PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (3)

Prishtinë, 28 mars 2021:
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Tiranë, më 24. 4. 1981
INFORMACION MBI NGJARJET NË KOSOVË
Sipas burimeve sekrete jugosllave rezultojnë këto të dhëna:
1. Mbi përhapjen e pjesëmarrjen në demonstrata.

Më datën 1, 2, 3, 4 prill në Kosovë u zhvilluan demonstrata të mëdha. Demonstratat përfshinë 14 komuna (nga 22 që ka Kosova), kryesisht: Prishtinën, Mitrovicën, Podujevën, Ferizajn, Vuçitërnën, Pejën, Deçanin, Kamenicën, Suharekën, Istogun, Lipjanin, Vitinë etj.
Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nxënës e studentë, ndërsa në Mitrovicë, më 3 prill, u përleshen me forcat e policisë rreth 3 000-3 500 punëtorë të Fabrikës së Elektrolizës të Xingut, të Fabrikës së Akumulatorëve etj. Në Vuçitërnë demonstruesit sulmuan shkollën e Milicisë dhe u përleshen me forcat e policisë. Bëhet fjalë për karakterin e ashpër të demonstratave dhe për gjakderdhje.
Demonstruesit hodhën parullën “Duam republikën me hir ose me pahir”.
2. Mbi masat e marra nga udhëheqja jugosllave.
Më datën 22 mars, rezulton se komanda ushtarake jugosllave intensifikoi masat e gatishmërisë në sistemin e radiokomunikimit midis forcave ushtarake të Armatës 2-të në Nish me njësit e dislokuara në Prishtinë, ndërsa më 26 mars kaluan në gatishmëri të plotë luftarake forcat ushtarake në Kosovë, të Armatës 2-të në Nish dhe disa njësi të Armatës 3-të në Shkup. Menjëherë u dërguan në Kosovë, forcat e policisë e milicisë nga republika e Serbisë, kryesisht nga Beogradi, Nishi dhe Sadi.
Më datën 1 prill u shpall gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Kosovës ku u përfshinë këto masa kryesore:
– komandat e njësive e të reparteve të dislokuara në Kosovë dolën në vëndkomanda, për drejtimin e veprimeve luftarake dhe në çdo njësi e repart u krijuan grupe operative për ndjekjen e situatës së krijuar:
– grupi 52-të operativ me qendër në Prishtinë, mbante lidhje direkte me Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes dhe me komandën e Armatës 2-të në Nish, kurse sistemi i radiokomunikimit i Armatës 2-të në Nish dhe i disa njësive të Armatës 3-të në Shkup kaloi në përgjim të vazhdueshëm;
– u ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizjet e mjeteve të ushtrisë, policisë e milicisë, dhe këto të kontrolluara.
Më datën 1 prill, mendohet të kenë ardhur në rajonet e veprimeve luftarake forcat e përforcimit nga thellësia (të dhëna të sakta nuk disponohen).
3. Mbi riorganizimin e forcave ushtarake në Kosovë.
Më datën 06. 04. 1981 vërtetohet se në Kosovë dislokoheshin këto forca ushtarake: 2 Brigada Këmbësorie, 2 Brigada Tankiste, 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar, 1 Regjiment Këmbësorie, 1 Regjimenti Parashutist, 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke, 1 Regjiment Kufitar dhe 3 batalione të ndjekjes. Nga këto erdhën në përforcim: 2 brigada tankiste (Nr. 211 e 243), përkatësisht nga Nishi e Shkupi; 1 Brigadë e Këmbësorisë së Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102) dhe 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20). (Shih skemën bashkangjitur). Me këto forca u krijua Korpusi 52-të në Prishtinë në përbërje të Armatës 2-të në Nish. Në dorë të komandës të Korpusit 52-të është mbajtur një forcë e transportueshme me helikopter, me përbërje deri batalion, për ta përdorur në ato rajone ku nuk janë dislokuar forca të mjaftueshme të ushtrisë. Këto forca, nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (si të republikave të tjera).
Forcat pjesëmarrëse, të ushtrisë e të policisë, ndërmorën veprime konkrete në bazë të operacionit “Akacija-81” (Aksioni-81), analiza e të cilit u bë më 08. 04. 1981 në komandën e Korpusit 52-të në Prishtinë, me pjesëmarrjen e komandanteve e zëvendësve për punë politike të të gjitha njësive. Për zbatimin e operacionit nuk disponohen hollësi, por nga sa dimë deri tani rezulton se:
– forcat e këmbësorisë realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara;
– helikopterët u përdoren për transportimin e shpejt të trupave nga një rajon në tjetrin ku situata paraqitej më e rrezikshme. Në të njëjtën kohë helikopterët gjeten përdorim për lëvizjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë brenda territorit të Kosovës. Mendojmë që regjimenti parashutist është sjellë me helikopterë (meqenëse në rajonin e Mitrovicës u ulen forcat e një batalioni me helikopter).
– forca të ushtrisë e të kufirit përforcuan postat e pikat kufitare, sidomos në drejtim të Qafë-Morinës, Qafë-Prushit (Tropojë) dhe Morinës (Kukës). Komanda e Armatës 2-të në Nish dhe Sekretari i Mbrojtjes gjatë ngjarjeve në Kosovë, interesoheshin posaçërisht mbi gjendjen në kufirin me vendin tonë.
Konkluzion:
1. Demonstratat e fundit në Kosovë përfshinë mbi 2/3 e territorit (rreth 14 komuna nga 22 që ka Kosova).
2. Forcat ushtarake të dislokuara aktualisht në Kosovë, për nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (të republikave të tjera), që shënon një rritje në masën 3 herë nga koha para fillimit të demonstratave.
Duke u nisur nga situata e shqetësimit shumë i madh i udhëheqjes jugosllave, mendojmë se këto forca do të qëndrojnë në Kosovë përgjithmonë ose për një periudhë shumë të gjatë.
3. Forcat ushtarake të përforcimit, u tërhoqën nga Armata e 2-të dhe e 3-të, përkatësisht në Nish e Shkup, që mbrojnë drejtimet më të rëndësishme (sipas tyre) nga rreziku bullgar dhe i Traktatit të Varshavës.
Duke u nisur nga situata duhet pritur edhe ridislokim forcash ushtarake në federatë, por sidomos në Armatën e 2-të në Nish dhe Armatën e 3-të në Shkup.
Në skemën shpjeguese paraqitet dislokimi aktual i forcave ushtarake në Kosovë, i cili kërkon verifikim të mëtejshëm.

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË
VELI LLAKAJ

– VIJON –

© Pashtriku.org

_________________________
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11062
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11069
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11078
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11080
***
PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: DOKUMENTE ARKIVORE SHQIPTARE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (5)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=11086

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura