ADMIR FLUGAJ: IKJA SI ZGJIDHJE – PA ZGJIDHJE!

Sharr (ish’Dragash), 04. 02. 2015 – Rrëfime tmerri gjithandej nga të përvuajturit e luftës e të paqës, të cilët në kërkim të ekzistencës mësyjnë të thyejnë kufij duke e ditur fare mirë, se mundësitë për një realizim të synimeve të tilla janë krejtësisht minimale, për të mos thënë të pamundura. Mirëpo ata shtegtojnë pandalur, nisen por edhe vetë nuk e dinë cakun, ecin dhe ecin, rrezikojnë më të shtrenjtën e tyre, më në fund arrijnë, por nuk e dinë se ku kanë vënë me të vërtetë. E vetmja gjë që dihet në këtë rast është fakti, se pse ata tashmë gjenden aty ku synonin të ishin. E përgjigjja është mjaft e kollajshme për t’u thënë, edhe pse realiteti që ajo përgjigje shpërfaq është mjaft i hidhur. Pra, ata kërkojnë shpëtimin nëpërmjet të pamundurës, të cilën me shumë mund e sakrificë në fund e bëjnë që të shndërrohet në të mundur. Por këtu shtrohet pyetja, sa është e mundur „e mundura“ që ata e arrijnë, më konkretisht, çfarë përfitimi do të kenë ata nëse nga e pamundura arrijnë „të mundurën“ e tyre?
Përveç kësaj, a është kjo „e mundur“ fundi i së keqës dhe fillimi i një realiteti më shpresëdhënës për të ardhmen e tyre, apo thënë më mirë, a nënkupton „e mundura“ e tyre, të mundurën e vërtetë. Në këtë rast përgjigjia do të jetë fatkeqësisht negative, sepse mundësia për të gjetur rrugë në arritjen e „të mundurës“ së tyre, tanimë nuk ekziston pothuajse fare. Krejt kjo për shkak se dyert e Europës tashmë janë të mbyllura për shqiptarët azilkërkues të Kosovës, jo pse gjendja ekonomike e tyre është më e mirë se para dy a tri dekadash, kur ata migronin masivisht në kërkim të ekzistencës, por pse tani Europa e ka arsyetimin e plotë kundrejt këtij fenomeni, duke na cilësuar si shtet normal me plot kuptimin e fjalës, pra për të mbyllur çdo mundësi për dhënie të azilit.

Duke u bazuar në këtë fakt, refuzimi i azilit për shqiptarët e Kosovës faktikisht mund të konsiderohet si i arsyeshëm, sepse Kosova ka gati shtatë vite që ka shpallur pavarësinë e saj dhe duke llogaritur këtu edhe vitet e administrimit ndërkombëtar, ajo ka pasur mëse gjashtëmbëdhjetë vite kohë për të ecur përpara, për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të mjaftueshme për punësim të qytetarëve. Por fatkeqësisht realiteti i muajve të fundit ka treguar qartë, se sa me të vërtetë institucionet tona kanë bërë në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të cilët i përfaqësojnë.
Të zhgënjyer thellë nga çdo gjë në Kosovën e plaçkitur e të dërrmuar nga hajnia e krimet ekonomike të pushtetarëve grykës e të pashpirt dhe pa asnjë fije shprese për një të ardhme më të mirë, djem e vajza të reja, përfshirë këtu edhe familje të tëra, madje fëmijë të vegjël dhe pleqë, arratisen masivisht drejtë Europës, ikje kjo e cila të kujton më shumë shpërnguljet masive të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore nga Kosova drejt Turqisë, sesa ikjet masive të fundviteve të 80-ta dhe viteve të 90-ta, të cilat asokohe i shkëputën një krah të fortë popullit tonë të varfër e të përvuajtur skajshmërisht.
Të zbrazet Kosova me një trend kaq të shpejt dhe kaq masovikisht është vërtet një plagë e rëndë, e cila do të jetë mjaft e kushtueshme për të ardhmen e këtij populli dhe shteti të ri. Në vend se qeveritë e pasluftës të angazhoheshin më shumë në zhvillim ekonomik dhe rritje të punësimit, ato vazhdimisht i kanë rritur lluksin vetës së tyre, duke e përmbysur kështu çdo shpresë të qytetarëve për një jetë më të mirë. Dikur bëhej luftë e përgjakur për t’a shporrur nga atdheu armikun shekullor serb, ndërsa sot me shumë lehtësi, ata që vite më parë në çdo formë përpiqeshin për të mbrojtur këtë vend, të shtyrë nga varfëria e mjerimi i skajshëm bëjnë çmos për t’i huazur diku disa qindra a mijëra euro dhe për të mësyrë shtigjeve të errëta të tmerrit të arratsjes nga atdheu i tyre tashmë i pavlerë.
Dhe për fat të keq, gjithë përpjekjet e tyre për të arritur „të mundurën“ e tyre do të kenë një epilog tragjik, sepse përpos se do t’i dëbojë Europa, ata nuk do t’i pranojë edhe pushteti politik i vendit, i cili si masë ndëshkuese ndaj emigrimit do t’i ndëshkojë ata edhe me shuma të larta parash, të cilat ata ndoshta deri në fund të jetës së tyre nuk do të arrinin t’i paguanin. Po ç’njerëz janë këta pushtetarë që vrapojnë si të tërbuar për t’a zaptuar medoemos pushtetin, e më pas ndrydhin pamëshirshëm dinjitetin e qytetarit dhe e shtojnë edhe më tej varfërinë e tij? A mos ndoshta në vend të migrimit të qytetarëve duhej të „migronin“ këta mizorë drejt qelive si ndëshkim për dëmet që i kanë shkaktuar vendit për vite me radhë? Kur pyetje të tilla i shtroj vetvetes, shumë shpejt filloj të zhytem në një oqean përgjigjiesh të pakuptimta. Një vend kaq i vogël me potenciale të shumta zhvillimi gërryhet e shkallmohet barbarisht nga kasta hajdutësh, të cilat jo vetëm që brenda një kohe të shkurtër kanë arritur të krijojnë pasuri shumëmilionëshe pa i dhënë llogari askujt, por i kanë futur aq thellë rrënjet anëekënd vendit, duke i „rehatuar“ me lehtësi familjarët e jaranët e tyre, e në anën tjetër vendi të mbytet në zhurmën e heshtjes, duke bërë kështu që një ditë të shndërrohet në një qytet fantazmash.
Në gjithë këtë fluks masiv ikjesh e arratisjesh, sikurse në çdo „të zezë“ tjetër në Kosovën e pasluftës duket qartë të ketë dorë Serbia, e cila nëpërmjet spiunëve dhe agjentëve të saj në çdo cep të Kosovës, me anë të kompanive të caktuara të autobusëve (të njohura për opinionin kosovar), prona këto të disa besnikëve të ish-pushtetit të Millosheviçit në mënyrë sistematike po vazhdojnë t’a zbrazin Kosovën çdo ditë e më tepër. Kështu që sa më i rëndë që ky realitet po bëhet, aq më e vështirë po rrezikohet të jetë e ardhmja dhe ekzistenca e këtij shteti. Kosova po zbrazet, e pushtetarët po vazhdojnë t‘i ngrejnë edhe më tej strofullat e tyre të plaçkitjes dhe zaptimit të gjithçkaje anembanë atdheut tonë pa perspektivë dhe tashmë dukshëm të zbrazur.

– Kontakti me autorin: [email protected])

……………………………………….

……………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura