ARIF EJUPI: SIMPOZIUM MBI ÇËSHTJE TË VEÇANTA E ME INTERES TË PËRBASHKËT

Gjenevë, 12. 03. 2016: Sipas filozofit Edgar Morin, uniteti dhe diversiteti janë pazgjidhshmërisht të lidhura në mes veti dhe si të tillë u mundësojnë shoqërive moderne bashkëjetesë pa konflikte.
Në kuadër të këtij mendimi filozofik dhe në vigjilje të javës kundër racizmit, Universiteti Popullor Shqiptar, i Gjenevës,i ndihmuar edhe nga Zyra për Integrim e këtij kantoni dhe bazuar në agjendën 21 po ashtu të Gjenevës, organizoi një ditë tejet të ngjeshur konferencash dhe debatesh, ku temë qendrore ishin Dallimet, Diversiteti dhe Diskriminimi ndaj të huajve.
Hapjen e këtij tubimi me tema interesante e bëri Presidenti i UPSH –së Manuel Tornare, njëherit edhe deputet federal i Parlamentit të Zvicrës, e po ashtu udhëheqës i asociacionit LICRA ,të Gjenevës. Pastaj fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e UPSH-së Albana Krasniqi – Malaj. Ajo e njohur si eksperte federale e çështjeve të migracionit dhe të shkollimit të pranishmit fillimisht i njoftoi me përmbajtjen e temave duke prezantuar veç e veç secilin diskutues.
Këto tema aktuale dhe mjaft të rëndësishme prekën bërthamën e të drejtës qytetare të mirgrantëve dhe statusin e tyre në Zvicër. Gjithashtu u shqyrtuan dhe pengesat e problemet që e ndjekin këtë kategori.
Përmes një shikimi Juridik, sqarime të rëndësishme rreth kësaj teme ka dhënë edhe zonja Ardita Driza Maurer , e specializuar në fushën e Jurisprudencës dhe këshilltare e pavarur në lëmin e të drejtave politiko- juridike në kuadër të UPSH-së. Kjo temë u plotësua edhe nga Zonja, Nicole Pomezny, koordinatore e aktiviteteve të Avenir Suisse,njohëse e shkëlqyer e problematikës së të drejtave të përgjithshme të migrantëve. Sipas zonjës Pomezny e drejta e votës dhe e zgjedhjes së të huajve është e paevitueshme . Dhënia e kësaj të drejte të të huajve në gjithë Zvicrën mbetet vetëm çështje kohe thotë Pomezny.

Alexandre Mégroz dhe Inge Hoffman, që hulumtimet e tyre mbi migrimin i kryejnë në terren vunë në dukje ardhjet e vazhdueshme të të huajve e sidomos ato gjatë dekadave të fundit dhe të drejtën e tyre qytetare për të qenë pjesë aktive e shoqërisë në Gjenevë dhe në kantonet tjera të Zvicrës.
Pjesa e dytë e këtij simpoziumi trajtonte çështje të shumta mbi fenë dhe fërkimet sociale që mund të shkaktohen në kontekstin aktual. Profesori i njohur i sociologjisë pranë universitetit të Gjenevës,Matteo Gianni me diskutimin e tij përmbajtjesor solli një frymë të freskët mendimi rreth bashkëjetesës dhe komunikimeve ndërkulturore. Sipas tij, feja është rregullator në marrëdhëniet midis grupit dhe individit. Respektimi i besimit të tjetrit kthehet në gur themel të bashkekzistencës. Në këtë rast nuk bëhet fjalë s’e a e do apo jo fenë e tjetrit. Primare dhe e njerëzishme është ta respektosh tjetrin me të gjitha veçoritë , duke përfshirë edhe ato fetare.
Në frymë të ngjashme debatoi edhe profesoresha e Universitetit të Llozanës ,njëkohshëm dhe drejtoreshë e institutit të shkencave sociale dhe feve bashkëkohore, Monika Salzbrunn, e cila termin « Integrim » e quajti si të dalë mode por që në vakuumin leksikor dhe semantik derisa nuk kemi ende shprehje tjetër duhet vazhduar emërtimet e kësaj dukurie me të njëjtin term.
Ndërkaq imami dhe drejtori i Fondacionit të njohjes së ndërsjellë, Hafid Ouardir, i veçuar për qëndrimet e tij parimore e etike foli në mënyrë pasiononte mbi konceptin e njohjes reciproke duke potencuar se kjo njohje nuk duhet të pritet vetëm nga migrantët por edhe nga shoqëria pritëse, si një proces mirëkuptimi kolektiv. Maurice Gardiol, ekspert i të drejtës kushtetuese në kantonin e Gjenevës dhe president i Camarada, diskutimin e tij e përqendroi rreth bashkëjetesës paqësore dhe konceptit të fesë. Ai gjatë fjalës së tij tha:është e sigurt se ne jetojmë së bashku, dhe jemi thuajse të detyruar ta ndërtojmë bashkëjetesën në kushte optimale. Gjithashtu u shoshitën dhe temat mbi laicitetin dhe islamofobinë
Ky simpozium , nxori në pah interesimin e madh të publikut ngase kjo temë e panjohur ishte një mister që u hapi rrugë stigmatizimeve dhe spekulimeve të ndryshme.
Diskutuesja tjetër Rozita Fibbi, profesoreshë në universitetin e Neuchatelit, dhe një nga studiueset e pakta të kësaj fushe ka përqendruar studimin e saj mbi diskriminimin e shqiptarëve dhe kombësive të tjera të ish-Jugosllavisë. Ajo gjatë diskutimit të saj preku çështje nga sfera e punësimit duke ofruar statistika të shumta rreth kësaj problematike.
Thierry Apotheloz,kryetar i bashkësisë së Komunave të Gjenevës dhe Kryetar i Komunës Vernier, vuri theksin në përgjegjësinë individuale dhe atë kolektive të shoqërisë mbi dallimet,diversitetin dhe diskriminimin. Këto tema ai i vlerësoi si mjaft të qëlluara,për çfarë shprehi konsideratën e tij të lartë
ndaj UPSH-së si kryeorganizator i këtij debati.Mendimin e tij e plotësoj edhe zonja GiuliaWillig, përfaqësuese e sindikatës UNIA, e cila me mjaft kompetencë paraqiti një panoramë të detajuar të problemeve në fushën e punësimit dhe të vështirësive që hasin të huajt për arsye të origjinës së tyre. Diskutuesi i radhës Ibrahima Gissé studiues pranë Shkollës së Lartë për punë sociale në Gjenevë,vuri në dukje dallimet që ekzistojnë në rrafshin e punësimit midis migranëtve të ardhur nga jugu i planetit dhe të atyre të vendeve tjera.
Të pranishmit në sallë dhe përfaqësuesit institucional, të shoqërisë civile si dhe bartësit e funksioneve të larta politike të kantonit të Gjenevës u shprehen mjaft të kënaqur me organizimet dhe nismat e UPSH-së , të cilat i quajtën si shembull edhe për të tjerët.
Me të përfunduar debatet e këtij simpoziumi në skenë është ngjitur këngëtarja e njohur Elena Duni, e cila me interpretimet e saj të bukura ka kënaqur të gjithë të pranishmit. Kurse për dashamirët e poezisë kësaj radhe është përkujdesur krijuesja e devotshme Besa Myftiu, e cila ka këputur nga krijimtaria e saj disa poezi të cilat i ka lexuar me mjaft ëndje para auditorit.
Meqë një nga temat boshte ishte edhe diversiteti organizatori kishte sjell nga rruga interpretues të muzikës cigane. Me notat e tyre ritmike dhe festive pjesëtarët e këtij komuniteti ndezën atmosferën në sallë. Duartrokitjet e gjata drejtuar atyre ishin dëshmia më e mirë se interpretimet e tyre ishin të pëlqyeshme dhe padallime nga të gjithë pjesëmarrësit.
Dhe krejt në fund të këtij takimi Zonja Albana Krasniqi- Malaj, drejtoreshë e UPSH-së i njoftoi të gjithë të pranishmit se debatet dhe animacionet e kësaj dite të interesuarit së
shpejti mund t’i gjejnë edhe në sajtin ( www.upa.ch )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura