ALBULENA HALILI: TË ‘PËRKULIM EDHE PERËNDITË PËRPARA SË VËRTETËS SONË HISTORIKE’

Pashtriku.org, 24. 04. 2014 – Në 136 vjetorin e Sanxhakut të Nishit, më 11 prill 2014, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, grupi i historianëve të komunës së Bujanocit, hapi një ekspozitë hartografike (me 108 fotografi) “Sanxhaku i Nishit nëpër shekuj’”. Me këtë rast Koordinatori i kësaj ekspozite Muhamed Jashari, ka thënë se, kjo ishte punë e përbashkët mes grupit të historianëve të komunës së Bujanocit dhe historianëve të trojeve shqiptare, si nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Për rëndësinë e ekspozitës folën, historianët e komunës së Bujanocit, Ismet Bajrami dhe Sali Salihu, Reshat Avdiu, kryetar i Shoqatës së Muhaxherëve të Luginës së Preshevës si dhe Albulena Halili, doktorante për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe ligjeruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në vijim ju sjellim të plotë – fjalimin e Albulena Halilit *).
* * *
Të nderuar organizatorë,
Të nderuar të pranishëm,

Në fillim dua t’ju përgëzoj për këtë organizim dhe t’ju falënderoj për ftesën. Ekspozita që po hapet sot me këto harta flet vetë më mirë se ç’do të kishin folur një mijë fjalë tonat. Këto argumente faktografike janë arma jonë më e drejtë që na jep forcën të “përkulim edhe perënditë përpara së vërtetës sonë historike”. Por njëkohësisht këto harta na përkujtonë njërën nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë, e cila, për fat të keq ka mbetur pa u përjetësuar mjaftueshëm në librat e shkrimet tona – atë të spastrimit etnik të trojeve shqiptare në Sanxhakun e Nishit dhe rajonin e Toplicës gjatë dhe pas luftës ruso-osmane në vitet 1877-1878, e deri në krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912.

Golgota shqiptare – 1877/78…

Të cilësuar më shumë se cilido popull ballkanik, si nacionalistë, shqiptarët gjatë tërë historisë së tyre s’kanë pasur kurrë një doktrinë zyrtare përshtrirëse dhe agresive ndaj asnjërit nga fqinjët.
Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë, atyre të Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe çështja çame që të gjitha janë pjesë e mozaikut të papërfunduar të çështjes shqiptare në Ballkan. Të gjitha këto çështje janë çështje reale, të drejta dhe të pazgjidhura. Ato nuk janë produkt i nacionalizmit shqiptar, por pasojë e pakuptimësisë së politikave zyrtare dhe nacionalizmave institucionale përshtrirëse të fqinjëve, legjitimuar nga fuqitë europiane të shekullit të kaluar.
Bazat ideologjike të këtyre politikave institucionale për copëtimin dhe spastrimin e tokave shqiptare u hodhën në pjesën e parë të shek. XIX me projektin serb “Naçertanije”, atë grek “Megali Idea” dhe më vonë edhe atë bullgar të Shën Stefanit.
Dëbimi i pothuajse 300 mijë shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore dhe shpopullimi i 700 vendbanimeve shqiptare në Sanxhakun e Nishit u realizua duke u mbështetur në doktrinën tradicionale serbe të spastrimit etnik dhe në strategjinë ushtarake të “tokës së djegur” (ang. Scorched earth). Madje Princi Milan pati urdhëruar: “Sa më tepër shqiptarë të shpërngulni, aq më të mëdha do të jenë meritat tuaja para atdheut”. Pastaj edhe akademiku dhe pjesëmarrësi në atentatin e Sarajevës që pati nxitur edhe Luftën e Parë Botërore – Vaso Çubrilloviq, pati shkruar në Memorandumin e tij të famshëm se “… Pas marrjes së Toplicës e Kamenicës nga Serbia, krahinat ndërmjet Jastrepçes dhe Moravës Jugore qenë spastruar plotësisht nga shqiptarët. Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar e kishte për detyrë ta shpartallonte shteti ynë nga 1918 e këndej.”
Kjo golgotë, përveç shkombëtarizimit të përcjellë me vrasje e therrje, masakra e djegie shtëpish e trupash, vdekje mizore grash, pleqsh e fëmijësh rrugëve nga acari e uria, në thelb pati edhe humbjen e një të drejte të shenjtë, e cila nuk vjetërohet kurrë – e drejta e pronës.
Andaj, ngjarjet si kjo e sotmja duhet tingëlluar si këmbana zgjimi gjithandej ndër shqiptarë, veçanërisht te zyrtarët e dy shteteve tona: Shqipërisë e Kosovës, nga të cilat njëra me kushtetutë e tjetra historikisht e kanë për detyrë të angazhohen institucionalisht për ndërgjegjësimin kombëtar dhe për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të cilët jetojnë në territoret etnikisht kompakte, padrejtësisht të ndara nga trungu i vet.
Këto ngjarje janë këmbana ndërgjegjësimi për të mos u përsëritur Toplica, Pusta Reka, Jabllanica, Veternica, Gërdelica, Polanica, Masurica, Kurshumlia, Prokupja, Leskoci, Nishi Ak pallanka, Piroti etj.
Janë këmbana vetëdijësimi për të mos lejuar vazhdimin e realizimit të doktrinave shpopulluese edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e gjetiu.
Për të vepruar dhe krijuar alternativat tona.

*) Autorja është doktorante për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe punon në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

—————————————-

Molla e kuqe…

Shqipetarët e Novi Pazarit, filmim autentik i Vitit – 1904!

—————————————————–

(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura