AFËRDITA DERVISHI, PhD(C): A MUND TË BURGOSET HISTORIA

Prishtinë, 22. 12. 2015: (Letër e hapur z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli) – Z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, ju ndoshta mund ta burgosni realitetin! Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten, në punën tuaj kushtetore, se a mund të burgoset historia? A e keni pyetur ndonjëherë veten se a bën të burgoset Albulena Haxhiu?
Në kohën kur atdheu ka pasur nevojë, ju, Z. Thaçi dhe Z. Veseli, keni qenë të rreshtuar aty ku duhet dhe siç duhet, prandaj kjo thirrje, kjo letër e hapur, është drejtuar te ju.
Me z. Isa Mustafa nuk kam punë as unë, as familja dhe as shqiptarët me dinjitet kombëtar, prandaj ai dhe lloji i tij janë punë e historisë.
E nxitur nga burgosja e 13 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe mbesa ime, Albulena Haxhiu, po ju drejtohem publikisht, për të trokitur në ndërgjegjen tuaj, se duke dënuar atë, keni dënuar, ose keni bërë veprim për të dënuar një pjesë të historisë sonë. Andaj, një ditë historia mund t’ju dënojë, kurse fëmijët tuaj nuk e di a do të kenë guxim t’i shohin në sy të tjerët, sidomos atyre që kanë lindur, janë rritur dhe janë edukuar në familje që bëjnë historinë tonë të re.

Ju nuk i keni burgosur vetëm disa deputetë. Janë burgosur një pjesë e mirë e shqiptarëve. Ngase, e dini edhe ju, populli e ushtron pavarësinë kombëtare nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Populli shqiptar i Kosovës këtë të drejtë e ka realizuar e ka deleguar te deputetët e zgjedhur të partive politike. Prandaj, sovrani shqiptar u beson veprave të përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Kosovës, sepse janë ata që i përfaqësojnë interesat e përkatësisë së tyre kombëtare, jo interesat e ngushta të ndonjë grupi.
Në një gjendje si kjo që është krijuar, doemos me fajin tuaj, sepse jeni kryesorët, por edhe me veprimet e papëlqyera të opozitës, por të cilët janë të detyruar t’i bëjnë për ta ruajtur këtë Republikë, që nesër do të jetë pjesë e atdheut të bashkuar, kërkesa më njerëzore dhe veprimi më i dinjitetshëm është të JEPNI DORËHEQJE.
Nuk e di a ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se edhe ne qytetarët e zakonshëm kemi fëmijë që do të donim t’i shkollojmë jashtë, kur sëmuremi do të donim të kemi një trajtim njerëzor se, ruana zot, për t’i operuar fëmijët tanë në Turqi, apo gjetiu në Evropë, nuk kemi të drejtë dhe mundësi, as në ëndërr ta shohim. Njësoj, edhe ne, jemi njerëz si ju, nga gjaku e mishi, nga kockat e lëkura. Njësoj si ju, kemi shkollë e profesione të lakmueshme, por kemi zgjedhur që në jetë të ecim vertikalisht, siç është në natyrën e njeriut, dhe të mos bëhemi puthadorë e servilë të kujtdo qoftë. Mos harroni se populli është lodhur nga papunësia, nga privatizimi ku përfitues janë individët, kurse punëtorët kanë mbetur pa punë, janë lodhur nga korrupsioni në të gjitha nivelet, nga nepotizmi, nga përbuzja; shqiptarët janë lodhur nga të qenit qytetarë të rendit të dytë e të tretë në tokën e të parëve, prandaj ndaluni dhe shikoni vlimet që po bëhen në këtë popull që ju ka votuar edhe ju.
Ju të dy, z. Thaçi dhe z. Veseli, keni rastin t’i thërrisni mendjes, të hiqni dorë nga ky koalicion i mallkuar që po na djeg në palcë çdo ditë që agon, kur e dini se mund të krijohen situata edhe më të rënda. Pastaj, duke ushtruar pushtet të këtillë, a po e shihni se po e vrisni demokracinë, edhe për të drejtën e kundërshtimit të Albulena Haxhiut që, siç e dini edhe ju, është pjesë e një familje që është bërë pjesë e kujtesës sonë historike!
Jepni dorëheqje pra, o njerëz, në të mirë të kësaj pjese të popullit shqiptar!
Ky popull, pra as ne, më nuk jemi analfabetë, z. Veseli. Edhe ne shumë herë e kuptojmë se pozita dhe pushteti ‘shkelin’ njerëz, z. Thaçi. Por në një vend si ky yni, si Kosova, që historikisht është pjesë e një shteti, për të cilin pak vite më parë kanë rënë 2 261 dëshmorë të kombit, për të cilin janë vrarë dhe masakruar më shumë 12 843 viktima, për të cilin janë vrarë dhe therur më shumë se 1 396 fëmijë, që nga barku i nënës e deri në moshën 14-vjeçare, janë dhunuar 20 400 vajza e gra shqiptare, nënat, motrat dhe nuset tona (Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës), ku as të gjallë as të vdekur nuk gjenden edhe më shumë se 1 700 të vrarë, andaj e keni kohën ta kuptoni se gjaku i këtyre shqiptarëve nuk bëhet ujë. Prandaj, thirrni ndërgjegjes suaj, në mënyrë që ta ruani dinjitetin që ju ka mbetur! Jepni dorëheqje!
Edhe dy fjalë për Albulena Haxhiun që e keni burgosur!
Ju e dini kush ishte Ahmet Haxhiu. Nëse nuk e dini, pyeteni Bacën Adem Demaçi. Ai ende është gjallë. Po ashtu, e dini se armët e sjella nga ai, edhe nga vendet e Evropës, kanë qenë pushkët e para të lirisë. E dini se shtëpia e tij ka qenë strehë e veprimtarëve dhe armëve të lirisë dhe luftës për liri, që kjo pjesë e tokës sonë ta hiqte robërinë sllave. Sa dihet, edhe ju keni qenë pjesë e atij konaku, e veprimtarisë atdhetare të atij burri, që i ka besuar vetëm bashkimit kombëtar.
A e keni pyetur ndonjëherë veten, se ai ju vjen në ëndërr dhe, ashtu siç e kishte zakon, t’ju pyes qetë, pse ma burgoset mbesën, Albulenën?! E di, ai nuk do t’ju thoshte se keni ngritur dorë në familjen e Ahmet Haxhiut, sepse ai kishte vetëm një familje – Atdheun, por ju a do të kishit forcë ta shikonit në sy, njeriun që kishte vënë çdo gjë në shërbim të luftës për liri, shqiptarin që kishte vetëm një atdhe-kurdo që do të bëhet bashkimi kombëtar, njeriun, për të cilin siç kanë thënë, pa ndihmesën e tij, bashkë me Xhavit Hazirin e Nait Hasanin, vështirë se do të themelohej UÇK-ja.
Ju që ishit pjesë e kësaj lufte, lë mënjanë që për kryeshef të policisë së Kosovës e emëroni djalin e udbashit, Enver Maxhuni, tani i burgosni djemtë e vajzat e atdhetarëve, nga të cilët ndonjëri nuk është gjallë. Nuk e di a i frikësohen shqiptarët mallkimit të historisë?! Po ju, a keni frikë nga ky mallkim, kur edhe ju e dini se me ‘Zajednicën’ dhe me caktimin e kufijve, kudo qofshin ata, me Maqedoninë, apo Malin e Zi, me Serbinë, apo me dreqin e të birin, mos po ju mallkon historia për tradhti kombëtare?!
Populli, ky i Kosovës, ju ka votuar për të udhëhequr siç duhet dhe për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve të kombit. Ju e dini më mirë se askush atë amanet! Ndërsa, si po veproni, ju po prekni në integritetin e kësaj Kosove që ka mbetur, po prekni në tërësinë e kësaj Republike që quhet Kosovë.
Deputetët që kanë dalë në mbrojtje të territorit dhe të Republikës nuk do të thotë se janë më atdhetarë se ju. Në të vërtetë, nëse doni të shikoni, ata po dalin më shqiptarë se ju. Prandaj, lëreni anash etjen për pushtet dhe JEPNI DORËHEQJE!
(Autorja është e burgosur politike dhe profesoreshë universiteti)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura