AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT (2)

Pashtriku.org, 14. 05. 2015 – (DUHET PËRSHPEJTUAR MBARIMIN E UDHËTIMIT) – Me makinën e qepjes, siç do të thotë në një letër që ia dërgon profesor Ukshin Hoti motrës së tij, do të niset nga Krusha e Madhe dhe arrin në Universitet më të njohura Amerikane si: Çikago, Harvard, Cambrigj- Boston e në Washington DC, në superspecializim të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike dhe do të përfundoj në burg si profesor Universiteti i Prishtinës. Ai do të mbështesë dhe analizoj demonstratat e vitit 1981. Që nga atëherë do t’i merret e drejta e profesorit dhe sot e asaj dite nuk iu rikthye kjo e drejtë, edhe pse iu kishte rikthyer ligjërimit në fillim të viteve të nëntëdhjeta, po aty. Atëherë do të dënohet me nëntë vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit ishte i izoluar në fshatin e lindjes, me provokime të nduarnduarta nga UDB-ja dhe KOS-si. Ai u përballoi të gjitha këtyre provokimeve dhe nuk arritën ta shantazhojnë, e as ta blejnë me para të majme e poste të ofruara.
Në fund të viteve të tetëdhjeta, përsëri me makinën e qepjes do të niset nga Krusha e Madhe dhe arrin në Lubjanë, kryeqytet i Sllovenisë, që atëherë numërohej si e rebeluar e Federatës Jugosllave. Si njeri i pendës dha kontributin e vet në “Alternativa“ dhe “Republika“, ndërsa në “DEA-Demokracia Autentike“ do të dali si ideolog i një të ardhme të lirisë dhe demokratizimit, jo vetëm të Kosovës, por i të gjithë hapësirës kombëtare. Nga Lubjana do të kthehet si kryetar i Degës së LDK-së në Rahovec, por aty nuk do të shikohet me sy të mirë.
Më 1992 do të jetë në mesin e shumë përfaqësuesve shqiptar në dy takime me peshë, të njohura si Tetova I dhe Tetova II. Do të japi kontributin e tij prej intelektuali dhe dijetari, për nxjerrjen e një platforme kombëtare. E dinte mirë se pa një platformë të mirëfilltë kombëtare, shqiptarët nuk mund ta qonin çështjen përpara, se politika bëhej nëpërmjet programeve të akëcilës parti dhe veç e veç çështja shqiptare nuk do të zgjidhej lehtë.

Më 1992 do të rrahet brutalisht në Drenas nga forcat serbe, gjersa kthehej nga Prishtina, si ligjërues fakulteti. Më 1993 do të vuaj një dënim prej 55 ditësh, i dënuar për kundërvajtje më 1991, sepse ishte në ballë të marshutës për të kremtuar një vjetorin e të rënëve në altarin e lirisë, në Brestofc të Rahovecit më 1990.
Sërish me makinën e qepjes do të niset nga Krusha e Madhe për të pranuar udhëheqjen e Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptarë – UNIKOMB gjerë në Kuvendin e Dytë, e pastaj nëse i jepet vota të vazhdojë edhe më tej udhëheqjen e kësaj partie. Kjo nuk i shkoi përshtati UDB-së dhe një pjese të alternativës, siç do të shprehet në procesin gjyqësor në Prizren profesor Hoti dhe burgoset duke u kthyer me 15 Maj të vitit 1994, vetëm për dhjetë minuta të qëndrimit të tij në selinë e kësaj partie. Vënia në krye të UNIKOMB-it e prishte balancën politik në Kosovë dhe prishja e këtij balanci i tmerronte. Do t`i përgatitet akuza për punë ilegale në Lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe në UNIKOMB. Për këtë do të dënohet me pesë vjet burg.
Profesor Ukshin Hoti do të vije me makinën e qepjes edhe në mesin e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në përgatitjen e protestave për Një Tetor të vitit 1997, nëpërmjet të një letre dërguar atyre, ku edhe nga burgu merrte guximin t’i udhëzonte dhe t’i mbështeste ata si dikur me 1981, që të mos ndalen nga rruga e tyre. Me keqardhje, por shumica e profesorëve të këtij Universiteti bënin presion që të mos ketë protesta atë kohë.
Në fillim të burgosjes së tij më 1994 do të mbahen mbrëmje protestash, por ato shumë shpejtë do të pushojnë dhe për dy vjet me radhë, çështja Hoti do të heshtet si nga partia e tij, gjithashtu edhe nga subjektet tjera politike. Më 1996 do të dali përsëri në sipërfaqe çështja Hoti. Do të ribotohet dy herë libri i Tij “Filozofia politike e çështje shqiptare“ nga UNIKOMB-i, pastaj “Çështja Hoti“ shqip dhe anglisht e cila do të jepet falas për të gjithë të interesuarit brenda dhe jashtë Kosovës. Këtë fletushkë do ta marrin edhe delegacionet e ndryshme qoftë në UNIKOMB apo edhe nëpërmjet ithtarëve të Tij. Do të dërgohet një Memorandum dhe një Peticion i nënshkruar nga njëzetë subjekte politike dhe jopolitike. Peticioni i nënshkruar nga qytetarët dhe një Letër nga UNIKOMB-i. Të gjitha këto u dërguan instancave më të larta ndërkombëtare. Nga të gjitha këto kërkesa të UNIKOMB-i kemi një përgjigje nga z. Ren, e cila thotë se Gjykata Supreme e Serbisë nuk ka njohuri se Ukshin Hoti është dënuar dhe mbahet në burgun e Prishtinës. Kjo përgjigje do t’i bie në dorë udhëheqjes së UNIKOMBit pas pesë muajsh (kjo letër kishte qëndruar në sirtarin e z. Rugova) dhe pas kësaj ia kemi bërë me dije z. Ren edhe publikisht, se Ai është dënuar në Gjykatën e Qarkut në Prizren dhe vuan dënimin me burg në Nish. U bënë edhe disa orë protestash si në: Prishtinë, Dardan, Besian, Rahovec etj. për lirimin e Tij dhe të burgosurve tjerë. U organizua promovimi i librit të Tij dhe një Tribunë (kjo nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës) dhe në fund doli mesazhi për lirimin e Tij nga burgu.
Më 1997 profesor Ukshin Hoti do të nisej përsëri me makinën e qepjes dhe do të hyj në Parlamentin Evropian, ku do të mbrojë çështjen shqiptare dhe për shpërblim nxirret një Rezolutë për lirimin e tij nga burgu me 14 Maj të po atij viti. Përkundër kësaj ai edhe më tutje do të mbetet në burg dhe do të trajtohet si të burgosurit tjerë për vepra ordinere, madje edhe më keq.
Më 1999 do të kërkohet nga UNIKOMB-i që Ukshin Hoti të jetë anëtar i delegacionit në Rambuilet, në kuadër të delegacionit të LBD-së, me shpresë, se faktori ndërkombëtar do të ndërmerrte hapa konkretë për të jetësuar Rezolutën e lartpërmendur, dhe do ta lironte nga burgu. Kjo nuk do të gjej mbështetje në kryesinë e LBD-së. Nuk do të gjej mbështetje edhe propozimi i po kësaj partie që të jetë Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, që më në fund do të senzibilizonte faktorin ndërkombëtar dhe deri tash do të kishim një përgjigje zyrtare prej tyre. Kjo e dyta si duket nuk i ka bindur LBD-në dhe Këshillin e Ministrave, se profesor Hoti është në mesin e të gjallëve. Do të mbahen shumë protesta për lirimin e të burgosurve politik (termë me të cilin nuk jam pajtua as që do të pajtohem, se të burgosur politikë ka vetëm ajo qeveri në territorin ku ka sovranitetin e vetë, pra në rastin tonë konkretë kemi të bëjmë me robërit e luftës, se Serbia nuk e ka e as që do të ketë sovranitet të vetin mbi Kosovën), do të dalin orator, por asnjëri asnjëherë nuk e zu në gojë emrin e profesorit të nderuar.
Profesor Hoti ka qenë dashtë të dali nga burgu me 17 Maj të vitit 1999. Nga një dëshmi që ka mbetur në burgun e Dubravës së Burimit, shihet se Ai është liruar me datën 16 Maj të po atij viti. 16 Maji ka qenë ditë e diel, ndërsa nuk ka qenë praktikë e atëhershme e organeve shtetërore serbe, që të burgosurit të lirohen ditën e diel, e aq më tepër përpara se t`i kaloj afati i vuajtjes së dënimit.
Jemi dëshmitar edhe të një udhëtimi të profesor Hotit me makinën e qepjes që bënë në Kosovë, që një vit e gjysmë. Në çdo qytet të Kosovës shfaqen fotografit e Tij vetëm me një pyetje në shqipe dhe anglisht: Ku është profesor Hoti?
A u mor seriozisht faktori politik shqiptarë me çështjen Hoti? A thua e bren ndërgjegjja kreun e politikës shqiptare për fatin e tij dhe nëse po, çfarë ka bërë për te? Mbajtja e tij në burg është turp për kombin? Ismail Kadare dikur ka thënë se është turp kombëtar që mbahet edhe më tutje në burg Ukshin Hoti. Nëse po, duhet ndërmarrë diçka. Këtë e kërkon para familjes, puna e tij atdhetare prej shkencëtari e militanti.
Kishte të drejtë kur profesori i drejtohej motrës Mirvete në një letër, se Ai ka një rrugëtim të gjatë me makinën e qepjes (duke llogaritur hapësirën me madhësinë e këmishës), nëpër të gjitha metropolet e Evropës dhe matanë Atlantikut, për të ardhur në Prishtinë. A po i ndihmon Prishtina të mbaroj këtë marshutë sa më shpejtë apo atë e llogaritin si të padëshiruar për momentin në mesin e vetë? Nëse nuk qëndron kjo, atëherë shtatë milion shqiptarët nuk do ta kishin për nder të mbesin të turpëruar para historisë dhe gjeneratave që do të vijnë. Edhe Evropa që nxori një Rezolutë për lirimin e Tij, kishte obligim për jetësimin e saj apo atë e ka bërë vetëm për farsë? Nëse jo, edhe ajo do të ndaj turpin bashkë me shqiptarët për fatin e profesor Hotit. Me një delegacion të Partisë pata trokitur, pas lufte, në zyrën e OSBE-së për çështjen Hoti, përgjigja ishte, se duhet të bisedoni me shtetet nënshkruese të kësaj Rezolute, thua se ata nuk përfaqësonin të gjitha ato shtete. Përgjigja e tyre nuk do koment.
Sot janë krijuar rrethana të reja. Federata Jugosllave, ajo çfarë është, është pranuar nga shtetet e Perëndimit. Nga ato shtete që kanë nënshkruar atë Rezolutë, prandaj duhet këmbëngulur jetësimin e Rezolutës, për lirimin e profesorit. Kjo këmbëngulje nuk duhet të bëhet vetëm prej palës shqiptare, por edhe nga UNMIK-u, që e administron Kosovën, pra nga kryeadministratori z. Hanc Hekerup. Këta kanë obligim në misionin e tyre të ndriçojnë çdo rast të robërve të luftës. Nëse më herët janë arsyetuar se nuk kanë pasur mundësi, sot janë tjera raporte në relacionin faktori ndërkombëtar – Serbi.
Na mbetët vetëm të veprojmë të gjithë së bashku. Nuk ka Kosovë të lirë dhe të pavarur, gjersa Serbia mban robër të luftës. Nuk ka Kosovë të lirë dhe të pavarur nëse ne jemi të shkapërderdhur për një problem kaq madhor. Nuk ka Kosovë të lirë dhe të pavarur, nëse i drejtohemi Serbisë për t’i amnistuar bijtë dhe bijat e popullit, të cilët i mban peng për llogari të veten politike, që nëpërmjet fatit të tyre të ruaj sovranitetin e vetë mbi Kosovën dhe gjithmonë të na mbaj nën presion psikik.
27.02.2001, Prishtinë
* * *
GJENIUT I MVISHEN ETIKETA MË TË NDYTA

Gjenit lindin rrallë. Çdo komb sado i madh të jetë, e ka për nder të ketë gjeni në gjirin e vet. Mirëpo, kur ata dalin nga popujt e vegjël dhe bëjnë emër me përmasa ndërkombëtare, i gjithë kombi duhet ti ruaj si sytë e ballit. Ukshin Hoti është një gjeni i tillë në fushën e shkencës politike, e ne a kemi ditur ta çmojmë dhe ruajmë atë?
Gjenive herë herë u frikohen oponentët dhe gëzohen kur u ndodhin tragjedi apo kur u pamundësohet veprimi. Se ata gjejnë zbrastësirë për të manipuluar në atë fushë në të cilën mungon ai. Pra e keqja gjenive u vije nga diletantët e fushave përkatëse. Gjeniu është edhe në shënjestër të popujve tjerë, ose për ta përvetësuar atë për interesa të tyre, e nëse nuk e arrijnë qëllimin, ia pamundësojnë veprimin. Shembuj të tillë ka plotë në botë, e te ne është rasti i Ukshin Hotit.
Gjenit lindin në kohë të pakohë. Pra ata janë promotor të shoqërisë, prandaj edhe i takojnë së ardhmes, e jo kohës kur jetojnë. Ata i paraprijnë kohës dhe mu për këtë janë në shënjestër të bashkëkohësve dhe kjo është shkaktarë e luftës për ta përvetësuar ose për të pamundësuar që idetë e tij t’i prijnë kohës, me një ego të sëmur, se unë jam ai që duhet t’i prij shoqërisë. Kjo i ndodhi edhe Ukshin Hotit.
Gjenit gjejnë forma për t’i artikuluar mendimet e veta dhe për t’i plasuar në atë pjesë të botës së ndërgjegjësuar, e cila do t’i shfrytëzojë për të mirën kombëtare apo për gjithë njerëzimin, për t’iu shmangur rrymimeve pseudoshkencore, që bota të mos pësojë kthim prapa apo ndonjë apokalips, por të eci përpara. Ky është misioni i gjeniut. Këtë mision ka Ukshin Hoti, e këtë mision e kanë edhe apostujt e tij.
Gjenit kanë edhe një specifikë të veçantë, se ata janë të vetëdijshëm se kanë lindur para kohe, e për t’i thënë gjërat ashtu siç duhet thënë, duhet pasur guxim. Ky guxim nuk i ka munguar kurrë profesor Hotit.
Gjenit janë në qendër të vëmendjes të pushtetit, të intelektualëve e masave, por më shumë të politikanëve. Ata mundohen të përfitojnë dhe përgatisin gracka për ta mposhtur, kur nuk ia arrijnë, nga kuzhinat e tyre dalin edhe lloj lloj gjellëra, që pjesa e ndërgjegjësuar as nuk ofrohet për t’i marrë erë. Shpifjet e tyre janë nga më të ndryshmet, duke i provuar njërën pas tjetrës, gjersa të gjejnë se cilën e ha populli. E quajnë tradhtar, të çmendur, e nëse mungon në mesin e njerëzve të tij e shpallin edhe të vdekur. Të gjitha këto thashetheme dolën nga kësilloj kuzhine për profesor Ukshin Hotin.
Ukshin Hoti që i ri u dallua në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike e politike dhe për këtë kishte disa benificione nga pushteti i ish Federatës Jugosllave për ta bërë për vete dhe e dërgoi në disa universitete të Amerikës për në superspecializim. Kjo u ra në sy edhe ekspertëve amerikan dhe për këtë pak a shumë i ka dhënë përgjigje Ismail Kadares në letrat e tij “Bisedë mes grilash“. Aty shihet se profesor Hoti ishte i përcaktuar që gjithë jetën do të jetë në shërbim të atdheut. Këtë më së miri e dha në mbrojtje të Pranverës së përgjakshme të rinisë studenteske të vitit 1981. Duke e ditur gjenialitetin e tij Serbia përshpejtoi për ta vënë brenda grilave të burgut. Ajo e dinte mirë, se po ta lente të lirë atë, ai jo vetëm që do ta bindte popullin e vet dhe masivizonte masat shumë shpejtë, por ai do ta bindte edhe faktorin ndërkombëtar për realitetin e shqiptarëve në Kosovë, e jo bota të bindej nga krismat e armëve të luftëtarëve të lirisë shtatëmbëdhjetë vjet më vonë. Pas burgut do ta izolonte në vendlindjen e tij – Krushë e Madhe, duke i vënë një rreth të hekurt mercenarësh, që i përcillnin UDB-ës dhe KOS-it çdo lëvizje të profesorit. Edhe në asi rrethanash gjente hapësirë për të vepruar dhe idetë e tij për t`i plasuar te rinia.
Në kryeqytetin e Republikës së rebeluar Sllovene – Lubjanë do të gjej hapësirë për plasimin e idesë së Demokracisë Autentike, jo të importuar. Diti mirë ta shkoqis autoktonen nga e importuara. Për këtë gjeti një formulë mjaftë të thjeshtë, pozitën Gjeostrategjike dhe Gjeopolitike që zë hapësira kombëtare. Ai i shpjegon gjërat nga më e thjeshta, për të kuptuar më lehtë kompleksitetin e filozofisë së tij politike, në librin “Çështja e filozofisë politike shqiptare“.
Edhe kjo filozofi krijoi hendekun e ri të dytë të bashkëvendësve. I pari ishte me largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës dhe i dyti me rikthimin e tij në jetën politike. E para mund të arsyetohej disi, se ishte në pyetje frika për të humbur postin, pagën, largimi nga familja dhe për t`u shëtitur nëpër qeli të burgjeve. I dyti si mund të shpjegohet? Iu dha e drejta e ligjërimit në fakultet, por nuk iu legjitimua e drejta e profesorit. Pra kjo jep për të kuptuar se ai nuk ishte resocializuar nga UDB-ja dhe ende duhet mbajtur nën mbikëqyrje të akcilit profesor apo dekan dhe nëse nuk ecte rrugës filozofike që mëtonte të ndërtohej, duhej marrë e drejta e ligjërimit. Ndryshe nuk mund të shpjegohet. Rikthimi në jetën politike legale i tmerroi. E pse të mos i tmerronte, kur ai botërisht tha në varrimin e një dëshmori më 1990, se për ta mbrojtur këtë që e kërkojmë duhet të kemi një forcë mbrojtëse. Forca mbrojtëse nuk përkonte me filozofin e re politike që krijohej. Atëherë u ngritën zërat për ta larguar nga politika, me metoda perfide titiste. Këta zëra u ngritën edhe nga Fushë Kosova, pas shumë përpjekjeve të dështuara brenda në Rahovec nëpërmjet emisarëve nga Prishtina. Si dikur që e panë rrezikun armiqtë e kombit nga ky, po këtë rrezik e shihte edhe klasa politike në Kosovë. Duke e njohur mirë filozofinë titiste, doli botërisht se hiqte dorë nga ajo filozofi dhe do të përvijonte filozofinë e vet, e cila veç i kishte apostujt që e propagandonin ose vepronin në frymën e saj. Dikush punonte në ilegalitet, dikush kishte rënë në burg (fjala është për rihapjen e burgjeve për të burgosur politikë, pas amnistisë së vitit 1990, që edhe Jugosllavia e atëhershme mundohej të vë maskën e shtetit demokratik, si Jugoserbia e sotme.)
Profesor Hotit i kërcënoheshin dy rreziqe: i pari vinte nga lidershipi shqiptar, e i dyti vinte nga okupatori. Serbia e dinte se idetë e tij do t’ia tërthuronin punët në frontin e hapur në Kroaci e më vonë në Bosnje edhe Hercegovinë dhe e ledhatonte “Republikën e Kosovës“ duke ushqyer klasën politike për t’iu rikthyer asaj më vonë. Kjo dhe doli. Duke e parë këtë rrezik profesori vendosi të krijoj një opozitë të fortë duke u mbështetur në filozofinë e tij politike, e, që kishte bindje se do të ngadhënjej dhe këtë mund ta bënte vetëm nëpërmjet një partie politike. Në këtë kohë meditimi të tij, merr ftesë nga kreu i UNIKOMB-it dhe pa u hamendur merr përsipër udhëheqjen. Ky akt kishte tejkaluar parashikimet e lidershipit shqiptarë dhe okupatorit serb dhe për të dy palët formulë e përbashkët ishte, po prishet balanci politikë në Kosovë- duhet penguar. Kjo pengesë u bë një orë e gjysmë më vonë të qëndrimit të tij në selinë e kësaj partie dhe UDB-ja i zë pritën dhe e arreston.
Prishja e balancit politikë në Kosovë u reflektua edhe në Shqipëri. Mërgata shqiptare do t’i përmbledh shkrimet e tij dhe do t’i botojë në librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare“, dhe 4500 ekzemplar do të tretën bashkë me një kamion që tentoi t’i bie në Kosovë, të cilin do ta sekuestroj policia shqiptare dhe në Kosovë do të arrijnë vetëm 20 ekzemplar.
Frika nga kjo filozofi e re e mbështetur në Demokracinë Autentike, si bazë mbështetëse në gjeopolitikë dhe gjeostrategji të truallit kombëtar, sigurisht do t`i tronditi edhe disa forca të caktuara në Perëndim e Lindje. Profesor Hoti i ndante në grup shtetesh që kishin interesa të ndryshme në tokën tonë. Tash ne që jemi dëshmitar të prezencës së tyre këtu, po i shohim me sy. Po i shohim me sy edhe përcaktimet e forcave politike shqiptare. Prandaj Parlamenti Evropian për t’i ikur një trysnie që i bëhej nga forcat e shëndosha shqiptare për fatin e profesor Hotit, me 14 Maj të vitit 1997 do të nxjerr në Rezolutë për lirimin e tij nga burgu. Ajo Rezolutë mbeti në letër, se po të lirohej ai, forca kombëtare që përbënte diku rreth 20% të elektoratit në Kosovë, do ta rriste këtë përqindje shumë më shumë, gjë që i frikonte. Prandaj duhej ruajtur balanci politikë. Këtë e dinte edhe lidershipi i Kosovës dhe për herë të dytë e shpalli të çmendur. Letrat nga burgu e demantuan këtë propagandë të turpshme. Edhe z. Elizabet Rejn, u detyrua t’i shmangët misionit të saj dhe pranoi një të vërtetë të servuar se “Ukshin Hoti nuk është gjykuar e as që është në burgun e Prishtinës.“ Edhe pse kishte dokumentacion të bollshëm, iu bë e ditur edhe një herë se ku gjendej profesori. Të gjitha këto krijonin një kon dhe në pikën e lartë të konit ishte e shënuar, po të lirohet Ukshin Hoti do të prishen balancat politike, ndoshta në gjithë hapësirën shqiptare. Për këtë edhe ishin bërë anketime, analiza dhe testime të ndryshme psikosociologjike. Një mërgimtare (Shemsie Elshani) në telefon do t`i thotë motrës së profesorit – Mirvetës “Kur erdha këtu, profesori ishte i shtrirë për dhe, i nëpërkëmbur dhe i përbuzur nga shqiptarët. Sot (fundi i vitit 1996) ai është ngritur vertikalisht dhe ka filluar të eci në diasporë, e atje?“ Këtu mundoheshin ta margjinalizonin me çdo mjet propagandistik që u vihej në dispozicion, ndërsa okupatori rronte në të terun, se nuk i bëhej presion i fuqishëm për ta liruar. Parlamenti Evropian e futi Rezolutën në sirtar dhe nuk e nxori sot e asaj dite në pah, të paktën formalisht.
Prishjes së këtij balanci politikë do t`i frikohen edhe në caktimin e delegatëve në Rambuile nga LBD, forcë politike që ishte krijuar me bashkimin e disa partive politike. Ky ishte shansi i fundit për ta liruar profesorin nga burgu dhe kjo u bë me vetëdije. Ndoshta për këtë u kanë sugjeruar “miqtë“.
Në këtë Kosovë gjysmë të lirë, u bënë protesta të shumta për lirimin e të burgosurve politikë nga burgu, emri i tij nuk u zu në gojë asnjëherë nga folësit, madje për hir të balancit politikë u lansua edhe dezinformata më e tmerrshme- Ukshin Hoti është i vrarë. Ka të tillë që bëjnë be e rrëfe. Pas gjithë këtyre lojërave rreth profesor Hotit, a mund t`u besohet atyre apo duhet marr gjërat me logjikë.
Ukshin Hoti nuk është njeri që mund të vritet dhe të mos dihet kush e ka vrarë. Ai nuk u nxor nga kolona, nuk ishte në pikë vëzhgimi dhe të zihet rob, nuk ishte korrier dhe të kapej nga okupatori. Ai ishte në burg, madje me një Rezolutë për ta liruar nga burgu, të nxjerr për te nga Parlamenti Evropian dhe ka një dëshmi se është liruar para kohe. Ai që rezonon me logjikë nxjerr tjera përfundime dhe pas nxjerrjes së këtyre përfundimeve mobilizohet për të vepruar. E si mund të veprojë një motër e vetme, së cilës i është bërë presion që ta tërheq nga politika dhe të kërkoj fatin e tij si familje. Ky mesazh i vjen nga faktori ndërkombëtar, ndoshta edhe nga faktori shqiptar në mënyrë të tërthortë. Logjika thotë, ai ende duhet të rrijë prapa grilave, se prishet balanci politik shqiptar. Nëse në ndërgjegjen tonë ka trokitur mesazhi i Ismail Kadares “se është turp për kombin të mbahet Ukshin Hoti në burg“, atëherë rreth këtij mesazhi duhet të mobilizohemi sot, që përkojnë tri data të rëndësishme: 1. përvjetori i lindjes së tij, 2. përvjetori i burgosjes dhe humbjes së gjurmëve dhe 3. përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që jeta dhe vepra e tij janë program i yni kombëtar.
Qershor, 2003, Prishtinë
( … )
Kapitulli i dytë i librit “Shkapërderdhja e energjisë kombëtare” i autorit Afrim Morina, që ka të bëjë me kolosin e filozofisë politike shqiptare Mr. Ukshin Hoti, botuar në qershor të vitit 2006.

_____________
PJESA E PARË:
AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4023
***
PJESA E DYTË:
AFRIM MORINA: NA MUNGON SHUMË MENDJA E UKSHIN HOTIT (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura