KRESHNIK AHMETI: PO, NE JEMI POLITIKË!

 Prishtinë, 08. 05. 2012 – Kur i përmenden rastet e korrupsionit që i krijon e të tjerat që i toleron para syve të tij, rektori Mujë Rugova nuk përgjigjet. Kur i përmendet luksi të cilin ai e jeton në kurriz të studentëve e interesat partiake të cilat i mbronë, ai nuk përgjigjet, duke u arsyetuar se ne studentët që po ia publikojmë këto gjëra qenkemi të politizuar. Është ky një zbulim shumë i madh nga kryesuesi i institucionit publik të dijes. Studenti i vitit 2012 qenka i politizuar! Po çfarë na ishte studenti i vitit 1968, ai i vitit 1981, ai i vitit 1989 apo ai i vitit 1997? Si duket rektori studentin e ka parë si politik vetëm kur ai ka luftuar kundër pushtuesve të jashtëm dhe tani që pushtuesit e hapësirës universitare janë vendor, ai nuk e sheh më studentin si të tillë. Konceptet e Rektorit për politikën janë të kufizuara vetëm në kuadër të interesave partiake. Politikja nuk e nënkupton partitizimin, për të cilin rektori angazhohet me aq zell për shkak të përfitimeve të tij. Politika është organizimi për të mirën e përbashkët, e Partitizimi i rektorit është organizimi për interes të partisë. Pra, ne jemi të politizuar, ju jeni të partitizuar.

Studentët – Rektorit Mujë Rugova, ia urojnë 41 vjetorin e themelimit

të Universitetit të Prishtinës, me skuqje!

_________________________________

     Rektori edhe konceptet e të drejtës dhe të padrejtës i ka të gabuara. Përderisa studentët janë të nënshtruar dhe të qetë, ata janë studentë të mirë dhe brenda të së drejtës, por kur studentët ngrihen kundër dhunës sistemike që i bëhet, ata duhet të denohen me përjashtime të përjetshme nga fakulteti dhe me burg, sepse e kanë prishur paqen studentore. Këtë fytyrë Mujë Rugova e tregoi me reagimin e tij kur Rroni e Durimi e skuqen, pasiqë ai i pafytyrë nuk po skuqej, duke i quajtur ata “gjak sllavi”. Pra, në krye të institucionit të dijes ne kemi udhëheqës me tipare diktatoriale dhe raciste.

_________________________________

Lëvizja Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim –

Konferencë për media 03.05.2012.

_________________________

     Studentët sot kanë mbetuar duke mësuar pa studim. Ne nuk kemi hapësirë të mjaftueshme për t’i ndjekë ligjëratat. Ne nuk kemi literaturë të mirëfilltë. Ne mësojmë për sisteme ekonomike të para krizës, të cilat sot po mbesin prapa. Ne ende mësojmë për Kosovën me Kornizë Kushtetuese. Ne jemi të obliguar të dimë anglisht e serbisht për të mësuar lëmi të caktuara në Universitetin e Prishtinës. Ne nuk studiojmë. Por, me rëndësi është që rektori nuk duhet t’i ecë shkallët e hyrjes së Rektoratit sepse xhipi i tij super luksoz mund të hyjë deri te dera e objektit. Me rëndësi është që Rektoratit dhe Këshillit Drejtues po i renovohen zyret edhe pse studentët e Departamentit të Muzikës matanë rrugës detyrohen të ushtrojnë në rrugë pasiqë nuk kanë hapësirë të mjaftueshme në objektin e tyre.
Ne po e përjetojmë mungesën e studimit dhe për këtë arsye jemi kritikë. Ne jemi kritik ndaj universitetit sot duke e propozuar universitetin që duhet të jetë. Mos rehatia në gjendjen aktuale na ka bërë të ngrihemi përtej kritikës dhe të veprojmë në të tashmen në shërbim të së ardhmes. Veprimi ynë është politik, sepse e shembim të vjetrën dhe e sjellim të renë. Ne çdo ditë angazhohemi për një Universitet Publik që nuk e ka vetëm emrin e tillë. Ne angazhohemi për heqjen e Këshillit Drejtues dhe fuqizimin e Senatit e të Këshilleve të Fakulteteve. Me këtë ne duam t’ia kthejmë Universitetin profesorëve dhe studentëve dhe të mos ua dorëzojmë atë interesave partiake dhe interesave neoliberale të tregut.
     Ne angazhohemi për themelimin e Shtepisë Botuese të Universitetit të Prishtinës për botimin e librave të nevojshme për studim. Kjo do t’i pajiste studentët dhe profesorët me materialet e nevojshme për studim dhe do ta mbante cilësinë e literaturës në Universitetin e Prishtinës në nivelin e duhur. Gjithashtu, kjo do ta ndalte biznesin e profesorëve të caktuar të cilët e kanë shndërruar Universitetin Publik në treg privat për librat e tyre. Ne angazhohemi që Universiteti t’i prodhojë këto libra dhe t’i gjenerojë këto fitime. Për këtë arsye, ne jemi politikë.

_________________________________

Lëvizja Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim – “Çbunkerizohuni!”

______________________________

     Ne jemi për funksionalizimin e instituteve të fakulteteve në Universitetin e Prishtinës, ku studentët do ta bënin praktikën e tyre nën vëzhgimin e profesorëve dhe Universiteti do të gjeneronte fitim. Ne e kundërshtojmë shfrytëzimin e hapësirës se Universitetit nga profesorë të caktuar të cilët punën dhe fitimin e instituteve e kanë marrë për vete dhe tani kanë kompani fitimprurëse private të cilat i kanë krijuar në kurriz të Universitetit të Prishtinës. Ne jemi që Universiteti ynë t’i bëjë këto punë e t’i marrë këto fitime. Për këtë arsye, ne jemi politikë.
     Ne angazhohemi që studentët të studiojnë pa pagesa të semestrit. Ne po taksohemi dy here! Në fakt, kur ne taksohemi për herë të dytë, duke e paguar semestrin, ne jemi viktima të një vjedhjeje të sanksionuar me ligj. Në çdo produkt që ne dhe familjet tona e blejmë, ne paguajmë për studimet tona duke paguar 16% TVSH. Ne duhet t’i kemi studimet pa pagesë dhe të paguajmë vetëm shpenzime administrative, sepse përndryshe Universiteti nuk është më i publikut dhe për të gjithë, por vetëm i atyre që kanë mundësi ekonomike. Ne kërkojmë zgjerim të fondeve për Universitetin Publik e shkurtim të shpenzimeve marramendëse të Qeverisë për derivate, kredi telefoni, blerje fotokopjesh, mobiljesh etj. Për këtë arsye ne jemi politikë.
Në këtë angazhim, Rektorati dhe Këshilli Drejtues çuditërisht janë pozicionuar kundër studentëve dhe profesorëve dhe na “sulmojnë me akuza” se jemi të politizuar. Dhe unë them përsëri: Po, ne jemi politikë!
     Rektorit dhe Këshillit Drejtues nuk i shkojnë për shtati organizime të tilla studentore, të cilat merren me shkeljet që ata i bëjnë, jo vetëm ndaj rregullave të UP-së dhe ligjeve të vendit, por edhe mbi të drejtat e studentëve. Rektorit dhe Këshillit Drejtues, i duhen organizime studentore të cilat fillojnë dhe përfundojnë me shfaqje të lojërave sportive e ekskursione në Kosovë e Shqipëri. Rektorit dhe Këshillit Drejtues i duhen profesorë të cilët mendojnë vetëm si ta përmbushin normën por që assesi nuk mendojnë për të drejtat e tyre dhe të studentëve të tyre. Deri tani ata i kanë pasur këta studentë e këta profesorë.

___________________________

Dollia e Rektorit për korrupsionin e UP-së!

___________________________

     Por, kësaj kohe po i vjen fundi. Ne cdo ditë angazhohemi në vetëdijësimin e studentëve dhe mobilizimin e tyre kundër kësaj strukture që e ka shëndrruar Universitetin Publik në kusurë të pazareve të pushtetit. Ne do t’i mobilizjomë studentët kundër secilit pushtet që e shndërron Universitetin në instrument për interesa partiake dhe interesa të tregut.
     Edhe pse Rektorati dhe Këshilli Drejtues ka kohë që kanë punuar për të kundërtën, Trupi i Profesoriatit dhe Trupi Studentor po zgjohen. Ata po zgjohen për t’ia kthyer vetes Universitetin dhe për ta shpëtuar atë nga interesat e ngushta të pushtetit e të tregut. Dhe po, ne jemi të politizuarit sepse ne po angazhohemi për t’i luftuar këto interesa dhe për t’ia kthyer Universitetin të gjithëve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura