ALBERT Z.ZHOLI: ARISTIDH KOLA, RILINDASI ARVANITAS I KOHËVE MODERNE

Tiranë, 10. 07. 2014 – (Në 70 vjetorin e lindjes së arvanitasit të madh Aristidh Kola (1944-2000) – Më 8 korrik 2014, në Muzeun Historik Kombëtar, ky institucion, së bashku me Shtëpinë botuese Toena, organizuan Simpoziumin Shkencor “Aritidh Kola dhe jeta e tij”. Fjalën e hapjes e mbajti Presidentja e Shtëpisë Botuese Toena, znj, Irena Toçi. E cila i bëri një rezume të gjithë veprimtarisë publicistike të arvanitasit të madh Aritidh Kola. Në këtë Sipmozium e morën fjalën Prof. Nasho Jorgaqi, Dr. Irakli Koçolarri, dr. Behar Gjoka e të tjerë. Ndoshta ishte nisma më e mirë, nga një insitucion shtetëror që mori përsipër vlerësimin e një intelektuali të shquar, i cili në momente të veçanta ishte avokati mbrojtës i emigrantëve shqiptarë në Greqi, apo dhe i luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë, për të cilën ai u kryqëzua nga qarqet shoviniste greke (dua të theksoj se në qaqet intelektuale greke ai mirëpritej dhe kishte një respekt të veçantë). Por ajo që më ra në sy në këtë Simpozium simpatik, ishte se, organizatorët nuk kishin ftuar asnjë nga miqtë e Aritidh Kolas, që për 10 vjet të emigracionit ishin miqtë e tij më të afërt. Këtu dua të përmend shkrimtarin Mihallaq Qilleri, Agim Pipa, këngëtarin Lirio Nushi, studiuesin Arben Llalla apo Floriana Paskali. Gjithë kumtesat i referuan të gjithë ata që se kishin takuar asnjëherë Aristidh Kolan, por kishin lexuar në mënyrë të cunguar veprat e tij. Personalisht nga viti 1993 deri në vitin 2000 ku isha dhe në përcjelljen për në banesën e fundit e kam takuar Aristidh Kolan mbi 1000 herë dhe kujtimet me të janë të panumërta.


Tiranë, 08.07.2014: Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe Promocionit dhe Shtëpinë botuese TOENA, organizuan konferencën përkujtimore, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së juristit dhe studiuesit arvanit Aristidh Kola.

*    *    *

Si e kam njohur, arvanitasin e shquar Aristidh Kola
Në vend të një prologu

Pas njohjes për herë të parë në vitin 1993, kam pasur takime të vazhdueshme me arvanitasin e shquar Aristidh Kola, deri në vdekjen e parakohëshme dhe të papritur të tijë (kur ishte në spital fatkeqësisht munda ti shkoj vetëm njëherë, ndërsa varrimin e tij nuk mund ta përshkruaj dot, ku shoqata “Vllazërimi” e ka të filmuar)….Kohët e fundit kam vënë re se, në lidhje me njohjen që kanë pasur shumë emigrantë shqiptarë në Greqi (dhe bashkombasit tanë kudo në botë) me të, në kujtimet e tyre, ka pasur dhe ka kundërshti në lidhje me kohën e takimeve, bisedave, intervistave për të treguar më shumë afërsinë dhe miqësinë e tyre se sa meritat e padiskutueshme të kësaj figure të madhe. Në këtë shkrim që e botoj për herë të parë të ripunuar për mëse një vit, dua të siguroj të gjithë lexuesit se si intervista (jo e plotë pasi ishte shumë e gjatë dhe do ta paraqes në një moment tjetër), takimet, bisedat, janë të pakundërshtueshme, pasi shumica e tyre janë dokumetuar në librin tim të parë të botuar tek shtëpia botuese e Aristidh Koljas “Thamiras”, (sipas arvanistesh do të thotë e Tha Mirë) ku ai vetë e ka korrektuar me përgjegjësi. Në gjithë takimet me të unë do të veçoja:
-Botimin e librit tim të parë “Ikja e madhe” (emigracioni i emigrantëve shqiptar në Greqi), ku sipas tij ishte libri i parë publicistik i një shkrimtari shqiptar të botuar në shtëpinë e tij botuese.
-Organizimin e përbashkët të ardhjes për vizitë në Athinë të poetit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar që ai e kishte shumë për zemër, Dritëro Agolli.
-Mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer në krijimin e shoqatës së parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi “Vllazërimi”, ku unë jo për meritat e mia, por si më i riu në atë kohë, nën nxitjen e shumë intelektualëve dhe emigrantëve, për tre vjet isha kryetar i parë i saj, ku në çdo 28 Nëntor në festën e Flamurit në krye të podiumit do të ishte Aristidh Kolja.
-Dhe (këtu ndoshta gaboj dhe kushdo që do ta lexoj këtë shkrim mund të bëj korigjimet e duhura, ku unë do ti pranoj me shumë kënaqësi), kam bërë intervistën e parë të plotë në 26 korrik 1996 në gazetën “Zëri i Popullit” (u bë në këtë gazetë jo sepse unë kam qënë apo jam anëtar i PS, por sepse ishte dëshira e ish kryeredaktorit të kësaj gazete, gazetë që atëhehre ishte ndër më të shiturat, pasi PS ishte në opozitë), intervistë e cila pati jehonë në Shqipëri dhe në masën e madhe të emigrantëve tanë në Greqi. Dua të theksoj se pothuajse të gjitha fotografitë e mia me Aristidhin, librat e tij të cilat mi kish dhuruar me autograf, të gjitha revistat “Besa”, botime të shoqatës së arvanitasve të Greqisë, si dhe ditaret e mi ku përfshihen dhe detaje të bisedave me të, i lashë në Greqi, pasi ikja ime prej fqinjit tonë jugor për arsye të ndryshme, ka qënë e menjëhershme. Thuajse kishte disa ditë që kish ndërruar jetë arvanitasi i madh që dhe unë u largova nga Greqia. Do të doja shumë që shumë prej këtyre dokumentave ti paraqisja në këtë shkrim për ta bërë sa më të besueshëm, por që ndoshta do të plotësohen dhe nga miqtë e mi në Greqi, apo në vende të ndryshme të botës, me të cilët mbaj lidhje nëpërmjet valëve të televizionit shqiptar në emisionin e së shtunës “Emigracioni dhe Koha” (ora 08-25) apo dhe të emisionit në Radio Tirana çdo të diel në 95.8- Mhz ora 16-30.

Mirënjohje
Nga data 6 deri më 19 shtator, të vitit 2004 Ministria e Kulturës Rinisë Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente të Kosovës, organizoi në Prishtinë “Javën e Kulturës Arvanitase”. Në këtë veprimtari morën pjesë studiues arvanitas nga Greqia, Gjermania, Turqia, kryetari i shoqatës” “Marko Bocari”, Jorgo Goreu, studiuesi i mirënjohur arbëresh Antonio Belushi, përfaqësues të Institucionit të Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, studiues të Universitetit të Prishtinës, një grup artistik i këngëve dhe valleve arvanitase nga Greqia dhe bashkëshortja e studiuesit të njohur arvanitas Aristidh Kolja, zonja Nansi Kolja.
Në ditën e tretë të këtij aktiviteti, ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i dorëzoi zonjës Nansi Kolja (gruas së Aristidhit), një fletë mirënjohje të Qeverisë së Kosovës për veprën dhe aktivitetin e bashkëshortit të saj, Aristidh Kolja, në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës. Pas kësaj, Kuvendi Komunal i qytetit të Skënderajt, i akordoi arvanitasit Aristidh Kolaj, titullin “Qytetar Nderi i Skënderajt”. Një orë letrare me krijime kushtuar arvanitasve u organizua edhe në qytetin e Prizrenit. Si duket erdhi ora që shqiptarët kudo ku janë, t’i japin vendin që i takon këtij njeriu të madh, këtij rilindasi të thjeshtë, këtij publicisti, piktori, historiani dhe avokati të sinqertë e të palodhur…
Takimet e veçanta të miat me Aristidh Kolan 28 nëntor 1993:
Ambasada shqiptare në Athinë, me rastin e festës kombëtare, organizoi një ceremoni festive me trupin dipllomatik të akredituar në Athinë dhe të ftuar emigrantë. Pyeta nëse kishte ardhur Aristidh Kolja dhe m’u përgjigjën se po. Kështu, fillova të kërkoja mes asaj morie njerëzish, por më kot. Mes shumë njerëzish në atë ambient të ngushtë, nuk isha në gjendje të shquaja profilin e një njeriu që nuk e njihja drejtpërdrejtë, por vetëm e përfytyroja nga përshkrimet e miqve të mi. Për të mos u lodhur më tej, i kërkova ndihmë gazetarit R.Goro.
Kështu, iu prezantova Aristidhit, shumë i emocionuar. Ai më shtrëngoi dorën fort dhe më përqafoi. Fliste një shqipe të bukur, shqipen e rilindasve. Atë shqipe që i ndjeri dhe i madhi Sandër Prosi e përcillte në mënyrë virtuoze tek filmi “Udha e shkronjave”. Sa bukur tingëllon ajo gjuhë! Për mua, ajo gjuhë e rilindasve është tërësisht shqiptare, pa asnjë deformim, pa as një huazim apo shtirje. Dhe Aristidhi e fliste aq bukur sa ç’e ka shkruar Naimi. Nuk ngopesha duke e dëgjuar. Mes asaj zhurme nuk mund të bisedohej gjatë, ndaj i kërkova një kartvizitë dhe më pas, një takim. Nuk hezitoi, përkundrazi. U ndamë si miq të vjetër. E prisja me padurim takimin me të. Kur shkova (Fidhipidhu 6, Athinë 115 26), ai më priti tek dera e zyrës dhe duke më hedhur krahun, më futi në zyrë. Ishte një zyrë e thjeshtë ku dominonin librat dhe pikturat. Në faqen ballore ishte një portret i Marko Boçarit, një më i vogël i Skëndërbeut dhe figura të tjera arvanitase të revolucionit grek. Në faqet e bibliotekës gjeje romane, novela, libra historikë me autorë shqiptarë dhe grekë. Pashë dhe librin e Enver Hoxhës “Dy popuj miq”, me autografin e ish udhëheqësit komunist dedikuar Aristidhit. Ndërsa shihja botimet e tij, ai buzëqeshi dhe më tha: “Do të t’i jap me shumë dashuri” dhe me buzëqeshjen e tij, u ul duke më dhënë me autograf ato libra që unë i ruajta si gjënë më të shtrenjtë për sa kohë isha në Greqi (…?!!!). Në bisedë e sipër e pyeta pse kishte shumë fotografi të Marko Boçarit e Skëndërbeut, dhe ai m’u përgjigj: “Markoja është simbol i arvanitasve, ndërsa Skëndërbeu i të gjithë shqiptarëve. Këta dy njerëz na e lanë amanet gjuhën. Kjo është gjuhë e Perëndisë”.
Në Qershor të vitit 1996, në organizimet e para të shoqatës së parë të emigrantëve në Athinë, “Vëllazërimi” (në të cilin unë pata privilegjin të isha kryetar i parë), mundësuam ardhjen për vizitë të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Takimi u zhvillua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Greqisë. Ishte një mbrëmje fantastike për emigrantët, por edhe për miqtë e ftuar grekë. Dritëroi i bëri një analizë situatës politike në Shqipëri, foli për Greqinë dhe për Ballkanin. Në fund të fjalës së Dritëroit, Aristidhi më tha: “Me njerëz të tillë të fjalës dhe të penës, Shqipërisë e shqiptarëve u takon tjetër fat. Dhe besoj se do të vijë dita ta kenë”… Mbas takimit, bashkë me Dritëroin, Moikom Zeqon e Spartak Brahon, Aristidhi na ftoi për darkë në shtëpinë e tij. Biseda e tij me Dritëroin ishte aq magjepsëse, sa nuk e kuptuam si ikën orët e drita e ditës tjetër na gjeti po aty, në ballkonin e shtëpisë së tij në periferi të Athinës…
Janar 1997: Shkova tek Aristidhi me dorëshkrimet e librit “Ikja e madhe”. Kur më pa me pako në dorë, më tha me shaka: “Mos ke sjellë raki nga Shqipëria?!”. “Kam sjellë për botim një libër. Dua ta botoj tek shtëpia jote botuese, i thashë. “Dëgjo Alberto. Unë do ta shoh njëherë librin, pastaj do të vendos”, tha ai. Kur binte fjala për libra, serioziteti i tij ishte absolut. Më telefonoi pas dhjetë ditësh dhe kur e takova, më tha: “E kalove provën. Librin do ta botojmë. Shtëpia botuese e ka emrin “Thamiras”, që në arvanishten e lashtë , do të thotë “E tha mirë”. Edhe ti mirë i kishe thënë gjërat në libër. Suksese!”. Dhe libri pati vërtetë sukses. Për tre muaj u shitën 1000 kopje. Ky ishte dhe libri i parë publicistik i një shqiptari në “Thamiras”.
1999: Në Kosovë, luftë. Në greqi luftë mediatike. Kosova digjej, mediat greke heshtnin. Por nuk heshti Aristidhi. Ai ishte i përnatshëm në televizionet greke. Me fakte historike ai trondiste opinionin e dizinformuar të Greqisë. Akuzat dhe sharjet e ultranacionalistëve grek ishin nga më të pabesueshmet. Arritën deri aty që të shihnin origjinën në 10 breza dhe ta cilësonin agjent të shqipatrëve (Shqipëria s’mban dot veten jo më të paguaj agjent !!!!) Në një nga këto ditë, kur ai kishte pak orë pushim, shkova si gjithmonë tek zyra. Dhe pse i lodhur nga provokimet, ai nuk ma kurseu buzëqeshjen. Në bisedë e sipër, befas më bie celulari. Atë ditë, si për inat, dy shqiptarë kishin grabitur një shtëpi dhe kishin qëlluar me thikë të zotin e shtëpisë. Por krimnelët nuk ishin kapur. Në telefon dëgjoj zërin e një personi, i cili mu prezantua si gazetar i radio SKAI. Duke m’u prezantuar, ai më thotë se numrin e celularit ia kishte dhënë një miku im, Lefter Marta. Dhe gazetari grek më pyet se çfarë mendimi kisha për kriminelët shqiptarë. Dhe unë i them: “Kriminelë ka edhe në Greqi dhe në Gjermani dhe në Rusi e Japoni. Kriminelët kudo që janë, kanë një kombësi me vete- “Kriminelë”. Aristidhi, kur unë përgjigjesha, më shtrëngoi krahun dhe tundi kokën. Në fund nuk më tha asnjë fjalë, por vetëm psherëtiu. Ai ndiente dhimbje për trajtimin jo real të shqiptarëve, por ndjente dhimbje se, për muaj të tërë në televizionet greke, padrejtësisht i vishnin lloj-lloj kostumesh të pamerituar, njerëz që nuk e njihnin historinë. Por, e drejta e Aristidhit për luftën në Kosovë triumfoi, paçka se shumë fitore ai nuk mundi t’i shijojë në të gjallë.
Për mendimin tim, Aristidhi hyn në Plejadën e rilindasve shqiptarë. Ndërsa për kohën dhe vendin ku punoi, ai meriton më shumë. Ai e ka ndërtuar vetë, me punën e tij, me veprat e tij, me talentin e tij, me guximin vetëmohimin, saktësinë, vërtetësinë, kulturën cilivizimin, shpirtin demokrat, piedestalin e emrit përkrah rilindasve.
Ne na takon vetëm ta vendosim. Me veprën e tij ai ishte parashikues i zhvillimeve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Ballkan. Parashikimet e tij të sakta e kishin bazën tek intelegjenca, studimi dhe mosparagjykimi. Ndaj duhet ta vlerësojnë grekët dhe ta lartësojnë shqiptarët. Ai vdiq duke thënë “Jam grek”, por duke mos e mohuar asnjëherë se kishte gjak Arvanitasi. Po le ta lëmë të flasi vetë, nëpërmjet intervistës së pjeshshme të vitit 1995, Aristidhin, njërin nga personalitetet e brezit të mesëm të intelektualëve arvanitas, mik i madh i shqiptarëve, sidomos i intelektualëve, avokat, shkrimtar, publicist, por edhe botues i njohur. Por le ta lëmë Aristidhin të flasë nëpërmjet një interviste kështu siç e kam marrë para 12 vjetëve dhe e kam botuar në librin “Ikja e Madhe”, libër të cilin ai e ka korrektuar vetë. Intervistën po e botoj të pjeshme (tashmë sipas librit jo gazetës për ta bërë të besueshme), sikundër e kam marrë para 12 vjetëve .
-A keni qenë ndonjëherë në Shqipëri?
Shqipërinë e kam vizituar katër herë. Herën e parë dhe të dytë isha i ftuar nga institucione shqiptare. Herën e tretë vajta të shpjegoja mënyrat e bashkëpunimit ekonomik midis Greqisë dhe Shqipërisë, duke shprehur bindjen se Greqia shpejt do të kuptojë se vëllezër të vërtetë të sajë nuk janë serbët, por shqiptarët. E vërteta është se nuk arrita rezultatet që dëshiroja, megjithatë, thellë në vetvete kam parandjenjën se një bashkëpunim serioz në të gjitha fushat, midis Greqisë dhe Shqipërisë do të zgjidhte një sërë problemesh midis dy vendeve. Herën e fundit vajta incognito. Dëshiroja t’ju bëj një vizitë miqëve të mi, me të cilat kalova ditë të paharruara. Paralelisht u përpoqa që të prek dhe të vë në rrugë të drejtë çështjen e aftësive dhe veprimtarive artistike e kulturore të emigranatëve shqiptarë në Greqi, duke diskutuar me artistë të mirënjohur.
– A vazhdoni ta ndiqni jetën e emigrantëve shqiptarë, ndonëse shumë prej tyre janë ilegalë?
Emigracioni dhe hyrja në grupe e shqiptarëve në Greqi përbën një ngjarje të gjallë, historike me përmasa që nuk janë vlerësuar. Për mua është një vërtetim i gjallë i teorisë pellazge. Të gjithë ata që janë konsideruar si fise të lashta greke si, Ahhet, Jones Eolët, Maqedonasit vijnë nga pellazgët në periudha të ndryshme nga i njëjti vend i Ballkanit veriperëndimor. Dhe unë që e mbështes akoma atë teori, nuk mund ta imagjinoja se në fund të shekullit XX, kur shtetet bashkëkohore kanë intuitë konsoliduese për kombin. Do të kishte akoma një shpërngulje të tillë nga i njëjti vend. Isha natyrisht nga të paktit, për të mos thënë i vetmi, që kisha kapur përmasat, shtrirjen dhe rëndësinë e kësaj ngjarje historike. Por zëri im nuk qe dëgjuar. Në këtë periudhë Greqia u lidh, siç përmenda, me politikën serbe të Millosheviçit dhe mbante qëndrim armiqësor ndaj emigrantëve shqiptar, ndryshe nga populli grek që në fillim, siç e dinin, i priti krahëhapur. Propaganda e shteteve mund ta bëjë ditën natë dhe natën ditë. Kështu u mashtrua populli grek që mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj këtyre nevojtarëve fqinjë. Në ndonjëherë edhe armiqsorë e të ashpër. Natyrisht këtë propagandë e ndihmuan shumë edhe disa keqbërës të ardhur në Greqi. Personalisht ruaj marëdhënie të mira me emigrantët shqiptarë dhe më vjen mirë që shumë prej tyre kanë bërë prokupi këtu, por që edhe me moralin e tyre të lartë impononin tek njerëzit simpati dhe admirim.
– Si historian, publicist dhe avokat, cili është mendimi juaj për çështjen e Kosovës?
Rreth Kosovës në Greqi ka shumë konfuzion, pasaktësi e mangësi dhe, në fund të fundit, pikëpamje konkrete. Në librin që përmenda, “1991-1994, Greqia në grackën e serbëve të Milloshevicit”, i informoi opinionin dhe lexuesin grek edhe për problemin e Kosovës. Natyrisht me fakte synova të ndryshoj përpjekjet propagandistike serbe se gjoja Kosova është pjesë e kombit serb. Sepse, para se të vinin në Ballkan sllavët dhe në Kosovë serbët, ajo zonë banohej nga fise ilire, greko-pellazge si Dardanët dhe Peonët. Stërnipërit e këtyre fiseve janë sot shqiptarët e Kosovës dhe të Shkupit, (ish-repuplika jugosllave e Maqedonisë). Një shekull më parë, kur serbët përpiqeshin të nguleshin përfundimisht në Kosovë politikanë të njohur grekë u përgjigjeshin: “Nuk kini asnjë të drejtë historike mbi këtë zonë, e cila banohet nga shqiptarët, vëllezërit tanë, nga të njëjtat atësi pellazgjike, d.m.th, nga stërgjyshë të përbashkët”. (shih: Vic.Berard “Odhiporikostin Makedhonia” 1996). Prandaj shpresoj se përsëri ndjenjat e grekërve ndaj shqiptarëve do të bëhen vëllazërore dhe do të forcohet përpjekja kosovare për të fituar bashkimin me vendin amë. Nuk duhet që në Kosovë të luhen tragjeditë e Ballkanit. Nëqoftëse politikanët grekë e shqiptarë do të gjejnë mirëkuptim në këtë çështje do të dalin të fituar. Kush e kuptoi, e kuptoi!
– Sa është numri i saktë i arvanitasve të Greqisë?
Është e vështirë të thuash se sa është numri i saktë i arvanitasve të Greqisë. Sot nuk është e mundur të bësh një regjistrim të saktë dhe të thuash: “Kaq jemi”! Ajo që njihet më lehtë janë rajonet e fshatrave ku banojnë këta njerëz, apo që kanë banuar më parë, sipas dokumentave tanimë tani të gjetura. Të habit përhapja e tyre dhe depërtimi mes popullsisë më të vjetër greke. Të shumta janë fshatrat e tyre në Thiva, pranë Athinës, në Peloponez, por edhe në Dodekanez e ishujt si Agroaonikoi, Evia e Qikladhës, por edhe në Viotia, Arolidha, apo të shtyrë thellë në ishullin e madh të Kretës, d.m.th. në qendrat historike të Greqisë së Vjetër. Aty është ruajtur gjuha e tyre deri më sot, si edhe në disa vende të Mesinias, Ahaia dhe të Arkadhies. Në disa zona të tjera gjuha humbi, si në Etoloakarnania, Lakonia e në ishujt e Qikladhës. Por gjuha shqipe flitet sot edhe në Epir e Tharkë, por ajo popullsi nuk hyn në arvanitasit, d.m.th. te ajo popullsi që u vendos në Greqinë Jugore në shekullin e XVI-të. Rrënjët e grekërve janë tepër të trazuara e të lidhura me ato arvanitase. Akoma edhe ata që erdhën në Greqi, pas vitit 1992, kur u krijua shteti qemalist turk, nga Azia e Vogël, në një farë mase janë me rrënjë arvanitase, kryesisht ata që erdhën nga Izmiri, Stambolli, Brusa etj. Një shembull i vogël, në Stamboll ekziston një lagje që quhej “Arnautqoi”, që do të thotë fshat arvanitas. Banorët e kësajë lagjeje, arvanitas të krishterë, u zhvendosën në Greqi. Por pak nga pasardhësit e tyre e njohin origjinën e vjetër të stërgjyshërve .
-Ju keni folur per 12 kryeministrat arvanitas të Greqisë…
Për të realizuar diçka konkrete për të gjitha këto, siç mund ta dini, ne kemi krijuar shoqatën “Marko Boçari”, të cilin kam nderin ta kryesoj. Në të marrin pjesë njerëz të artit e të kulturës, njerëz të shtypit, të cilët ngulmojnë të zbulojnë të gjithë rrënjët e tyre e për të cilat janë krenarë. Deri tani shoqata ka botuar disa kalendarë -albume, të cilat paraqesin sipas viteve të javëve, korifejt e botës arvanitase. Kështu kalendari – ditar me 12 kryeministrat me origjinë arvanitase që i kanë shërbyer shtetit grek, ka zgjuar interes të veçantë, por siç është e natyrshme, edhe polemika. Në një kalendar tjetër është ai me 12 emrat e piktorëve të shquar arvanitas, të vendosur kronologjikisht e të ilustruar me ndonjë vepër të tyre dhe biografitë përkatëse. Një botimi tillë i është kushtuar gruas arvanitase, duke e ilustruar atë me veshjet karakteristike, të cilat ruhen edhe sot në sepet e gjysheve, natyrisht me ndonjë trazim krahinor vendas. Zotëron në të figura e Roza Boçarit (1818-1875) vajzës së trimit Marko Boçarit. Një botim tjetër është “Veshja popullore Arvanitase”, i cili është shoqëruar edhe me vargje të poezisë popullore, që të kujtojnë nektarin e poezisë së De Radës së madh arbëresh.
Në vresta
Ne ni kucar
Këndon ni zog
E bukur.
Tërë vrestat
I skova,rruss
Si buza jote ss’t
Tshova…(Të pashë)
Kur të shoh pleksidhet( gërshetat)
Zemra më dridhet.
– Dhe Lavdia shqiptare e Marko Boçarit. Një kalendar-album i kushtohet figurës madhore të Marko Boçarit, këtijë arvanitasi të madh që bëri aq shumë edhe për gjuhën tonë. Padyshim kontributi i luftëtarëve arvanitas në Revolucionin grek të vitit 1921 është shumë i madh dhe një kalendar ditor i tij është kushtuar 12 figura më të spikatura. Emrat njihen botërisht: Kostandino Kanaris, Andrea Aiaulis, Theodhoro Grivas, Laskarina Bubulina, (bubulima do të shqiptonte menjëherë çdo shqiptar), Dhimitro Plaputas, Theolloro Skurtaniotis, Jeorjas Karaiskaqis, Kiço Xhavella dhe Marko Boçari, (Pocari do ta shqiptonim përsëri menjëherë). Janë lavdia e kombit grek, e dimë. Ne duam vetëm pjesën e lavdisë sonë. Por ne e kemi botuar edhe revistën “Besa”, një periodik i cili synonte të hapte hapësira më të mëdha për kulturën popullore arvanitase, personalitet e tjerë më të vegjël të vet, por edhe të mbështesin emigracionin shqiptar të viteve të para. Sepse edhe emra të mëdhenj bashkëkohës janë po aq vlera tona si paraardhësit. Këtu bëjnë pjesë emrat e Melina Mërkurit, Eli Lambetit, Odisea Elitit (origjina nga nëna e tij), Grigori Bithikoci, Dhimo Muci, Jani Argjiri, etj,etj.
– Diçka për librin “Arvanitasit dhe origjina e grekërve”
Libri im i parë “Arvanuitasit dhe origjina e grekërve” u botua në vitin 1983. Ai ka dy pika referimi bazë: Pellazgët në lashtësi dhe arvanitasit në periudhën bashkëkohore. Besoj pamasë se kam transmetuar tek shumë historianë bashkohorë grek se, historia greke që nuk ka parasysh pellazgët dhe arvanitasit, as grekë dhe as histori nuk është”. Në vitin 1991 përfundova veprën tjetër “Gjuha e perëndive”, një studim ky për fenë e lashtë greke dhe idhujt e saj, por emrat e perëndive e të idhujve dhe lidhjet e tyre me emërtime vendesh. Fjalët, emrat dhe toponimet fshehin një histori të tërë, e cila del në dritë përmes interpretimit të origjinës së tyre. Libri im tjetër i botuar së fundi e ka titullin “1991-1994, Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që është një denoncim i politikës së jashtëme të atëhershme greke, e cila e tërhequr nga premtimet e rreme serbe për gjoja zgjidhjen e çështjes së Maqedonisë, dhe gjithshka përtë ndihmuar synimet e mëdha të Millosheviçit, Karaxhiçit e pasuesve të tyre, duke arritur deri aty sa të izolohen publikisht shtete të tjera dhe më e keqja, duke tronditur marëdhëniet e saj me Shqipërinë fqinj.
Epilog
Vlerësimi pas vdekjes për Aristidh Koljan “Rilindasi modern”
Me vdekjen e tij shqiptarët humbën një mik të madh, emigrantët një mbështetës aktiv, ndërsa Greqia një ambasador të paqes dhe vëllazërimit të popujve tanë. Aristidhi mbetet një rast unik, si një rilindas i vetëm i kohës moderrne.
***
Më rastin 8 korrik 2014, ditën e 70 vjetorit të lindjes së arvanitasit te madh (1944-2000)
Aristidh Kola një mendje e ndritur e lënë në harresë
Kolec Traboini

….Edhe pas 14 vjetëve të vdekjes së Aristidh Kolës, ende vegjeton një zili për keq, tek ata që kanë veshur papuçet akademike të Obllomovit. Lënia jashtë vëmendjes, thuajse në harrim e kësaj figure, duke mjaftuar me emërtimin “Aristidh Kola” një rrugicë të vogël në periferi të Tiranës, diku fshehur pas pallatit të Brigadave a fshatin Sauk, është vërtetë shprehje e qëndrimit tonë cinik ndaj kulturës arbërore, e mendësisë sonë të vetizolimit, për të mos thënë frikës se mos bash për këtë mbeten prishaqejf diplomatët e fqinjëve. Vështirë është ta pranojmë të vërteten, por pa e pranuar atë nuk ka as dhe një shans të vetëm të gjejmë një udhë të drejtë në këtë mishmash kombëtar, ku flitet veç për politikë, ku prodhohen veç konflikte e kultura konsiderohet si një handikap shoqëror i bezdisshëm.
Aristidh Kola ishte nje mendje e ndritur qe e tejkalonte kohen e tij. Kultura, tradita, gjuha, prejardhja, historia ishin gjithçka në jetën e tij. Ai e shihte Shqipërinë me sytë e shpresës. Ai kishte udhëtuar katër herë në Shqipëri e një herë në Kosovë, por edhe në Kalabri e Siçili, gjithnjë me dëshirën e zjarrtë për ta thyer atë barrierë që na kishin vënë në mes nesh, në mes të njerëzve të një gjuhe dhe një gjaku. Ndaj është krejt e kuptueshme çiltërsia me të cilën e priti dyndjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi me mendimin, se kjo do të ishte një rast ideal për të krijuar lidhjet e mungura në mes të krahëve të shqiponjës. Ai u afroi shqiptareve emigrantë një miqësi pa asnjë rezervë e pa asnjë kusht. Ai nuk përdori për ta asnjë herë fjalën emigrant. I quante me gjuhën e tij të bukur shqipo-arvanite “djemt”. Kush e di ç’bëjnë djemt. Kush e di ku janë djemt. I thërriste ashtu siç thërriste të birin e vet Panajotin. Me të njëjtën dashuri. Ishte një miqësi e dashuri që buronte prej gjakut të përbashkët që na rridhte në damarë e gufonte në zemrat tona arbërore. E më së shumti nuk ishim ne që e kërkonim atë, sepse edhe druheshim, por ishte ai që interesohej se çfarë ndodhte me emigrantët shqiptarë në Greqi. Që kur e takuam për herë të parë, ashtu do ta ruajmë në kujtesë, të gjallë e plot energji , të përzemërt ,me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar. Kush tjetër si ai! E kjo ndodhte se ai kishte nje vizion te madh e nuk i shihte shqiptarët e Shqipërisë së vitit 1913 si njerëz të përtej sinoreve, por vëllezer gjaku, sepse e dinte se kufijt ishin krijuar nga të tjerët e jo nga shqiptarët, se pengesat i sjellin qeveritë e politika, por jo popujt. Aristidh Kola ishte si një diell që lind, kalon në zenit dhe perëndon, e gjatë gjithë udhës në qiell ndriçon për njerëzit. Kështu ndriçoi gjatë tërë jetës së tij miku ynë i madh e i paharruar që sot e kujtojmë me nostalgji. Veç perëndimi ishte tejet tragjik për diellin metaforik me emrin Aristidh Kola….

………………………………………………………..

(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura