ARIF EJUPI: A DO T’I TRAZOI NDONJËHERË NDËRGJEGJIA LIDERËT PARTIAK TË KOSOVËS?!

Gjenevë, 08. 11. 2014 – Në Kosovë edhe pse zgjedhjet e rregullta kanë përfunduar, qe pesë muaj ende s‘është konstituuar Parlamenti e as Qeveria. Mjerisht kjo po ndodhë si pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet liderëve partiak. Ata për arritjen e interesave personale po e zhytin vendin në krizë. Pothuajse e njëjta garniturë e këtyre njerëzve që nga çlirimi e deri më sot e ka grabitur buxhetin e Kosovës, duke e mbajtur peng zhvillimin e saj. Këta njerëz të uritur pa grimë ndërgjegjeje po vazhdojnë lojën e tyre të paskrupullt me qytetarët e Kosovës.
Korrupsioni dhe nepotizmi kanë prekur çdo pore të jetës. Po ashtu ekonomia është e brishtë dhe e monopolizuar e aspak premtuese. Arsimi zvarritet me paterica. Shëndetësia e pa reformuar ec e lodhur sikur vetë i sëmuri. Krimi e ka strehë institucionin nga i cili duhet të ndiqet. Gjyqësori është vërshuar nga njerëz që u mungon ndjenja e drejtësisë. Arti e kultura krijohet me shabllone dhe sipas tekeve. Vendet e punës janë hapur në formën që padroni paguan sa ka rahmet (mëshirë). Sindikalizmi ekziston vetëm formalisht dhe i siguron rehati një grupi të vogël të pleqve të mbledhur rreth tij.

“Avokati i Popullit” dhe “Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut” në mungesë të mjeteve nuk kanë mundësi që ndikimin e tyre ta shtrijnë jashtë pragut të ndërtesave ku veprojnë. Të gjitha këto dukuri negative i ka krijuar klasa politike e papërgjegjshme e Kosovës. Shumë nga politikanët që dje kanë hyrë në politikë me biçikletë sot janë milionerë! Kurse ata që kanë lënë lëkurën në punë dhe ata që i kanë lënë gjymtyrët e trupit nëpër beteja marrin të ardhura mujore ofenduese prej 75 eurosh. Rinia e pa perspektiv sillet rrugëve me duar në xhepa e xhepat bosh. Një numër i madh i tyre ikin në Perëndim të detyruar nga skamja. Udhëheqësit tanë marrinë kolltukët, mbushin xhepat, dhe ngrenë hundën vinç përpjetë. Kurse populli i varfër rrokulliset teposhtë nëpër litarin e gravitetit. Politikanët e Kosovës me rrena dhe premtime boshe se, edhe lumenjtë në vend të ujit do të rrjedhin qumësht e kanë përvetësuar elektoratin. Pastaj jemi të sigurt që edhe votuesi nuk është fare i lirë në përcaktimin e tij gjatë zgjedhjeve. Ai ndikohet nga ndonjë parazitolog i cili shkon si insektet që i shtynë era duke marrë pas vetes edhe njëmijë të tjerë jashtë vullnetit të tyre.
Kjo situatë ka prodhuar edhe Presidenten e zgjedhur me telekomandë. Në fakt asgjë nuk vërteton më bindshëm se ky rast s‘e sa përfillet vullneti i lirë i popullit të Kosovës?! Avantazhet, privilegjet dhe imunitetet e krijuara nga pozitat që mbajnë udhëheqësit tanë kanë bërë që ata të jenë të pangopshëm me pushtet, dhe mos t’u thonë asnjëherë – JO prirjeve të tyre egoiste. Prandaj me çdo kusht po mundohen të qëndrojnë sa më gjatë në krye të shtetit, pa kuptuar asnjëherë që sistemi Kushtetues – Kosovën e definon si Republikë demokratike të bazuar në parimin e ndarjes së pushtetit dhe kontrollit të balancuar ndërmjet grupeve të dala nga vota e lirë e popullit. Liderët partiak të Kosovës, me veprime të njëanshme po e shndërrojnë Kosovën në shtet vasal. E, meta e tyre ma e madhe është se ata edhe pse e rrjepin së bashku Kosovën, nuk arrijnë asnjëherë kompromis pa ndërhyrje nga jashtë. Të gjitha këto zhvillime negative asnjëherë nuk garantojnë cilësi. Pa sistem të mirëfilltë elektoral edhe pa siguri të votës së lirë vështirë mund të ndodhë këndellja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura