Lipjan, 2. 7. 2016: (Fjala e rastit si autor me rastin e promovimit të librit monografik “PERGAMENË E GJALLË” kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare dhe ish të burgosurit politik Sadik Buja – 29 qershor 2016, Lipjan) –
Të nderuar vëllezër e motra pjesëmarrëse,
familjarë të Sadik Bujës,
I nderuar zotëri nënkryetar i komunës së Lipjanit, Fitim Selimi,
Shokë e bashkëveprimtarë të Sadik Bujës,
Të dashur veteranë e invalidë të luftës së lavdishme të UCK-së dhe familjarë të dëshmorëve,
Ndjehem shumë i nderuar që në prani të shokëve e bashkëveprimtarëve, familjarëve dhe bashkëvendasve të shokut e të bashkëveprimtarit tim të ngushtë Sadik Buja të promoj sot librin monografik për të pikërisht këtu në Lipjan, ku ai me shokët e tij veproi për vite me radhë duke mbajtur gjallë zjarrin e atdhedashurisë dhe përpjekjeve për të trasuar rrugën e luftës për çlirim e bashkim kombëtar. E si mos të ndjehem krenar kur këtu në sallë shoh shumë bashkëveprimtarë të kohës së veprimtarisë ilegale, që sot po e thërrasin klandestine, me ata që shpesh nuk e dinim ku do na zërë nata e ku dita. Aq më tepër, këtë edhe nuk e fsheh dot, kur dy nga shokët tanë të organizatës i shoh sot të mbajnë edhe poste të tilla siç është nënkryetari i komunës së Lipjanit Fitim Selimi, të cilin e falenderoj publikisht për ndihmën dhe përkrahjen për realizimin e këtij evenimenti. Këtu kemi edhe një shok tjetër tonin e që sot mban postin e kryetarit të komunës së Dardanës, ish Kamenicës, Begzad Sinani. Prandaj nuk e fsheh dot këtë krenari dhe gëzim njëherësh. Po më duket sikur u mblodhëm si atëherë që mblidheshim, me një ndryshim ama, atëherë mblidheshim kryesisht natën nën dritën e yjeve, siç tregon edhe kopertina e librit që po promovojmë, dy nga dy apo nga tre, e jo si sot, kështu grumbull.
Pjesëmarrës të nderuar,
Një libër monografik për shokun është gjëja më e vogël që mund të bëjmë ne sot për shokët që nuk i kemi më në mesin tonë, në krahasim me gjurmët e pashlyera të një veprimtarie aq të dendur dhe intenzive që ata kanë lënë gjatë njërës nga periudhat më të rëndësishme të vetëdijësimit kombëtar dhe organizimit të luftës për çlirim e bashkim kombëtar.
Siç e kam shkruar edhe në monografinë që sot po promovoj, e që i kushtohet një heroi të heshtur të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, veprimtarit të palodhshëm dhe ish të burgosurit politik Sadik Buja, se të shkruash për një shok që nuk është më në mesin tonë është një punë jo aq e lehtë dhe sfiduese. Të shkruash për një shok dhe bashkëluftëtar nuk mund t’i ikësh edhe subjektivitetit. Por, meqë ata që janë të thirrur të merren me këtë këtë punë spara marrin mundin të merren me ndriçimin e historisë sonë jo të largët dhe as me ata që kanë marrë pjesë në këtë historibërje, detyrohemi ne, shokët e atyre që trasuan rrugën e luftës për çlirim e bashkim kombëtar të lajmë borxhin ndaj shokëve dhe luftës që bëmë bashkë për çlirim e bashkim kombëtar.
Pra, ne që shkruajmë për shokët tanë nuk mund t’i ikim aq lehtë subjektivitetit, por janë historianët ata që duhet të bëjnë korigjimet e duhura dhe t’i zhveshin veprat tona nga subjektiviteti eventual dhe kështu t’ua paraqesin gjeneratave sa më objektivisht ato figura historibërëse, pa veprimtarinë e të cilëve dhe mundin e sakrificën e tyre, pa gjakun e tyre të derdhur e sotmja nuk mund të imagjinohet kështu siç është sot. Edhe pse ata nuk kanë mundur ta imagjinojnë se do vie një ditë që as për së afërmi nuk do të jetë ajo për çfarë ata sakrifikuan dhe flijuan jetën dhe gjakun e tyre. Këtu shtrohet edhe pyetja: Pse? Athua për një gjendje të tillë ata flijuan dhe sakrifikuan çdo gjë? Sa u arritën aspiratat për të cilat ata sakrifikuan, u flijuan dhe derdhën gjakun? Jo, ata sakrifikuan, u flijuan dhe derdhën gjakun për një jetë të lirë, të barabartë, të pavarur e sovrane, për një Shqipëri të bashkuar derdhën gjakun. Dhe kjo Shqipëri do bëhet, se është edhe amanet i gjithë atyre qindra e mijëra dëshmorëve që derdhën gjakun për këtë kauzë të shenjtë ndër shekuj.
Ndoshta pikërisht këtu vlen të theksohet se Sadiku jo vetëm para luftës por edhe pas luftës nuk arriti të punësohet kurrë, duke u lënë të jetojë në një varfëri të skajshme. Pra, as pushteti i pasluftës nuk parapëlqente që Sadikut t’i sigurohej një vend pune për të mbajtur familjen. Kështu u veprua edhe ndaj fëmijëve të tij, pa iu mundësuar të punësohen, edhe pranë asaj që fëmijët e Sadikut kanë mbaruar edhe shkolla të larta. Kjo dëshmon për moskujdesin dhe neglizhencën e shtetit ndaj figurave të tilla që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për ta bërë Kosovën shtet dhe për ta bashkuar me Shqipërinë.
Të dashur vëllezër e motra
Unë bëra një libër për një shok dhe bashkëveprimtar e bashkëluftëtar në rrugën e shenjtë për çlirim e bashkim kombëtar, por kjo nuk do të thotë se për Sadik Bujën janë thënë të gjitha. Përkundrazi, ka akoma shumë për t’u thënë.
Dhe jo vetëm për Sadikun duhet shkruar, por për një plejadë të tërë të veprimtarëve të shquar të luftës së pakompromis për çlirim e bashkim kombëtar. Ka shumë veprimtarë të shquar të kësaj lufte sidomos gjatë tri decenieve të fundit të shekullit të kaluar, ka akoma të gjallë prej tyre që janë anashkaluar nga pushteti. T’i përmendësh të gjithë me radhë do na duhej të rrijmë gjatë në këtë sallë, por nuk mund të kalojmë pa përmendur disa prej tyre, sidomos ata që kanë lënë gjurmë të pashlyera në këtë historibërje të përpjekjeve titanike për çlirim e bashkim kombëtar, siç janë ta zëmë Rafi Halili, Kadri Osmani, Rexhep Malaj, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Xhavit Haziri, Fazli Grajçevci, Mehmet Hajrizi, Nuhi Berisha, Hydajet Hyseni, Ismajl Haradinaj, Drita Curri, Jashar Alia, Zijah Shemsiu, Skender Kastrati, Kadrije Gashi, Kadri Labunishta, Afrim Zhitia, Bajram Bahtiri, Fahri Fazliu, Behajdin Allaqi, Emrush Xhemajli e shumë e shumë të tjerë në një listë pa fund të veprimtarëve të shquar, për të kulmuar me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e saj legjendarë Zahir Pajaziti e Adem Jashari, komandantët e shquar të kësaj lufte titanike si Fehmi Lladrovci, Ilir Konushevci, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Ilaz Kodra, i madhi Mujë Krasniqi – Kapuçi, Isa Kastrati, dhe qindra e qindra komandantë njësitesh e luftëtarësh të denjë të kësaj lufte titanike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pa mundin, djersën, sakrificën dhe gjakun e derdhur të tyre nuk mund të imagjinohet dita që ne sot po e jetojmë, edhe pse kjo ditë nuk është ajo për çfarë ata kanë aspiruar. As për së afërmi nuk janë janë përmbushur aspiarat e gjakut të derdhur. Meritë e pamohueshme e tyre është që ne sot akoma po frymojmë shqip dhe po shpresojmë që gjenerata që po vjen do të jetë në gjendje dhe e vendosur ta çojnë deri në fund luftën që është zhvilluar me dekada drejt bashkimit kombëtar, si e vetmja alternativë e këtij nënqielli ballkanik.
Të nderuar familjarë të shokut tim të idealit Sadik Buja, shumë e nderuara Arife. Shfrytëzoj rastin që edhe publikisht t’ju falenderoj për strehën e ngrohtë që na krijuat në ato vite të vështira të veprimit, e sidomos ty Arife, bashkëshortja e shokut tim Sadikut, të falenderoj nga zemra për bukën që na i shtrove kohë e pa kohë.
Të dashur motra e vëllezër, ju falenderoj për kohën që keni gjetur të vini këtu të ndajmë emocionet e çastit bashkërisht. Falenderoj edhe ata miq e shokë të shumtë që nuk kanë mundur të vijnë sot për shumë arsyera, e që më kanë shkruar. Nga gjithë ato shkresa po veçoj vetëm disa sosh.
Fatmir Brajshori pos tjerash shkruan: “Edhe pse fizikisht nuk jam aty, me zemër e shpirt jam në mesin tuaj”, duke uruar një promovim të suksesshëm.
Këtu do të ishte edhe prof. dr. Jahja Kokaj, shkencëtari më i madh dhe i njohur ndërkombëtarisht që ka nxjerrur Kosova, por që në momentin e fundit është penguar të vie dhe është lajmëruar me një shkresë, ku pos tjerash shkruan: “Me kënaqësi doja të vija. Por më dual një termin i papritur. Jam në proces të formimit të një Instituti Shkencor për Zhvillimin e Kosovës. Papritmas, në datën e përmendur kanë lajmëruar të vijnë njerëz nga Kembrixhi. Pra nuk mundem të marr pjesë në promovimin e librit për Sadik Bujën. Uroj promovim të mbarë. I juaji Jahjai”
Sabri Lushi në shkresën e tij pos tjerash shkruan: “Ju përgëzoj për punën që keni bërë për aktivistin e atdhetarin e Lëvizjes Kombëtare, i cili u nda nga jeta para kohe nga një sëmundje e rëndë. Ne shokët nga Lipjani Sadik Bujën e nderojmë dhe tregojmë respekt të madh për punën e tij atdhetare. Në pamundësi për të marrë pjesë, ju përshëndes përzemërsisht. Sadiku mbetet përherë në kujtesën e shokëve. Lavdi e nderim i qoftë Sadik Bujës. Të Fala – Sabri Lushi”
Të dashur motra e vëllezër. Ndjehem shumë i nderuar për pjesëmarrjen tuaj dhe ju falenderoj nga zemra për këtë. Mirë u pafshim në promovimin e librit tim të ardhshëm që do ta botoj së shpejti.
Agim Sylejmani