AHMET ÇOLLAKU: GJENERALI I NAFTËS SHQIPTARE

Tiranë, 22 dhjetor 2018: (Një burrë është vetvetja vetëm kur është vetëm. – Arthur Schopenhauer)
Gjeologu Dhimitër Gjenerali është një specialist i veçant, njeri i “çuditshëm”, një fond i madh, i gjallë, që vazhdon të mendojë për gjeologjinë dhe naftën shqiptare. Për ‘të, studim-kërkimi i naftës dhe pasurive të tjera të Shqipërisë ka qënë puna, morali, pasioni, karriera, gëzimi, dhe mundi i tij për shumë vite. Ndonse kushtet ekonomike e bënë të endet nëpër botë, të kapërcejë dete e oqeane, që nuk maten me sy, të lerë pas qytete e shtete, e megjithatë, kujtimet dhe pasioni për naftën e kanë ndjekur pas kudo. Me një memorje për t’u patur zili, ai mban mend shumë ndodhira, incidente, marshuta fushore, prerje gjeologjike të puseve… Të gjitha këto, nga goja e tij, rrjedhin si fontanë, duke përmbytur njëra-tjetrën. Gjenerali ka zënë vend në memorjen e naftëtarëve dhe në literaturën fondore të gjeoshkencave shqiptare, si një gjeolog gati i pa përsëritshëm, etalon në sistemin e tij referues, ngacmues për një çmim të lartë profesional, moral dhe material. Ku nuk gjendet emri i tij?! Në studime, në puse, në oponenca, në recensione, në përgjithësime, në debate të shkruara dhe të pashkruara… Dikush edhe mund ta fshijë nga memorja, por nga fondet dhe arkivat mund ta zhdukë vetëm zjarri. Ai nuk harrohet lehtë, sado që disa e mbajnë si të harruar.

Janë të shumtë “shkëncëtarët” në gjeoshkencat dhe në gjeologjinë e naftës shqiptare, madje me “kuintalë”, sidomos tani në erën “demokratike”, kur ata mbijnë dhe shumohen si kërpudhat, ca me syze, ca pa qime, të tjerë me mjekër, brigadë e stërmadhe, por që të gjithë sëbashku nuk peshojnë sa gjeologu Gjeneral. Në krahasim me sipërfaqen e vendit, bash kemi bollë shkencëtarë, por çuditërisht, ndërsa rritet numëri i të graduarëve shkencorë, perspektiva e naftës po shkon drejtë shuharjes. Pyes shokë dhe kolegë, ata në shkencat e naftës, a ka naftë të pa zbuluar akoma në tokë kjo Shqipëri? Disa heshtin, të tjerët, shumica, thonë si me krenari(!), Shqipëria nuk ka më naftë, mbaroi, kot vinë rrotull kompanitë e huaja… Ky fakt më trishton shumë. Se mos vetëm mua? Edhe të tjerë, edhe Gjeneralin tim. Nëse është kështu, që kjo Shqipëri nuk ka më naftë, pse të mos u themi kompanive të huaja që të mos zbarkojnë në Shqipëri, mos të shtrijnë profile sizmikë? Më këtë veprim, ata do t’i bënin një shërbim të mirë këtij vendi. Por ja që të huajtë vazhdojnë të vijnë në Shqipëri, pasi kanë bërë eksplorimin e ftohtë, atë pa zë. Ata e dinë mbase më mire se ne, që Shqipëria, vendi ynë është një perlë, pasi i kanë vjelë mirë e mirë fondet dhe arshivat e naftës dhe të gjeologjisë tonë.

Gjeologu Dhimitër Gjenerali

Zhvillohen boll aktivitete për gjeoshkencat dhe për naftën, brenda dhe jashtë vendit, po pa më thoni, në gjithë ato tema gjoja akademike, me hyrje dhe dalje standarte, ku lakohen fjalët Helenide, Albanide, Dinaride, Zonat e Brendëshme, Zonat e Jashtëme…dhe për më tepër, si nuk dëgjon një fjalë të vetme për perspektivën e naftës shqiptare!? Këtu ndahen me Gjeneralin, të gjithë këta akademikë dhe profesorë . Gjenerali im është gati të japë koordinata X,Y, ku duhen përqëndruar punimet për zbulimin e naftës shqiptare. Gjenerali im nuk është as rreshter, por çuditërisht, të gjithë duan të konsultohen me ‘të.
Për gjeologun Dhimitër Gjeneralin, Shqipëria ka shumë perspektivë për naftë dhe gaz, duke e krahasuar me disa vende të Lindjes së Mesme. Ai përmend disa diapire me perspektivë, madje edhe në detin tonë, nga jugu në veri, si dhe zona të tëra brenda në Shqipëri. Gjeologu Dhimitër Gjenerali peshohet me flori, por sistemi ynë i tanishëm qeveritar nuk i kërkon këta specialistë, këto supervlera. Sistemi ynë i tanishëm qeveritar kërkon t’i harrojë, t’i hedhë në greminë këta specialistë, që kjo Shqipëri të bëhet më e vogël, një lajthi që të huajtë ta gëlltisin më shpejtë dhe më lehtë.
Ka shumë valenca, që e shquajnë këtë gjeolog mes kolegëve të tij, të rinjë dhe të vjetër. Referues i vlerave të tij shkencore dhe praktike janë ato punime dhe studime, që kalojnë shifrën 60, vendosur denjësisht nëpër raftet e fondeve të gjeologjisë shqiptare në përgjithësi, dhe në ato të naftës shqiptare në veçanti. Ai ka zënë vend edhe në memorjen e kolegëve të vëngër, të cilët amplifikojnë vetëm anët e dobëta të Dhimitrit. Ai ka qënë dhe është jo vetëm teorik i thellë, por edhe praktik, aplikativ. Ai nuk bën shkencë për shkencë, për border, si mjaftë doktorë, akademikë të vjetër dhe të rinjë, që nuk kanë marrë një orë mungesë nëpër simpoziumet e gjeoshkencave në të katër anët e botës, si përfaqësues të shtetit shqiptar, sigurisht me lekët e taksuara ndaj popullit tim, pamvarsisht se varfëria po rritet në progresion gjeometrik. Gjeologu Dhimitër Gjenerali ngacmon një çmim të madh për optimizmin e perspektivës së naftës Shqiptare, që është nën tokë e pa zbuluar akoma, se vetëm ajo do mund t’i heqë këtij populli urinë e tejëzgjatur në shekuj. Kolegu im ka bredhur nëpër Shqipëri, sikur ky vënd të jetë kopshti i tij me tapi. Në vitet 1951-1962 ishte në Kurbnesh të Mirëditës, në Krumë të Kukësit, në Koman të Pukës, në Krrabë, për kërkimin e mineraleve të pasur me Cu, Au, W, Cr, Fe, Ni, Al, P, As e tjerë. Dhe këtu ai u gradua, por gradën më të lartë e morri gjatë 30 viteve me studimet e shkëmbenjve sedimentarë, ku ndodhen vendburimet e naftës. Është e trishtueshme, por edhe i ndjeri, Petraq Xhaçka, doktor në shkencat gjeologjike, në librin e tij autobiografik: “Kalvari i një intelektuali”, në faqen 198, në paragrafin e fundit, shkruan me mburrje(!): “Po tani, kur kanë kaluar afro njëzetë vite pa u zbuluar asnjë vendburim i ri nafte, ç’farë thotë vallë ky besnik i diktaturës?.. Apo edhe kompanitë e huaja vazhdojnë sabotimet?!” I jepni Gjeneralit tim vetëm tri sonda shpimi, dhe do të shikoni si do të shkojë kjo puna e naftës shqiptare !
Ky shkencëtar i pa graduar, ka pasur udhëheqës diplome gjeologun e mirënjohur, viktimën reale të monizmit, të ndjerin Koço Plaku. Ai ishte dashamirës dhe i pasionuar, i cili i mësoi gjithë sekretet e leximit të fenomeneve gjeologjike në teren, sepse starti për kërkimin e naftës fillon në teren. Ai fillon me leximin e maleve, fushave, qafave, shpateve, përrenjëve, fosileve, gurëve, me leximet e këndrënieve të shtresave, gjetjen e prishjeve tektonike, të kufijve të transgresionit, me të cilat kjo Shqipëri shëmbllen si një laborator natyral. Gjeolog Dhimitri di ta lexojë dhe vizatojë nëntokën edhe nëpërmjet prerjeve të puseve të thellë. Ai di ku të vendosë faunën, di ku duhet koreluar ajo me gëlqerorët, flishi, ampliapertura, transgresioni, apo pakua kalimtare. Ai di të lexojë alfabetin dhe abetaren e nëntokës si asnjë tjetër. Punimet e bëra nga shoqëria italianë AIPA, si dhe studimet e Prof. Stanislav Zuber, i shtuan optimizmin për të menduar për perspektivën e naftës shqiptare. Atij i kujtohet koha kur, atje në Drejtorinë e Naftës në Kuçovë, nxorrën nga kasaforta studimet e Prof. Zuberit dhe i dogjën. Por sa herë është djegur kjo Shqipëria jonë deri më sot?
Vitet e para Dhimitri punoi në rilevimet fushore, për ndërtimin e hartave gjeologjike në shkallën 1:100.000. Më vonë, pas largimit të specialistëve rusë, bashkë me të tjerë, punoi për ato zbulime marramëndse. U zbulua nafta në gëlqerorë dhe nisi një erë e re. Këta gjëologë ishin pikërisht Kolombët, që zbuluan naftën në gëlqerorët. Konkretisht, u zbuluan vendburimet Gorisht, Visokë, Ballsh, Krane, Delvinë, dhe flakadani Ca-12 në Cakran…
Dhimitri ka qenë dhe është shumë optimist për perspektivën për naftë të Shqipërisë, si për objektin e gëlqerorëve të tipit antiklinal, të tipit hidrodinamik, për kurthet tektonikë të përplasjes së gëlqerorve me diapirizmin e gipseve të tipit të Delvinës, për tipet e vendburimeve që na thërret në zonën flishore në veri të Shkumbinit (në zonat Papër-Galush, Rovë, Golem-Kavajë, Durrës-Rodon), përse jo edhe në Selishtë-Vlorë-Seman dhe Ardenicë e Divjakë, për vendburimet në kurthet tektonikë anash diapireve, sidomos të Dumresë etj. Ai është autor i projektimit të pusit Ca-12, Panahorë, Vlora-9, Babicë-2, Selishta-1 etj. Ai ka bërë interpretimin gjeologjik për thellësitë, të profileve sizmikë. Ai është bashkëautor në disa libra për studentët e gjeologjisë. Ka marrë pjesë në simpoziume ndërkombëtare, të cilat i kujton me gëzim, sa edhe ftesat i ruan akoma.
Edhe Dhimitri nuk i shpëtoi luftës kundër shfaqjeve të huaja. Kështu, në vitin 1973 e spostuan si gjeolog të thjeshtë në një pus, po nga që kishin nevojë për mendjen e tij, këtë ambasador shëtitës e tërhoqën përsëri në Insititutin e Naftës në Fier. Ai iu rikthye zonës së Delvinës dhe Sarandës, të cilat i kishte rilevuar vite më parë. Më vonë, pas një “incidenti” tjetër me drejtuesit partiakë, e vendosën në Ndërmarrjen Sismogravimetrisë në Fier, ku kontriboi në studimin e densitetit të shkëmbinjve, duke ndërtuar hartat e izodensitetit dhe densitogramat për disa rajone. Por, herë pas here, gjeologun Gjenerali, e ftonin si pjesëmarrës në projektimin e puseve kryesorë, që bënte Instituti i Naftës në Fier, apo për interpretim gjeologjik të profileve sizmikë.
Si njeri, Dhimitri është shumë interesant. Në disa raste duket i komplikuar, vështirë për ta koreluar, i ngjajshëm me një diapir gjithë naftë. Sipas meje, bindjet dhe konceptet e tij gjeologjike afrohen me bindjet fetare. Po t’i referohemi autores Edith Durham, në librin për Shqiptarët, “Brenga e Ballkanit”, ajo ka pasur në konsideratë tipa të tillë shqiptarësh kur thotë: “Me personalitetin e tij të pashtruar, ai del gjithnjë mbi të tjerët”.
E kam njohur për herë të parë në vitin 1973, në koridoret pa drita të Institutit të Naftës, në Fier, në atë ndërtesë ushtarake, ku radha në banjo nisi të bëhej me listë. Më tej punuam bashkë në disa tema përgjithësuese e projektuese pusesh për zonat Pekisht, Papër, Rovë… Me trup të vogël, me sy të ndezur, gati për të buzëqeshur apo për tu ndeshur në polemika profesionale tepër acaruese me kolegët, dhe me vetveten . Shumë i rregullt dhe i kujdesshëm në të ngrënë. Shkurt, një person që nuk përsëritet. Shumë korrekt dhe i përpiktë gati si një orë, sepse u kushton vëmendje të gjithëve, edhe mediokërve, që e quanin mediokër.
Me një intuitë gjeologjike të lindur, shumë shpejtë ai u kthye në një kuriozitet për të gjithë ne. Aftësia e tij, karakteri i veçantë dhe i papërsëritshëm, nga që ai nuk përshtatej, e cytnin në debat me të tjerët, çka u bë e mira dhe e keqja e tij, sa disa kolegë dhe drejtuesë nuk e pëlqenin, prandaj mundoheshin ta izolonin, ta mërzisnin. Ata e arritën këtë në një farë mase, kur Gjeneralin e emruan në prapavijë(!).
Tani, gati i vetmuar, si gjithë ne, brezi i tretë, ai jeton në një cep të botës, shumë larg Shqipërisë, ku vazhdon të inventarizojë njohuritë, njerëzit, të zgjedh librat me atë fanatizëm, si puna e ushqimit. Rrëshqet si një pupël në sallën e bibliotekave, mbushur me libra, dhe pasi i gjuan ato, zgjedh vendin për t’u ulur dhe nis leximin, me ndërprerje,… mendon, trishtohet, gëzohet…Tani ka në duar librin “Oqeanografia”. Uji mbulon 2/3 e tokës. Kërkimet në të ardhmen, për naftë dhe gaz, edhe më shumë do të intensifikohen në dete e oqeane. Do të zbulohen plotë vendburime nafte, kolosale do të jenë zbulimet. Ai bën paralelizëm të vendburimeve tona të pa zbuluara, me ato të botës arabe. Ai lexon për teorinë e pllakave, për lëvizjet horizontale, dhe ndien një tundim të brendshëm për këtë perspektivë kolosale edhe për Shqipërinë, për të cilën disa thonë se nuk ka më naftë(!)
Më duket se edhe diçka tjetër e tundon këtë gjeolog potent: Ajo është malli për shokët, kolegët, të njohurit. Eshtë një dhembje e madhe. Kërkon të lidhet me ‘ta dhe, kur rastis të lidhet, bllokohet nga emocioni, kërkon pak pushim, se malli është shumë i madh. Atë edhe tani duhet ta dëgjosh me vëmendje, sepse informacioni i tij është marramëndës. Ai thotë se vendburimet e naftës, të zbuluara deri tani në Shqipëri, nuk janë as sa parathënia e atyre, që nuk janë zbuluarë!
Por qeveria “demokratike” shqiptare nuk do t’ia dijë nëse ekzistojnë këta shkencëtarë. Ajo bën sikur ka harruar se nafta i siguronte ekonomisë së vendit tonë 33% të të ardhurave kombëtare. Gjenerali është shumë optimist për perspektivën naftëgazmbajtëse të Shqipërisë. Ai tregon zona të tëra, bën analogji, dhe nuk e kupton shkatërrimin e një industrie të tërë dhe vjedhjen haptazi të naftës. Poshtrimi më i madh i një populli është, kur i marrin dinjitetin dhe pasuritë.
Ai ka merituar shumë çmime Nobel, ndonse nuk ka dëshirë për lavdi, dhe sepse stomaku i tij është zvogëluar. Ai nuk përtyp më shumë se 200 gr bukë në ditë, një domate me pak djathë, një mollë, plus tre-katër kafe, vetëm kaq. Asesi ai nuk ka dëshirë edhe për para. Ai ka dëshirë ta dëgjojnë, të rrëfehet. “Eh sa naftë ka Shqipëria!…”, dhe vijon të flasë për teorinë e pllakave, për lëvizjet e tyre, për naftën që lidhet me to…
Asnjeri nuk interesohet të dijë ku është gjeologu Dhimitër Gjenerali, ku janë gjeologët e naftës shqiptare, brezi im i tretë, i kapitur dhe i lodhur. Ata duan, që ato që dinë, t’ia lenë popullit, sepse nesër do të jetë vonë! Këta specialistë janë vlera njerzore të pallogaritëshme. Ata duhet të ruhen me police, dhe jo disa qeveritarë, që nuk kanë asnjë lloj morali. Ata bartin në vetvete pasuri kolosale dhe, si të tillë, meritojnë të shkruhen në enciklopedi. Deri më sot asnjë qeveritar nuk ka pyetur se ku bëhet gjeologu Dhimitër Gjenerali, ku janë gjeologët e Shqipërisë?! Ne, kolegët e tij, dhe jo vetëm, do ta mbajmë mend atë, përveç si një gjeolog brilant, por edhe si një institucion më vete. Ai ka patur dhe ka vetëm një rend dite: naftën shqiptare. Kur atij i kujton naftën shqiptare, lotët i gremisen faqeve.
Si të gjithë ne tokësorët, edhe ai jeton në një sipërfaqe infinit të vogël, shumë larg Shqipërisë. Ai thotë se është person që ambjentohet lehtë, kudo që shkon, por unë nuk e besoj. Të gjithë specialistët po humbasin të shpërndarë anë e mbanë botës, sepse kjo Shqipëri nuk i do. Ajo i ka përzënë. Ne naftëtarët kemi shumë gjëra për të thënë për naftën. Ne vizatojmë, piketojmë, rënkojmë, por asnjë qeveritar, privat, shtetëror apo i huaj nuk pyet për ne. Asnjeri nuk na ka në listë. Ata nuk duan të dinë çfarë bëhet me ne. Asnjë qeveritar apo partiak, i majtë apo i djathtë. Të gjithë janë çmendur. Në Irak u bë kërdia, por arkivat e naftës nuk pësuan asgjë. Ato u mbrojtën nga trupat speciale, që qëndruan gjatë atje. Po në Shqipëri, çfarë ndodhi dhe po ndodh akoma me arkivat? Sa për kujtesë, shefi i kombit Rus, Vladimir Putin, para ca kohësh nxorri një ligj, sipas të cilit rezervat e naftës janë sekret dhe dënohet ai që nuk e zbaton këtë ligj.
Gjeneralin tim, malli për Shqipërinë dhe dhembja për naftën po e ngurtësojnë. Prandaj ai tani, me urtësitë e Nënë Terezës në dorë, po i lutet Zotit ta rregullojë këtë Shqipëri, të cilën të gjithë po e kurvërojnë. Ai është rrëfyer për naftën në disa intervista, më shumë se gjashtë. A e dini se këto lloje intervistash për naftën nuk bëhen në vendet e huaja? Nuk bëhen, sepse ato përmbajnë të dhëna, që kushtojnë miliarda dollarë. Më shumë se sekretet atomike. Këto intervista janë poemat e tij. Poema për hidrokarburEt, të llojit të Uollt Uitmanit. Ai i ka shprehur hapur mendimet e tij për naftën. Ai ka thënë qartë, shqip, ku është e ku nuk është, dhe çfarë duhet të bëjmë që ta zbulojmë, që të zhdukim këtë mjerim alla migjenian.
Ka një simetri midis mjerimit të Migjenit dhe atij të Gjeneralit. Edhe pas 100 vitesh mjerim!? Të mos kishim naftë, dakord, por ne kemi naftë për vete, për Kosovën, për shqiptarët e Maqedonisë, për ata të Malit të Zi, për shqiptarët kudo nëpër botë. A e dini fuqinë e naftës? Nafta është shumë potente. Një fuçi nafte 159 litra është e barabartë me 25 000 orë pune të një njeriu. E pra, kuptohet përse informacioni për naftën shqiptare, i hedhur badiava për publik, konvertohet në miliarda dollarë. Por, çuditërisht, asnjerit nuk i intereson të dijë ku është Gjenerali i naftës shqiptare? Si është me shëndet dhe si t’ia marrim gjithë këtë experience? Nuk shfaqet dikush ta ftojë për bisedim, apo t’i përcjellë një telefonatë për tungjatjeta, sepse edhe ai ka ditëlindje, ka evenimente, edhe atë e zë gripi, edhe ai plaket si të gjithë ne, edhe ai ka zemër, edhe ai pret t’i trokasin në derë…
Egoizmi, makutëria, vandalizmi, vrasjet e përditëshme – të gjitha këto nuk lenë askënd që të gjejë pak kohë dhe të lidhet me këtë gjeolog yll, të diskutojë për naftën shqiptare, e cila ka parë italianët, rusët, kinëzët, por jo qeveritarë shqiptarë të dhembshëm. Veç mos harroni atë që thotë një analist botëror: “Kriza e naftës do të shpërthejë shpejtë”, por atëherë ju nuk do ta gjeni Gjeneralin, sado që të endeni deri në rërat përvëluese të Saharasë. Intervistat e Gjeneralit vlejnë sa për qindra “Dimra” të Kadaresë. Por dijeni mirë: Nuk do të ketë asnjë çmim “Nobel” pa iu kthyer nafta këtij populli vakëf. Vetëm nafta do të vëndos rregullin, ligjin, do të akordojë çmime të larta, do të përcjellë vajza të virgjëra tek burrat, do të çojë në litarë ata që po privatizojnë “Albpetrolin”, apo ata të parët që i vunë zjarrin “Albpetrolit” dhe ikën nëpër botë.
Dhimitër Gjënërali është larg, në Amërikë, pa shokë, mbytur në vetmi dhe pezm, si të gjithë ne, atje në Amerikë. Në Amërikë edhe gurët janë të vetmuar. Gjeneralin e merr malli për shokët. Më përmend plotë dhembje dhe nostalgji Koço Plakun, Kadri Ramën, Milto Gjikopullin, Behar Mehmetin, Ali Memën, Hazbi Shehun, Telo Velaj, Xhelal Shehun, Spiro Kolonjarin, Sabaudin Starovën, Kastriot Bejtajn… Ai tregon ngjarje, ndodhira, incidente, të gjitha i ka të regjistruara. Dhe flet e flet, deri sa lodhet. “Po mjaft, se u lodhe!” – i them unë që këtej telefonit… Ai nuk do të bëjë armiq, prandaj përmbahet si Nënë Tereza. Ai dëshiron të shkruhet për naftën shqiptare, që populli të dijë të vërtetën. Më poston një çek prej 2000 dollarësh. Më poston amanetin e tij. Me këto 2000 dollarë ai do që unë të shkruajë një libër për naftën shqiptare, të botojë intervistat e tij dhe të shokëve tanë, ku shpjegohet perspektiva e naftës shqiptare. Dëshira e shtetit shqiptar, dhe e armiqve të të gjithë kallëpeve, bashkë me këta qindra ambasadorë kryepleq në krye të vatrës shqiptare, është që ta zhdukin Shqipërinë, këtë vënd të vogël brilant pranë detit Adriatik. Ata janë të parët, që i lexojnë këto intervista të gjeolog Dhimitër Gjeneralit. “Nafta është 10% ekonomi dhe 90% politikë” – thotë historiani amerikan, Daniel Jergin. Ashtu thotë edhe ish zv.presidenti amerikan Dik Çeni. Pra, vetëm të huajtë dinë t’i lëvizin letrat e naftës shqiptare. Ata mendojnë për vete dhe për pasuesit, si ta gllabërojnë naftën tonë. Por çfarëdo që të ndodhë, unë dhe Gjenerali nuk do të pushojmë së luftuari, për të mbrojtur naftën tonë, këtë dhuratë të shenjtë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura