ADNAN ABRASHI: PAS ZGJEDHEVE TË 3 NËNTORIT, PRIZRENI DO TË JETË KREJTËSISHT NDRYSHE!

Prizren, 22. 09. 2013 – Edhe pse ishte ditë tregu, kur zakonisht qendra e saj gumëzhinë nga njerëzit, tek unë atë ditë dominoi një ndjenjë sikur qyteti im, Prizreni, rënkonte. Duke pirë si zakonisht kafen e mëngjesit në lokalin tim të preferuar të lagjes, me mendime i tretur tërësisht në zbraztësinë e kësaj kotësie, spontanisht hapa gazetën e ditës dhe vëmendja ime u përqendrua në një artikull që kishte për temë pikërisht qytetin e Prizrenit. Ende pa e lexuar përmbajtjen në thelb, por vetëm titullin, shikova në fund emrin e autorit dhe pashë se artikullshkruesi nuk ishte bashkëqytetar imi. Mu për këtë qëllim, nuk vazhdova ta lexoja më tej.
Nuk bëra ashtu, sepse e dija se kur të tjerët shkruajnë për Prizrenin, ata gjithmonë nisen nga një shabllon i bindjeve patetike e paragjykuese të formuar më parë për këtë qytet. Me qëllime plotësisht të mira, kuptohet, është e pamundshme që ata në shkrimet e tyre të mos e thurin atë refren’lavdin, alla: Prizreni-qytet muze; vatër e kulturës sonë tradicionale; kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve; bukuroshja e Arbërisë; simboli i kombit dhe simbol i trimërisë… etj., etj.

Plaku i PDK-së Ramadan Muja (74) dhe i riu i VV-së Arbër Rexhaj (28), kandidatë për kryetar të Komunës së Prizrenit.

Edhe pse, shpesh këso vlerësimesh gjenerale, me metaforë të ngjashme lavdiplote të tepruara për qytetin tim, më duken bajate, si prizrenas autokton, pranoj se më vjen mirë kur i dëgjoj. Ama, “dukjen e një qyteti e formojnë njerëzit që jetojnë në të, e jo shtëpitë dhe rrugët që e ndërtojnë”- më këshillonte dikur baba im i ndjerë – “andaj, biri im, kurrsesi nuk duhet të krenohesh vetëm me bagazhin etik që ta kanë lënë të parët, por në atë vlerë të ngjizur kaherë, vazhdimisht duhet të kontribuosh edhe ti me punën tënde…” Edhe pse hija e vjetër e tradicionalizmit specifik vazhdon të mbretërojë në bindjet e të tjerëve për këtë qytet, pa marrë parasysh kush dhe çka mendojnë për ta, prizrenasit e mi vazhdojnë të jetojnë sipas tekeve të tyre. Ashtu të qetë, duke lënë gjithmonë përshtypjen se, përveç punëve të veta, atyre nuk u intereson asgjë tjetër. Së paku kështu duket në shikim të parë, e, realisht, diku në brendinë e krenarisë së atyre të mentalitetit të qetë për nga natyre, fshihet si latente: zhgënjimi, pakënaqësia, indiferentizmi… ndjesia kolektive e një sindrome të paaftësisë se mund të ndryshohet së paku diçka në këtë drejtim. Prizreni sot është i mjerë. Të bën të mendosh sikur rënkon. Përveç papunësisë dhe varfërisë si materiale, ky qytet shpirtërisht është i zhytur në hipokrizi. Në një trend të pashfrenuar të moralit të sëmurë në krizë. E them këtë me plot keqardhje, por marrëzia dominon kudo mbi të. Po, po, marrëzia! Nga njëra anë, e atyre që e sundojnë dhe vendosin si pushtet për të, dhe nga ana tjetër, e neve që vetëm ankohemi dhe flasim, por asgjë nuk ndërmarrim në këtë drejtim për ndryshimin e kësaj gjendjeje. Fatkeqësisht, Prizreni sot s’ka më autoritet. S’ka politikanë të mirëfilltë dhe politikë vizionare për të ardhmen e vetë. Mjerisht, në çdo pore të jetës, si moral në përhapje sundon gënjeshtra, hipokrizia dhe mediokriteti. Nënshtrimi ndaj “autoritetit të kërrigës” si mirësjellje, mbi të cilin është ulur pushtetari kokëbosh. Politikani injorant, me dishepuj të vet servilë përreth, të cilëve, pa kurrfarë dinjiteti i përkulen gjithë të tjerët. Ata janë sot Zot në këtë qytet. Ata janë madhështorë në sytë e botës që bindshëm u nënshtrohen. A nuk ka më mizërie kur në një lokal ulet një profesor i nderuar dhe intelektual me nam, duke pritur gjatë i injoruar që ta shërbejë dikush nga kamerierët, e në anën tjetër, po aty, një burokrati komunal, dy kamerierë i vërsulen pa kokë që sa më denjësisht ta shërbejnë atë. Nuk është e tërë marrëzia vetëm këtu! Ka edhe më keq! Në fund, burokrati nuk paguan kafenë. Ata shumë rrallë paguajnë kafetë në këtë qytet. Ju këtë gjest mund ta interpretoni si të doni, por kurrsesi si mikpritje tradicionale prizrenase. 
“E, po, i kemi zgjedhur vetë!” – na thonë shumë “komentatorë – badihavgji” të cilët, në këtë qytet mund t’i hasësh çdo ditë dhe në çdo kohë, duke ndenjur me orë të tëra kotë së koti nëpër kafiteritë e SHATËRVANIT (qendra e qytetit) dhe duke i shtjelluar politikat ditore. Këta janë ata që dinë çdo gjë, dhe, për këtë janë në gjendje që me orë të tëra t’ju bindin për njohurinë e vet që ka nga të gjitha lëmenjtë e jetës: shkencë, politikë, sport, kulturë… Këta janë “press qendra” e thashethemeve të qytetit. Analistë lokalë që pa dyshim krijojnë opinion të rëndësishëm tek masat e gjera që u besojnë… Ata janë sinonim i asaj “qysh flet çarshia”. Por, çka na thonë tashti, në vigjilje të zgjedhjeve të 3 nëntorit, këta analist lokal, quaja: “qysh flet çarshia”? Në misionin e vetë të shpërndarjes së informatave, në vigjilje të zgjedhjeve lokale, kjo qendër informative e qytetit, kësaj radhe është mobilizuar shumë. Bazuar në informatat e para që ajo këto ditë po shpërndan në opinion, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, po duket se, në këto zgjedhje, dalja e qytetarëve do të jetë shumë më e madhe. Mbase, në disponimin e tyre mobilizues zgjedhor, shumë po ndikon mënyra e gjertanishme e keqqeverisjes nga ana e kësaj elite politike në pushtet. Ajo çka aktualisht më së shumti mund të dëgjosh nga kjo “Press qendër e thashethemeve të qytetit”, e cila gjithnjë ka reflektuar si disponim real i shumicës së qytetarëve të saj, është: “Jemi lodhur ma me këta në pushte… A nuk po e shihni se ku e kanë katandisur këta qytetin?… Prizreni si një qytet i traditës dhe kulturës së veçantë gjithëkombëtare, nuk e ka merituar këtë gjendje morale dhe politike në të cilën aktualisht gjendet…Ka ky qytet mjaftë njerëz të dijshëm dhe të aftë që mund ta udhëheqin atë më me nikoqirllëk… Kurrsesi edhe katër vite nuk do t’i lihet në dorë të këtyre mediokërve dhe injorantëve politik, të cilët, përveç interesit të përfitimit personal, aspak nuk janë të motivuar të punojnë për interesin e përgjithshëm gjithë/qytetarë…” Kështu po fletë çarshia, por, fatkeqësisht, fare pak asaj po i beson pozita në pushet. Ndoshta, ata, edhe këtë herë si në zgjedhjet tjera, verbërisht po besojnë në ndonjë mrekulli të “shefit legjendar” – Hashim Thaçit.
Natyrisht, kjo gjendje e vetëkënaqësisë së tepruar të pozitës, gjithsesi po i konvenon opozitës së fuqizuar politike e cila për një fitore të pashmangshme, këtë herë bukur mirë i ka konsoliduar radhët e veta. Duke e ruajtur atë primat që gjithnjë të ketë si diçka specifike në vete, Prizreni edhe në këto zgjedhje të 3 nëntorit, do t’i ketë ato privilegje të zakonshme kuriozitare: nga aspekti i moshës, dy kandidatë të propozuar për kryetar të saj, reflektojnë si paradoksale në mes vete: nga njëra anë është, RAMADAN MUJA, kandidati më i vjetër në nivel Republike (74 vjeçar) i propozuar nga PDK-ja (Hashim Thaçi) për kryetar, dhe nga ana tjetër, është ARBËR REXHAJ, kandidati më i ri në nivel Republike (28 vjeçar), i propozuar nga lëvizja VETËVENDOSJE! Karakteristikë tjetër e veçantë e cila deri më sot nuk ka bërë vaki në asnjë shtet demokratik normal të botës, e që do të bëj vaki gjatë këtyre zgjedhjeve në Prizren, është mënyra specifike e fushatës parazgjedhore të cilën do ta aplikoj kandidatit 74 vjeçar i PDK-së për kryetar komune – Ramadan Muja: Ai, këtë herë, këtë fushatë, çdo ditë do ta bëj nga hapësirat e Gjykatës së Qarkut të Prizrenit, ku me disa bashkëpunëtorë të vetë komunal, nga EULEX-si është (janë) akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare në dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim përfitimi?!
Krejt në fund, edhe jashtë të gjitha të theksuara si më lartë, nga disa ato mund të merren si alegori, parabola, sarkazëm… deri tek bërje argati ndaj ndonjë subjekti politik opozitar. Por, jashtë të gjitha këtyre botëkuptimeve, për një gjë jam më se i sigurt se, pas zgjedhjeve të sivjetmë të 3 nëntorit, Prizreni kurrë më nuk do ta jetë në këtë gjendje aq të degraduar morale, politike, ekonomike…, sikur është sot!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura