7.681 21.768
Nga norma vjetore e shtimit natyror të popullsisë së Kosovës prej 30.482 që ishte në vitin 2002, ka rënë në 21.768 në vitin 2013, dmth. se norma e shtimit është 1/3 më pak se para vetëm një dekade. Në projeksionet dhjetëvjeçare të popullsisë së Kosovës që e ka botuar Agjensia e Statistikave të Kosovës, trendi i variantit të mesëm të atij projeksioni parasheh, se në vitin 2061, dmth pas një gjysmë shekulli, Kosova do të ketë 1.743.470 banorë, apo 36.543 banorë më pak se që i kishte sipas regjistrimit të popullsisë në mars të vitit 2011 (1.780.021, duke mos llogaritur edhe nja 40.000 banorë serbë nga veriu i Mitrovicës).
Sh q i p ë r i a
1990 82.125 18.193 63.932
1991 77.361 17.743 59.618
1992 75.425 18.026 57.399
1993 67.730 17.920 49.810
1994 72.179 18.342 53.837
1995 72.081 18.060 54.021
1996 68.358 17.600 50.758
1997 61.739 18.237 43.502
1998 60.139 18.250 41.889
1999 57.948 16.720 41.228
2000 51.242 16.421 34.820
2001 53.205 19.013 34.192
2002 42.527 19.187 23.340
2003 45.313 21.294 24.019
2004 40.989 20.269 20.720
2005 38.898 20.430 18.468
2006 35.891 20.852 15.039
2007 34.448 20.886 13.562
2008 33.445 20.749 12.696
2009 34.114 20.428 13.686
2010 34.061 20.107 13.954
2011 34.285 20.012 14.273
2012 35.473 20.870 14.603

2013 35.750 20.442 15.308

Siç shihet nga tabela, shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë, në vitin 2013 ka rënë për afro pesë herë më i vogël në krahasim me vitin 1990 (63.932 : 15.308). A s’është kjo alarmuese?! Gjithsesi në rënien e shtimit të popullsisë ndikojnë shumë faktorë, jo vetëm natyrorë (lindjet, vdekjet, martesat), por edhe ata “mekanikë”, siç janë luftërat, emigrimi, shpërnguljet, asimilimi, etj,.të cilat gjithmonë e kanë goditur në përmasa më të mëdha popullin shqiptar. Elena Kocaqi, në librin e përmendur, thotë se sikur të mos i kishin ndodhur këto tragjedia popullit shqiptar, me një shtim normal të popullsisë, sot do kishim 30 milionë shqiptarë në Ballkan.
Në natalitetin ndikojnë edhe numri dhe mosha e të martuarve, që kohëve të fundit për shkaqe të ndryshme po shkon në tendencë negative: gjithnjë e më pak martesa dhe më të vonshme, ndërsa martesat e mëvonshme janë më pak produktive. Ja tabela e numrit të kurorëzimeve e shkurorëzimeve në Kosovë në periudhën 2004-2013:
V i t i Kurorëzime Shkurorëzime
2004-16.2989-1293
2005-15.732- 1445
2006-15.825- 1.480
2007-16.824- 1.558
2008-17.950- 1.026
2009-20.209- 1.555
2010-18.289- 1.453
2011-17.343- 1.469
2012-18.174- 1.328
2013-15.436- 1.040

Gjithnjë e më pak nxënës në klasën e parë të shkollës fillore
Një indikator tjetër i rënies së shtimit të popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, është numri gjithnjë më i vogël i nxënësve të regjistruar në klasën e parë të arsimit bazë, shkollës fillore. Nënkuptohet se në rënien e numrit të nxënësve në përgjithësi po ndikon edhe emigrimi i popullatës, por gjithashtu po ndikon edhe nataliteti (numri i lindjeve). Kështu, në Kosovë në vitin shkollor 2006/2007, në klasën e parë të shkollës fillore ishin të regjistruar 38.187 nxënës; në vitin 2011/2012 ishin 28.481, e në vitin 2012/2013 ishin regjistruar 28.285 nxënës. Kjo tendencë vazhdohet edhe në klasat e larta. Për shembull, në klasën e nëntë (IX) në vitin shkollor 2008/2009 ishin regjistruar 40.271 nxënës; në vitin shkollor 2009/2010 ishin 35.400; në vitin shkollor 2010/2011 ishin 34.935; në vitin 2011/2012 ishin 34.379, dhe në vitin 2012/2013 ishin 33.684 nxënës.
Kjo rënie e numrit të nxënësve në arsimin bazë në Shqipëri është edhe më e madhe. Ja të dhënat nga publikimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të RSh, për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë në serinë kohore 2004-2012:
Viti shkollor Numri i nxënësve
2004/5- 54.542
2005/6- 50.571
2006/7- 49.743
2007/8- 48.331
2008/9- 39.466
2009/10-42.043
2010/11-39.360
2011/12-38.425

Absurdi: “Ekspansioni demografik” dhe rënia e shtimit të popullsisë
Të dhënat e më sipërme jo vetëm se i demantojnë teoritë raciste të demografëve, sociologëve, shkencëtarëve e politikanëve serbë e maqedonas për natalitetin e lartë dhe ekspansionin demografik të shqiptarëve (në Kosovë, në Maqedoni e gjetiu), por janë e kundërta e atyre teorive, dhe janë për analiza të mirëfillta shkencore dhe për projeksionet e politikës popullative të institucioneve kompetente shkencore e shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë.
Derisa fqinjët tanë në të gjitha institucionet e shtetit, kishës, mediave e shoqërisë civile, alarmojnë për rënien e natalitetit (“mortajen e bardhë”, siç e quajnë ata), dhe nevojën e shtimit të popullsisë së tyre, propozojnë dhe zbatojnë masa e forma të ndryshme të stimulimit për natalitet më të lartë, ne sillemi me një komoditet të paarsyeshëm për këtë fenomen brengosës, madje në mënyrë të tërthortë destimulohet nataliteti: kufizimi i pushimit të nënave, rrezikimi i vendit të punës, mosstimulimi i lindjeve, nuk ka shtesa fëminore as ndihma tjera për fëmijët dhe nënat, nuk ka kapacitete të nevojshme në qerdhet e fëmijëve, çmimet e shtrenjta në to etj.etj. Sektori privat i ekonomisë nuk dëshiron të punësojë femra, për shkak të pushimeve të lehonisë dhe amësisë. Por, nga ana tjetër, në rininë tonë është bërë modë të kenë sa më pak fëmijë, të kenë sa më pak obligime e sa më shumë komoditet për jetën dhe avancimin e vet. Këtë e argumenton fakti, se ato bashkëshortët që kanë gjendjen më të mirë material, kanë një, dy ose asnjë fëmijë. Sipas të dhënave statistikore, derisa në vitin 1960 në Shqipëri kishte mesatarisht 5 fëmijë për një nënë, në vitin 2005 mesatarisht kishte 1,6 fëmijë për një nënë. Kështu është edhe në Kosovë. Fatkeqësisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura