ALBIN KURTI: DEKADENCA E GARANTUAR

(Prishtinë, 22. 02. 2012) – Qeveria e Kosovës po i ndihmon Serbisë që ajo ta fitojë statusin e vendit kandidat për në BE më shumë sesa që këtë gjë po e bën vetë Qeveria e Serbisë. Në Beograd mbizotëron diskursi publik i politikanëve atje që thonë se nuk e japin Kosovën, ndërkohë që e duan BE-në. Përmes koncesioneve të vazhdueshme Qeveria e Kosovës po ia mban gjallë shpresat Serbisë që mund të forcohet brenda Kosovës pa e rrezikuar udhëtimin drejt BE-së.
Në anën tjetër, Gjermania po e ndihmon Kosovën karshi Serbisë dhe situatës në veri të vendit tonë më shumë sesa që këtë gjë po e bën vetë Qeveria e Kosovës. Sa për Qeverinë e Kosovës, Serbia tashmë do ta kishte të fituar statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa kufijtë veriorë të Kosovës s’do të ishin aty as formalisht. Megjithatë, shtetet e tjera nuk mund të mbajnë tepër gjatë qëndrim më të avansuar për Kosovën sesa që Kosova mban për veten e saj. Nga shtetet kryesore të BE-së, Gjermania tashmë ka nisur të ndjehet e vetmuar.
Kompromisin e radhës ndaj Serbisë e paralajmëroi kryeministri i Kosovës personalisht. Do të na ndërrohet emri sepse do të largohet fjala ‘Republikë’ nga emërtimi i shtetit, kurse shtetësia e Kosovës do të shfaqet e kontestuar në fusnotë. Ky kompromis nuk e bën vetëm përmbledhjen e koncesioneve të tetë raundeve të zv.kryeministres Edita Tahiri përgjatë vitit 2011 në dialogun e Brukselit me Serbinë. Ky kompromis i tejkalon të gjitha ato duke hapur rrugë për koncesione të reja drejt kompromiseve të tjera. Bëhet fjalë për lëshime pe që nuk e ndërpresin zinxhirin e lëshimeve pe. Përkundrazi: këto koncesione thelbësore shndërrohen në garanci të dominimit të koncesionit si koncept (që mandej rregullisht mishërohet konkretisht).
Ankesat e ndryshme që vetëm Serbia po përfiton kurse Kosova asgjë, vijnë nga një keqkuptim elementar. Së pari, nuk mund të ketë përfitime për Kosovën përderisa bisedimet me Serbinë zhvillohen pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Së dyti, koniunktura udhëheqëse në pushtet në Kosovë nuk ka hyrë në këto bisedime sepse ka hall Kosovën, por për shkak se ka hall veten e saj. Fundja, kjo koniunkturë është ngjitur lart (në pushtet) duke e futur Kosovën (si shtet) në pazar dhe pastaj duke e zbritur aty pazarin. Është ky model dekadent që është instaluar në Kosovën e pasluftës dhe i cili e imponon konkurrencën negative politike e partiake: kush përkulet më shumë, ngjitet më lart; kush e zbret Kosovën, arrin ta lartësojë veten.
Me fusnotë në emrin e shtetit tonë dhe pa fjalën Republikë në të, përfundimisht po legjitimohet mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga mosnjohësit e saj. Teorikisht mund të imagjinohet se kushdo do të mund ta bënte këtë gjë. Por, vetëm për njërën instancë të mundshme është e paparamendueshme që të bënte këso legjitimimi. Është kjo Qeveria e Kosovës, qeveria e shtetit që po e pëson këtë degjenerim. Pikërisht ajo (na) e bëri këtë shkallnim. Mbase, realiteti është gjëja më fantastike, ashtu siç thoshte Jorge Luis Borgesi.
Kryeministri i Kosovës hoqi dorë nga Republika. Statusi i Kosovës po bëhet sërish i papërcaktuar. Dialogu i Brukselit në vitin 2011 po na kthen te negociatat e Vjenës të vitit 2006. Fusnota s’ka të bëjë me emrin ose emërtimin por me cilësinë e rregullimit juridiko-kushtetues të Kosovës. Qeveria e Serbisë po propozon plane shumëpikëshe për Kosovën. Ajo thotë se i ka përgatitur pesë alternativa për emrin e Kosovës. S’ka mundur të jetë ndryshe përderisa Serbia u legjitimua edhe njëherë si hisedare në Kosovë, si faktor që na paska të drejtë të pyetet për Kosovën. Vetë pranimi i dialogut me Serbinë edhe e ka mundësuar, edhe e ka kushtëzuar këtë gjë.
Tash, prej Kosovës kërkohet që t’i propozojë edhe ajo solucionet e saj për veten e saj! Këto propozime do të ndodhen karshi propozimeve të Serbisë dhe në të njëjtin kontekst me to. Në mënyrë që mandej të gjenden mese të arta të pozicioneve të palëve për njërën prej palëve (që jemi ne). Gjithçka duket se i përngjan asaj situatës tragjikomike ku një person, teksa i afrohet tjetrit, i thotë: “Unë dua të ta thyej këmbën ty. Cila është alternativa jote?”. E ky tjetri hutohet, harron të ngrihet në këmbë e t’i thotë: “Alternativa ime është të mos ma thyesh këmbën”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura