ANTON MARKU: KAM PASUR NDERIN DHE PRIVILEGJIN T’I SHËRBEJ VENDIT TIM

Vjenë, 18. 07. 2013 – (Intervistë me diplomatin, poetin dhe veprimtarin në Vjenë, Anton Marku) – U takuam fillimisht përmes shkrimeve. Porosia e tyre “Dhjetë arsye për të qenë bashkë” u jetësua në “Lidhjen e Shkrimtarëve e Krijuesve”, “Arbëria, “Albania” “Dielli Demokristian”, në aktivitetet në Austri. Antoni modest e fjalëpakë, nuk foli, flet puna e tij e madhe prej njeriut me brumë atdhetar. Vjena e njohur edhe për kulturën shqiptare u pasurua me veprimtarinë e diplomatit e poetit Anton Marku.
Pashtriku.org: Zoti Marku, cili është roli i juaj si diplomat i Kosovës në Austri?
A.MARKU:
Kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej shtetit tim për pothuajse katër vite (2009-2013) në cilësinë e këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë. Me gjithë kapacitetin dhe potencialin tim personal dhe profesional jam munduar që këtë detyrë dhe besim ta kryej me nder dhe përgjegjësi. Përgjatë kësaj kohe kam mbuluar fusha të ndryshme duke qenë pjesë e një ekipi të përkushtuar për përfaqësimin me dinjitet të shtetit dhe qytetarëve tanë, mbrojtjen e interesave të tyre si dhe për të avancuar edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Austrisë.
Pashtriku.org: A ka ecur diplomacia jonë përpara këto vjetët e fundit, cilat janë sukseset apo dështimet?
A.MARKU:
Duke pasur parasysh se shërbimi diplomatik i Kosovës është krijuar vetëm pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë, mendoj se në përgjithësi duhet të jemi mjaft të kënaqur me performancën e diplomatëve kosovarë kudo në botë. Numri i madh i përfaqësive diplomatike dhe konsullore, rritja e vazhdueshme e numrit të njohjeve, nënshkrimi i shumë marrëveshjeve ndërshtetërore, vizitat dhe takimet në nivelin më të lartë të përfaqësuesve të institucioneve tona me homologët e tyre në të katër anët e globit si dhe pjesëmarrja aktive në forumet më të larta regjionale dhe ndërkombëtare janë tregues për një përparim enorm që ka bërë Kosova në vitet e fundit. Në anën tjetër, vonesa në funksionalizimin e Akademisë Diplomatike të Kosovës ka bërë që ndërtimi i kapaciteteve njerëzore të bëhet me forma dhe institucione alternative. Por, tani më edhe kjo çështje është duke u zhvilluar me dinamikë të përshpejtuar dhe pritet që shumë shpejt kuadrot kosovare të gjenerojnë njohuri shtesë nga ky insticion shumë i rëndësishëm për diplomacinë.

– Anton Marku –

Pashtriku.org: Si e shihni ju organizimin e veprimtarive kulturore në Austri?
A.MARKU:
Në Austri jeton një numër i madh i shtetasve kosovarë të cilët në vazhdimësi janë përpjekur që përmes manifestimeve kulturore të promovojnë traditën dhe identitetin e tyre kombëtar. Me kohë ata kanë ngritur ura të miqësisë me popullatën vendase, ndërsa atëherë kur duhej nuk kanë kursyer asgjë për lirinë e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Ballkan. Sot në Austri veprojnë shumë shoqata të cilat kryesisht janë të orientuara në format tradicionale të veprimtarisë. Vlen të theksohet se vërehet një rritje e organizimeve shqiptaro-austriake në përgjithësi. Por, ende mungojnë iniciativa që do të përfshinin projekte kuptimplote për studentët, femrat dhe të moshuarit si pjesë substanciale e shoqërisë sonë në mërgim.
Pashtriku.org: Ju jeni poet, nismëtar i formimit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve në Austri, klubit të shahut „Arbëria“, Ligës Shqiptare të Futbollit, Gazetës „Dielli Demokristian“ e tjera, si ia keni arritur të merreni me gjithë këto veprimtari?
A.MARKU:
Që nga ardhja ime në Austri, para pesë vitesh, jam përpjekur që përvojën time si ish-aktivist i shoqërisë civile në Kosovë ta ndaj me bashkëmendimtarët e mi në këtë shtet alpin. Në këtë kuadër kam bërë pjesë në grupin e ideatorëve të krijimit të disa prej shoqatave që përmenden më lartë. Në mënyrë aktive kam marrë pjesë, dhe ende jam aktiv, në shoqatën kulturore ”Aleksandër Moisiu”, e cila mbledh rreth vetes krijues, shkrimtarë, piktorë, skulptorë dhe publicistë. Po ashtu jam prezent edhe në turnetë e shahut që organizohen nga klubi sportiv ”Arbëria” në Vjenë. Vlerësoj lartë punën e bërë nga Liga Shqiptare e Futbollit në Austri (LSHFA) e cila mendoj se mund të shërbejë si model për organizimet e tilla në të gjitha vendet tjera ku vepron diaspora jonë. Në këtë aspekt, konsideroj se kam dhënë vetëm një kontribut modest. Për sa i përket revistës në formë elektronike ”Dielli Demokristian” mund të them se vizioni për themelimin e saj u diskutua gjatë kohës kur mbaja pozitën e kryetarit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës-dega në Vjenë (2008), ndërsa u jetësua nga disa të rinj, kryesisht studentë me tituj akademik të fituar në universitetin e Vjenës. Që nga viti 2010 kjo revistë botohet një herë në tre muaj, ka versionet në gjuhën shqipe dhe gjermane, shpërndahet në tërë botën dhe deri më tani ka publikuar trembëdhjetë numra me më se 500 faqe artikuj, kryesisht me tema shoqërore, historike, sociologjike, kulturore dhe sportive. Misioni i saj kryesor është të informojë publikun lidhur me aktivitetet dhe sukseset e shqiptarëve në Austri dhe jashtë saj.
Pashtriku.org: Është menduar themelimi i Qendrës Kulturore në Vjenë, si qendër e njohur në histori, e albanologjisë, e kulturës shqiptare, kur do e kemi në Vjenë?
A.MARKU:
Shqiptarët në Austri meritojnë të kenë një qendër kulturore e cila do të paraqiste një adresë të rëndësishme për ta dhe do ofronte infrastrukturën e nevojshme për organizimet kulturo-artistike. Në të do të mund të zhvilloheshin debate, mbaheshin promovime letrare, ekspozita, takime mes studenteve dhe të rinjve, etj. Aty bashkatdhetarët tanë do të mund të gjenin libra, monografi, gazeta e revista në gjuhën shqipe. Duke qenë dëshmitarë i tentativave për rritjen e ofertës së shoqatave tona, mendoj se është më se e nevojshme që institucionet kosovare, bashkë me ato të Shqipërisë, të gjejnë format e duhura për të themeluar dhe funksionalizuar një objekt të tillë-jetik për mbajtjen gjallë të lidhjeve me atdheun dhe vendit nikoqir.
Pashtriku.org: Cilat janë botimet tuaja të fundit dhe planet…?
A.MARKU:
Unë konsideroj veten vjershëtor me pretendim për tu bërë poet. Në këtë kuadër merrem nga pak dhe me shkrime duke u munduar që të ndaj me lexuesit opinionet e mia lidhur me fenomenet shoqërore, ngjarjet e së kaluarës, të tashmen apo të ardhmen që na pret. Deri më tani kam botuar pesë libra me poezi. Disa prej tyre janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane dhe rumune. Muajve të fundit jam paraqitur në disa antologji, si në ,,Pelegrin” (Shqipëri), ”Një Shekull Dritë” (Gjermani) dhe ”Ilyricum”(Austri). Kjo e fundit pritet që të përkthehet edhe në gjuhën gjermane. Momentalisht jam duke punuar në sistemimin e materialit për librin e radhës, i cili shpresoj se do të botohet gjatë këtij viti.
Pashtriku.org: Si mund ta përmblidhni kohën tuaj si diplomat, ideator dhe aktivist kulturor në Austri?
A.MARKU:
Nuk ka qenë e lehtë që krahas angazhimeve shtetërore të gjendet kohë edhe për aktivitete shtesë. Megjithatë, në saje të vullneti dhe motivit për të qenë afër bashkëkombësve tanë në pothuajse të gjitha fushë veprimtaritë që ishin të dobishme për bashkësinë tonë këtu, unë jam munduar të mos kursej kohën as mundin në mënyrë që jeta e shqiptarëve në Austri të pasurohet në aspektin shpirtëror dhe artistik, duke ju mundësuar atyre të bëhen pjesë e zhvillimeve pozitive dhe ngritjes së rolit dhe pozitës së bashkësisë sonë në këtë vend. Nëse ja kam arritur sa do pak në këtë drejtim do të ndjehesha i plotësuar.
Pashtriku.org: Kam bindjen si puna e juaj e gjithanshme këtu do ju bëjë të jeni i paharruar.
A.MARKU:
Sigurisht që asgjë nuk ka filluar me mua. Kam pasur fatin që pas ardhjes sime këtu kam gjetur një përvojë shumë të mirë në organizimet e shqiptarëve, persona të përkushtuar, të informuar mrë lidhur me ligjet dhe mundësitë që ofron Austria për zbatimin e projekteve të ndryshme, me kontakte shumë domethënëse me autoritetet vendëse dhe ndërkombëtare, etj. Unë vetëm i jam bashkangjitur këtij grupi entuziastësh dhe jam bërë pjesëmarrës i sukseseve që pasuan në vitet e kaluara.
Pashtriku.org: Porosia e juaj për rrethin tuaj e mërgimtarët në Austri?
A.MARKU:
Shqiptarët dhe austriakët janë dy popuj miq. Ata e kanë dëshmuar këtë miqësi disa herë gjatë historisë. Mërgata jonë duhet të shfrytëzojë më shumë mundësitë që ofron shteti austriak për integrim dhe përfshirje në jetën shoqërore dhe politike. Në të njëjtën kohë duhet vazhduar që me krenari të ruajmë traditën, kulturën dhe artin tonë të cilin duhet prezantuar para vendasve dhe komuniteteve tjera që jetojnë këtu. Këto vlera kombëtare duhet përcjellë gjeneratave të reja të cilat po rriten në këtë vend. Ne mundemi që njëkohësisht të jemi evropianë të mirë dhe të mbesim shqiptarë të devotshëm dhe krenarë për identitetin tonë.


– Intervistën e zhvilloi gazetari – Hazir Mehmeti, Vjenë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

VLERAT POLITIKE …

VLERAT POLITIKE NACIONAL-DEMOKRATIKE DHE NACIONAL-KOMUNISTE NË KOSOVËN E DEKADAVE TË FUNDIT Nga Xhevat Meha 05/06/2023 Vlerat politike që…