RADIO KOSOVA E LIRË DHE KOSOVAPRESS’i – BESNIKËT E IDEALEVE TË LUFTËS SONË ÇLIRIMTARE

Me rastin e 24 vjetorit të RKL-së dhe Kosovapress-it

RADIO KOSOVA E LIRË DHE KOSOVAPRESS-i – BESNIKËT E IDEALEVE TË LUFTËS SONË ÇLIRIMTARE

Nga Dilaver Goxhaj, Tiranë 4 Janar 2023

Thonë se ngjarjet historike përsëriten, por gjithnjë në përqasje me kushtet përkatëse ekonomiko-shoqërore. Kjo dukuri u vu re edhe gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë, në vitet 1997-1999, e më konkretisht gjatë funksionimit të Radio Kosova e Lirë gjatë periudhës së intervenimit ajror të NATOs, në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën Mars-Qershor 1999. Po do të më pyesni ju se, cila ishte ajo ngjarje historike që u përsërit gjatë asaj periudhe? Po. Ajo që unë do të tregoj, besoj se dihet nga shumica e dëgjuesve të saj gjatë luftës, kështu që, unë vetëm se do t’ua kujtoj.

Ajo ka të bëjë me mediat difuzive gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pikërisht gjatë kohës kur armatat e Hitlerit ishin ndalur para dyerve të Moskës. Në kulmin e nervozizmit që mësymja hitleriane u ndal, Hitleri pat deklaruar: Me të kapur qytetin e Moskës, të parin qytetar sovjetik që do të pushkatoj do të jetë spikeri i Radio Moskës. Ultimatumi ishte për folësin që jepte lajmet mbi luftimet në frontet e luftës.

Afërsishtë e tillë ishte edhe deklarata e shëmbëlltyrës së Hitlerit të fundshekullit të XX, fashistit anarkist Arkan, i cili çdo ditë delte në medjat serbe të instaluara në Kosovë dhe deklaronte: Nesër do të mbrijmë në malet e Berishës dhe të parën gjë që do të bëjmë do të eleminojmë Radion “Kosova e Lirë”.

Me këtë shëmbull që solla, a kemi të drejtë të shprehemi se, historia përsëritet? Por as Hitleri dhe as Arkani nuk ia arritën dot qëllimit. Radio Kosova e Lirë, edhe pse u godit si nga aviacioni serb ashtu edhe nga raketat tokë-tokë të ushtrisë serbe, të pozicionuara në fshatin Arllat, ajo radio nuk i ndërpreu as edhe një minutë programin e saj, falë këmbë nguljes të ekipit të vet Radios, por falë edhe heroizmit të luftëtarëve që e mbronin atë radio, nga të cilët 12 prej tyre dhanë jetën që Radioja jonë e Luftës çlirimtare të mos heshtëte. Ja, këta janë heronjtë dhe mos i kërkoni ata në qiell.

Madje, faktet që unë solla për krahasim kanë edhe një ngjashmëri tjetër shumë interesante. Dihet që gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, me Bashkimit Sovetik që luftonte kundër kundër Hitlerit, u bashkuan edhe dy shtetet më të fuqishme të botës të asaj kohe: SHBA dhe Britania e Madhe. E njëjta gjë ndodhi edhe me Luftën Çlirimtare në Kosovë, me UÇK-në, që luftonte kundër Sërbisë së Millosheviçit, u bashkuan përsëri SHBA (superfuqia e vetme e botës dhe më e madhja në historinë e njerëzimit) dhe Britania e Madhe. Por, në rastin Luftës Clirimtare të Kosovës aleanca antifashiste u bë edhe më e madhe: luftën tonë çlirimtare e mbështeti edhe Bashkimi Europjan së bashku me aleancën më të madhe ushtarake të botës, NATO-n, aviacioni i së cilës u pagëzua për herë të parë me luftën e vërtetë.

Lind pyetja: Pse agresori Hitler dje, dhe pse agresori Arkani 58 vite më vonë, objektivin e parë për asgjësim kishin Radiot e Frontit: të parët Radio Moskën, të dytët Radion “Kosova e Lirë”?

Përgjigjia është shumë e thjeshtë. Radioja ishte zëri i Atdheut për liri. Gjithë Atdheu përmblidhej në atë zë. Zëri i RKL ishte Atdheu. Është e vërtetë që radioja jonë kish aparatura të vjetra, por, ama, këndonte këngë të reja. Është e vërtetë që Kosova ishte e coptuar, e gjakosur, e tradhëtuar…, por, ama, Radio “Kosova e Lirë” tregonte se Kosova ishte e mbrojtur.

Kishte 14 muaj Kosova që po luftonte për jetën e saj. Dhe në 4 janar 1999, në ditën e 400 të luftës sonë çlirimtare, vënia në funksionim e Radio “Kosova e Lirë” vërtetonte se mendimi për çlirimin e Kosovës te popullin shqiptar në Kosovë, por edhe në të gjithë kombin, ishte bërë aq i natyrshëm sa edhe ngrënia e ushqimit dhe fjetja.

“Ju flet Kosova e Lirë”, gjëmoi zëri i Luftës Popullore për Çlirim.

Ai ishte zëri që predikonte luftën tonë të drejtë, bazën e jetës sonë; ai ishte një agjitator, një kryengritës i paduruar, kryeneç dhe i shqetësuar; ai zë ishte fryma rebeluese në shpirtin e njerëzve, i cili sulmonte kënaqjen e njeriut me vetveten; ai ishte zëri që zgjonte të fjeturit, u tregonte të kaluarën e afërt, u ndriçonte rrugën për jetën e re, i nxiste të mendonin thellë e të hidhnin poshtë paragjykimet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Zëri i kësaj Radjoje ishte tingulli që çekani UÇK binte mbi kudhrën e historisë së Kosovës dhe mbi gjeneralët serbë, por edhe mbi mallkuesit e saj shqiptarë, të cilët i hutonte, pasi e bindën plotësisht se asgjë nuk doli nga ofensivat e vazhdueshme të forcave serbe. Të gjithë shqiptarët e Kosovës, që e dëgjuan atë zë, u bashkuan me UÇK-në shpirtërisht dhe një pjesë e tyre edhe fizikishtë, ndëkohë që gratë dhe fëmijët e tyre flinin të urritur nën nailonet në zonat ku i mbronte UÇK-ja.

Nga 9 mijë luftëtarë që kishteUÇK-ja deri më 4 janar 1999 në radhët e saj, pas atij zëri të fuqishëm të RKL arriti 19.800 luftëtarë të reshtuar në formacionet që luftonin brenda në Kosovë.

Kosova, deri atë ditë kish trashëguar gati 10 parti të ndryshme, 100 ide të ndryshme, 50 shoqata të ndryshme dhe të paktën 1000 marrëzi të ndryshme. Por Kosova, me zërin e Radios “Kosova e Lirë” dhe Agjensinë “Kosova Press”, e plotësoi simfoninë e Luftës Çlirimtare, zë i cili i thërriste popullit shqiptar: “Qëndresë deri në fitore! Rroftë Kosova e lirë!” Duke dëgjuar këtë zë shqiptarët në Kosovë njohën forcën e tyre të madhe.

Prej 4 janarit 1999 Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjensia “Kosova Press” ishin epiqëndra e gjithë Kosovës dhe jo vetëm e UÇK-së, sepse ato ishin zëri i zëmrës së frontit të luftës për liri. Ndaj dhe armiku këtu i përqëndroi forcat kryesore, kundër maleve të Berishës dhe tërë Drenicës. Sado që u granatuan rëndë ato dy institucione, qiellgërvishëset e vetme shqip në Kosovë, ato vazhduan të jetonin e të trasmetonin.

Kur dëgjuan atë zë shqiptarët e Kosovës nuk e ndjenin më veten të braktisur. “Janë tanët”, thirrën ata. Burra e gra qanin nga gëzimi dhe thoshnin: “Tanët po luftojnë”. Dhe lajmi kapërceu kufijtë e Kosovës, pasi Agjensia “KosovaPress” e përhapi në tërë botën. Për UÇK-në dhe tërë popullin shqiptar që ishte me të, gjëndja ishte e qartë. Ata e kishin aq të qartë e të sigurt besimin në fitore, aq sa edhe Millosheviçi dhe përkrahësit e tij në Kosovë dhe jashtë saj, të cilët mendonin me dëshpërim si të mund të zbukuronin luftën dhe propagandën e tyre të mallkuar, të cilët kërkonin që me një gjethe fiku të mbulonin tërë lakuriqësinë e politikës së tyre të poshtër.

Po të mos ishin kjo radio e thjeshtë dhe ajo agjensi lajmesh, por që dëgjohej në tërë territorin e Kosovës dhe jashtë saj, jo vetëm që do të binte morali i gjithë popullit shqiptar në Kosovë, por Ushtria Çlirimtare e saj do të mbetej si peshku pa ujë dhe nuk do të kishte moral për të luftuar. Jo më kotë Napoleon Bonoparti pat thënë: “Në luftë, gjëndja morale përbën tre të katërtat e lojës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike”. Dhe këtë moral të lartë të popullit dhe ushtrisë në Kosovë gjatë asaj lufte e mbajtën lart ekipi i Radio “Kosova e Lirë” dhe ai i Agjensisë “Kosova Press”; ndaj, të gjithë ata që mendojnë se janë shqiptarë, duhet t’u përulen me respekt tërë jetën këtyre dy institucioneve të luftës sonë.

II

Mirëpo ekipi i Radio “Kosova e Lirë” dhe ai i Agjensiss “KosovaPress” nuk e quajtën të mbaruar punën që ata bënë gjatë luftës. Ata menduan, dhe menduan drejt, se lufta edhe më e madhe për ata do të ishte periudha e pas luftës. Dhe ashtu rezultoi. Por, duhet ta themi se, porsa Radio Kosova e Lirë u vendos në Prishtinë, ajo u braktis nga të gjithë inisiatorët e ngritjes së asaj radjoje gjatë luftës.

Dikush habitet kur dëgjon këtë shprehje nga një pjestar i UCK. Dhe unë jam i detyruar që ta sqaroj. Braktisja e Radijos “Kosova e Lirë” nga Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, e cila përbëhej pothuaj tërësishtë nga ish antarë të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së, (me ndonjë përjashtim të vogël), ndodhi sepse: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, madje edhe vet Shtabi i saj i Përgjithëshëm, kishte një përbërje dhe karakter heterogjen. Si e tillë, në të ka pasur shumë elementë të lëkundur, elementë oportunistë, gjë që nuk ishin të prirë dhe objektivishtë fort të interesuar që idealet e asaj lufte të çoheshin deri në fund. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse Radio “Kosova e Lirë” është penguar dhe pengohet sot e gjithë ditën nga politikanë vendas dhe të huaj; sepse ajo është aktualisht në këta 24 vite të pasluftës, e vetmia mbrojtëse e sinqertë e idealeve të asaj lufte; sepse ajo është e vetmia opozitë e EULEX-t, e Sërbisë, e Politikanëve servilë dhe e atyre medjave gënjeshtare vendase. Mirëpo ata mjeranë i gënjen mendja se e kanë mashtruar këtë popull. Dhe kjo ndodh, se ata harrojnë një të vërtetë historike, të cilën e ka përmbledhur Abraham Linkoln, në shprehjen: “Mund ta gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund ta gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Por kurrë nuk mund të gënjesh tërë popullin për tërë kohën”.

III

Edhe sot, në kushtet kur për shqiptarët doli në dritë problemi që sërbët dhe Sërbia ngulmojnë të arrijnë, jo vetëm ndarjen e Kosovës (kjo është faza e parë), por që ta rirrëmbejnë të tërë Kosovën përmes 6 pikave dhe EULEX-it, Radjo Kosova e Lirë ka marrë përsipër barrën propagandistike, njësoj si dje në luftë, e cila përmblidhet tek fjalët: Duhet gjetur mjeti për të bllokuar Sërbinë si dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë e të brendëshëm. Kjo radjo po bën ndërgjegjësimin gradual të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, pasi ende ky popull nuk i ka të qarta tradhëtitë që i janë bërë, ku Sërbia po përpiqet të gëlltit përsëri Kosovën; ende ky popull nuk e ka të qartë se sërbët jo vetëm nuk i tolerojnë Mitrovicën Veriore, enklavat serbe në Kosovë dhe Preshevën, por duan të rimarrin tërë Kosovën, prandaj dhe u stis edhe Gjykata Speciale kundër UCK-së si dhe “Ballkani i Hapur”.

Që shqiptarët të dalin nga mpirja dhe t’u vendosin serbëve dhe miqve të tyre të hapur e të fshehtë një kufi, për këtë qëllim Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjensia “KosovaPress”, përmes komenteve dhe analizave të tyre në politikën e tyre kanë një përmbajtje të re, një “përmbajtje” dhe synim për të kontrolluar dhe ndaluar ekspansionin serb. Përmes emisioneve të tyre, si dhe pasqyrimit të atyre materialeve në faqet e internetit, këto dy institucione mediatike po mundohen që të sprapset përparimi serb dhe të detyrohen të tërhiqen prapa kufijve të caktuar në Kumanovë në 10 qershor 1999. Ky, thuhet në ato materiale, do të ishte shansi i vetëm për shpresën në Kosovë,dhe këtë strategji të kësaj radioje militante kombëtare duhet ta mbështesim të gjithë, me të gjitha format dhe mjetet që ajo ka nevojë.

IV

Si sot, 24 vite më parë, u hapën dy institucionet qendrore informative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, – Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres, me seli të përbashkët në fshatin Berishë.

Ngritja e radiostacionit Kosova e Lirë dhe hapja e agjencisë së lajmeve Kosovapres u bë me vendimin e SHP të UÇK-së, i nxjerrë në nëntor të vitit 1998. Kishte pothuajse një vit që Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë në arenën e hapur të luftës përballë instrumenteve të forcës të pushtuesit serb, policisë dhe ushtrisë së tij, dhe ç’është e vërteta, Shtabi i Përgjithshëm i saj, i vetëdijshëm për rëndësinë e pazëvendësueshme të informacionit publik, kishte bërë përpjekje të pareshtura për të plotësuar zbrazëtirën e luftës çlirimtare, që kishte krijuar mungesa e mjeteve të saj të informacionit, qoftë përmes ndonjë organi shtypi, qoftë përmes ndonjë buletini, apo mjeti tjetër informativ. Mirëpo, për shkak të rrethanave të caktuara të luftës, synimi për të ngritur mjetet e luftës të informacionit u bë realitet tek më 4 janar 1999, kur në orën 16 filloi të transmetojë programin e vet Radio Kosova e Lirë, ndërsa po të njëjtën ditë filloi të shpërndajë informacionet edhe Agjencia Kosovapres.

Siç dihet tashmë, në këto dy institucione binjake u angazhua një staf i përbashkët veprimtarësh e intelektualësh. Në tre muajt e parë të funksionimit, pra deri më 31 mars 1999, ato patën për seli shtëpinë e familjes Berisha në fshatin Berishë. Sulmet e pandërprera të forcave militariste serbe të intensifikuara ndaj kësaj selie, sidomos pas fillimit të fushatës bombarduese nga NATO-ja, më 24 mars të atij viti, imponuan nevojën për ndërmarrjen e masave të reja të sigurisë nga stafi i dy institucioneve tona informative. Prandaj në fillim të muajit prill, në përputhje me natyrën e veprimtarisë së tyre, Radio Kosova e Lirë zhvendosi selinë në dy bunkerët e saj në malin Pallanik të Rrafshnaltës së Berishës, kurse Agjencia Kosovapres u vendos në shtëpinë e familjes Gega në Fshat të Ri.

Sigurisht, një meritë e veçantë për funksionimin e rregullt dhe mbijetesën e RKL dhe të Agjensisë KosovaPress u përket familjeve Berisha dhe Gega, të cilat, në shërbim të këtyre institucioneve vunë shtëpitë, bukën dhe pasurinë e tyre. Por, merita kryesore gjithsesi u takon atyre që luftuan dhe atyre që ranë duke luftuar në betejat e ashpra kundër pushtuesit serb, i cili deri në përfundim të luftës bëri të gjitha përpjekjet për të depërtuar në zonën ku funksionuan RKL dhe AKP. Me emrin e këtyre dy institucioneve, do të jenë përjetësisht të lidhur emrat e dëshmorëve të UÇK-së të cilët ranë në këtë kohë në pozicionet përreth Rrafshnaltës së Berishës, në Gradinë, në Arllat, në Grykën e Nekocit e në vende të tjera. Ata janë: Mehdi Bytyçi, Islam Kastrati, Ramadan Bytyçi, Sylejman Bytyçi, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Mentor Gashi, Vezir Kolshi, Xhavit Kelmendi, Elbasan Berisha e dëshmorë të tjerë.

V

Më 4 janar të vitit 1999, me ngritjen e institucioneve informative, Ushtria Çlirimtare e Kosovës siguroi në duart e saj një armë të fuqishme e cila i kishte munguar deri në atë kohë. Deri në atë kohë, komunikimin e vet me opinionin e gjerë UÇK-ja mund ta realizonte vetëm përmes komunikatave të shtypit, përmes deklaratave të zëdhënësit të SHP, përmes Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, si dhe intervistave e bisedave të herëpashershme të eprorëve apo ushtarëve të UÇK-së. Megjithatë këto komunikata, deklarata e intervista, në opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm, në të shumtën e rasteve prezantoheshin në mënyrë të njëanshme e të mangët. Ishte fare e pamundshme që edhe po të donin, mjetet e shkruara dhe ato elektronike të informacionet, të cilat operonin në Prishtinë të lejuara dhe të kontrolluara nga organet shtetërore të Serbisë, ta paraqitnin drejt dhe plotësisht luftën për liri të UÇK-së.

Prandaj, në mungesë të mjeteve të lira të informacionit, UÇK-në dhe luftën e saj për liri, medjat e kontrolluara i pasqyronin në dritën e tyre. Shtypi i Prishtinës, sikurse edhe ai i jashtëm, UÇK-në kryesisht e quante organizatë guerile; njësitet e UÇK-së – grupe të armatosura; luftën e armatosur e quante konflikt i armatosur, kurse betejat – konfrontime e kështu me radhë. Po ashtu, luftës që zhvillonte UÇK-ja kundër pushtuesit serb, ky shtyp në të shumtën e rasteve ia jepte dimensionin e një konflikti të izoluar ndërmjet “kryengritësve” shqiptarë dhe policisë serbe, e jo të një lufte ndërmjet UÇK-së dhe Serbisë pushtuese. Në anën tjetër, pasojave të luftës u jepej dimensioni i një krize humanitare.

Në këto rrethana, një pjesë e madhe e popullit shqiptar të Kosovës nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej kushtrimit të luftës për liri, duke qenë në njërën anë nën shtrëngesën e aparatit të egër shtetëror serb dhe në anën tjetër e dezinformuar dhe e frikësuar nga mjetet e ndryshme të informacionit publik. Në njëfarë mënyre, mungesa e informacionit mbi karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së dhe mbi pashmangshmërinë e kësaj lufte ishte bërë aleat i natyrshëm i pushtuesit. Por, me hapjen e RKL dhe të AKP më 4 janar 1999, lufta çlirimtare u bë me zëdhënëset e saja të mirëfillta. Njoftimet e drejtpërdrejta nga zona e luftës për zhvillimet ushtarake; pasqyrimi i qëndresës dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë në front; paraqitja e moralit të lartë në radhët e luftëtarëve dhe të popullsisë civile në zonën e luftës; komentimi i situatave dhe ngjarjeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit; reportazhet, bisedat e intervistat e ndryshme që ditë për ditë transmetoi RKL dhe AKP shpërndau jashtë vendit, bënë që opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm të njihen drejtpërdrejt dhe nga dora e parë me karakterin çlirimtar të luftës për liri që po zhvillonte UÇK-ja kundër pushtuesit shekullor serb.

Themelimi i institucioneve qendrore të informacionit publik të UÇK-së u bë edhe në një moment politik shumë të rëndësishëm. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Holbruk-Millosheviq në tetorin e vitit 1998, lufta në Kosovë kishte hyrë në fazën e një pseudointermecoje, e cila te shumëkush kishte krijuar përshtypjen se UÇK-ja ishte lodhur e dërmuar nga ofensivat e pandërprera të deriatëhershme serbe. Zëri i Kosovës së Lirë dhe lajmet e AKP demantuan këtë bindje dhe rikthyen besimin në forcën e në vendosmërinë e UÇK-së për ta çuar deri në fund luftën për çlirimin e Kosovës. Ky fakt ngriti në mënyrë të ndjeshme frymën e mobilizimit masiv për mbështetjen e luftës së kësaj ushtrie. Në veçanti, RKL u bë mjet frymëzimi dhe inkurajimi për luftëtarët e lirisë, të cilët edhe në istikamet e luftës, orën 16 e pritnin me radioaparatin pranë veshit. Ajo ngriti ndjenjën e vetëbesimit në fitoren edhe te popullata civile kudo në Kosovë. Magjia shpresëdhënëse e RKL u bë edhe më e madhe pas dështimit të përpjekjeve të pandërprera të pushtuesit serb për ta asgjësuar atë dhe agjencinë Kosovapres, përpjekje që u bënë edhe më të ethshme pas fillimit të sulmeve ajrore nga NATO-ja.

Ndonëse në rrethana të një lufte të tmerrshme për liri a vdekje, RKL dhe Agjensia Kosova Press arritën të funksionojnë deri në përfundim të luftës në saje të mbështetjes së pakursyeshme nga luftëtarët e lirisë, angazhimit maksimal të korrespondentëve dhe reporterëve pranë Zonave Operative, si dhe përkushtimit vetëmohues të stafit të këtyre dy institucioneve. Me përpjekje mbinjerëzore ato arritën ta mbijetojnë luftën çlirimtare dhe t’i qëndrojnë besnike misionit të tyre informativ e kombëtar, në rrugën drejt lirisë.

Dihet se, në historinë tonë kombëtare ngjarje të panumërta kanë ndodhur e do të ndodhin, por dhe shumë prej tyre do të harrohen. Por jam i bindur se UÇK-ja dhe heroizmi i saj do të mbeten ngjarje të pashlyeshme në kujtesën historike. Pjesë e këtyre ngjarjeve, pa dyshim do të mbeten edhe Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia KosovaPress.

_______________

JU FLET KOSOVA E LIRË’, ZËRI QË DOLI NGA BUNKERI | T7

***

PROF. DR. NUSRET PLLANA: RADIO KOSOVA E LIRË DHE LUFTA E UÇK-së

https://pashtriku.org/profdrnusret-pllana-radio-kosova-e-lire-dhe-lufta-e-uck-se/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura