ADIL FETAHU: SI U DISKRIMINUAN FËMIJËT SHQIPTARË ME SHTESAT FËMINORE

 Prishtinë, 30 maj 2017: (Diskriminimi fillonte që nga lindja) – Pushteti okupues serb ka zbatuar ndaj shqiptarëve format dhe metodat më të vrazhda, por edhe ato më perfide të diskriminimit, në çdo fushë të jetës e të punës, madje duke mos kursyer asnjë kategori, as moshë as gjini. Diskriminim u bë edhe ndaj fëmijëve. Bile, diskriminimi i fëmijëve fillonte që nga lindja dhe regjistrimi në librat e gjendjes civile. Sepse, të gjithë emrat që përmbanin ndonjë nga shkronjat: dh, ë, rr, th, y, x, kur shkruheshin me alfabetin e çirilicës, i cili nuk i ka këto shkronja, deformoheshin, nuk tingllonte shqip, dhe pastaj shkaktonin telashe me dokumentet personale. Ndërkaq, në realizimin e të drejtave dhe interesave të parapara me ligjet në fuqi, shqiptarët pengoheshin në mënyra e me metoda të ndryshme byrokratike nga administrata dhe nëpunësit serbë.
E drejta në shtesa fëminore
Në sistemin e ndihmave sociale që u jep shteti kategorive të caktuara të popullsisë, rëndësi të veçantë kishin shtesat fëminore, si për nga numri i shfrytëzuesve, ashtu për nga shuma e mjeteve financiare. Shtesat fëminore ishin obligim ligjor, ishte e drejtë e caktuar me ligj; ajo nuk ishte lëmoshë as vullnet i mirë apo humanizëm i shtetit.Secila republikë dhe krahinë autonome kishte pavarësinë ligjore për rregullimin e kësaj fushe, varësisht nga kushtet dhe mundësitë e veta. Në funksionimin e sistemit social, shtesat fëminore kishin përparësi, sepse ishte obligim i shtetit për kujdesin ndaj fëmijëve, që të krijonte kushte për jetesë, zhvillim psikofizik dhe përmbushje të kushteve përafërsisht të njëjta të të gjithë fëmijëve, dhe ndihmë familjeve për rritjen e fëmijëve dhe stimulim për reproduksion të popullsisë. Ligji përcaktonte kushtet dhe kriteret për realizimin e të drejtës në shtesa fëminore, varësisht nga gjendja ekonomike e familjes ( censusi i caktuar nga të ardhurat personale dhe të hyra nga burime tjera), numri i fëmijëve dhe mosha e tyre. Shfrytëzues ishin punëtorët, pensionistët dhe personat e përfshirë me sigurimet sociale. Se sa kishin peshë shtesat feminore për buxhetin e familjes, sidomos të atyre familjeve me më shumë fëmijë, tregon fakti se shumëkush e tëhuajsonte tokën, për të fituar kushtet e censusit për shtesa fëminore. Shtesat fëminore paguheshin në emër të njërit prind, të kujdestarit ose të ushqyesit të fëmijëve. Shuma e shtesave varej nga numri i fëmijëve, deri në 11 fëmijë, të moshës së caktuar; deri në moshën 19 vjeçare nëse fëmijët ishin nxënës të rregullt, madje edhe deri në moshën 26 vjeçare nëse ishin studentë të rregullt. Dikur ishte një praktikë, që kur një çift bashkëshortor të lindte fëmiun e 11, kryetari i shtetit, Josip Broz Tito bëhej kumbar i atij fëmiu dhe asaj familje, ashtu që dërgonte emisarin e tij me dhurata për atë familje; ka pasur familje shqiptare në Kosovë që kishin Titon kumbar.

– Adil Fetahu –

Si u ndërprenë shtesat fëminore shqiptarëve në vitet 1990-1992
Sistemi i sigurimeve sociale ishte i rregulluar me ligje dhe organizuar me strukturë të caktuar të administratës, të ashtuquajtura bashkësi vetëqeverisëse e interesit (BVI) për mbrojtjen sociale të fëmijëve Si çdo njësi federale, edhe Kosova e kishte BVI-në e vet, të cilën u pushtuesi serb futi nën masa të dhunshme më 27 dhjetor 1990. Menjëherë pas zbatimit të masave të dhunshme, filloi procesi i diskriminimit të fëmijëve shqiptarë, duke i privuar nga e drejta dhe ndërprerë pagesën e shtesave fëminore dhe çdo formë tjetër të ndihmës për fëmijët, madje duke i përjashtuar prej lokaleve të kopshteve, çerdheve të fëmijëve, prej objekteve të shkollave e të fakulteteve. Kështu, derisa në fund të vitit 1990, ishin 80128 shfrytëzues të shtesave fëminore, për 307749 fëmijë, më 31 dhjetor 1991 numri i shfrytëzuesve të shtesave fëminore ishte 67202, me 236331 fëmijë, ndërsa më 31 dhjetor 1992, numri i shfrytëzuesve ra në 18205 shfrytëzues, me gjithsejt 33743 fëmijë! Ja tabela e përgjithshme për tri vitet (1990-1992):
Viti Numri i shfrytëzuesve Numri i fëmijëve
31.12.1990 80128 307749
31.12.1991 67202 236.331
31.12.1992 18205 33743
Mbrenda dy vjetëve (1991, 1992) shtesat feminore iu ndërprenë 274006 fëmijëve, vetëm se ishin të nacionalitetit shqiptar.
Në gusht të vitit 1992, Kuvendi i Serbisë miratoi ligjin “unik” të mbrojtjes së fëmijëve, me të cilin edhe “ligjërisht” fëmijët shqiptarë i privoi nga shtesat fëminore, duke zbatuar ekskluzivitet social në baza nacionale, gjë që ishte i papranueshëm sipas Rezolutës për luftë kundër ekskluzivitetit social, të Këshillit të Ministrave të BE-së, të vitit 1989. Sipas ligjit serb, shtesat fëminore mund të paguheshin vetëm për tre fëmijët e parë dhe vetëm deri në moshën 7-vjeçe. Fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore, mbi moshën 7-vjeçe, nuk u paguheshin shtesat fëminore, me arsyetimin se ata nuk po vijojnë mësimin sipas sistemit dhe programit arsimor të Serbisë. Kështu, me një qarkore administrative, iu ndërprenë shtesat fëminore të gjithë nxënësve shqiptarë. E njëjta masë përfshiu edhe 8929 studentë të rregullt. Ja pasqyra tabelare e numrit të shfrytëzuesve dhe numrit të fëmijëve që gëzonin shtesat fëminore në vitin 1991 dhe 1992, sipas komunave të Kosovës:
31.12.1991 / 31.12.1992
Komuna Nr.shfrytëzuesve Nr. i fëmijëve Nr.shfrytëzuesve Nr.fëmijëve
Deçan 1004 5165 341 349
Dragash 839 2947 457 1149
Gjakovë 3968 15386 731 1346
Gllogofc 1637 8508 390 780
Gjilan 1700 6355 1350 2943
Istog 1336 5176 526 574
Kaçanik 2240 8189 2 6
Klinë 1120 6010 207 434
Kamenicë 1020 3095 296 937
Mitrovicë 3332 16535 3110 5281
Leposaviq 117 331 76 174
Lipjan 885 3027 229 384
Rahavec 1184 4094 134 304
Pejë 4049 10543 2311 2741
Podjevë 1803 9650 139 238
Prishtinë 11528 49934 3351 6867
Prizren 6461 13088 845 1919
Serbicë/Skenderaj 1327 7438 256 2999
Suharekë 1320 5724 168 321
Ferizaj 2172 11395 1734 4212
Viti 886 3379 132 297
Vushtrri 1318 5666 61 96
Malishevë 1062 4330 – –
Zubinpotok 40 242 99 133
Shtërpcë 10 226 199 412
Obiliq * ) – – 602 632
Novobërdë – – 16 19
Fushëkosovë – – 416 841
Shtimje – – 18 29
Zveçan – – 9 26
Gjithsejt: 48987 199363 18205 33743
*) Komunat e reja e të vogla, nuk kanë pasur BVI-të e veta komunale, por të drejtat në shtesa fëminore i kanë shfrytëzuar te BVI-të e komunave të qendrave më të mëdha. Ndërkaq, me zbatimin e masave të dhunshme, ato shërbime janë centralizuar.
Gjendja aktuale me shtesat fëminore
Tash në Kosovë shtesa fëminore marrin një numër i vogël i fëmijëve, dhe atë vetëm fëmijët e familjeve që janë në asistencë sociale. Sipas Ligjit për Skemën e Ndihmës Sociale, Familja e përzgjedhur për skemën e ndihmës sociale, për çdo fëmi të moshës 0-18 vjeçe, realizon një përfitim financiar në formë të shtesës për fëmijë, me qëllim që nxitjes së arsimimit dhe përmirësimit të shëndetit. Aktualisht, ajo shtesë fëminore në Kosovë është 5 (pesë) euro në muaj! Sa ka ndikim kjo shumë për të ndihmuar arsimimin apo shëndetin e fëmijës, mund ta merrni me mend.
Varfëria në Kosovë është (edhe) për shkak se nuk po ngopën të pasurit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura