AJNISHAHE HALIMI: JA KUSH MË PËRJASHTOI NGA PARTIA!

Skënderaj, 08. 04. 2015 – (“Më të rrezikshmit janë ata njerëz nga të cilët nuk na shkon mendja që të mbrohemi” – Balzak) – Për t’ua hequr dilemën atyre që janë të prirur të thonë ‘ja, po flet tash pasi të është djegur…’ iu them se mua nuk më është djegur asgjë. Asnjë përfitim nuk kam pasur nga Lëvizja Vetëvendosje (në vazhdim Partia). Përkundrazi kam pasur vetëm dëme të gjithanshme. Njerëzit më njohin shumë para ekzistimit të saj. Nëse Partia nuk ka nevojë për mua, aq më pak nevojë kam unë për të. Më dhimbset vetja që kam ‘bashkëjetuar’ kaq gjatë me ca monstra, duke mos i njohur se janëtë tillë!
*
Pasi më lutën e m’u përgjëruan për më shumë se një vit, shkova. Nuk isha pa punë, pa të ardhura. Nuk isha në rrugë. Përkundrazi, kisha një punë që e doja dhe ishte e dobishme për të tjerët dhe për mua.
Arsyeja e parë për të cilën ngurroja, ishte heqja dorë nga kjo punë. Arsyeaj e dytë ishe terreni në të cilin duhet të veproja, tashmë, si politikane. Komuna ime ishte, dhe është, komuna më e kapur dhe mbase më e varfra në Evropë, me vetëm një milioner të deklaruar – kryetarin e saj. Konsideroja se do të hidhem si kamikaze, pa i shkaktuar ndonjë dëm të keqes dhe shumë dëme vetës sime. Edhe ashtu isha mjaft e konfrontuar me pushtetin abuzues.
Nuk më shkonte mendja vetëm për një gjë: se do të konfrontohesha me subjektin që po më luste.
Shkova. Mendova se po shkoj në një parti politike dhe jo në Parti, mendova se nuk po shkoja në një sekt, në një vëllazëri sekrete.

– Ajnishahe Halimi –

Edhe para meje Partia kishte filialin e vet në Skenderaj. Por s’dinte kush se ku i kanë zyret, kush punon në to, çka punojnë…sepse nuk u dëgjohej zëri kurrë, për asgjë! Për herë të parë po dëgjohej një zë në shkretëtirë. Në fakt ky zë ishte dëgjuar edhe më herët, por jo si i një përfaqësueseje të Partisë. Për herë të parë, qytetarët e frikësuar po kuptonin se, kur ke argumente, mund ta kundërshtosh edhe një pushtet diktatorial dhe se mund të mos e votosh atë. Se, këtu sundon një Parti tjetër… Për herë të parë Partia ‘ime‘ po votohej nga mbi njëmijë e katërqind veta. Në zgjedhjet e mëparme, kur mbretëronte një frymë shumë më liberale, kishte marrë 90 vota! E kisha të qartë pse Partia e madhe ishte e pakënaqur, por nuk e kisha të qartë pse Partinë e vogël po e pengonte ky sukses. Ka kohë që e kam marrë vesh shkakun e kësaj pakënaqësie.
Shkaku i parë dhe i vetëm ishte se, kur shkova, mora me vete trurin, që të mendoj, sytë që të shoh, veshët që të dëgjoj dhe gojën që të flas, kur e gjykoj të nevojshme. Nuk e dija se të hysh në këtë parti është si të hysh në Parti, si të hysh në një vëllazëri sekrete, atje ku para se të hysh duhet të heqësh dorë vullnetarisht nga këto dhunti që të ka falur Zoti.
Shkaku i vetëm pse s’më duruan ishte pse unë mendova, pashë, dëgjova dhe, sidomos, pse fola! Mendimi, shikimi, dëgjimi nuk janë të rrezikshme për diktatorët, përderisa këto nuk e shtyjnë gojën të flasë.
Fola.
– Thashë të ketë zgjedhje nga poshtë dhe jo emërime nga lart.
– Thashë të ndërtohen raporte normale me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë e vendorë.
– Thashë se ndonëse jemi subjekti më i mirë, mund të kemi edhe ne gabime.
– Thashë reflektoni pak më shumë njerëzillëk e mos dilni kaq të ngrysur, se po i frikësoni njerëzit.
– Thashë hapini dyert edhe për njerëz të tjerë se kemi nevojë për ta.
– Thashë se po e morëm pushtetin nuk kemi kuadro për të udhëhequr.
– Thashë se edhe para nesh njerëzit kanë derdhur gjak e djersë për pavarësi e për shtet.
– Thashë se bota nuk sillet rreth nesh…

Të gjitha këto i thashë në takime formale e joformale të Partisë e i bisedova me njerëzit e Partisë. Jo me ‘armiqtë’ e saj.
Ata më dëgjuan, më shikuan, menduan dhe folën: thanë ti nuk je si ne. Ti nuk mban iso. Ti dëshiron ta kesh zërin tënd. Por ti s’e ditke se këtu nuk dëgjohen zëra të tjerë përveçse i udhëheqësit dhe i udhëheqjes.
Vendimi për mënjanimin tim ishte marrë tashmë. Duhet të gjindej një kleçkë. Kleçka u gjet: unë i paskam dhënë Partisë në shfrytëzim zyret e mia, apo të vëllait, krejt njësoj. S’e kuptuan se, në ekonominë e tregut të lirë, kur jep diçka ke të drejtë të marrësh diçka si kundërvlerë. Pra, ne paskemi dhënë më parë, që të marrim kundërvlerën. Pra ky është një këmbim, jo grabitje, jo keqpërdorim. Por u duhej një akuzë kumbuese që me kumbimin e saj ta trullosin miletin. Por, u trullosën edhe më shumë vetëm ata që ishin të trullosur tashmë.
– Nuk donin ta dinin dhe as ka nevojë ta dinë këta, sepse e dinë ata që duhet ditur, se unë bartja mes për mes punkteve serbe qindramijëra marka të fshehura në trup, pa munguar kurrë asnjë fening, sepse i duheshin Luftës.
– Nuk donin të dinin se edhe po t’i merrja për vete të gjithja mjetet që Partia i jepte Qendrës sonë nuk bënin as sa gjysma e një rroge që marrin ‘ideologët’ e Partisë.
– Nuk donin të dinin se rroga dyfish më të mëdha se unë marrin nga disa anëtarë të një familjeje, në zyrat e tyre me shumë xhama… Harronin se nuk janë shumë ëngjej në çështje financash e nepotizmash…

Po Arben Gecaj, i cili u përjashtua për një ditë me mua çka shpërdoroi? Asgjë! Por foli edhe ai, si unë.
Thanë nuk e morëm në pyetje, se ajo ishte bisedë joformale, e zhvilluar në këmbë. Thua se më i rëndësishëm është pozicioni i trupit kur e shan një njeri dhe jo fjalët me të cilat e shan. Nuk treguan se tre ‘burra’ e kishin futur në ‘klinç’ një grua – e cila përnga mosha mund të ishte nëna e tyre – duke i dhënë veçse goditje të ulëta. Nuk treguan se kur kjo grua u tha ‘ngadalë, more djem se unë qe tridhjetë vjet (aq sa ishte mosha e karaxhozit D.M.)…’, njëri nga ta e ndërpreu brutalisht, duke i britur në kupë të qiellit: Mbylle gojën! Mos na fol ti për patriotizëm! Dhe kishte të drejtë. Ai, si shef i byrosë për licencimin e patriotëve, nuk ma kishte dhënë këtë licencë. Dhe as më kishte në listë. Rastësisht inicialet e tij përputheshin me ato të kryekaraxhozit (A.K.).
Me thanë se ti ke rrejtë gjithmonë se kurrë nuk ke qenë e shantazhuar nga pushteti! Se nuk u mjaftonte fakti se tubimet tona parazgjedhore pengoheshin edhe me kallash. Ata kishin dëshiruar që dikush të vritet në to dhe, mundësisht unë. Nuk thanë se në këtë rrëbesh fyerjesh nuk u përmend asnjëherë puna e zyreve, por vetëm fakti se unë paskam votuar si filani, po u shoqëruekam me fistekun, se unë nuk kam sjellë autobusë me protestues nga Skenderaj, duke ‘mos e ditur’ se autobusë me protestues për Partinë mund të silleshin më lehtë nga Kuba se nga Skenderaj; se unë nuk mund ta ndryshoj vijën e Partisë… Partia ka sy vigjilent. Ai të ndjek kudo.
Unë, pas kësaj bëra statusin ‘fatal’ në fb. Thashë se nuk më pëlqejnë ngricat, se e thajnë jetën. Thashë së më pëlqen koloriti harmonik. Ndërkohë që këta mbillnin monotoni, monokroni, ngricë dhe armiqësi me të gjithë, brenda e jashtë. Thashë, prandaj, edhe se këta janë hiça! Doemos, zbulimi i kësaj të vërtete të fundit i tërboi!
Por, Partia e ka edhe veshin të stërvitur. Një të tillë, veç zdral, si vetë shpirti i së zonjës së tij, e kishte dërguar të më përgjonte. Ai po i regjistronte tinëz, audio, mbledhjet tona të grupit, pjesë e të cilit ishte edhe vetë. Kur e zumë rastësisht, kujtuam se këtë po e bën me porosi të pushtetit. Nuk na shkoi mendja se ishte e porositur t’i raportonte Komitetit Qendror të Partisë. Kjo ishte njëra nga rrapaçukët që m’i ndërsyen më vonë. Nuk më pëlqen të merrëm me vogëlsirat e vogla. Me vogëlsirat e mëdha, si puna e këtyre të Komitetit, jam ballafaquar gjithë jetën. Këto vogëlsirat e imëta, tani që unë nuk jam më, do të jenë të lira që t’ia fusin gjumit për shtatë palë qejfe. Dhe të marrin zyre ku të duan. Madje, këto mund t’ua sigurojë edhe pushteti, brenda objektit të komunës, me kushtin që kishin para se të vija unë: rrini aty ku jeni, në zyre, dhe mos t’jua dëgjojmë zërin! Akush nuk do t’ju ngasë! Është gjynah të shkelen bubrrecat…
Këta, me gjasë, e ndërsyen edhe Partinë e Madhe të ‘më dalë krah’ me një akuzë edhe më të rëndë se të Partisë ‘sime’. Po bëjnë garë kush të më godasë më fort. Sikur ta kishin një aleancë të heshtur bashkë.
Me gjasë i ndërsyen kundër meje edhe xhihadistët, postimet e të cilëve kundër meje i shpërndanin. Sikur të kenë një pakt të fshehtë me ta.
Ma përsëritën: ti nuk je si ne. Ti nxjerr në publik sekrete të Partisë. Dhe, vërtet nuk jam si ata dhe e kam peng pse e zbulova kaq vonë. Duhet ta kuptoja më herët. Kur unë kacafytesha me Mjekrat për të mos i ngulfatur vajzat 5-6 vjeçe me mbulesa dhe kundër flliqnive të tyre, këta dilnin në mbrojtje të shamive për vajzat 15-16 vjeçe, për t’i hapur rrugë mbulesës edhe të vajzave të vogla, më vonë. Se këta kanë strategji afatgjatë.
Kur unë zhvilloja takime të rregullta, jo në terrin e skutave e qymezeve, por për dritë e për diell, me përfaqësues institucionesh shumë të rëndësishme të vendeve vërtetë mike tona, këtyre u mbylleshin para hundësh këto dyer.
Unë përpiqesha t’i bindja ata se krerët e Partisë nuk janë të tillë çfarë po i quajnë: anarkistë, ekstremistë të majtë, antiamerikanë e antievropianë, flirtues me Islamin ekstrem… Ata bënin sikur më besonin. Unë mendoja se po më besonin.
Kur unë u thoja se duhet të jemi më të hapur për kuadrot, këta, përmes pishpirikëve të vet ua ndalonin të votonin për kryetar Partie edhe figurave eminente, ish kandidatëve të tyre për deputetë në Parlament, me arsyetimin se nuk ishin anëtarë të Partisë! Se, këta kanë rregulla strikte!?
Më thanë edhe ti je kundër bashkimit kombëtar. Ani kush! ‘Ideologë’ nga Shqipëria (çdo respekt për Të, Ajo është edhe atdheu im!), të cilët kur ne jemi përgjakur për këtë aspiratë, ata nuk e kanë ditur se ku i bie Kosova dhe kanë menduar se kjo është e madhe sa Rrethi i Durrësit. Se, atje prej nga kanë ardhur e kanë bërë ‘fet’ me ideologjinë e tyre! ‘Çuditërisht’, ndonjëri prej tyre imiton me sukses imazhin e shokut Lenin…
Kur e vranë Sharli Ebonë terroristët, këta u kujdesën, në kundërshtim me gjithë botën demokratike, që të mos përdorin fjalor të ashpër kundër tyre. I mbajtën një leksion Francës se si të sillet me të huajt e sidomos me të huajtë myslimanë. Se po s’u sollët mirë, ja çka ju gjen. Se, këta kanë zgjidhje për të gjitha problemet e botës, deri edhe për zgjidhjen e problemit të Palestinës, por për fat të keq bota nuk po dëgjon.
Këta e kanë edhe një mision të shenjtë: iluminimin, edukimin e popullit përmes shkollës politike të tyre. E kam ndjekë edhe vetë një gjeneratë dhe, shyqyr që nuk mësova gjë prej asaj ‘shkolle’. Popullit përpiqen t’ia mësojnë filozofët nga Platoni te Hegeli dhe rregullimet shtetërore deri te neoliberalizmi. Populli i dëgjon – kur zëri i ‘ligjëruesve’ është më i lartë se zëri i zorrëve të tij bosh.
Këto ditë një mike e çmuar më tha se po të ishte para detyrimit që doemos ta votojë njërin nga të dy – një ekstremist apo një hajn, do ta votonte hajnin. Ai është më pak i rrezikshëm. Prandaj edhe qytetarët, qe sa kohë, po zgjedhin të keqen më të vogël…
Jo anëtarësinë e gjërë, sepse shumica janë njerëz të ndershëm, patriotë, idealistë e naivë, por kreun e Partisë e ftoj të deklarohet:
– A e njeh këtë shtet, këto institucione, këtë Republikë?
– A i njeh përpjekjet e brezave para tyre?
– Apo do që këtij populli t’ia imponojë fatin e Sizifit – duke filluar gjithmonë nga e para?
– A po kërkojnë ata shtet të ri, Republikë të re, Njeri të Ri?
– A po kërkojnë që të derdhet ende gjak, sikur të mos mjaftonte gjaku i derdhur deri më tash?
– A mendojnë të ndërtojnë diçka të re para se të rrënojnë gjithçka?
– Apo mos janë rrënimi, dhuna, arroganca, gjaku stil e filozofi e ekzistencës së tyre?

Në krejt këtë histori, më parë do të më habiste, tani jo, heshtja e kryekaraxhozit. Ai i lau duart si Pilati kur tha se të tjerët e kanë marrë vendimin. Apo ka zgjedhur të jetë një Zhozef Fushe i revolucionit që ‘do të ndodhë’…
Ja, këta janë ata që më përjashtuan!
Populli ynë e ka një shprehje për raste të tilla: Ra ky mort e u pamë! Ka edhe një tjetër: Me këtë fytyrë ju pashë, me këtë fytyrë ju lashë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura