AKTUALIZIMI I PROBLEMEVE DHE RIKTHIMI I KRIZAVE NGA SHEKULLI I KALUAR NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Aktuale

AKTUALIZIMI I PROBLEMEVE DHE RIKTHIMI I KRIZAVE NGA SHEKULLI I KALUAR NË BALLKANIN PERËNDIMOR

(Popujt ballkanikë kanë të kaluar dhe histori të përbashkët në gjithë rajonin, nga e kaluar e tyre nën sundimeve të huaja, jo vetëm mes bullgarëve dhe maqedonasve të sotëm.)

Nga Abdulla Mehmeti

Diplomacia evropiane nuk pretendon integrimin politik dh ekonomik të shteteve ballkanike, por synon pushtimin e tyre, ndryshimin e historisë, të demografisë dhe identitetit të popujve të këtij rajoni.

Kërkesat e palës bullgare, të mbështetura edhe nga diplomacia evropiane, për histori të përbashkët dhe gjuhë me prejardhje të njëjtë mes popullit bullgar dhe popullit maqedonas të sotëm, hapur nënkupton krijimin e një identiteti të ri etnik, me shkrirjen mes tyre, sipas strategjisë së vjetër ruse-bullgare: “Një popull, dy shtete”.

Diplomacia evropiane dhe politika vasale vendëse në shtetet e rajonit ballkanik tallen me liritë dhe të drejtat e popujve, si dhe me sovranitetin e shteteve të këtij rajoni.

Si ka mundësi të mos kuptohet se, kontestet e trashëguara nga e kaluara mes bullgarëve dhe maqedonasve të sotëm janë çështje që mund dhe duhet të zgjidhen mes këtyre dy popujve, nuk janë çështje mes dy shteteve, përderisa në Maqedoninë Veriore nuk jeton vetëm populli maqedonas dhe nuk është përbërës i vetëm i sovranitetit të këtij shteti, prandaj, problemet për historinë, gjuhën dhe identitetin e kontestuar të popullit maqedonas nga Sofja zyrtare nuk është dashur të vendoset në agjendën e marrëveshjeve mes dy shteteve, sidomos në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, me anëtarësimin e shteteve ballkanike në BE.

Kjo ka krijuar dhe do të krijojë në të ardhmen edhe implikime të tjera, siç është rasti me tendencat aktuale të palës bullgare për shtrirjen e ndikimit të saj, jo vetëm në Maqedoninë Veriore, por edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, me kërkesat për njohjen e pakicave bullgare në këto shtete, ngatërresat për çështje të historisë, si rasti i deklarimit para pak ditëve i eurodeputetit bullgar kinse Skënderbeu ka prejardhje bullgare nga nëna e tij, etj.

Kjo nuk është çështje e interesave të popullit dhe shtetit të Bullgarisë, që politika dhe diplomacia aktuale e Sofjes i ngreh brirët ndaj shteteve të saj fqinje, por është çështje e interesave strategjike për forcimin e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit (Gadishullin Ilirik).

Faktori politik dhe diplomacia shqiptare duhet të bëjnë hapa të vëmendshëm në këtë drejtim.

(5 shtator 2022)

***

KUR POLITIKA RAJONALE MENDON RUSISHT DHE GËRVISHT BULLGARISHT

(Me shkas, deklarata e eurodeputetit Xhambaski në Prishtinë)

Abdulla Mehmeti

Eurodeputeti i Bullgarisë* nga qendra e Prishtinës ka deklaruar se Skënderbeu nga e ëma e tij paska qenë bullgar! Por, paska harruar se edhe para tij shumë politikanë dhe pseudoshkencëtarë të tjerë nga shtetet fqinje të rajonit kanë dhënë deklarata të ngjashme në lidhje me prejardhjen e nënës së Skënderbeut, madje kanë shkruar edhe libra e pamflete politike në lidhje me këtë propagandë. Kjo deklaratë, në mënyrën si është dhënë, në vendin dhe kohën kur jepet, nuk i shërben fqinjësisë së mirë, mirëbesimit, frymës demokratike dhe evropiane, bashkëpunimit rajonal dhe as atij bilateral mes Bullgarisë dhe Shqipërisë e Kosovës.

Gazetarët dhe mediet është dashur dhe duhet t’i parashtrojnë tri pyetje këtij eurodeputeti provokator, përderisa këtë deklaratë nuk e ka bërë nga Sofja apo Brukseli, por nga Prishtina, kryeqendrës së shtetit shqiptar të Kosovës, edhe atë, para monumentit të Skënderbeut.

E para, pse ky “patriot bullgar” nuk e inicion në venedin e tij, që një monument i Skënderbeut të ngrihet në kryeqytetin e Bullgarisë, në Sofje, sikurse në shumë kryeqendra të vendeve evropiane, për ta nderuar këtë figurë të madhe me përmasa evropiane dhe botërore, siç kanë bërë gati të gjithë popujt dhe vendet tjera, përveç grekëve, turqve dhe sllavëve?!

E dyta, të shpjegojë se çfarë nënkupton ky eurodeputet me emrin etnik bullgar, ndërkohë që deklarohet se është me përkatësi sllave dhe gjuhë amtare ka një gjuhë sllave, që as e para dhe as e dyta asgjë nuk kanë të përbashkët me etnogjenezën dhe historinë e bullgarëve të lashtë, së paku deri në shek. XIX. Të deklarohesh përkatësinë etnike dhe gjuhën bullgare dhe sllave se janë e njëjta gjë, ose je thellësisht i paditur, ose je i manipuluar, apo agjent me tapi i Rusisë.

E treta, nëse ka mundësi të shpjegojë ky eurodeputeti i Bullgarisë, çfarë lidhje ka me bullgarizmin dhe sllavizmin mbiemri i tij Xhambaski (një formë e sllavizuar e emrit Xhambaz-i).

Xhambazë të këtillë fatkeqësisht ka pasur rajoni ballkanik edhe shumë kohë më parë, por kësaj radhe, me këtë deklaratë, vërtet duhet të merret seriozisht politika, pse jo edhe institucionet e shëndetit mendor në vendin e tij, dhe jo shkenca.

* Me këtë rast e shënojmë emrin e shtetit, përderisa nuk gjejmë asnjë argument shkencor, se ky eurodeputet sipas mbiemrit i takon etnisë bullgare.

(4 shtator 2022)

Shpjegimi i emrit xhambaz sipas Fjalorit të gjuhës shqipe:

XHAMBAZ m.

1. Ai që shet e blen kuaj a kafshë të tjera për të nxjerrë fitim; ai që shtron e stërvit kuajt xanxarë. Xhambaz kuajsh. Kalë për xhambaz kalë xanxar.

2. keq. Njeri që bën dallavere; njeri dredharak që përpiqet t’ua hedhë të tjerëve e të nxjerrë përfitime për vete; dallaveraxhi; batakçi. Pazarllëqe prej xhambazi.

3. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. Njeri xhambaz.

***

A k t u a l e

POLITIKA QORRE, SIGURISHT SE NË HUMNERË TË SHPIE

(Reflektim pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Këshillin e Komunës së Tetovës)

Abdulla Mehmeti

Si të mos ndihesh keq kur e sheh gjendjen e rëndë të popullit tënd dhe vazhdon të dëgjosh përditë marrëzi nga më të çuditshmet në medie dhe rrjetet sociale, shkrime dhe deklarata me përmbajtje naive, banale, jopolitike, jocivilizuese dhe të pamoralshme, për aq më pak kur këto përmbajtje asgjë nuk kanë të përbashkët me logjikën, me vlerat demokratike, me interesin e përgjithshëm kombëtar dhe me parimet morale.

Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve, deklaratave, opinioneve, mendime dhe vlerësime nuk e pasqyrojnë realitetin e zymtë, gjendjen e mjerueshme, katandisjen e banorëve vendës, qytetarëve shqiptarë të kësaj komune, qytetit të Tetovës dhe rrethinës së tij, si edhe të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

Çfarë rëndësie ka pas këtyre zgjedhjeve, nëse nuk trajtohen, analizohen dhe vlerësohen shkaqet reale pse erdhi deri te shpërbërja e Këshillit komunal të Tetovës, paralizimi i punës dhe funksionimit të tij, me këtë edhe detyrimi ligjor për organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme për Këshillin komunal të Tetovës?

Pse u desh që, ditën e pranim-dorëzimit të mandatit të kryetarit të Komunës së Tetovës, të dalë nga zgjedhjet komunale të vitit 2021, pushteti qendror në Shkup ta largojë nga Qeveria partinë Besa, e cila i kishte fituar zgjedhjet lokale, mandatin e kryetarit të Komunës, për ta udhëhequr Tetovësn në periudhën e ardhshme katërvjeçare? Kjo nuk nënkupton largimin e një partie (Lëvizjes Besa) nga pushteti qendror (Qeveria), as largimin e liderit të saj me mandat të fituar të kryetarit të Komunës së Tetovës, por me këtë veprim merr kuptim të plotë tendenca e pushtetit qendror në Shkup që ta hedh në margjina, në periferi, një komunë të tërë, Komunën e Tetovës, e cila përmbën bërthamën politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, për t’ua mundësuar klaneve partiake dhe nëntokës kriminale që ta thellojë kaosin e krijuar me vite e dekada nga pushtetet e mëparshme vendore dhe qendrore, me arsyetimin se forcat politike që qeverisin me Komunën e Tetovës nuk janë pjesë e Qeverisë, me këtë edhe përgjegjësia për dështimet e mundshme nuk duhet t’i mbetet asaj!

Këtë situatë më së miri e sqaron rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Këshillin komunal të Tetovës, të mbajtura më 20 gusht, sipas numrit të mandateve të fituara për këshilltarë komunal, ku raporti i forcat politike të pushtetit aktual në Maqedoninë Veriore (BDI -11mandate, LSDM-2, PDSH-1, AA-1) nuk janë dominuese përmballë forcave politike aktuale të opozitës (LB-12, VMRO-4).

Sipas kësaj logjike, Këshillin e ri komunal të Tetovës duhet ta formojnë forcat politike të opozitës (LB-12 mandate dhe OBRM-PDUKM /VMRO-4). Çështja është se deri kur këto forca politike do të mbeten në opozitë të pushtetit qendror në Shkup dhe cili mund të jetë interesi i shqiptarëve nëse me zgjedhjet e reja parlamentare do të vinë në pushtet këto forca politike? Në fakt, këtë e paralajmëruan udhëheqësit e këtyre dy partive politike (LB dhe VMRO), si kërkesë dhe qëllim kryesor i vetëm, menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga zgjedhjet e fundit për Këshillin komunal të Tetovës (20 gusht), si synim kryesor të tyre, pa përmendur asnjë qëllim dhe interes tjetër me prioritet për këtë komunë dhe banorët e saj.

Pa pretenduar të jemi të njëanshëm në vlerësime, qytetarët shqiptarë në Maqedoninë Veriore, jo vetëm në Komunën e Tetovës, qeverisjen e partisë nacionaliste OBRM-PDUKM në nivel qendror dhe komunal e kanë përjetuar edhe më herët, gjatë qeverisjes së saj edhe me partitë politike të shqiptarëve, dy mandate me PDSH-në dhe tre mandate me BDI-në.

Se çfarë dobie u ka sjellë shqiptarëve ky bashkëpunim dhe qeverisja e mëhershme e këtyre partive politike të shqiptarëve me OBRM-PDUKM-në (VMRO-në), vlerësimin duhet ta bëjnë vetë qytetarët shqiptarë, nëse u ka mbetur pak kujtesë historike dhe janë të interesuar që e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre të mos jetë e zymtë dhe e errët si në të kaluarën, gati gjithmonë e mbushur me rrena e mashtrime, e shumëzuar gjithmonë me hiç, ndërkohë që gjendja e banorëve të Tetovës, si edhe të gjithë shqiptarëve të tjerë në Maqedoninë Veriore vazhdon të jetë e rëndë dhe pa shpresë, në aspektin e ekonomik e zhvillimor, arsimor e kulturor, si dhe në aspektin politik dhe të sigurisë.

Mediet e vendit në gjuhën shqipe (edhe ato në Tiranë e në Prishtinë) ua kanë borxh shqiptarëve t’ua sqarojnë këto çështje me kohë, duke organizuar debate të hapura mes liderëve të partive politike të shqiptarëve dhe ekspertëve të kësaj fushe, njohësve të këtyre rrethanave dhe të zhvillimeve politike aktuale në vend, rajon dhe më gjerë. Sigurisht se shqiptarët nuk kanë nevojë për debate shterpë dhe të bezdisshme, me analistë të paguar, sikurse këta që i shohin përditë në ekranet e televizorëve, të cilët sot të shajnë e nesër të lavdërojnë, varësisht nga urdhrat edhe pagesa e tyre nga shërbimet e huaja sekrete.

Qytetarët shqiptarë nuk duhet të lodhen e të humbin kohë me debate, analiza dhe deklarata të cilat i ngjajnë njëra-tjetrës si bishtat e cigareve të djegura, por për debate dhe analiza të shëndosha, me të cilat nuk promovohen autoritete të rrejshme në skenën politike aktuale, as thuren lavde se kush sa ka qenë dhe sa është patriot, por kush ka qëllime, vizion dhe strategji të besueshme për nxjerrjen e shqiptarëve nga ky kaos, kjo humnerë ku i kanë batisur deri më sot, patriotizmi i rrejshëm, qeverisja e keqe dhe injoranca.

(22 gusht 2022)

***

Shqiptarët në Maqedoninë Veriore dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për Këshillin e Komunës së Tetovës

DY FJALË PËR REFLEKTIM NË LIDHJE ME ZGJEDHJET NË MAQEDONINË VERIORE

(Matematika armiqësore e pushtetit që e shumëzon interesin kombëtar të shqiptarëve nga zeroja në hiç)

Abdulla Mehmeti

Si asnjëherë më parë nuk kam heshtur në ndonjë fushatë zgjedhore sikurse në këto të fundit, të cilat mbahen ditën e nesërme, më 20 gusht, për Këshillin e Komunës së Tetovës.

Sidoqoftë, qytetarët e Tetovës edhe kësaj here duhet ta dinë se:

Në Maqedoninë Veriore ende nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, sidomos për shkak të rregullativës ligjore në lidhje me zgjedhjet, ndarjes së padrejtë administrative-territoriale, listave të papastruara të zgjedhësve, modelit zgjedhor të papërshtatshëm dhe të imponuar, mënyrës së financimit të fushatave zgjedhore, si dhe të shumë pengesave të tjera, të cilat e pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira, ndërtimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, decentralizimin e pushtetit dhe realizimin e programeve dhe projekteve për zhvillimin normal të komunave, sidomos të komunave shqiptare, siç është Komuna e Tetovës.

Heshtja e intelektualëve dhe veprimtarëve me përvojë (jo partiakë) nuk është shenjë e mirë për shëndetin e shoqërisë sonë dhe të lëvizjes politike të shqiptarëve në këtë vend, por kjo ka shpjegimin dhe kuptimin e plotë në këtë mjegullnajë të tmerrshme që ka krijuar pushteti, përmes medieve të veta, ndërsa rrjetet e agjenturave të huaja vazhdojnë të përhapin terrin e zi të propagandave të huaja kundër interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, sikurse në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Këtë gjendje të mjerueshme ku kanë rënë shqiptarët sot, përkatësisht ku i kanë sjellë drejtuesit e partive të veta politike, shumë thjeshtë mund ta vërejë secili qytetar i vendit, sidomos banorët e Tetovës, mjafton të bëjnë një ecje nëpër rrugët, hyrje-daljet e këtij qyteti, nga cilado anë, deri në sheshin e qytetit të Tetovës, ku dominon ikonografia zgjedhore (bilbordet) e partisë më antishqiptare që njeh historia e këtij vendi, OBRM-PDUKM, ose siç e quajnë në origjinal në gjuhën sllave edhe liderët e partive politike të shqiptarëve: VMRO-së.

Dhe, si përfundim, edhe një shpjegim të qartë e të shkurtër për fund, pa dashur kësaj radhe të ndërhyjmë në rezultatet e zgjedhjeve dhe prishjen e këtyre matematikave politike dhe partiake, duke qenë të sigurt se kjo maskaradë do të përfundojë shumë shpejtë, meqë gremina ku duan t’i fundosin shqiptarët pushteti aktual dhe qorrat e politikës shqiptare aktuale, është aq afër nesh sa nuk ka më nevojë dhe kohë për paralajmërim rreziku apo kthimi parapa.

Kjo qasje e gabuar e lëvizjes politike shqiptare aktuale vazhdon ta shumëzojë HIÇIN me ZERO, por kjo do të sjellë edhe dobi në një të ardhme të afërt, që ta kuptojnë shqiptarët se nuk kanë kohë për eksperimente me famën e rrejshme të liderëve dhe politikanëve me format xhepi, të cilët e kanë shndërruar çështjen shqiptare në interes xhepash ndërsa shqiptarët në monedhë kusuritje mes shërbimeve të huaja sekrete.

Një analizë më të plotë në lidhje me këtë çështje do ta lexoni pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, të përgatitura edhe për një dështim dhe zhgënjim të shqiptarëve në Tetovë dhe në gjithë Maqedoninë Veriore.

(19 gusht 2022)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura