BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: KAPADAIJË TË DËSHTUAR TË VENDIT DHE BIONDINAT E KUVENDIT !

Prishtinë, 21. 06. 2016: (Të dështuar, me veprime të shëmtuar, por prapë të votuar) – Kuvendi i Kosovës është legjitimuar si institucion ku rrahen temat më të rëndësishme për vendin, qytetarët e Kosovës , atyre evropian sepse Evropa këtu sundon sikur edhe atyre amerikan sepse SHBA e kanë vulën apostile për Kosovën dhe të gjitha vendimet që duhet të merren. Ata që e kanë fatin ta përcjellin punën e Kuvendit sikur edhe shtëpia publike që e bënë transmetimin e seancave, nuk kanë nevojë për argumente shtesë për t’u bindur se në këtë Kuvend bëhen diskutime jashtëzakonisht akademike nga intelekualë dhe përfaqësues të popullit! Njeriu shumë mëson në këtë Kuvend e sidomos mëson për mbrojtje të parimeve, mbrojtje të intereseve të qytetarëve, mbrojtje të integritetit territorial të vendit e mos të flasim për mbrojtje të sovranitetit! Këtë mund ta bëjnë vetëm personalitetet me integritet të lartë moral dhe profesional dhe të tillë ka shumë në Kuvend. Zemra të bëhet mal kur i dëgjon ligjeratat e tyre politike, morale dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik dhe, po mos t’i njihnim këta eruditë të zgjedhur të popullit, do të mendonim se jemi duke i dëgjuar duke folur deputetët e Norvegjisë, Suedisë apo Zvicrës! Të rregulltë në seanca, të disiplinuar ndaj përgjegjësive që i kanë sikur edhe sakrifikues deri në vetmohim për të mirën e përgjithshme (për intereset personale as që kanë kohë të mendojnë), cili vend nuk do të dëshironte të kishte të tillë! Por, nuk i kanë e as që mund t’i kenë! Janë të njohur se i kanë votuar të gjitha ligjet dhe marrëveshjet që janë në interes të vendit por nuk kanë pranuar t’i votojnë ligjet që e dëmtojnë këtë interes si, Ligji për tredhjen e buajve të Gjylekarit psh. Ligjet që e forcojnë Kosovën, sikur ai për Gjykatën Speciale që i diskriminon pozitivisht kriminelët serbë (diskriminimi pozitiv për serbë është kategori kushtetuese), Marrëveshja e Demarkacionit dhe Asociacionit për komunat serbe dhe shumë ligje tjera dhe marrëveshje të tilla janë votuar në Kuvendin e Kosovës dhe të gjithë që i kanë kundërshtuar këto, janë fajësuar se kanë mungesë së ndjenjës së formimit të shtetit, se janë kundër intereseve të “miqve ndërkombëtarë “ dhe rrjedhimisht trajtohen si armiq të popullit kosovar! Merreni me mend , për shpuarje të disa gomave të makinave të EULESH-it sikur edhe dëmtimin e tyre në vitin 2009, sot po gjykohen aktivistë të VV kurse askush nuk e gjykon EULESH-in që e ka shndërruar Kosovën në ferr të Aligerit sepse , jo që nuk e ka luftuar krimin por ka bashkëjetuar me krimin duke u majmur si tereq të ushqyer me proteinë për rritjen e vëllimit të muskujve. EULESH u shndërrua në body – guard të krimit në Kosovë prandaj edhe u sulmua aq shumë në seancën e fundit , nga deputetë të këtij Kuvendi , virtytet e të cilëve i ceka më lartë! EULESH “kërkoi “vazhdimin e qëndrimit në Kosovë edhe për 200000000000 vite që është mirëqenie për EULESH-in dhe rruga drejtë varrezës kolektive për qytetarët e Kosovës ! EULESH thotë se ka mandat këshilldhënës dhe monitoron punën e institucioneve të drejtësisë në ndërkohë që nuk heq dorë nga mbajtja e stupcit në duar e që e konsideron se mund ta përdorë kur të dojë EULESH dhe ….Beogradi ! Të gjithë meshqit e Kuvendit , përjashtuar njërit të pavarur dhe VV , e akuzuan EULESH-in se po zbaton standarde të dyfishta , po e njollosë UÇK-në , se nuk po e lufton krimin, se janë të anshëm , se janë të këqij , të shëmtuar dhe sa nuk iu thanë se janë bastard me mandat , por , për çudi , kur erdhi koha e votimit të gjithë votuan për zgjatjen e jetës së EULESh-it në Kosovë dhe theqafjen e Kosovës në sundimin e këtij misioni oportunist dhe të mbushur me intriga korruptive gjë që e nxorën në ledinë vet anëtarët e përjashtuar të EULESH-it ! Nuk më duket aspak morale që një të keqe të identifikuar ta votoni përmes vazhdimi të mandatit ! E kuptoj se deputetët i janë nënshtruar një presioni të hatashëm nga ndërkombëtarët për ta votuar praninë e EULESH-it në Kosovë edhe 2 vjet, për fillim! Të mjerë janë ata që u nënshtrohen këtyre presioneve kurse, edhe më të mjerë janë ata që bëjnë presione nën shkallë kurse para medieve deklarojnë se: “deputetët e Kosovës janë të zgjedhurit e popullit dhe ata duhet të votojnë pa iu nënshtruar kurrfarë presioni…”! Sa dyfytyrësh që janë ! Duket se ato goglat e meshkujve të Kuvendit përdoren vetëm për nevoja fiziologjike dhe trashigimi gjenetike ! Kaptinë e veçantë janë femrat deputete që luftuan sikur luanesha dhe amazone për t’ua mbrojtur nderin “ burrave “! Madje, njera nga ato , deputete e PDK-së në asnjë mënyrë nuk pranonte që autoriteti i EULESH-it të zgjatej edhe për dy vjet por këtë vazhdim do ta pranonte vetëm me një kusht ; që EULESH të mbikëqyret nga institucionet e Kosovës dhe të detyrohet të jepë llogari para këtyre institucioneve ! Një mikut tim që ishte afër meje i thashë se :” më në fund edhe PDK , pos Nait Hasanit po e nxjerr edhe një burrë të vendosur ..” ! Lëre më , pash të Madhin Zot , u përgjegj miku im, bjondinë hesapi është kjo punë ! Vetëm atëherë e dallova ngjyrën e flokëve dhe më ngeli për ngushëllim vetëm Naiti , Ai nuk është biond ! Edhe Zezdita Tahriri është biondinë prandaj u shuan me kohë strukturat paralele serbe , e morëm kodin telefonik, e hoqëm urën mbi lumin Ibër , e ndaluam ndërtimin e 300 shtëpive të Serbisë në Kosovë ( me rëndësi se këtë ndërtim po e bëjnë vullnetarët serbë e jo ndërmarrja Prvi Maj nga Beogradi !!) , siguruam lojalitetin e shovinistëve të Serbisë në kabinetin qeveritar të Kosovës dhe shumë të arritura të tjera që e forcojnë shtetësinë e Kosovës në Drenicë, Llap dhe Dukagjin kurse përfundimisht u bashkua Mitrovica duke u ndarë në Mitrovicën e Veriut të Goran Rakiqit dhe Mitrovicën e Jugut të mbetur pa zot ! Zezdita është super biondinë dhe super mashtruese !

Pafytyrësia e Xhebrail Miushit
Capo di capo i EULESH-it , Xhebrail Miushi , pasi nuk e fitoi mandatin tha se :” askund nuk shkruan në Kushtetutën e Kosovës se ata që e kanë udhëhequr UÇK-në mund të bëjnë ç’të duan e tjera , e tjera “! Dyfytyrësh është ky Miush sepse edhe në ditën e parë të mandatit të tij e ka ditur çka shkruan në Kushtetutën e Kosovës por nuk ka bërë zë ! Ka heshtur sikur varri sepse ka ngrënë në një kalanicë me ta ! Ka bërë projekte politike me ta dhe këta ia kanë vazhduar mandatin kooperativës të cilën deri me tani e ka udhëhequr bossi i EULESH-it. Nuk e ke bërë punën për çka je deklaruar se do ta bësh prandaj , ishe këtu , bëre ç’deshe , ua fute para dhe prapa , e pasurove biografinë me gjëra që nuk do të guxoje t’i bësh në vendin tënd apo në vendet që të kanë votuar të bëhesh boss i Kosovës, u pasurove materialisht por u varfërove moralisht , të bardhës i the të zezë dhe anasjelltas , i mbajte nën presion politikanët e Kosovës ndryshe dostat e tu sikur që ua mbyte shpresën atyre që duan të bëjnë jetë normale e që janë shumicë absolute në Kosovë! Pas kësaj , ende po ke guxim dhe fytyrë të moralizosh dhe të ndashë mësime kur në të gjitha drejtimet e ke notën 1-shë . Je ngelës! Hesht pra dhe shko atje nga ke ardhur me urimin e haxhinjve : “ shkofsh e mos u kthefsh “ ! Jeni të pamoralshëm fare , sa të keni pjata plotë , heshtni, si të mbeteni pa pjata ( mision ) nuk heshtni por , duke e arsyetuar veten i sulmoni institucionet e vendit e pastaj edhe misionin në krye të të cilit keni qenë dhe i keni shfrytëzuar të gjitha privilegjet e mundshme dhe të pamundshme !
Puset e Nikës dhe Ara e Zabelit
Askush sot në Kosovë nuk po thotë se Demarkacioni me Malin e Zi është çështje e kryer dhe e mirë për Kosovën përveç Shkëlqesisë së Tij , Presidentit të Republikës së Kosovës , zotni Hashim Thaçi. Ai , as që e vë në dyshim këtë çështje duke deklaruar se çështja e shenjëzimit të kufirit me Crna Gorën është akt i përmbyllur dhe se me këtë shtet nuk kemi probleme për këtë çështje. Pse do të duhej të kishte problem Mali i Zi kur merr së paku 8000 hektarë tokë Kosove, sipas ekspertëve. Mali i Zi po e gllabëron Kosovën sikur dikur Ulqinin, Hotin, Plavën, Grudën dhe Gucinë por tash, jo me forcën ushtarake të knjazit dhe aleatëve të huaj por me vendim të një “ komisioni qeveritar “ dhe bekim të të fortëve të politikës vendore dhe mujsharëve ndërkombëtarë që po e provokojnë situatën deri në eskalim i cili nuk mund të lokalizohet vetëm në Puset e Nikës dhe Arat e Zabelit ! Shkëlqesia e Tij , President ii Kosovës , zotni Hashim Thaçi duhet ta ketë të qartë se Kosova nuk është pronë e tij private dhe se nuk ka dëshmi kadastrale për këtë pronësi andaj nuk ka të drejtë të sillet në këtë mënyrë. Prona private është e drejtë e patjetërsueshme dhe pronari e shfrutëzon ate si donë vet. Kosova nuk mund të shfrytëzohet në atë mënyrë dhe askush nuk ka të drejtë të falë toka, as Malit të Zi e as Serbisë e as Manastirit të Deçanit ! Presidenti i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në deklarim , sidomos rreth Demarkacionit . Pas vizitës në Vatikan që e cilësoi si shtetin më të fuqishëm në botë e që nuk është aspak e vërtetë, deklaroi se, së shpejti ( brenda 200 viteve sigurisht ) Vatikani do ta njohë Kosovën ! Do të na njohë sikur që na ka njohur edhe Izraeli . Edhe për atë njohje ashtu flitej ! Në një intervistë z. Thaçi pati deklaruar se edhe pas përfundimit të mandatit nuk do të kthehet në PDK-ë. I besoj plotësisht dhe mendoj se Hashim Thaçi , pas përfundimit të mandatit do të bëhet profesor i gjeografisë në Universitetin pa emër të Prishtinës ( i kanë rënë për turp të gjitha shkronjat Hasan Prishtina !!! ) sepse , nuk ka lënë vend pa vizituar në rruzullin tokësor dhe duke zbatuar dolce vitan ( jetën e ëmbël ), si model jetese ! Rreth Demarkacionit i ndryshoi qëndrimet edhe Ai që thoshte se Kosova me këtë Demarkacion nuk e humbë edhe astenjë milimetër tokë kurse sot po dalin 5 kilometra që Mali i Zi po futet në trup të Kosovës! Dikush këtu po rrenë dhe mashtron me të madhe ! Disa po kërkojnë arrestimin dhe dënimin e Murat Mehës ( Merlin Monro i Demarkacionit ) për tradhëti kombëtare ! Nesër do të kërkojnë edhe për ty, Hashim ! Mandati i presidentit zgjatë 5 vjet me mundësi rikandidimi edhe për një mandat! Kosova është e përjetshme dhe askush nuk ka mandat të bëjë të përkohshme duke e përmitësuar për shkaqe dhe faje politike ! Edhe presidentja e Dellit , duke mos bërë asgjë për Kosovën po ngushëllohet me grumbullimin e fondit 22 milionë dollarësh për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar në Kosovë. Thuaja se Kosova është qendër botërore e terrorizmit dhe radikalizmit islamik ! Bëhuni të përgjegjshëm ! Mos e votoni Demarkacionin , me asnjë kusht dhe nën asnjë rrethanë ! Astenjani hiç!
Fitorja e Shqipërisë, oksigjen i shqiptarisë
Shqipëria e mundi Rumaninë e që është dashur ta mund edhe Zvicrën dhe Francën. Madje, me Rumaninë e ka pasur më vështirë se me Francën. Tash, pas fitores të gjithë u bënë shqiptarë , edhe ata që punuan dhe po punojnë kundër shqiptarëve ! Janë shqiptarë të çastit , shqiptarë të interesit dhe përfitues politikë! Unë festova së bashku me familjen time të ngushtë , gruan dhe dy djemtë . Rrugëve të Prishtinës, me flamurin kuq e zi. E festuam fitoren dhe shfaqëm dëshirën për jetësimin e idesë së bashkimit kombëtar. Si diçka krejt e natyrshme dhe që pashmangshëm do të ndodhë , Festuam kuq e zi sikur që jetuam , po jetojmë dhe do të jetojmë gjithmonë , vetëm kuq e zi dhe kurrë ndryshe !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura